Home / Opinion / Arkës së thesarit kombëtar, iu shtua edhe një libër anekdotash

Arkës së thesarit kombëtar, iu shtua edhe një libër anekdotash

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Shkruan: Afrim Morina

Prishtinë, 15. 7. 2021

Odat tona kanë qenë universitete, në të cilat kanë mësuar shumë gjenerata, në mungesë të shkollave shqipe. Në to janë kultivuar fjalë të urta, filozofi të të gjitha kohëve. Ndër ata që e kanë mbledhur e kultivuar këtë nektar, nga oda në odë, dallohen shumë mbledhës të folklorit burimor, të tregimeve e anekdotave shqiptare, si Halil Kajtazi, Destan Bajraktari etj., prej të cilëve gjeneratat mund të mësojnë për filozofinë kombëtare, që nga fillet e saj, si filozofi botërore. Po në këto universitete–oda, e kemi mësuar edhe historinë kombëtare, përmes rapsodëve, të cilët, në kohë të ndryshme, e kanë bërë mobilizimin e luftëtarëve të lirisë. Pas këtyre, vijnë anekdotat, të cilat janë përdorur nëpër odat tona, qoftë në ndeja miqësore, qoftë në pajtime gjaqesh e ngatërresa, qoftë në ndeja burrash, ku, shpesh, janë ‘gjuajtur’ përmes anekdotave (kopallave) e meseleve, si bashkëbisedim i njerëzve të mençur. Përmes tyre vihen në lojë personalitete që kanë qenë të afërt me pushtuesit, tregohen bëmat e njerëzve të mençur, krahasimet e ngjarjeve, që kanë bërë pajtime dhe kanë dhënë kushtrim kombëtar. Anekdotat janë aq të vjetra sa edhe fjalët e urta, se, edhe këto kanë dalë prej urtakëve dhe koha i ka herrë, që, në ditët e sotme, të na vijnë kuptimplota. Kemi dy lloje të anekdotave, ato bashkëkohore dhe të thesarit kombëtar. Në të parën, më i dalluari është Beqir Elshani, si krijues i tyre dhe të gjitha kanë të bëjnë me të sotmen, pra, me jetën e tij, që kur ka filluar të merret me to.

Në këtë analizë do të merrem me një vepër anekdotash, që i është shtuar arkës së thesarit tonë kombëtar. Janë shumë mbledhës të anekdotave, por, shumë prej tyre i përshtatën të folmes së sotme, ndërsa, Tafil Duraku, emër i njohur në letrat shqipe, si poet, shkrimtar e publicist, në veprën “Anekdota Drenishtare”, jo vetëm se na sjell të rrëfyera në gjuhën e tregimtarëve, duke i ikur me kujdes “përmirësimit” gjuhësor, të cilën e bën me mjeshtëri të rrallë, por, na jep për të kuptuar, se, ende nuk është vjelur ky thesar i çmuar kombëtar. Prandaj, siç ka bërë ky për trevën e Drenishtës (lexo: Drenicës), emër i vjetër ilir, ka nevojë të bëhet edhe në trevat e tjera, që ta kemi të kompletuar këtë fushë, që brezat e ardhshëm të njihen me filozofinë tonë burimore, kombëtare. Në kopertinën e pasme, shihet kulla e gjyshit e stërgjyshit të tij, ku edhe ka lindur autori, që ka qenë edhe burim të inspirimit, për ta dëgjuar e mbledhur këtë thesar.

Ndonse autori nuk e ndan librin në kapituj, unë, do ta bëja këtë ndarje:

1.      Filozofi popullore;

2.      Filozofi politike;

3.      Anekdota të krijuara nga vetë autori, që ka të tilla edhe nga përvoja e tij jetësore.

Në këtë analizë do të merrem me dy të parat, ndërsa, për të tretën, sigurisht, lexuesi i kujdesëshëm mund t’i shkoqisë vetë.

Po fillojmë me filozofi popullore.

Ndonëse, kullat e Drenishtës janë frymëzim për autorin, po fillojmë me kullën e Haxhi Danit-Durakut, me anekdotën e tij, i cili, në frymën filozofike, shpjegon mëse miri, se, bashkëpuntorët e armikut, çnjerëzorja, rrena, hujdutllëku, pamoralshmëria, deri ku kanë shkuar. Të shohim se si e zbërthen gjithë këtë kategori njerëzish, plaku.

“FAQEN E ZEZË S’TA HJEK AS LKURA, AS LESHI

Babën Haxhi (Danin-Durakun), e kishin pas vetë:

– A hiqet faqja e zezë najqysh?

Plaku i urtë dhe i mênçûm, ju kish pas thânë:

– N’dash lsho mjekrrën, n’dash rruju tân kohën, n’dash veshi tirqtë me nȋzetekatër fije gajtân, shokë e plis të bardhë si floçku i borës e dilindrisu qysh t’dush e t’dish me pushtet, pasuni e shkollë, faqja e zezë nuk hiqet.

