Home / Të ndryshme / METAFORA “SOLLI NË JETË” NË VEND TË LINDJES TRADICIONALE

METAFORA “SOLLI NË JETË” NË VEND TË LINDJES TRADICIONALE

Beqir Elshani

Duhet pasur parasysh se derisa mbarsja te kafshët është mjet instinkti, shtatzënia te gruaja është e vetëdijshme. Shtatzënë është gjendja e gruas gjatë periudhës me barrë, kurse për kafshët thuhet se mbeten mbarsë, bëhen me barrë, prandaj thuhet: Lopa është mbars, kurse gruaja është shtatzënë. Kuptohet që kafsha femër nuk mbetet shtatzënë as nuk lind, por mbarset dhe pjell një apo disa të vegjël (viç, këlysh mëz, kotele etj). Prandaj nuk thuhet “Macja lindi një kotele dhe bushtra lindi këlyshët e parë”, por të dyja pollën të vegjlit e tyre, pasi që kafshët në gjuhën shqipe nuk lindin, por pjellin. Ka raste kur gabimisht shkruhet për lopën, pelën dhe gomaren që lindin foshnja, të vegjël apo fëmijë, kur dihet që të gjitha kafshët në botën shtazore pjellin të vegjlit e tyre. Ngjashëm sikur përdorimi i fjalëve vdes dhe ngordh është edhe përdorimi i fjalëve lind dhe pjell: e para përdoret për lindjen e fëmijëve për njerëzit, e dyta për pjelljen e të voglit të kafshës gjitare. Fjala pjell përdoret edhe për frytet e pemëve që bëjnë ose lidhin kokrra, pastaj frazeologjia për shpikjen e ideve të dikujt: “i pjell mendja”. Fjala lind është folje jokalimtare dhe është e kundërta e fjalës vdes, që për fëmijët thuhet lindi djalë, çupë.

Me një lajm suedisht ”Kvinnan misstänks ha mördat mannen hon väntar barn med”, shqip shkruante: “Gruaja dyshohet të ketë vrarë burrin me të cilin kishte mbetur shtatzënë (priste fëmijë)”. Sipas shembullit bazë suedisht (togfjalëshi në kllapa) priste fëmijë është përsëritje e togfjalëshit kishte mbetur shtatzënë. Konkretisht, lajmi i njëjtë suedisht në gjuhën kroate ishte përkthyer me masë, kurse në gjuhën shqipe me shpjegim plotësues, që do të thotë sikur lexuesit shqiptarë nuk e kuptojnë fjalën “shtatzënë”, prandaj gazetari mundohet të tregojë që java i ka shtatë ditë. Shtypi zyrtar i Tiranës ngurron të shkruajë me stil zyrtar për lindjen e fëmijës nga çiftët bashkëshortor, se për prindërit që sjellin në jetë fëmijën e parë, shpërblimi do të jetë 40 mijë lekë të vjetra, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë, dhe për fëmijën e tretë 120 mijë lekë. Në gjuhën letrare shqipe duhet shkruar me stil zyrtar për lindjen e fëmijës, jo me eufemizëm “sjellë në jetë”. Që shtypi gënjen, shihet në fjalinë “Mjekja zbulon kur mund të vijë në jetë djali i dytë i gruas shtatzëne”, pasi që mjekja zbulon kur do të lind djali i dytë. Ndërkohë që shtypi botëror shkruan për aktoren amerikane që ka lindur fëmijë, shtypi shqiptar shkruan me trop “Modelja e njohur sjell në jetë një vajzë”. E njëjta gjë vlen edhe për tropin letrar “Nëna solli në jetë djalin apo vajzën”, i cili në bibliografinë e internetit shqiptar shkakton huti, kurse me anën e fjalës konkrete lind shënimet rreth vitlindjes dhe vendlindjes do të gjenden më shpejt dhe më saktë se tropi solli në jetë. Për nënën që lind me mundime shtypi shkruan me eufemizëm “Ia doli të sjellë në jetë fëmijën” në vend se të shprehet me kallëzues të thjeshtë e të qartë “Ia doli të lind fëmijën”, ashtu siç lind dielli i agimit. Tropi “solli në jetë” nënkupton sikur fëmija të kishte qenë në agoni, kur dihet që fëmija është i shëndoshë edhe në barkun e nënës, bile lëviz këmbë e duar dhe lëshon zë para se të lindë.

Duhet pasur parasysh se gjuhët tjera europiane kanë të vetmen fjalë “lind” dhe “vdes” si për njerëzit ashtu edhe për kafshët, përkundrazi gjuha shqipe i ka dy fjalë të dalluara: “lind” dhe “vdes” për njerëzit dhe bimët, kurse “pjellë” dhe “ngordh” për kafshët dhe insektet. Prandaj shtypi shqiptar duhet të ketë kujdes kur shkruan:

Delja lind këlysh-qeni në Kinë. (duhet pjell)
Në Elbasan u lind qengji me gjashtë këmbë. (duhet u poll)
Një dele nëntë vjeçare ka lindur tetë qengja. (duhet ka pjellë)
Delja e virgjër lind binjak. (duhet pjell)
Lopa shtatzënë lindi katërfishtë. (duhet mbars polli)
Lopa në prag të lindjes. (duhet të pjelljes)
Lopa ka lindur me një këmbë të pestë. duhet (ka pjellë)
Në familjen shqiptare lopa lind katër viça. (duhet pjell)
Në Therandë lindet viçi me dy gjini. (duhet pillet)
Lopa i lind 3 viça ne Pestovë të Vushtrisë. (duhet i pjell)
Viçi që u ngjiz në Amerikë, por lindi në Kosovë. (duhet u poll)
Lind “lopa e shenjtë” në Indi, fshatarët e konsiderojnë Zot. (duhet pjell)
Në Indi adhurohet lopa e lindur me tipare njeriu. (duhet e pjellë)

Të gjitha këto shënime të marra nga shtypi i vendit tregojnë mungesën e njohjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare shqiptare.

Dukuri tjetër është me rastin e lindjes së fëmijës, për të cilin në vend se shtypi të shkruajë me logjikë se nëna lindi një djalë apo vajzë, shprehet me trope të panevojshme, me anën e së cilës e mundojnë lexuesin fëmija erdhi në jetë, nëna solli në jetë fëmijën e saj ose nëna sjell në jetë një vajzë, kurse duhet shkruar “fëmija lindi”, “nëna lindi fëmijën e saj” ose “nëna lindi një vajzë”. Në lajmin ditor “Në Spitalin e Pejës gjatë ditës së djeshme kanë ardhur në jetë pesë foshnje” duhet të jetë kanë lindur. Shembujt e fundit kanë edhe anën ekonomike (kursehet kohë, letër e ngjyrë), meqë në vend të eufemizmin “sjellë (ardhur) në jetë” shkruhet me foljen e thjeshtë e të kuptueshme “lind”. Nuk ka asnjë dyshim që lajmet e lindjes së fëmijëve të marra prej anglishtes po shtrembërohen. Më poshtë po shënoj një lajm për lindjen e fëmijës në gjuhët e ndryshme që është marrë prej burimit anglez:

Anglisht: British singer, Lily Allen, has given birth to a baby girl.
Suedisht: Brittiska sångerskan, Lily Allen, har fött en flicka.
Kroatisht: Britanska pjevačica, Lily Allen, je rodila djevojčicu.
Shqip: Këngëtarja britanike, Lilly Allen, ka sjellë në jetë fëmijën e saj që i takon gjinisë femërore.Shqip: Këngëtarja britanike Lilly Allen ka sjellë në jetë fëmijën e saj që i takon gjinisë femërore.

Në vazhdim, lajmi i përkthyer nga anglishtja bazë sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe duhet të shkruhet kështu: “Këngëtarja britanike Lily Allen ka lindur një vajzë”. Një rast tjetër është lajmi anglisht për lindjen e fëmijëve, që është shkruar rrjedhshëm: “Man who fathered three children with his own daughter during 16-year relationship – and got off with a CAUTION when police found out – is jailed for four years” (Njeriu që lindi tre fëmijë me të bijën e tij gjatë marrëdhënies 16-vjeçare – ishte i kujdesshëm kur u policia mësoi – burgoset katër vjet). Përkundrazi këtë lajm shtypi shqiptar ngurron ta shkruajë sipas burimit anglisht, ndaj e shtrembëron duke shkruar me stil metaforik, me anën e së cilës shkel etikën e gazetarit, kur dihet që në anglishte shkruan për burrin që ka lindur tre fëmijë”, jo me shprehje metaforike “burri që ka sjellë në jetë tre fëmijë”, ose kur nëna tregon: “Shtatë muaj më parë solli në jetë djalin”. Ndërsa lajmi vjetor ”Prej këtyre lindjeve, erdhën në jetë 5 mijë e 376 djem dhe 4 mijë e 808 vajza”, duhet të shkruhet “…lindën 5376 djem dhe 4808 vajza”. Po ashtu lajmi në vikipedia shkruan me shprehje metaforike: “Maria solli në jetë 2 vajza”, në vend se të shkruhet me tekst administrativ: “Maria lindi dy vajza”, ashtu siç shkruajnë të gjitha enciklopeditë botërore. Për fat të keq, edhe google-përkthimi tekstin suedisht “Zeus föder sedan ur sitt huvu deras barn” (Zeusi më pas prej kokës lind fëmijën e tyre) e përkthen me eufemizëm “Zusi më pas prej kokës sjell në jetë fëmijëm e tyre”. Unë zemërohem pse ky eufemizëm nuk ndodh në gjuhët tjera, siç është kroatishtja, por ndodh në gjuhën autoktone shqipe. Në vazhdim, derisa shtypi italian i vendit shkruan me fjalor zyrtar për lindjen e vajzës, shtypi shqiptar shkruan me trop “Vjen në jetë një vajzë”, duke theksuar 3-4 herë të njëjtën shprehje. Duket se shtypi turpërohet të përmendë lindjen e fëmijës që del nga barku i nënës, prandaj shprehet me eufemizëm. Me eufemizëm shkruajnë edhe për kafshët, për shembull: “Peshkaqeni femër përpara plazhistëve solli në jetë të vegjlit e saj” dhe “Bushtra solli në jetë pesë këlyshë”, në vend të shqiptimit biologjik “Bushtra polli pesë këlyshë”.

