Home / Histori / NGA T’IA MBAJMË? URRA! MBI ARKËN E SHTETIT!

NGA T’IA MBAJMË? URRA! MBI ARKËN E SHTETIT!

Dilaver Goxhaj: Hej, Shqipni, mos thuj mbarova!

Shkruan:  Dilaver Goxhaj

Nga PETRO MARKO, “Abc” Nr.1, Mars 1936

(I nderur lexues, ky shkrim është shkruar 85 vite më parë,

në vitin 1936, dhe jo i vitit 2021)

-Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu…
Kështu pëshpërit çdo i ri, çdo njeri që don të jetojë. Dhe me të drejtë. Nga t’ia mbajnë gjithë ata që fuqitë e tyre mendore e trupore u mbeten gjithmonë të virgjëra, siç mbetet kurdoherë i virgjër vendi ynë nga pikëpamja industrial-agrare e përgjithësisht prodhjonjëse! “T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit!
Që të gjithë ti vërsulemi kolltukut? Të bëhët çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik?
Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi! Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjithë dëshirat tona. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve.
S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë.
Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë nuk kanë për t’u hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin e popullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njeri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servilë, derisa të marrim një nëpunësi.
E pastaj?
Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spinazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam.
Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është. Sot të jesh nëpunës, domethënë të rrosh në kurrizin e atyre që u mungon kafshata e gojës. Sa më tepër nëpunësa të jenë, aq më keq i pihet gjak popullit shqiptar, një milionë e kusur njerëz, të urtë, të bindur, të virgjër nga çdo rrymë e parim shoqëror, të varfër e të këputur, që janë mësuar t’i ulen çdo detyreje shtetërore; që janë mësuar t’i lënë të drejtat e tyre në mëshirën e nëpunësit, që prej më të madhit e deri më të voglit; që janë mësuar të heshtin e të rrojnë si skllevër në një copë toke të madhe e shumë të pasur sipër një dheu “legjendar”… Një milionë njerëz sipër një toke të virgjër e të pasur sot lëkunden e tronditen prej urisë. Na rrofshin vetëm pak mijërat e nëpunësave që punojnë ditë e natë duke mbushur togje kartërash me ligje e dekret-ligje, me urdhëra e qarkore për ta shpëtuar këtë popull!…
Po si do vejë halli? Ku do dalim?
Atëhere kur do t’i mbarojmë shkallët që me shpejtësi rrokullisemi mbi to, atëhere kemi për të dalur në fushën e tmerrshme të bjerjes, të shkatërrimit e të kryengritjeve të ndryshme të shpirtit e të barkut. Dhe do të jetë tepër vonë për shpëtimin se atëhere gjaku do të lëvizë, do të turbullohet… Pra, që të mos vijë ajo orë tragjike, e mbritjes sonë në atë lëmë shkatërrimtar, duhet ndalur hovi dhe kamzhiku i urisë, i papaunësisë, i emigracionit dhe i zisë që na rreh pa mëshirë dhe që na ka vënë përpara, duke na rrokullisur për në greminë. Duhet të ndalemi. Dhe nuk është shumë zor. Por dhe as shumë kollaj.

Shënim: Nxjerrë prel librit: Petro Marko “Ditët që rrojta unë…”, botimet Kokona, 2004, f.25

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...