Home / Opinion / AHMET ZOGU ISHTE NJË BAJRAKTAR TURKOSHAK, BËRI KARIERË ME INTRIGA E MANIPULIME, JA PSE BERISHA TENTOI TË REHABILITONTE FIGURËN E TIJ.

AHMET ZOGU ISHTE NJË BAJRAKTAR TURKOSHAK, BËRI KARIERË ME INTRIGA E MANIPULIME, JA PSE BERISHA TENTOI TË REHABILITONTE FIGURËN E TIJ.

Në përgjigje të kërkesës së gazetës SOT, për rehabilitimin e disa figurave të errta të historisë sonë, po afishoj këtu më poshtë shkrimin tim, botuar sot në këtë gazetë.
(Gazeta SOT, datë 13 Korrik 2021)
Qysh në ditët e para të përmbysjes së Socializmit dhe rivendosjes së rendit borgjez-kapitalist e gjer më sot, segmentë të politikës dhe të shtetit tonë, nuk kanë pushuar asnjë çast për riabilitimin e figurave të errta dhe antikombëtare të populit tonë. Kjo përpjekje e dështuar, nuk ka patur e nuk ka si qëllim vetëm luftën kundër sistemit socialist, që sipas tyre na paska mënjanuar, sulmuar e denigruar figurat tona atdhetare; sepse kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë rast. Historisë së shkruar gjatë 45 viteve të socializmit për çështjen kombëtare, mund t’i shtohet ndonjë fragment, që koha ka nxjerrë në dritë, por kurrsesi nuk mund të ndryshohet apo përmbyset në thelbin e përmbajtjes së saj. Çdo përpjekje për të riabilituar e lartuar figurat e deskritituara e antikombëtare, nuk është gjë tjetër veçse një antishqiptarizëm i kulluar.
Një nga këto figura, që na bëjnë qesharakë në opinionin e shëndoshë ndërkombëtar, është edhe ajo e ish mbretit Zog, busti i të cilit lëshon hije turpi në krye të bulevardit më kryesor të kryeqytetit. Në vigjilje të Rilindjes europiane e më pas, bota ka njohur mbretëri e mbretër, diktaturë e diktatorë, shtete totalitare gjer në ekstremin nazifashist, etj., të cilat, krahas dhunës e shtypjes së popujve të vendeve të tyre dhe jo vetëm, kanë zhvilluar edhe vendin në fusha të ndryshme, duke zbatuar reforma të fuqishme në sektorët e jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ndërsa Ahmet Zogu, gjatë mbretërimit të tij 15 vjeçar, si Kryeministër, President dhe Mbret, jo vetëm nuk i solli asgjë të re vendit të tij, por madje Shqipërinë e sapo nisur drejt oksidentit, e riktheu drejt orientit, duke e varfëruar më tej mendërisht, shpirtërisht, ekonomikisht, gjer sa e la lakuriq e përballë ujkonjës fashiste më 7 prill të vitit 1939.
1.- Ahmet Zogu ishte nja bajraktar turkoshak, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Me shpalljen e pavarësisë më 1912, dhe 8 vjet më vonë me Kongresin e Lushnjës, veçanërisht me revolucionin e qershorit të vitit 1924, Shqipëria jo vetëm formalisht, por edhe në përmbajtje, nisi të rreshtohej me vendet demokratike të Europës, sepse oksidenti kishte qenë dhe mbetej gjithnjë aspirata e vërtetë e popullit shqiptar. Më aventurat e tij për pushtet, Ahmet Zogu e ktheu timonin e shtetit e të vendit nga orienti, kthim që katër vjet më vonë, dhe pikërisht më 1928, do ta përuronte me vetshpalljen “Mbret i shqiptarëve”, ndonëse mbretërit dhe mbretëritë kishin marrë fund edhe në Turqinë aziatike të Qemal Ataturkut.
Ahmet Zogu, ndonëse shpalli disa reforma jetike për shoqërinë shqiptare, siç ishte reforma agrare, nuk arriti t’i realizonte, sepse si turkoshak që ishte, as e kuptonte reformën në fjalë, e as i levërdiste të prekte ekonomikisht klasën e bejlerëve, agallarëve e bajraktarëve që përfaqësonte. Për të mos folur për arsimimin e popullit, që siç e dimë ishte dhe mbeti gjer në fund të mbretërimit të tij në shifrat 85 – 90 përqind analfabet.