Nëse nëna tregon që shtatë muaj më parë solli në jetë djalin, gazetari duhet të shkruajë me shkrim dokumentar “Shtatë muaj më parë nëna lindi djalin”. Sa keq, nëna 20-vjeçare nën kujdesin e mjekëve nuk e paska lindur, por e ka sjellë në jetë foshnjën “gjigante”. Kurse nëna e re për deklaratën “Sapo kisha sjellë në jetë një bebe të vogël”, duhet konkretizuar që sapo kishte lindur beben. Duhet pasur parasysh se lindja e foshnjës nuk është e turpshme, prandaj duhet shkruar fjalën madhështore të lindjes, ashtu siç lind dielli i mëngjesit. Vlen të shtohet se për lajmin Xhensila do të sjellë foshnjën në jetë në fund të korrikutlexuesit kanë nevojë për komentuesin që t’ua shpjegojë shprehjen metaforike, meqë (lexuesit) i kuptojnë vetëm lajmet zyrtare. Lajmi tjetër me eufemizëm të dyfishtë është “Ѕaрo ѕolli në jetë fëmijën e ѕaj, ndērron jetë nëna”, në vend të lajmi dokumentar “lindi” dhe “vdes”. Kurse tjetra “Një vajzë 14-vjeçare është bërë nënë pasi ka sjellë në jetë fëmijën e saj në Klinikën e Gjinekologjisë”, duhet të shkruhet me tekst shkencor ka lindur fëmijën e saj, pasi që në institucionin shëndetësor nuk sillen në jetë fëmijët, por lindin. Prandaj edhe nëse nëna thotë që zoti ia ka falë fëmijën, dihet që gazetari detyrohet të shkruajë që nëna ka lindur fëmijën.

Që shtypi shqiptar po i shkelë rregullat e etikës kombëtare shihet në lajmin e lindjes së indianit 27-vjeçar, i cili ankohet “Djali padit prindërit pse e sollën në jetë”. Si zakonisht ky lajm është marrë nga shtypi i huaj, në të cilin shkruan me stil të qartë “27-year-old wants to sue his parents for giving birth to him without his consent”, që në gjuhën shqipe del: “27-vjeçari dëshiron të padisë prindërit për lindjen pa pëlqimin e tij”. Duket qartë që shprehja revoltuese e indianit është e zakonshme edhe në mesin e të rinjve shqiptarë, mirëpo kurrë nuk ankohen me trop “Pse nënë më solle në jetë?”, pos me fjalën konkrete “Pse nënë më linde?” Këtu shihet që shtypi shqiptar vazhdon të vuaj nga sindromi i eufemizmit, prandaj ka nevojë të emancipohet në pikëpamje kulturor dhe të shkruajë hapur për lindjen me gëzim dhe për vdekjen me pikëllim. Me një faqe të shtypit fillim e mbarim gazetari shprehet me eufemizëm solli në jetë, askund nuk përmendet lindja biologjike e fëmijës: ”14-vjeçarja jashtë martesës solli në jetë fëmijën e parë”. Kurse në shembullin e fjalisë “Nëna vdes pasi solli në jetë fëmijën” kemi ngatërrimin e tekstit shkencor vdes dhe tropin e përbërë “solli në jetë”, në vend të fjalës dokumentare lindi vajzën. Në shembullin e fjalisë “Pasi solla në jetë fëmijën e parë, prindërit më sollën në shtëpi”, nuk figuron lindja, por vetëm folja kalimtare sjell. Vlen të përforcohet se asnjë fjalë nuk është më e qartë dhe më e dashur se lindja, kur dihet që për çdo mëngjes dielli lind në horizontin lindor. Prandaj më bukur kumbon lajmi, kur thuhet “nëna lindi fëmijën”, se “nëna solli në jetë fëmijën”. Nuk do të ishte aspak e logjikshme po të pyetet njeriu “Kur ke ardhur në jetë?” në vend të pyetjes konkrete “Kur ke lindur?”.

Në librin e përkthyer ”Kafshët e Afrikës” për gorillën fjalia: ”Është shumë vështirë të kuptosh nga shenja të jashtme kur janë shtatzëna gorillat”, flitet për gorillën mbarsë, prandaj duhet shkruar ”kur janë mbars gorillat”. Duhet pasur parasysh se sipas FGjSh shtatzënësi quhet gjendja e gruas gjatë periudhës së barrës, ndërsa ”mbars” quhet gjendja e kafshës gjatë periudhës së mbarsjes. Në vazhdim në të njëjtin tekst: ”Deri në fillim të vitit 1969 në parqet zoologjike qenë regjistruar 21 raste lindjesh të gorillave (megjithëqë nga të porsalindurit jetuan vetëm 18). Gorillat lindin në çdo stinë, shtimi i tyre bëhet në ndonjë sezon të caktuar”. Pastaj në fjalinë: “Një këlysh gorille, që lind në një park zoologjik peshonte në kohën e lindjes 2100 gramë”. Prandaj në vend të fjalëve ”lindjesh” dhe ”porsalindurit” që i përket shoqërisë njerëzore, duhet shkruar ”pjelljesh” dhe ”porsapjellët”, pastaj në fjalinë tjetër duhet shkruar “që pjellë”, sepse i përkasin grupit të kafshëve. Duket qartë që shtypi ngurron të shqiptojë fjalën “pjellë”, prandaj shprehet me eufemizëm. Për habi në fund të tekstit përkthyesi ka shënuar fjalën e konkrete “Gorillat pjellin shumë rrallë: vetëm një herë në tre vjet e gjysmë dhe bile në katër vjet e gjysmë. Gjysma e pjellave ngordh në moshë të re”. Prandaj sipas etikës së gjuhës njeriu që lind edhe vdes, kurse kafsha që pillet edhe ngordh. Pikërisht zogjtë pjellin vezë, kurse pemët pjellin fryte.

PËRDORIMI I FJALËS SË NATYRSHME NË GJUHËN SHQIPE

Eufemizëm i tepruar në lajmet shqipe
Eufemizm (greq. euphemia) është besim popullor, të cilën më vonë e miratoi edhe feja, e cila përdoret për zbutjen e dhimbjes në vend të fjalës që duket e pakëndshme, siç janë vdekja e personit, paaftësia dhe marrëdhëniet seksuale. Eufemizmi është krijuar në kohën primitive, kur njerëzit nuk kanë mundur të kuptojnë zhvillimin e jetës, prandaj në vend të vdekjes kanë përdorur shprehjet zbutëse. Në kohën e faraonit, për vdekjen e të afërmit njerëzit nuk janë tronditur, për shkak se kanë besuar se shkojnë në botën tjetër, të cilëve u kanë dërguar ushqim në varre. Në dallim me kohën e vjetër sot të gjithë e dinë që njeriu i vdekur nuk kthehet në jetë, dhe vdekjen sado të dhimbshme e pranojnë me vetëdije të lartë. Me anën e syzave dhe përforcuesit në vesh sot njeriu sheh dhe dëgjon mirë, përndryshe do të binin në grupin e të verbërve dhe të shurdhërve. Prandaj po t’u hiqen syzat dhe aparati i dëgjimit, dihet që njeriu mbetet i verbër dhe i shurdhër. Këtu shihet se me anën e eufemizmit mbulohet realiteti, qoftë i dëmshëm qoftë i dhimbshëm.

Eufemizmi frazeologjik ndërroi jetë në vend të fjalës së natyrshme vdes, që është në përputhje me etikën dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe, po përhapet në mbarë shtypin shqiptar dhe në radiotelevizion. Fjala „vdekje“ është e dhimbshme, mirëpo pa këtë fjalë do të varfërohej fjalori, tradita dhe folklori ynë kombëtar, që i paraprinë fesë, kur dihet se gjuha është më e vjetër se feja. “Prej çastit që kur linde, ti je shënuar në librin e vdekjes”, shkruan dijetari latin, Seneka. Kurse Lukreci në veprën e tij “Mbi natyrën” shkruan “Nuk duhet të na tmerrojë vdekja, kështu ka vendosur natyra, çdo gjë që lindet, duhet të vdesë”. Ndërsa poeti romak, Horaci, shkruan se për çdo njeri në botë vdekja vjen. Prandaj me të drejtë duhet të thuhet: “Lavdi lindjes!”, por edhe “Nderim vdekjes!” Ashtu siç është sëmundja e kundërt e shëndetit, është vdekja e kundërta e lindjes, prandaj këtë baraspeshë natyrore nuk mund ta ndryshojë askush, sado e dhimbshme të jetë, sepse vetë trupi i pajetë i qenies është i vdekshëm. E kundërta e fjalës gëzim është pikëllimi, prandaj edhe e kundërta e jetës është vdekja: e para është gëzim që e përjetojmë me kënaqësi, kurse e dyta është pikëllim që e përjetojmë me hidhërim e me dhimbje. Duhet pasur parasysh se kur një kokërr grur mbillet në dhe, vdes; mirëpo me vdekjen e kokrrës së grurit ringjallet kalliri me dhjetëra kokrra, ndërsa me njëmijë kokrra grurë të mbjellë në arë, mbijnë miliona kokrra grurë për ushqimin e një katundi. Gjithashtu, për të ardhur vitit i ri, duhet të vdesë viti i vjetër, siç thuhet për ringjalljen e jetës së re, prandaj poeti turk, Nazim Hikmet, djepin e quan feniks i lindjes dhe i vdekjes. Kur vdekja nga ana biologjike e vret jetën, e merr me vete dhe nuk e kthen, mirëpo nga ana filozofike jeta e vret vdekjen: domethënë me anën e punës dhe arsyes. Njerëzit e kanë vështirë të pranojnë kuptimin e vdekjes në përshkrim kur dikush vdes, prandaj përdorin shprehjen e butë (eufemizmin): „ndërroi jetë“, „mbylli sytë“, “dha shpirt”, „shkoi në atë botë“, „shkoi në amshim“, „ndahet nga jeta”, “gjendet i pajetë“, “i pushoi zemra”, “e la shtratin”, “shuhet në moshën…”, “përcillet në banesën e fundit” etj. në vend të fjalës së vetme me kuptim të natyrshëm – vdes apo gjendet i vdekur. Eufemizmi “…u përcollën në banesën e fundit”, është një shprehje metaforike, e cila përdoret në letërsi, dhe kurrë jo në lajmin ditor, meqë duhet shkruar “…u përcoll në varrim”.