 – Faqen e zezë s’ta hjek as lkura, as leshi!…

E, t’lumtë goja o Haxhi Dani, se kto fjalë s’i lun as topi i allamânit, i kishin thânë për t’gjallë babës, Haxhi Danit (Durrahionit).” (Tafil Duraku, Anekdota drenishtare, Drenishta 2021, faqe 13)

Ka shpjegim më të thukët për këto kategori njerëzish?

*

*      *

           Qëllimi i anekdotave, është shpjegimi i fenomeneve të ndryshme, që ndodhin në shoqëri. Për këtë janë krijuar një mori anekdotash, shumë domethënëse, pa përmenduar protagonistin, por, që janë marrë si shembuj për ta sqaruar një problem të shfaqur. Mjeshtri i anekdotës, ka ditur shumë mirë, të vë në spikamë, për t’u treguar, në mënyrë figurative, pasardhësve të vet, për njerëzit, të cilët nuk kanë moral dhe janë njerëz të ligj:

“NJERI QI S’TA DI PËR NÉR NȊ CIGARE DUHÂN, ÇOJA KREJT NAHINË SE KA MÉT HUPË NÉRA SI SHURRA N’UJË

Njeri qi s’ta di për nér, kur t’ja çojsh nȋ cigare duhan, nuk ta di për nér me ja falë as nȋ nahí të tânë. Kjo â kânë mâsë e njerzisë e panjerzisë së njerzve.

– Do shiptarve bânju mȋrë sa t’dush, nér s’ûn qet kurrë pasha mȋxhën, thojke mȋxha Murat, se ata nuk dinë as çka â néra, as çka â njerzia. Ta kthejnë nérën me t’keq.

– Me do shiptarë, nér s’ûn qet kurrë. Dikuj falja krejt nahinë se ka met hupë néra si shurra n’ujë…” (Po aty, faqe 35)

*

*       *

            Nga urtakët tanë, janë zbërthyer shumë tema, që, me pak fjalë, japin kuptimin e plotë, që pasardhësit e tyre, të mos ngurrojnë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, që parqiten në shoqëri, sidomos, në kategorizimin e njerëzve.

“ÇKA E KORÍT NJERÍN

E kíshin pas vétë Haxhi Danin:
– Çka e korítë njerín?
E, plaku i meçûm ju kish përgjegjë:
Dy sêne jânë qí e korítin njerín:
– E para âsht kâjta (lakmia) dhe e dyta asht:
Fyti.
Se, nuk kanë thânë kot s’koti:
– Ra kâjta na koríti, e, ra fyti na mŷti!…” (Po aty, faqe 98)

*

*       *

            Edhe burrnia shpjegohet bukur mire, përmes anekdotës. Urtakët, nuk kanë qenë vetëm njerëzit që kanë ndejtur nëpër oda, por, edhe ata që u ka rënë në hise të merren me punë të tjera. Në mesin e tyre ka bujq, barinjë, qiraxhinjë, e zanatlinjë të ndryshëm, etj. Sado që fshati të ishte i madh, nuk ishin të gjithë të mençur, prandaj, edhe dallohen shtëpitë e tyre. Ja si na e shpjegon anekdota:

“TŶMI I LLULLËS DHE AXHAKUT

Nȋ plak píke duhân me llullë edhe i rujke gjânë. Atypari kalon nȋ drûmtar dhe, mâsi falmeshnétén, po e pyet plakun qi i rujké gjânë:
– Sa shpi i ka katûni i juv?
Plaku, e bâni pak tȋm me llullë e poj thotë:
– Nja pesë a gjashtë.
Ky po çuditet se i shihke sa shumë axhaqe t’shpiave tȋmojshin edhe poj thotë:
– Sa po shohë axhakë qi po tȋmojnë, pom del se paska shpía shûmë, bre mȋxhë!
Plaku, ja kthen:
– Edhe llulla e jême po qet tȋm, po shpi nuk âsht.” (Po aty, faqe 133)

*

*      *

            Në kohën kur mungonte teknologjia për parashikimin e motit, fshatarët i pyesnin njerëzit me përvojë, për t’i kryer punët në fushë. Secila punë e donte kohën e përshtatshme për mbjellje, korrje, kositje, bartjen e druve, etj. Haxhi Dani, përgjigjet shumë shkurt për të gjitha, që, jep për të kuptuar se punëtori di e do ta gjejë kohën për të gjitha, por, edhe stinën për kryerjen e punëve.

“PO CACITÉT MOTI…

Gjithë, kur e shihshin babën Haxhi tuj u sjellë nëpër lamë e tuj e veneru motin, dimën e verë, e vetshin:

– A thu, qysh po doket moti, mixha Haxhi?!