Në këngën që servilët i kishin kushtuar Mbretit Zog, midis të tjerave kemi katër vargje, ku thuhet: “Rrnoftë mbreti Zog, rrnoftë / Shpëtimtar i mëmëdheut / Brez pas brezi u trashëgoftë / Nip stërnip i Skënderbeut . . . .
Këto katër vargje Noli i ktheu kështu: “Rrnoftë mbreti Zog, rrnoftë / Shakatori i përparimit / Brez pas brezi u kujtoftë / Nip – stërnip i Nastradinit!
2.- Ahmet Zogu, gjithë karierën e tij politike dhe pushtetare e mbështeti tek intriga, manipulimi, pabesia, vrasjet mbas shpine dhe marëveshjet antikombëtare.
Qysh në ftillesë të veprimtarisë së tij, mënjanon nga paria e fisit dhe krahinës së Matit, vëllain e tij, Xhelalin, çka tregon se intrigën e kishte të trashëguar nga familja e fisi. Në vitin 1913, nuk pranoi reformat administrative moderne të Ismail Qemalit, që i cënonin pushtetin e tij krahinor, ndaj u bashkua me kushëririn e tij Esat Pashë Toptanin dhe “Pleqësinë e Durrësit” kundër qeverisë së Vlorës. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi më Esatin, në vitin 1914 i del në krah këtij të fudit për shtypjen e Kryenngritjes së Shqipërisë së Mesme, e cila, ndonëse u manipulua e u keqpërdor, ishte një revoltë e fshatarëve të thjeshtë kundër lojrave antikombëtare të parisë se bejlerëve, agallarëve dhe bajraktarëve. Në vitin 1923, duke parashikuar humbjen, manipulon zgjedhjet për parlamentin. Pas emërimit si Kryeministër, në vitin 1923 përkrah Beogradin për eleminimin e zonës Neutrale të Junikut – Kosovë, ku ishin strehuar udhëheqësit e rezistencës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Organizon vrasjen e Avni Rustemit, çka do të sillte shpërthimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924. Në Dhjetor 1924, me ndihmën e bajonetave serbe dhe të mbeturinave të ushtrisë bjellogardiste, shtyp me gjak Revolucionin demokratik të Qershorit dhe rikthehet në pushtet.
Në gusht të vitit 1924 nënshkruan marëveshjen e “famshme” antikombëtare prej 16 pikash me Kryeministrin serb Nikolla Pashiç, një marrëveshje që do të turpëronte edhe emisarin më të vogël të një vendi kolonial, e jo më një Kryeministër, President e Mbret i ardhshëm, siç ishte “Zogu i Parë, mbret i shqiptarëve”!
Vret me atentate figura të shquara të kombit si Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj., nëpërmjet njerëzve të paguar prej tij.
Për t’i shpëtuar kularit që i kishin vënë serbët me marrëveshjen “Zogu – Pashiç” të vitit 1924, Mbreti Zog e ktheu “timonin” nga Italia fashiste, duke vënë de fakto në ankand lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Për të përfunduar në Aktin e madh të tradhëtisë kombëtare më 7 prill 1939, kur ndërsa fashizmi italian u sul mbi Shqipërinë, mbreti Zog, që kishte premtuar se “do të mbathte opingat e do të luftonte me ppullin” për mbrojtjen e vendit, ia mbathi me gjithë suitën e tij, fillimisht drejt Greqisë, dhe në të pastajmen në Egjypt, në Beograd, e në Paris. Në këtë ikje si frikacak dhe tradhëtar, “shoqërohej” nga sepetet e shumta, ku kishte futur vlerat monetare dhe arin që i grabiti popullit dhe vendit gjatë kohës së mbretërimit të tij të palavdi.
Veprimtaria antikombëtare e Mbretit Zog në ekzil, dhe shërbëtorëve të tij, do të vijonte edhe gjatë LANÇ, dhe veçanërisht gjatë viteve të para të pushtetit popullor që u vendos mbas datës historike të 29 nëntorit 1944. Kontigjentë nga “Oborri” mbretëror i Zogut, do të vinin për të organizuar vrasje, revolta e kryengritje për kthimin në pushtet të Mbretit, por tashmë “e kishte marrë ferra uratën”. Mbreti i vetshpallur i shqiptarëve, Ahmet Zogu, jo vetëm ishte braktisur nga populli shqiptar që, kurrë nuk e deshi, por ishte braktisur dhe nga politika europiane e më tej, si një relike pa vlerë në historinë e shqiptareve dhe të rajonit.
3.- Kush dhe pse kërkohet të riabilitiohet ish Mbreti Ahmet Zogu?