Tekembramja, shprehjet frazeologjike kanë kuptimin e përgjithshëm vdekjen, që sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe do të thotë ndalim i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, ndërprerje përgjithnjë e shkëmbimit biologjik të lëndëve në organizëm a në një pjesë të tij; mbarimi a fundi i jetës së njeriut. Konkretisht, në Historinë e Letërsisë Shqiptare nuk shkruan se poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, „ka ndërruar jetë“, por ka vdekur në vitin 1900. Kurse në librin voluminoz „Historia e Popullit Shqiptar“ shkruan se më 17 janar 1468, i mbuluar me një lavdi të përjetshme, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vdiq në Lezhë. Prandaj duhet pasur kujdes, fëmijëve parashkollorë nuk u thuhet që nëna pas lindjes së Borëbardhës ndërroi jetë, por vdes. Njeriut të emancipuar aspak nuk do t’i vinte mirë që pas vdekjes së tij të shkruhet me eufemizëm: “humb betejën me sëmundjen”, ”ndërron jetë në spital”, pastaj “me hidhërim mësuam lajmin e ndarjes nga jeta” në vend se të shkruhet me tekst dokumentar “ vdes në spital” dhe “morëm lajmin e vdekjes”. Është për t’u habitur se në disa lajme të shtypit, ndonëse gazetarët janë profesionalistë, megjithatë lajmi për vdekjen e qytetarëve shkruhet sikur të ishin faktorë fetarë. Për vdekjen e dëshmorit, veprimtarit kombëtar dhe zyrtarit shtetëror, nuk kanë guxim të përmendin vdekjen, sado e dhimbshme të jetë. Me një lajm të shtypit ”Bota Sot” është botuar letra e kryetarit të OVL-UÇK-së për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtares, në të cilën shihet që nuk ka guxim të shkruajë që ka marrë lajmin e vdekjes së ushtares heroike.

Me përdorimin e shpeshtë të njësisë frazeologjike ndërroi jetë, shtypi shqiptar po e vret fjalën vendëse shqipe vdes. Sipas eufemizmit ndërroi jetë po dashka që burrit 60-vjeçar t’i thuhet djalosh, ndërsa gruas 60-vjeçare nuse. Prandaj fjalën e kuptueshme dhe të natyrshme vdes duhet nderuar dhe jo nënçmuar, më në fund, të mos bëhemi më të dhimbshëm (kupto: sentimental) apo më të mençur se shtypi italian dhe ai anglez. Mua më vije inat që shtypi kroat tregohet më i qytetëruar se shtypi shqiptar, të cilët gjithashtu shkruajnë me kulturë, siç shkruan i huaj. Pikërisht në lajmin burimor kroat shkruan “Umro hrvatski nogometaš, Bruno Boban”, ngjashëm edhe faqet angleze “Croatia footballer died” (Vdes lojtari kroat”, kurse shtypi shqiptar shkruan me eufemizëm “(Ndërron jetë lojtari kroat). Sipas kësaj shihet që gazetat kroate e angleze janë më të emancipuara se gazetat shqiptare. Natyrisht, që vdekja e të afërmit është e rëndë dhe e dhimbshme, mirëpo vdekja më e madhe dhe më tronditëse është kur malet tona i shkrumbon zjarri, prej nga së bashku me drutë digjen të gjitha llojet e shkurreve, pastaj së bashku me to digjen të gjitha llojet e insekteve, kafshëve dhe zogjve; ku si pjesë e kësaj katastrofe natyrore, pësojnë edhe njerëzit; meqë mjedisi natyror do të ndotet, kurse në vend të gjelbërimit, do të duket shkretëtira e zezë. Prandaj ashtu siç vdesin njerëzit, vdesin edhe malet, edhe lumi me detin, edhe gjuha, edhe zakonet, edhe padituria. “Frika e vdekjes është një torturë për njeriun” thotë Lukreci.

Në raporti e Policisë së Kosovës shkruante për një grua që ka ndërruar jetë në spital, e cila dhunohej nga i shoqi në mënyrë sistematike, dhe për viktimën femër që ka ndërruar jetë në QKUK, pastaj për gruan që mjekët gabimisht ia kanë hequr veshkat e shëndoshë, në vend se të thonë gruaja vdes, thonë ndërron jetë, megjithatë këto janë raporte zyrtare të administratës policore, prandaj duhet shkruar “Ka vdekur në spital”. Lajmi tjetër fillon me titullin “Një grua vdes nga mbidoza në spital”, pastaj vazhdon: “Raportohet se një grua ka ndërruar jetë në QKUK për shkak se kishte pirë sasi të tepruar të medikamenteve. Kurse në lajmin “Sipas prokurorisë, për shkak të depresionit, e ndjera ka pirë helm-herbicid, ndërsa të nesërmen kishte ndërruar jetë në Fakultetin e Mjekësisë”, është bërë gabim i dyfishtë, sepse prokuroria dhe Fakulteti i Mjekësisë janë organe zyrtare që nuk guxojnë të shprehen me eufemizëm, por me tekst letrar “…kishte vdekur”. Gjithashtu sipas etikës mjekësore nuk shkruhet “Ndërron jetë shefi i spitalit”, si dhe “Ndërron jetë kryeinfermierja e klinikës infektive” por vdes, kur dihet që mjekët nuk ndërrojnë jetë. Shprehjet ”Helmohet me fotoksinë, pastaj ndërron jetë” dhe tjetra “ka ndërruar jetë nga një infarkt kardiak” është lojë me fjalë, kur dihet që fjala është për helmimin dhe vdekjen. Jo vetëm për qytetarët, por edhe nëse është besimtar i fesë, shtypi ditor duhet shkruar zyrtarisht ka vdekur. Tekembramja, me eufemizëm ndryshon vetëm forma e shprehjes, por jo përmbajtja e gjendjes, prej nga kuptimi i shprehjes metaforike ”ka ndërruar jetë” është fjala kapitale ”ka vdekur”.

Duhet pasur parasysh se kjo botë e sotme nuk i përket shoqërisë primitive, kur njeriu kishte frikë nga forcat mbinatyrore dhe besohej për jetën përtej varrit. Nëse njëri prej bijve tregon që babai ndërroi jetë në spital dhe tjetri tregon që babai vdiq, dihet që kuptimi psikologjik është i njëjtë për të cilën familja tronditet njësoj. Shembull konkret është dallimi në mes lajmit të përcaktuar “44 persona kanë humbur jetën në detin Mesdhe” dhe lajmit të papërcaktuar “Mbi 40 persona kanë humbur jetën në detin Mesdhe”, i pari është argument, i dyti është eufemizëm, për shkak të keqardhjes për fatkeqësinë, ndonëse numri i të vdekurve është 44 persona. Njeriu mund të ketë frikë prej fatkeqësisë, vdekjes, tërmetit, vërshimit, thatësisë, zjarrit, por nuk mund t’i mohojë emrat e tyre sado të rëndë dhe me pasoja qofshin.

Në lajmin ”A kishte shqiptarë të përfshirë me UDB-ën në vrasjen e Jusuf Gërvallës?!” në gazetën “Bota sot”, askund nuk përmendet vdekja e tyre heroike më 17 janar 1982 , të vrarë nga agjentura jugosllave. Duhet pasur parasysh se shkrimi për vrasjen e dëshmorëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka nuk është tregim, por ngjarje dokumentare që flitet për veprimtarinë e tyre për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi jugosllav dhe bashkimin shtetin amë – Shqipërinë. Për udhëtarin që ka vdekur në aksident, asnjë gazetë nuk ka guxim të shkruajë që ka vdekur, pasi që vdekja konsiderohet e rëndë. Edhe pse si e para dhe e dyta, viktima ka vdekur. Të gjitha eufemizmat: ndërroi jetë, shkoi në botën tjetër, humbi jetën nga kanceri, mbylli sytë, ra në gjumë, shkoi në qiell (në amshim), nuk kanë asnjë kuptim tjetër pos vdekjes biologjike. Ka edhe përzierje fjalësh, psh. në lajmin ”Pas pesë ditë lufte me vdekjen, i riu ndërroi jetë në spital”, në vend se të shkruhet gazetarisht ”…i riu vdes”. Për habi, për vdekjen e mjekut për nxitjen e vetëvrasjes në mesin e pacientëve, Xhek Kevorkian”, shtypi shkruan “Ndërron jetë, doktor vdekja”, që sipas zemërimit të banorëve ua ka marrë të ligat. Dihet që në shtypin amerikan nuk figuron fare eufemizmi ndërron jetë. Sipas shembujve shihet që gazetari e mundon lexuesin me shprehjen ndërroi jetë, në vend të fjalës konkrete vdes. Pikërisht gazetari lexuesit duhet t‘ia komentojë kuptimin e lajmit metaforik: “E akuzuan për shpërdorim seksual, trajneri ndërron jetë një ditë para gjyqit”, që po ashtu është përdorur në vend të fjalës zyrtare vdes.

Mundim i njëjtë është edhe me ngatërrimin e lajmit në shtyp për vdekjen e punëtorit që bie nga kati i shtatë i ndërtesës, në të cilin mjeku kujdestar paska konstatuar se viktima nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë, kur dihet që mjekësia nuk shprehet me eufemizëm. Sipas lajmit “Shuhet në moshën 82-vjeçare akademiku i njohur”, i ndjeri më shumë do të parapëlqente vdekjen shkencore, se shuarjen apo ndërrimin e jetës metaforike. Për deklaratën “Prej katër të sëmurëve me grip sa kanë qenë në kujdesin intensiv, ka ndërruar jetë pacientja 50-vjeçare”, ka thënë mjekja e klinikës, është e pamundur ta ketë thënë mjekja, pasi që klinika nuk është objekt fetar, por institucion zyrtar i vendit. Sipas rregullores nëse mjeku dhe polici nuk mund të shikojnë të vdekurin, ata nuk mund të vazhdojnë të mbeten mjek dhe polic. Prandaj është e pamundur që organet policore dhe ekipi mjekësor të shprehen me eufemizëm, dihet që organet zyrtare që letrarisht janë shprehur për vdekjen e dhimbshme të qytetarëve, kurrsesi me eufemizëm: “pa shenja jete” dhe “ndërroi jetë”. E njëjta gjë është edhe me etikën mjekësore, nëse mjeku dhe polici në vend të vdekjes fiziologjike shprehet me eufemizëm, shkelin rregulloren. Duhet pasur parasysh se paraqitja e lajmit të vdekjes me anën e eufemizmit, tregon edhe mungesën e emancipimit të mjedisit shoqëror. Me një lajm të shtypit shkruan “Rryma mbyt qytetarin dhe ndërron jetë në spital, prandaj fill pas mbytjes qytetari nuk ka vdekur, por ka ndërruar jetë, megjithëse kuptimi leksikor i fjalës mbyt sipas FGjSh nuk shpjegon asgjë tjetër pos vdekjes fiziologjike të njeriut. Ky lajm është lojë fjalësh, pasi që shprehet me të folmen lokale, prandaj lajmi duhet të shkruhet për vdekjen zyrtare të viktimës.

