Home / Opinion / POLITIKANËT DHE PESHKAQENËT

POLITIKANËT DHE PESHKAQENËT

Shkruan: Beqir Elshani

Unë them se politikanët janë peshkaqenë, kurse miku im, Fadil Shyti, thotë se peshkaqenët janë më të butë se politikanët e Bashkimit Europian. Mbase e thotë me ironi. Prandaj prej mikut tonë, Xhemil Zeqirit, në Kopenhagë, kërkova të vlerësojë se cili prej nesh kemi të drejtë, unë apo Fadili? Të nesërmen Xhemili, si njohës i diplomacisë kombëtare e ndërkombëtare, më shkroi se nuk ka asnjë dyshim që peshkaqenët janë më të rrezikshëm se politikanët, sepse prej peshkaqenit sado të pafajshëm të jenë, sapo njerëzit ta shohin, do të marrin arratinë, kurse prej politikanit sado i rrezikshëm të jetë askush nuk ikën, vetëm pse këta të fundit i ngjanë njeriut me dy këmbë. Nuk ka asnjë dyshim që unë, Fadil Shyti e Xhemil Zeqiri jetojmë në kushte të mira në Skandinavi, sikur shumë të tjerë në Europën perëndimore, mirëpo nuk jemi të lumtur, sepse atdheu ynë – Shqipëria Etnike, jo që nuk po bashkohen, por Kosova vazhdon të terrorizohet nga Serbia Fashiste, e cila synon copëtimin e Kosovës. Diplomacia ndërkombëtare e di që Serbia nuk e do Kosovën për mirëqenien e popullit, por e do për shfrytëzimin e mineraleve të Kosovës. Në anën tjetër, dëshiron të bashkohet me Republikën Serbe në Bosnjë, por kundërshton bashkimin natyral të Kosovës me Shqipërinë.
Siç po shihet, liria dhe vetëvendosja për bashkimin e tokave tona po pengohet nga qeveria jo e bashkuar, por e korruptuar shqiptare, dhe atë nën trysninë e diplomacisë europiane e ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës duhet të marrë shembull prej Filarmonisë Orkestrale se si mbahet kuvendi i bashkuar me një frymë nën drejtimin e kryemjeshtrit – dirigjentit. Bashkimi i faktorit kombëtar shqiptar sjell zhvillimin e ekonomisë së vendit, dhe për një kohë shumë të shpejtë Shqipëria jonë, jo e madhe, siç e dramatizojnë fqinjët tanë serbosllavë, por e bashkuar, do të përparonte në të gjitha fushat e jetës dhe shkencës. Mu për këtë shkak Serbia dhe Greqia e pengojnë bashkimin e atdheut tonë, sepse ata nuk duan që shqiptarët të ndërtojnë e të përparojnë, por dëshirojnë të mbeten argatë në vendet fqinje, me anën e së cilës duan që shqiptarët t’i asimilojnë dhe t’i bëjnë qytetarë të rendit të dytë e të tretë. Po sikur politikanët shqiptarë të merrnin shembull prej rilindësit të madh, Pashko Vasa, i cili në shërbim të atdheut me vetëmohim luftoi kundër korrupsionit në qeveri, duke mos kursyer as dhëndrin e tij, sepse nuk lejonte t’i nxihej fytyra, por edhe zemra para popullit libanez të Bejrutit për të cilët ishte betuar se do t’i shërbente me ndershmëri.

Deklaratë e pamatur e kryetarit të kuvendit
Deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili patriotët i këshillon të shkojnë në Preshevë, Ulqin e Katërkollë, (duket qartë që kryetari i kuvendit i ngatërron emrat në gjuhën e huaj, kur dihet që gjatë udhëtimit për Ulqin, rrugës shihet tabela me emrin e katundit shqiptar “KATËRKOLLË”. Pikërisht ulqinakët nuk i thonë ndryshe katundit shqiptar, pos “Katërkollë”. Siç dihet që malazezët për inat të shqiptarëve katundin e quajnë “Vladimir”, ashtu siç e quajtën serbët Ferizajin “Uroševac”. Është për të ardhur keq, që kryetari i kuvendit është rritur në Kosovë, është shkolluar shqip, dhe ka luftuar shqip në UÇK-në e lavdishme, mirëpo nuk i ”kujtohet” toponimi shqiptar – Katërkollë.
Sa i përket deklarimit politik të Kadri Veselit se vota për ratifikimin e ligjit për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është patriotizëm, ndërsa të gjithë patriotët e tjerë i këshillon të shkojnë në Ulqin, Preshevë e Katërkollë, nuk është i drejtë. Ndryshe me “patriotizmin” e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pleqtë thonë se një dorë që nuk mund e thyen, duhet puthur. Prandaj kështu duhet deklaruar disfatistët e Qeverisë së Kosovës, sepse nuk po mund të thyejnë dorën e Serbisë kriminale, prandaj me anën e detyrimit diplomatik pranojnë copëtimin gjeografik të Republikës së Kosovës. Kjo puthje disfatiste në fjalorin diplomatik nuk quhet ndryshe, pos nënshtrim ndaj armikut tonë shekullor. Nëse shqiptarët nuk mund t’i bashkojnë tokat që i kanë pushtuar shtetet fqinje, së paku të mos u falin trojet tona. Sa i përket ironizimit të shkuarjes së Albin Kurtit në luftë për të mbrojtur qytetet e lartpërmendura sipas Kadri Veselit, nuk i takon vetëm Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, sepse Kosova nuk është vetëm e Albinit, por e mbarë popullit shqiptar: prej Ulqinit deri në Janinë. Prandaj një gjë që nuk ia dëshiron vetvetes, mos ua detyro të tjerëve. Çdo respekt për luftën që ka bërë Kadri Veseli, mirëpo në fushën diplomatike është i dobët, prandaj sipas Zhan Zhak Rusos, para numrit 1 shënon vetëm zerot.
Që deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është emocionuese, tregon se betejën e ka humbur, për shkak se javën e kaluar deklaronte që e ka përkrahjen edhe të disa deputetëve të Vetëvendosjes, ndërkohë që kryetari i LV, Albin Kurti, me kohë ua ka bërë të qartë qeverisë se demarkacioni i kufirit me Malin e zi nuk do të kalojë në Kuvenin e Kosovës, por edhe do të ketë pasoja. Afrikanët thonë se edhe po të qethet zebra, vijat nuk zhduken, prandaj edhe nëse Jugosllavia është shpërbërë, vijat kufitare të Kosovës nuk janë zhdukur. Nëse Veseli i ka votat e sigurta për demarkacionin Çakorrit me 8200 ha, nuk ka arsye të kërcënohet për bashkimin e tokave shqiptare. Duhet pasur parasysh se 8200 ha nuk janë pak, as 100 ha nuk janë pak, jo më 8200 ha duke përfshirë Çakorrin me gjithë Kullën, emra legjendarë që përgjithmonë do të fshihen nga tradita e rezistencës popullore dhe nga truri i popullit shqiptar.
Suedi, 28.02.2018

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...