Ai që e rehabilitoi i pari mbretin Zog, ishte Berisha dhe shpura e tij antikombëtare. Kjo ndodhi, sepse Sali Berisha, në shumë pika ngjan me ish mbretin e pafat Ahmet Zogolli: Ashtu si Zogu, edhe Berisha është agjent i Serbosllavëve, çka e ka treguar me vepra kur ishte në pushtet, por edhe tani në veprimtarinë e tij politike. Sali Berisha, ashtu si Zogu, është një vrasës i pabesë i adhetarëve dhe i demokratëve të vërtetë, si edhe vrasës i bashkëpunëtorëve të tij, kur i dalin jashtë “vathit”. Ashtu si Mbreti Zog, edhe Berisha ka shitur jo njëherë interesat kombëtare, kujtojmë këtu detin grekëve, kishën tonë ortodokse Janullatosit, apo varret e të rënëve për “Eladhën”, etj. Ashtu si Zogu, Berisha është njëri i intrigave politike, shoqërore e familjare. Ashtu si Mbreti Zog, u bë gati të shkonte në ekxil, kur e pa veten ngushtë në marsin e vitit 1997, paçka se e ndaluan e ju bënë mburojë “Socialistët zemërmirë”! Mos të harrojmë edhe përpjekjet e Berishës në vitin 1994 me “Kushtetutën Saliane”, e cila do ta bënte një mbret të pashpallur të shqiptarëve.
Sali Berisha, duke vendosur shtatoren e Mbretit Zog në krye të bulevardit, synonte dhe synon të përgatisë “piedastalin” e bustit të tij. Kjo ndodh, sepse ai e ka kuptuar që në sistemin që na kanë imponuar, limonët e “shtrydhur” janë kandidatët e parë për t’u riabilituar, nëse nuk nxjerrin në shesh të palarat e ustallarëve të tyre.
Por nuk është vetëm Berisha me eksponentët e PD-së, të të persekutuarëve, apo të nostalgjikëve të Mbretnisë në këtë fushatë për lartimin e mbretit tradhëtar e të diskretituar. Janë edhe eksponentë të Partive të tjera politike, sidomos atyre që alternohen në pushtet, si PS dhe LSI. Kjo e fundit, veçanërisht kryetarja Monika, e ka deklaruar haptas se është për mbretërinë dhe mbretin. Por edhe Kryetari i PS-së dhe njëherësh edhe Kryeministër i vendit, e ka manifestuar tashmë hapur nostalgjinë e tij për figura kontraverse si Ahmet Zogu, Mitat Frashëri e të tjerë kësisoj. Dhe kjo, jo thjeshtë për ndonjë afërsi në pemëm gjeneologjike, por kryesisht për afërsi të çuditshme në mendjen e tij të çartur e të thartuar me sjellje e veprime shumë ta ngjashme me sjelljet e veprimet e Mbretit Zog. Po citojmë vetëm një pasazh nga kjo sjellje e veprim: A nuk ngjan “minishengeni” i Kryeministrit tonë aktual me disa pika të Marrëveshjes “Nikolla Pashiç – Zog” të gushtit 1924”!
. . .
Ajo që tërheq vëmendjen në këtë histori të përsëritur të rehabilitimit të Mbretit Zog, është vizita miqësore e zyrtarit të lartë të DASH, Philip Reeker në familjen mbretërore të “princit” të pakurorëzuar. Mos vallë amerikanët kanë ndërmend të shpallin një “mbretëri” të vogël në brigjet e Adriatikut, me anë të së cilës të sigurojnë stabilitetin e rajonit, që nuk po e arrijnë udhëheqësit politik të “demokracisë”.
Nëse është kjo, atëhere është për të festuar me “tam-tame”. Ashtu siç festuam me “tam-tame” edhe hyrjen në NATO, pikërisht kur ne kishim sosur edhe fishekun e fundit në Gërdec. Dhe, ndonëse nga ajo ditë kanë kaluar plot 12 vjet, në ende nuk kemi asnjë fishek që të mund të mbrojmë trojet tona. Ndaj zgjidhja mund të jetë: “Rroftë Mbreti!”
Rishpallja e mundshme e “Mbretërisë”, është e dëshiruar për politikanët dhe pushtetarët tanë aktualë. Se, kur të vija momenti si ai i 7 prillit të vitit 1939, do ta kenë të sigurtë ekzilin, siç e pati parardhësi i tyre pervers, me emrin “Zogu i Parë – Mbret i shqiptarëve”!

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...