Shprehjet figurative e kanë vendin në letërsinë artistike, që krijimtarisë letrare i japin ndjenjën e forcës figurative, e cila shkaktohet si dhimbje e thellë ndaj familjes, rrethit shoqëror dhe shtetit për shkak të mospajtimit tragjik. Kafshët në përralla dhe tregime mund edhe të vdesin, ndërsa njerëzit e këqij të ngordhin, mirëpo në enciklopedi, në libra shkencorë dhe administrativë kafshët ngordhin, ndërsa njerëzit vdesin. Megjithatë në asnjë vepër letrare nuk kam hasur shprehje figurative ndërroi jetë, pos vdekjes natyrale. Është për të ardhur keq kur shtypi mundohet të thyej stilin e shkrimit për ngjarjet tragjike, siç është lajmi për vetëvrasjen e dy vajzave në Prizren, për të cilat shkruan se vajzat kishin bërë vetëvrasje duke u hedhur nga kati i banesës: “e para nga kati i pestë i dha fund jetës, kurse e dyta nga kati i tetë mbeti pa shenja jete”, në vend se të shkruante me gjuhë dokumentare si e para ashtu edhe e dyta kanë vdekur. Me eufemizëm është shkruar lajmi për vdekjen aksidentale të dy vajzave rinoshe që e tronditi Tiranën. Ngjashëm është shkruar me edhe për binjakët në spitalin e Beratit “kanë ndërruar jetë”, kur dihet që në institucione zyrtare të sëmurët nuk ndërrojnë jetë, por vdesin shkaku i pakujdesisë së mjekëve në spital. Padyshim që tragjedia është e rëndë, megjithatë shtypi duhet shkruar shqiptarisht për vdekjen e tyre aksidentale. Për lajmin “Gjendet pa shenja jete një person” shtypi duhet të shpjegojë kuptimin e shprehjes, pasi që lexuesit nuk janë të detyruar të kuptojnë shprehjen e zbutur. Prandaj shprehjet figurative “i dha fund jetës” dhe “mbeti pa shenja jete” mund të përdoren vetëm në letërsi, jo në lajmet ditore sado të dhimbshme të jenë. Dallimi në mes lumit që vrapon dhe lumit që rrjedh është se para është shprehje figurative, ndërsa e dyta shprehje shkencore, prandaj derisa poeti në mënyrë poetike shkruan që lumi vrapon, gazetari duhet të shkruajë me fjalë konkrete që lumi rrjedh. Nuk ka dyshim se paraqitja e lajmit me shprehje figurative bëhet lojë fjalësh për lexuesin. Shtypi ditor duhet të kuptojë realitetin se nuk është e tmerrshme vdekja me anën e lajmit, e tmerrshme është vdekja e viktimës.

Eufemizëm i dyfishtë është edhe lajmi “Një person është gjetur pa shenja jete”, pastaj “Mjeku ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete”. Kurse sipas shtypit të Tiranës (me tradita albanologjike) familja nuk e gjen vajzën të vdekur, por pa jetë. Duket qartë që gazetari gënjen, sepse mjeku nuk është person privat, që shprehet me metaforë, por është mjek zyrtar që shprehet me fjalor konkret. Këto shprehje figurative e kanë zënë vendin e fjalës zyrtare vdes, prandaj herën tjetër për vrasjen e viktimës me plumb në kokë shtypi do të shprehet me eufemizëm “ia hodhi trutë në erë”. Për habi në faqen e revistës “Kosovarja” në pesë raste të vdekjes së qytetarëve, asnjë lajm nuk doli me fjalën konkrete vdes, të gjitha dolën me eufemizëm ndërroi jetë. Në këto raste parapëlqehet që redaksia të shpjegojë kuptimin e eufemizmit ndërroi jetë, pasi që lexuesi shqiptar nuk është i detyruar ta kuptojë. Duket qartë që shtypi i ngatërron fjalët për vdekjen tragjike të njeriut: herë shkruan ndërroi jetë, herë mbytet, herë vdes, herë shuhet, herë u gjet pa shenja jete e të ngjashme. Prej të gjitha shprehjeve metaforike, rezultati sado i dhimbshëm të jetë, është se shoferi vdes, për të cilin Shekspiri shkruan se njeriu duhet ta durojë vdekjen, ashtu siç e duron lindjen. Mbase njerëzit mendojnë se përdorimi i eufemizmit e zbut dhimbjen apo pikëllimin, prandaj kur ujku sulmon bagëtinë, atëherë shtypi duhet shkruar me eufemizëm: “gojëlidhuri sulmoi bagëtinë”, ose në vend të sëmundjes së shpretkës të shkruhet “pacienti vuan nga e paemra”, gjithashtu në vend se të shkruhet “i sëmuri gjendet nën kujdesin e mjekëve”, shtypi do të shkruajë: “i sëmuri gjendet nën kujdesin e bluzave të bardha”. Në vend të shprehjes natyrale “fjeta” të shkruhet “i mbylla sytë” dhe “u zgjova” të shkruhet “u përmenda”. Ngjashëm edhe shprehja qoftëlargu të përdoret në vend të djallit, kurse sipas besëtytnive për peshkaqenin të thuhet “gjysmëhëna e detit”, si dhe në vend se të thuhet ”akrepi”, të përdoret eufemizmi ”djalli me bisht, pastaj në vend të fjalës konkrete ”u lodha” të përdoret idioma “më ranë këmbët”, “ia mbathi këmbëve” në vend të fjalës “iku”, në vend të fjalë së vetme “gënjen” të përdoret idioma “nuk thotë të vërtetën”, kurse në vend se të përdoret shprehja “nuk shqetësohem”, duhet të themi “nuk më ftohet fasulet” etj. etj. Të tillët që bëhen të ndjeshëm dhe nuk pajtohen me fjalën e dhimbshme të vdekjes, mund të tregojnë se ku është dallimi në mes njeriu të rëndomtë për të cilin thuhet se gënjen dhe ministrit (për shkak të pozitës shtetërore), thuhet se ministri nuk e thotë të vërtetën? Pa dyshim që rezultati është baras – gënjen. Gjithashtu dallimi në mes fjalës konkrete vdes dhe eufemizmit ndërroi jetë, rezultati është – VDES. Kjo do të ishte sikur qytetari në vend të deklarimit natyral “isha te mjeku” të shprehet ”isha te mantelbardhi”; gjë që do të dilte tallje, dhe është barabartë me eufemizmin ”…ndërroi jetë”.

Ka raste kur shtypi dhe internetit shqiptar shkruan se aktorja ndërroi jetë, kurse në lajmin tjetër shkruan se shkrimtari vdiq, që shkaktojnë huti te lexuesit, edhe pse të dyja rastet kanë përfundim të dhimbshëm – vdekjen. Që gazetari frikohet prej vdekjes së natyrshme, shihet në lajmin e një shtypi me titullin stilistik “Aksidentohet, ndërron jetë çiklisti”, pastaj vazhdon me përshkrimin konkret të ngjarjes tragjike ”Aksidentohet rëndë dhe gjen vdekjen në spital”. Lajm tjetër i ngatërruar është “Vdes duke shikuar futbollin”, pastaj “Një tifoz kinez i futbollit ka ndërruar jetë…”. Këtë lajm e kisha lexuar në shtypin suedez, aty nuk shkruante me eufemizëm, por me fjalën konkrete – vdes. Prandaj nëse gazetarët gabojnë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe, janë redaktorët dhe lektorët, të cilët duhet të kenë kujdes dhe me kohë t’i heqin këto gabime gjuhësore, ata dinë të dallojnë lajmin kronik me tregimin artistik.

Shtypit i mungon guximi dialektik
Është për t’u habitur që shumica e gazetave shqipe nuk kanë guxim dialektik të shkruajnë lajmin zyrtar për vdekjen e shkrimtarit gjerman, Gunter Grass, për të cilin shkruan se në moshën 87-vjeçare ka ndërruar jetë, dhe askund nuk përmendet vdekja. Me shprehje metaforike mund të shkruajnë vetëm fetarët, jo gjuha zyrtare dhe letërsia e emancipuar gjermane, prandaj gjermanisht shkruan pa eufemizëm se shkrimtari gjerman, Gunter Gras, vdiq. Shembull konkret është libri i kirurgut amerikan, Sherwin B. Nuland: “How We Die”, nuk përkthehet me eufemizëm “Si ndërrojmë jetë ne”, por shkencërisht “Si vdesim ne”. Duhet pasur parasysh nëse ndonjë refugjate në Entin për Migracion të Suedisë tregon që burri i saj ka ndërruar jetë në vendlindje, atëherë zyrtari i organit shtetëror për strehimin e refugjatëve, në dokumentin zyrtar shkruan që burri i saj ka vdekur.