– Moti, a? Po cacitét (mâtét) a me ra a mos me ra…

– Po, mênja mâ merr se shiu (verës) ose bora (dîmnît), asht n’tokë. Po, veç bora e ngîn tokën ujë e bereqetet janë ma t’mîra…

– T’lȗmtë goja, o mîxha Haxhi, thojshin katȗnartë e tîna.” (Po aty, faqe 221)

*

*      *

            Anekdotat e karakterit të filozofisë politike janë të shumta, por, për këtë trajtesë kam veçuar dy sosh, që më kanë dukur se e përthekojnë gjithë materien e kësaj fushe.

            Në odat tona është artikuluar edhe koha e pushtuesit serbo-jugosllav, në krye të të cilit pushtues ishte Tito. Filozofia popullore, është munduar ta shpjegojë këtë kohë, përmes anekdotës dhe ia ka arritur qëllimit shumë mirë. Gjuha e përdorur është shumë e thjeshtë, sa nuk le vend dyshimi për interpretim, nga të gjithë. Nëse tjerat anekdota kanë karakterin qytetar, kjo është tipike politike, që, përmes kësaj urtakët e odave ua shpjegojnë bashkëkombasve të vet, rrugën qe duhet ndjekur.

“UDHA E BLETVE Â TJETËR, E UDHA E MȊZAV Â TJETËR

Ktyne herë kanë thânë se zoti i kish pa da udhtë e tâna gjallesave në ketë botë, e edhe udhtë e bletve e të mizave…

Udha e bletve të ka çue e të çon lulemlule, tuj shiju mrekullitë e tân dŷjêsë e tuj e knâqë veten dhe të gjithë përreth teje… Kush e ka njekë ketë udhë, gjithë â kânë faqebardhë e me tâna t’mȋrat…

Po, kush e ka njekë udhën e mȋzav, gjithë ka ecë nëpër t’flliqtë, se udha e mȋzav t’çon veç n’mût e n’mût déj n’fyt e déj mâje kreje…

E, udhën e mȋzav e kanë njekë e po e njekin ‘shqiptartë’ e Titës…” (Po aty, faqe 76)

*

*       *

            UDB-ja përcillte çdo intelektual shqiptar, i cili, në një farë mënyre (në mungesë të politikanëve që duhet të merreshin me këtë çështje), detyrohej të merrej me çështjen kombëtare. Ajo i përzgjedhte njerëzit, që iu dukeshin me dyshime, që vepronin kundër “bashkim-vëllazërimit”, që mendonin ta prishnin Jugosllavin e Titos. Dhe, për çudi, kujdestarët e kësaj ndërmarrjeje, për ta mbrojtur Titon dhe klyshët e tij, ishin shqipfolësit “shqiptarë”, sepse, ata gjindeshi kudo, madje, edhe në Drenishtë, ku, serbët numëroheshin në gishta të dorës dhe nuk kishin kapacitet, edhe fizik, për të qenë në çdo fshat. Ata, lajmëronin eprorët e tyre se çka po bënin urtakët në terren. Nga këta lajmëtarë, filluan ta përcjellin “kolegët” e punës Halil Kajtazin dhe ky shumë bukur i vë në dijeni për përcjelljen që i bëhej.

“QÉT E MAHALLËS

Në vitin 1971, deri sa Halil Kajtazi po e përgatitke botimin e veprës folklorike “Proza Popullore e Drenicës”, ju kishin réshë njerëzit e UDB-së, tuj e përcjellë në çdo hap. Sahér shkonte në zyrë, e shihte se dikush ia ka kontrollu materialet. Mâsi qi nuk naleshin së përcjellni, vendos që në kapakun e ormânit të punës, e shkrun nȋ fletërrufe dhe e ngjet në anën e mrênshme t’kapakut. Në tâ shkrunte:

– Janë do qên t’mahallës që, kur shohin diçka, léhin! Por, janë edhe do qên tjerë, qi edhe pse nuk shohin asgjâ, kur i nȋnë kta tuj léh, léhin edhe ata!…” (Po aty, faqe 122)

Përfundim i analizës

            Kjo vepër e Tafil Durakut, le të jetë një shembull për mbedhësit e folklorit kombëtar, kudo, në trojet tona, se, ka ende për të hulumtuar dhe vjelur me kujdes këtë nektar, për ta shpërndarë nëpër hoje, nga ku mund të nxirret mjaltë shumë cilësore. Falë anekdotave, fjalëve të urta dhe folklorit tonë, ka shumë hulumtues të huaj që dëshirojnë të dijnë për të kaluarën dhe të sotmen tonë, siç ka ndodhur edhe më herët, pradaj, të jemi sa më të kujdesëshëm, të mos e lëndojmë e përpunojmë gjuhën e rrëfimtarit, për ta rujatur origjinalitetin, siç ka bërë edhe ky autor.

            Autorit i urojmë shëndet dhe sukses në jetën e shkrimtarit. I urojmë që edhe më tej ta hulumtojë e zbardhë këtë thesar, dhe, t’ua le brezave në arkën e thesarit kombëtar edhe ndonjë përmbledhje të tillë filozofike.

Afrim Morina
Analist i pavarur

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...