Home / Opinion / “Gligorov, Cërvenkovski, Georgievski, Gruevski, kanë bërë çmos që shqiptarët të jenë pakicë”

“Gligorov, Cërvenkovski, Georgievski, Gruevski, kanë bërë çmos që shqiptarët të jenë pakicë”

“Për ta parandaluar faktorizimin e shqiptarëve, pala sllavo-maqedonase, që nga viti 1991 e këndej, zbatoi ndaj tyre një strategji të veçantë:
– ndërtoi sistem unitar, krijoi shtet monoetnik dhe ushtroi pushtet centralist;
– ndoqi politikë restriktive dhe diskriminuese;
– ndërmori veprime opresive, duke ndërhyrë në viset shqiptare edhe me ekspedita ushtarako-policore.
* * *
Të drejtat politike të shqiptarëve janë injoruar, si nga Kiro Gligorovi apo LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, ashtu edhe nga VMRO-të e Lubço Georgievskit, përkatësisht të Nikolla Gruevskit. Që të gjithë, kanë bërë çmos që shqiptarët t’i trajtojnë si pakicë kombëtare. Madje, dy partitë sllavo-maqedonase vazhdimisht e kanë fajësuar njëra-tjetrën për sasinë gjoja të madhe të të drejtave që ua japin shqiptarëve.
Politika diskriminuese, restriktive, unitariste, centraliste dhe monoetnike e sllavo-maqedonasve i vendosi shqiptarët në grupin e pakicave ku bëjnë pjesë: vllehtë, romët, serbët, turqit. Shqiptarët ndërkaq, brenda dy dekadave të pluralizmit politik, asnjëherë nuk e refuzuan takimin me të dërguarin e OSBE-së për pakica, duke filluar që nga ambasadori Gert Arens (Geert-Hinrich Arhens, 1934-) deri te diplomati norvegjez Knut Volebek (Knut Vollebaek, 1946-). Nuk mund të pretendosh për status populli shtetformues, e në anën tjetër të takohesh me emisarin për pakica.
Që nga viti 1991 deri më sot, faktori sllavo-maqedonas i përjashtoi shqiptarët nga të gjitha proceset ekonomike dhe financiare. Në proceset ekonomike dhe financiare, shqiptarët në Maqedoni janë të përfshirë vetëm 1%. Në fillim të viteve të tranzicionit, të gjitha ndërmarrjet, fabrikat dhe repartet prodhuese të hapësirave etnike shqiptare u privatizuan nga pala sllavo-maqedonase. Duke i margjinalizuar shqiptarët nga proceset ekonomike dhe financiare, i shndërroi ata në popull social. E popujt social, preokupim parësor s’e kanë dot çështjen kombëtare, gjuhën, flamurin dhe Skënderbeun, por ekzistencën lakuriqe. Një popull, i sjellë në zgrip të mbijetesës lakuriqe, më lehtë nënshtrohet dhe sundohet.
Për ta relativizuar peshën e faktorit shqiptar, pala sllavo-maqedonase i shtyri shqiptarët:
– të merren me vetveten dhe të kacafyten ndër vete;
– të njëjtat kërkesa t’i përsërisin dhe t’i përsërisin vite me radhë;
– me dekada të merren me çështjen e gjuhës dhe të flamurit;
– të qëndrojnë sa më larg kërkesave ekonomike.
Pjesë e strategjisë antishqiptare ishin edhe abuzimet dhe pasurimi brenda natës që ua mundësoi faktori sllavo-maqedonas individëve të caktuar nga radhët e politikanëve shqiptarë, duke krijuar kështu një kastë të korruptuar samurajësh. Kjo kastë e të privilegjuarve, duke u bërë instrument i politikës unitariste, centraliste dhe monoetnike sllavo-maqedonase, u shndërrua në grup politik irrelevant, të papërfillshëm dhe joinfluent. Duhet ditur se janë do punë që nuk shkojnë bashkë, si p.sh.:
– edhe atdhetar, edhe pjesë e qeverisë së një shteti diskriminues; ose
– dje i varfër, sot pasanik brenda nate dhe në të njëjtën kohë edhe patriot.
Xhelal Zejneli

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...