Në shtypin anglez shkruante për vdekjen e njerëzve të famshëm në vitin 2016: “Celebrities Who Died in 2016”, fjala “died” domethënë “vdiqën”, kurse në gazetën “Shekulli” me eufemizëm shkruan “Njerëzit e famshëm që ndërruan jetë në 2016-n” në vend se të shkruhet “Njerëzit e famshëm që vdiqën në 2016-n”. Për vdekjen e aktorit amerikan shtypi i vendit shkruan “The actor John Gavin has died” (Ka vdekur aktori, John Gavin), kurse shtypi shqiptar shprehet po ashtu me eufemizëm – ndërroi jetë. Këtu bëhen dy herë gabime: e para gazetari duhet të ketë kulturë gjuhësore, e dyta redaksia duhet korrigjuar gabimet në lajm, sepse “Shekulli” nuk është gazetë fetare, por gazetë zyrtare për informim objektiv të qytetarëve. Me javë të tëra shtypi dhe televizioni suedez në fund të vitit shkruante qartë “Kändisar som dog 2016”, (Njerëzit e famshëm që vdiqën në 2016-n”. Prandaj mos do të thotë që shqiptarët janë më të dhimbshëm ndaj vdekjes së njerëzve se suedezët dhe popujt tjerë të Europës. Vlen të përmendet se lokja ime për vdekjen e gjyshit nuk fliste me eufemizëm: “Gjyshi (dritë pastë), ka vdekur para lindjes së nipit”. Gazetari me shkrimtarin kanë dallime, i pari shkruan “plaku ka vdekur”, i dyti mund të shkruajë me eufemizëm “plaku ka ndërruar jetë”. Prandaj në libra shkollorë e shkencorë dhe në lajme ditore të shtypi nuk shkruhet ndërroi jetë, apo mbylli sytë, sepse janë shkrime standarde e të gjitha gjuhëve në botë. Duket qartë që asnjë gjuhë në botë nuk është pa fjalët lindje dhe vdekje: e para gëzim, e dyta pikëllim.

Shprehja frazeologjike është përdorur edhe në lajmin: “Francezi gjendet i vdekur në dhomën e hotelit në Krujë”, mirëpo askund nuk përmendet vdekja biologjike e turistit: në tre raste shkruan me eufemizëm: “i pajetë”, “ka ndërruar jetë” dhe “ka humbur jetën nga infarkti në zemër”. Për habi, në tërë lajmin frëng nuk ka eufemizëm, por vetëm vdekje biologjike të francezit. Prandaj me të drejtë, nuk i kuptoj gazetat shqiptare pse ngurrojnë të shkruajnë fjalën konkrete vdekje. Këtu shihet kultura e shkrimit frëng, në lajme informative nuk shkruhet me frazeologji, por shkruhet me tekst objektiv. Për habi, derisa shtypi belg për bijën e tyre shkruan që ka vdekur, shtypi shqiptar shkruan me eufemizëm që bija belge ka ndërruar jetë. Në radhë vjen lajmi i Universitetit të njohur në Çikago të ShBA “Johns Hopkins University”, në të cilin anglisht raporton “Every 33 seconds an american has died as a result of COVID-19” (Për çdo 33 sekonda ka vdekur një amerikan si pasojë e COVID-19), kurse shtypi shqiptar e komenton me eufemizëm “…ka ndërruar jetë”. Duket qartë, me këtë lajm tronditës Çikago tregon kulturën dhe emancipimin kombëtar karshi Tiranës dhe Prishtinës. Kuptohet, tragjedia e vdekjes së emigrantëve në Detin Mesdhe është e rëndë, megjithatë nuk shkruhet: “Në Mesdhe, ndërrojnë jetë 16 emigrantë”, pastaj “Roja Bregdetare e Spanjës ka informuar se 16 emigrantë kanë ndërruar jetë, gjatë udhëtimit të tyre nga Maroku drejt Spanjës”, por në vend të eufemizmit duhet shkruar me fjalën administrative vdesin dhe mbyten. I njëjti lajm tragjik është botuar edhe në shtypin suedez dhe është më i qartë se në gjuhën shqipe: “Në Mesdhe vdesin 16 emigrantë. Roja bregdetare e Spanjës ka informuar se 16 emigrantë janë mbytur gjatë udhëtimit të tyre nga Maroku drejt shtetit spanjoll”.

Në fjalinë “Lajm shokues për ndarjen e hershme nga jeta” gjenden dy fjalë shqipe, një fjalë e huaj dhe një eufemizëm, prandaj shqip shkruhet: “Lajm tronditës për vdekjen e hershme”. Në fjalinë tjetër: ”Pakistan, janë gjetur 20 trupa të pa jetë”, eufemizëm që është shprehur në vend të fjalës konkrete kufoma. Siç po shihet përveç lajmit të vdekjes në titull, janë paraqitur edhe dy shprehje metaforike, në vend të fjalës së vetme vdekur. Nuk ka asnjë dyshim që mjekët nuk janë shprehur me eufemizëm, “viktima ka ndërruar jetë”, sepse nuk janë autoritete fetare, por mjekë që i përmbahet etikës mjekësore, prandaj shkencërisht kanë deklaruar që viktimat kanë vdekur. Siç dihet, në regjistrin e korporatës google në vend të fjalës dokumentare vdekur është përfshirë edhe eufemizmi ndërroi jetë. Prandaj nëse lexuesi dëshiron të di se kur kanë vdekur shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare dhe figurat historike, do të shkruajnë ndërroi jetë. Sipas përqindjes eufemizmi në google ndërroi jetë është përdorur mbi 70%, kurse fjala e kuptueshme dokumentare vdekur vetëm 30%. Do të thotë që shtypi shqiptar ka bërë atentat kundër fjalës vdekur.

Shtypi bën lojë fjalësh, lajmin e shndërron në tregim, për vdekjen e arsimtarit: “Arsimtari i gjuhës shqipe, Isuf Haradinaj, që kryente këtë punë ndërroi jetë javë më parë”. Duhet pasur parasysh se pikërisht arsimtari i gjuhës shqipe nuk ndërron jetë, por vdes, ashtu siç ka vdekur Naim Frashëri. Edhe unë jam arsimtar i gjuhës shqipe (autori i shkrimit: B.E.), prandaj do të punoj derisa të vdesë. Ngjashëm edhe gazetat e shumta në titullin e lajmit “Mësimdhënësit e viteve 90-ta, shpjegim se kush ka drejtë kompensimi në rast se personi ka ndërruar jetë” e vrau fjalën autoktone shqipe ka vdekur, kur dihet që mësimdhënësi nuk ndërron jetë, por vdes. As kardiologu nuk ndërron jetë, pasi që sipas etikës së Hipkratit në mjekësi njerëzit nuk ndërrojnë jetë, por vdesin. Këtu është bërë gabim i dyfishtë: gazetari nuk duhet shkruar me eufemizëm, pastaj redaksia duhet ta korrigjojë qysh para botimit të lajmit. Në fjalinë “Reflektimi dhe vdekja aksidentale e një miliarderi”, në të cilin në fillim shkruan me tekst administrativ, mirëpo, për fat të keq, redaksia e përfundon po ashtu me eufemizëm ndërroi jetë, edhe pse lajmi është marrë prej shtypit amerikan, në të cilën askund nuk përmendet togfjalëshi ndërroi jetë. Këtë e argumenton edhe korporata google përkthimi, e cila eufemizmin shqip ndërroi jetë në gjuhët e huaja e përkthen në: died, dog, umro, mort, gestorben, öldü etj.

Duket qartë, që shtypi shqiptar po bëhet më i ndjeshëm (më sentimental) se shtypi suedez, anglez, gjerman, francez etj., që janë me tradita gazetareske. Kur lajmin suedisht të shtypit suedez “Expressen” e përktheva në google, nuk doli me eufemizëm “ndërroi jetë”, siç veprojnë disa gazetarë, por shqip, ashtu siç ishte shkruar zyrtarisht suedisht vdes. Kështu ndodh edhe me lajmet tjera shqipe që merren nga agjencitë e huaja, të cilët pas përkthimit fjalën konkrete vdekur e shndërrojnë në eufemizëm pajetë. Me të drejtë mund të thuhet se gazetari topall mundohet t’ia kalojë gazetarit të fortë anglez, francez e gjerman me tradita në fushën e artit e të letërsisë. Për lajmin e shkruar në shtypin ditor ”Mjekët thanë se e mitura kishte kaluar dy goditje në zemër dhe nëse nuk do ishte ndihmuar, mund të kishte ndërruar jetë”, dihet që anglisht askund nuk shkruan ”e mitura mund të kishte ndërruar jetë“, por me tekst administrativ: “e mitura mund të kishte vdekur”. Një rast tjetër është kur në të njëjtën faqe botohen lajme me shprehje të ndryshme, i pari ndërroi jetë, i dyti vdiq: “Ndërron jetë Dino De Laurentis” dhe ” Vdiq poeti i mirënjohur, Din Mehmeti”. Ngjashëm kishte vepruar edhe një autor me shkrimin “Humbje të mëdha për artin shqiptar, figurat e njohura që ndërruan jetë në 2018-tën”, në të cilin shkruan për ndarjen nga jeta, shuarjen, dhe ndërrimin e jetës së figurave shqiptare. Për habinë më të madhe, për vdekjen e veteranit të arsimit, dhe atë me simbolin kombëtar, shtypi shkruan që ka ndërruar jetë, veprim që bie në kundërshtim me etikën kombëtare. Dihet që figurat kombëtare nuk ndërrojnë jetë, por vdesin, siç kanë vdekur figurat e lavdishme të Rilindjes Kombëtare. Me eufemizëm të ngjashëm është shkruar edhe për shkrimtarin, diplomatin dhe politikanin kilian, Pablo Neruda, se ka ndërruar jetë, kur dihet që ky poet i jashtëzakonshëm produktiv, përndryshe fitues i çmimit Nobel, ka vdekur zyrtarisht më 23 shtator 1973, kështu shkruan në të gjitha librat shkencorë dhe enciklopeditë e vendeve të ndryshme në botë. Ngjashëm shkruan edhe për udhëheqësin e PKSh, Enver Hoxha, se më 11 prill të vitit 1985 u nda nga jeta, kur dihet që sipas materializmit dialektik, komunistët nuk ndërrojnë jetë, por vdesin. Gjithashtu, trimi i të gjitha kohëve, Leka i Madh, nuk ka ndërruar jetë, por ka vdekur në vitin 323 para erës sonë. Duket qartë, edhe pse në libër flitet për vdekjen e tij, megjithatë shprehet në mënyrë metaforike.

Ashtu sikur gjuha shqipe, edhe gjuhët e ndryshme evropiane janë të pasur me shprehje metaforike për zbutjen e dhimbjes, të cilët në vend të emërtimit të vdekjes shprehen me eufemizëm, mirëpo kjo përdoret vetëm në fushën letrare, kurrë jo në fushat tjera informative shkencore e juridike. Psh. prokurori në gjykatore nuk e pyet avokatin “kur dhe si ndërroi jetë viktima”, por “kur dhe si vdiq viktima”. Një ndër lajmet çoroditëse është një shkrim shkencor për të cilin Enciklopedia daneze” në Danimarkë shkruan natyrshëm se “Njeriu Tollund ka vdekur para 2400 vjetësh”, kurse shtypi shqiptar e kthen në eufemizëm “Njeriu Tollund” ka ndërruar jetë para 2400 vjetësh”. Këtu shihet se shtypi shqiptar bën atentat në kulturën e fjalorit shkencor për vdekjen e njerëzve sa do të dhimbshme qofshin. Me të drejtë parashtrohet pyetja, mos vallë shtypi shqiptar bëhet më sentimental se shkenca daneze për vdekjen e banorit danez në Epokën e hekurit?!

Duhet pasur parasysh se lajmet e botuara në faqet shqiptare nuk janë tregime letrare, ku mund të shkruhet me figura stilistike, por informim objektiv për përhapjen e ngjarjeve ditore, sado të dhimbshme qofshin. Pikërisht për producentin italian, Dino De Laurentis, dhe shkrimtarin shqiptar, Hysni Milloshi, shtypi i huaj shkruante se vdiqën, prandaj pse shtypi shqiptar ngurron të shkruajë natyrshëm, siç shkruajnë të tjerët me kulturë gjuhësore. Shembulli i fjalisë “Ndahet nga jeta ish-burri i deputetes”, ose “u largua nga kjo jetë” në shtypin ditor mund të jetë tregim letrar, jo lajm informimi. Në lajmin “Aktori në zi, ndahet nga jeta personi më i dashur i tij”, vend të fjalës konkrete “…vdes personi më i dashur i tij”. Gjithashtu heroi kombëtar, Fadil Vata, nuk ndërroi jetë, por vdes, si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore nga fashizmi serb. Në faqen e shtypit ditor, qoftë edhe imami apo prifti të vdes, duhet shkruar me stil dokumentar vdes. Të kemi parasysh se edhe paraqitja e lajmit tregon shkallën e kulturës dhe emancipimit të gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar, prandaj, derisa redaksitë kanë hapur faqet informative, duhet të bëhen pjesë përbërëse e kulturës kombëtare të vendit.

Në lajmin për vdekjen e plakut më të vjetër japonez, Kimura, në moshën 116 vjeçe, përkthyer nga anglishtja ”World Elder died 116 years old” dhe suedisht “Världens äldste dog 116 år gammal” (Vdes njeriu më i moshuar në botë), kurse shqip shkruante “Ndërron jetë njeriu më i moshuar në botë”. Duket qartë që përkthyesi shqiptar ngurron të shprehet rrjedhshëm ashtu siç shprehet bota e qytetëruar. Një lajm tjetër që bie në kundërshtim me etikën mjekësore është fjalia “Ajo u shtrua në spital, ku edhe ndërroi jetë“. Prandaj sipas administratës mjekësore shkruan që e plagosura ka vdekur, prandaj gazetari duke shkelur parimet gazetare, etikën mjekësore, njëkohësisht edhe rregullat e Fjalorit Drejtshkrimor, shkruan ndërroi jetë. Lidhur me vdekjen Hajdegeri thotë që njeriu është qenia e vetme që e di që do të vdes, në dallim me macet ose me lopën. Njeriu që mendon se është i pavdekshëm, është gabim. Prandaj njeriu jeton me energji, sepse e di që nuk do të jetojë gjithmonë, përndryshe asgjë nuk do të vepronte. Dihet që treni nuk ec në ujë, as nuk fluturon në ajër, mirëpo sipas përfytyrimit të shkrimtarit treni fluturon besa edhe lundron, prandaj kjo quhet eufemizëm. Duhet pasur parasysh e në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe shkruan: “Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një problem i rëndësishëm shoqëror, sepse është shprehje e drejtpërdrejtë e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetëdijes kombëtare, në zhvillimin e jetës mendore.

Lajme të dyfishta ”vdes” dhe ”ndërroi jetë”
Lajmi i fatkeqësisë në shtypin ditor më 07.11.2013 nis me titullin “Bllokohen 5 viktima në minierë”, pastaj shkruan se pesë të rinj gjetën vdekjen, së treti ndërruan jetë prej asfiksisë së tymit të gjeneratorit dhe në fund ka mbërritur ekipi i kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e trupave të tjerë të viktimave. Prandaj ky lajm i dhimbshëm i shtypit duhet shkruar rrjedhshëm, sepse shtypi nuk është organ fetar, por organ informativ për opinionin shoqëror: “Pesë të rinj gjetën vdekjen”, dhe tjetra “Të rinjtë vdesin prej asfiksisë së tymit të gjeneratorit…”. Duket qartë që shtypi nuk është organ fetar që lajmin ta shkruajë me eufemizëm, është shtyp i pavarur, i cili detyrohet t’i përmbahet etikës gazetareske, ashtu siç i përmbahen mjekësia etikës së Hipokratit. Të shprehet gazetari me eufemizëm ndërroi jetë në vend të fjalës zyrtare vdes, do të ishte sikur mjeku t’i thoshte të sëmurit: ”Tek unë nuk ke shpëtim, shko te magjistarja”.

Shembujt e fjalive: Ky hero ndërroi jetë, shkoi në qiellin e amshuar, vdiq ose u vra për të mos vdekur kurrë, u flijua etj., në vend se të shkruhet ky hero vdiq, meqë vazhdimisht është fjala për vdekjen, të cilit i pushon zemra së punuari apo i ndalet frymëmarrja. Për vrasjen e shqiptares në Francë shtypi francez me tradita letrare shkruante: “Trouvé massacré dans les bois, un homme de 37 ans a été enterré” (U gjet e masakruar në pyll, 37-vjeçarja përcillet në varrim), përkundrazi shtypi shqiptar shkroi me eufemizëm “U gjet e masakruar në pyll, 37-vjeçarja përcillet në banesën e fundit”. Prandaj derisa frëngjisht është shkruar me fjalën dokumentare, në shtypin shqiptar është shkruar me shprehje figurative. Siç dihet në hartën topografike të qytetit shkruan “Varrezat e Qytetit”, jo “Banesat e fundit”. Duhet pasur parasysh, sepse shprehja banesa e parë dhe të fundit ka kuptim biologjik të banimit në ndërtesë. Në shembullin e fjalisë sipas një filmi televiziv “When my mom died, i changed my apartment”, teksti shqip del i ngatërruar me eufemizëm “Kur ime më ndërroi jetë, e ndërrova banesën” njeriu e ka vështirë të kuptojë lajmin e vdekjes me ndërrimin e banesës. Me eufemizëm është shkruar edhe një lajm tjetër i dhimbshëm ”I marrin jetën djalit dhe plagosin të atin”, kurse duhet shkruar me stil administrativ: ”Vrasin të birin dhe plagosin të atin”. Pra këtu është fjala për mbrojtjen e mjedisit gjuhësor, ngjashëm siç mbrohet natyra e bukur nga shkrumbimi dhe tymosja prej zjarrit që dëmtojnë malet dhe bimët me gjithë kafshë e njerëz. Duket qartë, qytetarët tregojnë respekt ndaj personaliteteve fetare, mirëpo duhet analizuar motivin e punës se me çfarë merren. Nëse besimtari angazhohet vetëm në vështrimin fetar duke shkelur gjuhën dhe kombin, atëherë ai nuk është më besimtar kombëtar i fesë. Sepse gëzimi dhe pikëllimi i jetës janë ngjarje të natyrshme në jetën e njeriut, prandaj nuk mund të quhen ndryshe, përveç me emra konkretë – lindje dhe vdekje si dhe gëzim dhe pikëllim. Natyrisht që lindja është madhështore dhe na gëzon, kurse vdekja është e rëndë dhe na tronditë.

Që redaksitë informative shqiptare i shtrembërojnë lajmet me burime nga agjencitë e huaja, kemi lajmin shqip për vdekjen tragjike të katër fëmijëve më 7 shkurt 2011 në Romë, që është marrë nga Agjencia NASA, se “fëmijët që ndërruan jetë janë të moshave 3, 5, 7 dhe 11 vjeç”, pastaj “peshkatari ndërroi jetë si pasojë e mungesës së ujit”, kurse duhet shkruar me stil shkencor “peshkatari vdes…”, sepse njeriu vdes prej etjes dhe urisë, përndryshe në shtypin e huaj shkruan vdes, pa eufemizëm. Përkundrazi në lajmin burimor të agjencisë ANSA nuk shkruante me shprehje metaforike, por me tekst shkencor se fëmijët vdiqën nga pasojat e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë e sajuar “Four rom children die in italian camp Blaze”, sepse NASA është agjenci e popullit, jo e besimit fetar. Shtrembërim i njëjtë bëhet edhe me lajmin gjerman “Zwei brüder sterben bei einem verkehrsunfall” (Dy vëllezër vdesin në një aksident trafiku), kurse shtypi shqiptar e kthen në eufemizëm “ndërrojnë jetë”. Pastaj ngushëllimet qeveritare nuk shprehen për ndarjen nga jeta të ndonjë personalitet shtetëror, sepse qeveria nuk është institucion fetar, por organ administrativ e shtetëror, prandaj duhet shprehur ngushëllime me stil dokumentar.

Duket qartë, që faqet e ndjeshme shqiptare, duke përdorur eufemizmin ndërroi jetë e dogjën fjalën e natyrshme vdes, që është e kundërta e fjalës lind. Në fjalinë: ”Në Pakistan, janë gjetur 20 trupa të pajetë”, trupa të pajetë është eufemizëm në vend të fjalës konkrete kufoma. Duhet pasur parasysh se lajmi ditor me tregimin kanë dallime të mëdha, prandaj ngjarja konkrete në lajmin ditor duhet të shkruhet patjetër ”Trupi i burrit të vdekur…”. Në rastet tjera, siç është tregimi apo romani, atëherë mund të shkruhet me stil letrar trupi i pajetë. Kjo do të ishte sikur njeriu në vend se të thotë “Do të punoj deri në vdekje”, të shprehet me eufemizëm: “Do të punojë derisa të ndërroj jetë”, kurse për babanë e mjekësisë, Hipokratin, “po dergjej në shtratin e vdekjes”, të shkruhet me eufemizëm “po dergjej në shtratin e ndërrimit të jetës” e të ngjashme. Në anën tjetër, shembulli i fjalisë “Trupi i pajetë është dërguar për autopsi”, shprehja “trupi i pajetë” ka kuptim të përgjithshëm biologjik, që përdoret për qeniet, lëndët, dhe pjesë të saj. Në anën tjetër në FGjSh shkruan se autopsi do të thotë hapja e një kufome dhe shqyrtimi i saj për të gjetur shkakun e vdekjes (e ngordhjes), prandaj nuk përmendet fare “trupi i pajetë”. Ngjashëm ndodh edhe me lajmet e marra nga shtypi rus: ”20-vjeçarja me celular ka ndërruar jetë tragjikisht në tualet” (20-летний ребенок трагически погиб в туалете), dhe tjetra ”Vdes 12-vjeçarja duke përdorur celularin në tualet”. (12-летний ребенок умирает, используя трубку в туалете). Siç duket në asnjë faqe shtypi rus nuk shkruan ”ka ndërruar jetë”, por konkretisht ”vdekur”.

Sido që të shprehet shtypi për lajmin tragjik “i ndalet fryma, plusi, i pushon zemra është baras me fjalën konkrete vdes. Mendoni, po të shprehet njeriu me stilistikë se si një shofer shpëtoi nga vdekja e sigurt, atëherë në vend të kësaj fjale të thuhet se shoferi shpëtoi nga ndërrimi i jetës së sigurt. Pastaj në vend të shprehjes ”Ejani për të ngrënë bukë”, zonja e shtëpisë të thotë ”Ejani për të mbushur barkun”, kurse mjeku, që shëron të sëmurët, të quhet “njeriu i shëndetësisë”. Këto shprehje metaforike e kanë vendin në letërsi, ku poeti e përshkruan me plotë trope. Nëse në letërsi thuhet: ”O burra, zoti iu lashtë shëndoshë”, në shtypin e ditës thuhet në mënyrë të qytetëruar ”O burra, ju shpreh ngushëllime!”. Normat e fjalorit rreth vdekjes dhe varrimit – ngushëllimit të vdekurit duhet të respektohen tek çdo familje shqiptare dhe kjo quhet kulturë që zbatohet në mbarë botën e qytetëruar. Me të drejtë parashtrohet pyetja, si mund të jetë shprehja shuhet më e përshtatshme se fjala vdes për njeriun si qenie e botës objektive? Mos vallë, në vend të frazeologjisë vetvetore vdiqa nga lodhja, duhet të themi ndërrova jetë nga lodhja? Po banesa e fundit a nuk gjendet në varreza, ku varrosen të vdekurit, që me asnjë mjet tjetër figurativ nuk mund të shprehet për pavdekësinë e trimave atdhetarë dhe veprave të mëdha kombëtare që bëhen të pavdekshëm. Sido që të jetë, sfondi i njeriut pa jetë si dhe atij që ndërron jetë quhet vdekje. Pikërisht shembujt e fjalive: më kanë lënë veshët, më kanë lënë sytë, më kanë lënë këmbët, më ka lënë fuqia etj. janë shprehje frazeologjike, të cilat komentohen me togfjalësh: jam shurdhuar; jam verbuar, jam lodhur; jam dobësuar; jam këputur, jam rraskapitur, të parat përdoren në letërsi, të dytat në gazetari dhe në shkencën e mjekësisë.

Shqiptarët, pa dallime fetare, nuk duhet t’i nënshtrohen eufemizmit „ndërroi jetë”. Konkretisht, gjuha angleze e ka të vetmen fjalë died (stop living) = vdes (pushoj së jetuari), që përdoret si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët dhe bimët. Megjithatë gazetat angleze me rastin e vdekjes së personaliteteve nuk shkruajnë me stil të lartë „shkoi në amshim“ apo ”shkoi në qiell” ose me shprehje figurative “shuhet”, por thjesht: vdes. Në dallim me gjuhën angleze gjuha shqipe ka një përparësi më të madhe se gjuhët e ndryshme të botës, meqë për njeriun si pjesëtar i shoqërisë njerëzore thuhet vdes, kurse për kafshët ngordh. Derisa vdekja ka të bëjë me njeriun si qenie e vetëdijshme, ngordhja ka të bëj me kafshën si qenie e pavetëdijshme. Nëse një organ i trupit nuk funksionon, ne themi se ka vdekur: psh. dhëmbi i vdekur, dhe si përfundim duhet hequr, prandaj nuk mund të thuhet ndryshe. Edhe për drurin e tharë nga mosha, apo të goditur nga rrufeja thuhet dru i vdekur, pemë e vdekur, natyrë e vdekur, lumi i vdekur, pastaj dashuri e vdekur, motor i vdekur, kur janë jashtë funksionimit etj. Prandaj nuk thuhet telefon apo radio i/e ngordhur, por i/e vdekur, meqë janë vegla apo mjete pune të prodhuara nga duart e njeriut. Nuk ka metaforë më të përshtatshme se kur për një radio apo për një makinë që nuk punon, thuhet se ka vdekur, dhe kurrë jo “ka ndërruar jetë”, pastaj romani i famshëm i Jakov Xoxës nuk mund të quhet ndryshe pos “Lumi i vdekur”. Shprehja metaforike ”Homeri ka rënë në gjumë të madh” nuk shpjegohet ndryshe pos ka vdekur. Përndryshe nëse shprehja ”Homeri…” shpjegohet se ka ndërruar jetë apo mbylli sytë, prapëseprapë është metaforë, përveç fjalës shkencore ”Homeri ka vdekur”. Prandaj nxënësit në shkollë duhet shpjeguar se Homeri ka vdekur, ashtu siç kanë vdekur shkencëtarët e mëdhenj: Epikuri, Isak Njutni, Koperniku, Galilei, Gjordano Bruno etj.

Ngatërrimi i lajmit
Është interesante në lajmin e shtypit elektronik për një fatkeqësi në rrugët e Kosovës shkruan ”Dy të vdekur e një i lënduar në aksidentin në magjistralen Prishtinë-Pejë”, pastaj në fillim të lajmit shkruan: ”Nga mjekët është konfirmuar se dy prej tyre kanë ndërruar jetë”. Siç po shihet lajmi i vdekjes është paraqitur me shprehje figurative, në vend të fjalës së caktuar, sado të dhimbshme – vdekur. Duket qartë që gazetat gënjejnë, sepse mjekët nuk konfirmojnë që viktima ka ndërruar jetë, por shprehet me fjalorin mjekësor se nga konsumimi i kokainës dhe alkoolit viktima ka vdekur. I njëjti ngatërrim është bërë për vdekjen aksidentale e miliarderit amerikan të rrobave, Douglas Tompkins, përndryshe mbrojtës i mjedisit natyror, për të cilin shkruan me eufemizëm: “Themeluesi i markave, North Face dhe Esprit, ndërroi jetë sapo mbërriti në spital”. Po ashtu në lajmin ”Personi pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë”, është shkruar me eufemizëm në vend të fjalës konkrete ka vdekur. Siç duket lajmi është shkruar me dy shprehje: me eufemizëm ka ndërruar jetë dhe me fjalën konkrete ka vdekur. Dukuri tjetër e gabuar është lajmi i shkruar anglisht në UNILAND, ku flitet për mesazhin e babait që ka vdekur: “Guy Gets Chilling Text From His Dad’s Phone After He Died” (Guy merr tekstin e ftohtë nga telefoni i babait të tij pasi vdiq), mirëpo lajmi në gjuhën shqipe në vend të fjalës burimore “He Died” (ai ka vdekur) është përkthyer me eufemizëm “ai ka ndërruar jetë”. Në radhë vjen lajmi teknik në shtypin shqiptar në Maqedoni, në të cilin flitet rreth përdorimit të celularit, ndërsa shtypi e kthen në eufemizëm: “Për çdo vit – në Maqedoni, si pasojë e aksidenteve rrugore ndërrojnë jetë rreth 160 persona”, me anën e së cilës i mundon lexuesit, në vend se të shkruhet me tekst administrativ “…vdesin rreth 160 persona”.

Për habi, në fjalinë e përkthyer prej anglishtes “When someone dies” (Kur dikush vdes) në të cilën shihet që sipas drejtshkrimit të gjuhës angleze është shkruar drejt, kurse shtypi shqiptar fjalinë administrative e ka kthyer në fjali letrare “Kur dikush ndërron jetë”. Pastaj lajmin me burim anglez “World’s oldest man, Chitetsu Watanabe, dies aged 112” (Vdes burri më i vjetër në botë, Chitetsu Watanabe, 112-vjeçar) e ka shndërruar në eufemizëm: “Ndërron jetë…”. Po më habit që edhe Tirana si kryeqyteti i albanistikës autoktone, ka rënë viktimë e lokalizmit fetar. Në vikipedia elektronike është bërë ngatërrimi i fjalëve vdekje – ndërrim jete. Në jetëshkrimin e Sulltan Bajazitit fillon me eufemizëm për vdekjen e Sulltan Bajazitit II, shkruan që vdiq, pastaj ndërroi jetë më 26 maj 1512. Vërtet sulltan Bajaziti i II i Perandorisë Osmane dhe Janosh Huniadi, mbret i Hungarisë, kanë qenë udhëhqës të mëdhenj në mesjetë, megjithatë në enciklopedi nuk shkruhet kanë ndërruar jetë, por kanë vdekur, i pari në vitin 1512, i dyti në vitin 1456. Shembull tjetër ngatërrim i lajmit: “Biznesmeni kishte ndërruar vendbanimin dhe emrin vetjak, mirëpo pas vrasjes ndërroi jetë”. Kështu shkruante në lajmin ditor. Prandaj në këtë fjali kemi tri ndërrime: të vendit, të emrit dhe të jetës. Duket qartë që përdorimi i fjalës ndërroi shkakton huti në dokumentarin zyrtar, sepse Regjistri i Gjendjes Civile nuk është regjistrim i “ardhjes në jetë” dhe i “ndërrimit të jetës”, por i lindjes dhe i vdekjes, sado e dhimbshme të jetë. Mos vallë shqiptarët janë më të dhimbshëm se anglezët dhe suedezët ndaj të afërmeve familjarë. Dihet, dhimbja e humbjes së të afërmit është e njëjtë në mbarë botën. Duhet pasur parasysh se pikërisht në enciklopedinë Wikipedia nuk shkruan me eufemizëm “U soll në jetë” dhe “Ndërroi jetë”, por shkencërisht “Lindi” dhe “Vdiq”.

Siç dihet shprehja figurative ”ndërroi jetë” do të thotë për të shkuar në botën tjetër, megjithatë kuptimi është i njëjtë si për nga forma ashtu edhe për nga gjendja. Prandaj po t’i thuhet kundërshtarit “kam për të çuar në botën tjetër”, mos vallë do të thotë që ai nuk e kupton eufemizmin e tragjik të vdekjes. Sipas shprehjes figurative të ikjes “Nëna më iku kur isha i vogël” nuk dihet nëse është fjala për vdekjen e hershme të nënës apo për largimin e saj prej familjes. Ngjashëm edhe në fjalinë “Lojtari iku në moshë të re, nuk dihet nëse flitet për vdekjen, apo për largimin e tij prej skuadrës. Gjithashtu po të shkruhet lajmi me tri pika të heshtjes “Aktorja ndahet nga…” nuk dihet nëse është fjala për ndarje nga bashkëshorti apo nga ndonjë veprimtari shoqërore. Jo vetëm kaq, sepse shembulli i fjalisë “Bashkëshorti ndahet nga Jeta”, ka kuptimin e emrit femëror “Jeta”.

Me një lajm për vdekjen e qytetarit askund nuk përmendet vdekja, katër herë është përmendur eufemizmi: “ndahet nga jeta në lule të rinisë”, “për ndarjen nga jeta”, “ndarjen e parakohshme nga jeta” dhe “është ndarë nga jeta”. Duket qartë që komentimi i eufemizmit nuk është asgjë tjetër pos vdekja, sado e dhimbshme të jetë. Kuptohet që për lajmet me eufemizëm arsimtari detyrohet që nxënësve t’ua komentojë se shprehjet “ndërroi jetë” dhe “është ndarë nga jeta” kanë kuptimin e vdekjes. Parashtrohet pyetja, pse shqiptarët mundohen të tregohen të ndjeshëm, në krahasim me popujt tjerë në Europë, të cilët shprehen me kulturë: “vdesin rreth 160 persona”. Eufemizëm të ngjashëm ka bërë edhe një psikiatër francez, i cili sëmundjet mendore te njerëzit e varfër i vendoste në spitalin e sëmundjeve mendore me diagnozën – psikozë, ndërsa te njerëzit e pasuri në klinikën e spitalit me diagnozën neurozë, kur dihet që sipas terminologjisë mjekësore si i varfri ashtu edhe i pasuri kishin diagnozë të njëjtë. Eufemizmi bëhet i mërzitshëm sidomos në lajmin shëndetësor “Çdo vit në botë ndërrojnë jetë rreth 5 milionë njerëz si pasojë e tymosjes së duhanit”, në vend se të shkruhet “Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz…“ Dihet që kuptimi i eufemizmit ndërroi jetë dhe ndahet nga jeta është vdes. Me të njëjtin togfjalësh metaforik shprehet edhe në lajmin zyrtar “Rreth 2,5 njerëz ndërrojnë jetë për shkak të konsumimit të alkoolit” në vend të fjalës së vetme e të logjikshme vdesin.

Në lajmin e botuar në mediat shqiptare për vdekjen e të riut, askund nuk shkruan që i ndjeri ka vdekur, por fillim e mbarim “ndërroi jetë”, prandaj nuk është lajm dokumentar i gjuhës shqipe, por lajm fetar. Gjithashtu në lajmet “Ndërron jetë i rrahuri rëndë para dy javësh” dhe “Vajza dha shpirt pas një aksidenti në një fermë” duhet të shkruhet me stil dokumentar vdes. Lajm tjetër i ngatërruar është kur për aksidentet në trafik shkruan që viktima e parë vdes në rrugë, ndërsa viktima e dytë gjatë rrugës për spital ndërron jetë. Lajmi jo vetëm që është i ngatërruar dhe paqartë, por edhe nuk është etik. Pastaj titulli në shtyp “Ndërron jetë një shqiptar nga Kosova në Gjermani, vdes në aksident trafiku” është shkruar dy herë vdekje, siç thuhet vdekje e dyfishtë, prandaj po të zbërthehet titulli prej eufemizmit, atëherë del: “Vdes një shqiptar nga Kosova në Gjermani, vdes në aksident trafiku”, në vend se të shkruhet qartë “Një shqiptar nga Kosova në Gjermani vdes në aksident trafiku”. Për njerëzit që ndërrojnë jetë, vendin e kanë në institucionet fetare, jo në shtypin zyrtar, sepse ngjarjet shkruhen me gjuhën dokumentare vdes, ashtu siç veprojnë të gjitha gazetat europiane që janë me tradita të shkrimit shkencor. Barku i mëmës është i shenjtë. Prandaj askush për së gjalli nuk shkruan me eufemizëm për sjelljen e jetës dhe ndërrimin e jetës, pos për lindjen dhe vdekjen. As në përralla, as në këngët popullore nuk përmendet ndërrim jete, pos lindjes dhe vdekjes së feniksit të ringjalljes.

Në një nga faqet e vikipedias për vdekjen e aktorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ali Ahmeti, në Stamboll është shkruar me përsëritjen e fjalëve dhe me eufemizëm, prandaj sipas rregullave gramatikore dhe shkencore duhet të shkruhet ”Ali Ahmeti në moshën 66-vjeçare pas një sëmundje të rëndë vdiq më 16 tetor të vitit 2011 në një Klinikë Kardiologjike në Stamboll”. Kurse në jetëshkrimin e dëshmorit Xhemal Kada në shembullin e lajmit ”Në betejën e Ebros u plagos rëndë, dhe ndërroi jetë më 17 tetor” duhet të shkruhet me fjalën e dhimbshme vdes. Wikipedia është faqe enciklopedike, prandaj duhet shkruar me tekst shkencor dhe administrativ.

Në lajmin ditor “Një 34-vjeçar në fshatin Vidhas ka humbur jetën si pasojë e një kafshimi nga gjarpri” është shkruar me shprehje metaforike në vend se të shkruhet ka vdekur, me që sipas fjalorit terminologjik thuhet se kafshimi i gjarprit është vdekjeprurës” që shkakton vdekjen. Pastaj në lajmin “Makina përplas burrë e grua, ndërron jetë bashkëshorti” shprehja ndërroi jetë nuk ka kuptimin tjetër, por vdekjen. Lajmi tjetër me përzierje fjalësh, në titull shkruan se një person vdes në aksident, pastaj në fillim të lajmit shkruan se si pasojë e aksidentit në rrugë ka gjetur vdekjen shtetasi, dhe krejt në fund shkruan se në spital ka humbur jetën shtetasi, me anën e së cilës shtypi elektronik e mundon lexuesin kur dihet që rezultati përfundimtar është vdekja e dhimbshme. Një keqtrajtim tjetër gjuhësor është kur gazetari në intervistë me Dr. Besim Ymaj, drejtor në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, i parashtron pyetjen frazeologjike: “A duhet të bëhet autopsia për të gjithë njerëzit që ndërrojnë jetë?, në vend të pyetjes dialektike për njerëzit që vdesin, Lukreci në veprën e tij “Mbi natyrën shkruan “Edhe shpirti vdes si trupi”.

Shtypi është mjet i përgjithshëm informative, prandaj nuk duhet shkruar me eufemizëm ndërroi jetë, por vdes, ashtu siç shkruan shtypi italian e botëror: “E’morta Sandra Mondaini” (anglisht: “Sandra Mondaini has died”). Po të përkthejmë eufemizmin ndërroi jetë në gjuhën suedeze, fjalia nuk do të përkthehet drejt, kurse po të shkruajmë fjalinë e kuptueshme “Vdes Sandra Mondaini”, atëherë rezultatit i përkthimit do të jetë i plotë dhe i qartë. Gjithashtu për aktoren, Monike Broun shtypi shkruan me eufemizëm ndahet nga jeta, por edhe u shua në shtëpinë e saj, ndërkohë që në burimin anglisht për aktoren e re shkruan vdes. Duket qartë, që teknika kompjuterike po del më e arsyeshme dhe më e qëndrueshme se emocionet e shtypit shqiptar. Jo vetëm kaq, sepse po të kërkojmë personin e duhur për nevoja informative në google, me anën e fjalës së vetme objektive vdes do ta gjejmë më shpejt dhe më saktë lajmin e kërkuar në dallim me shprehjet metaforike: ndërroi jetë, u nda nga jeta, mbylli sytë, i pushoi zemra etj. Psh. nëse lexuesit i duhet viti i lindjes dhe i vdekjes së Dr. Ali Sokolit, me anën e fjalës lind dhe vdes mund të gjejë më lehtë dhe më shpejt jetëshkrimin, se mjeku i njohur shqiptar, “Ali Sokoli lindi më 8 maj të vitit 1921 në Rahovec dhe vdiq më 23 shtator të vitit 1974” (marrë nga wikipedia shqiptare). Për fat të keq, në regjistrin ndërkombëtar më shumë figuron eufemizmi ndërroi jetë, se fjala e natyrshme vdes.

Duhet të pasur parasysh për shënimet në bibliografinë elektronike rreth personave të vdekur dhe të lindur: nëse në rubrikën “Kërko në faqe” shkruhet fjala themelore vdekur, lëndën që kërkojmë mund ta gjejmë më shpejt dhe më lehtë, se me frazeologjinë – me trope të ndryshme, që përmenda në fillim të shkrimit. Prandaj në bibliografinë e internetit shqiptar nuk shënohet ka ndërruar jetë, por ka vdekur, me anën e së cilës rezultati bibliografik do të dalë më shpejt dhe më saktë, sepse fjalët ndërroi, ndahet nga jeta e të ngjashme kanë fushë më të gjerë shënimesh, kundrejt fjalës kuptimplote vdekur me fushë të përcaktuar.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...