Home / Të ndryshme / Anekdota: Kali i falur

Anekdota: Kali i falur

Beqir Elshani

1. PERSONALITETI SHQIPTAR
– A e di cilët personalitete shqiptare përmenden më së shumti në korporatën google? – e pyeti gazetari akademikun shqiptar.
– Duhet të jenë Enver Hoxha dhe Sali Berisha, mirëpo derisa i pari përmendet për të mirë, i dyti përmendet për faqe të zezë, – tha akademiku me nostalgji.

2. AKILI DHE HOMERI
– Cili është më i lavdishëm, Akili apo Homeri? – e pyeti një gazetar shkrimtarin.
– Atë që bëri Akili me shpatë, e bëri Homeri me penë, – u përgjigj shkrimtari.

3. GËNJESHTRA
– Si bëhet inversioni i librit të Xhemil Zeqirit “E vërteta bën armiq”? – e pyeti gazetari kritikun letrar.
– Shumë lehtë, “Gënjeshtra bën miq”, – u përgjigj kritiku letrar.

4. DIAGNOZA
– Ku është dallimi në mes burokracisë së mykur dhe asaj të ndryshkur? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Të dyja kanë diagnozën e kancerit, – u përgjigj i dyti.

5. THESARI
– A më shumë e do macen apo luanin? – e pyeti njëri komshiun.
– Macen e dua në shtëpi për të gjuajtur mi, kurse luanin për mbrojtjen e thesarit në qeveri, – ia ktheu komshiu.

6. KROKODILI
– A të pëlqen kur krokodili e sulmon zebrën? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Jo më pëlqen kur e sulmon vëllain e tij të pabesë – gjarprin, – ndërhyri i dyti.

7. MOSPËRFILLJA
– Më shumë jam kujdesur për bythën time se për katundin, – kështu tha një deputet.
– Më pëlqen autokritika jote, por nuk më pëlqen oportunizmi yt, – ia ktheu tjetri.

8. MIKJA FASHISTE
– Quhem Zhaklina Hipokrite, jam majtiste e zjarrtë, e urrej fashizmin gjerman të Adolf Hitlerit, por e puth fashizmin serb të Sllobodan Millosheviqit, – kështu deklaroi një deputete në Bundestagun gjerman. Në vazhdim tha që Kosovës duhet t’i thyhen dhëmbët, ndërkohë që Serbia të armatoset për vrasjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve.
– Ka vdekur Hitleri, përndryshe Zhaklina do t’ia puthte çizmen, – tha një ministër gjerman.

9. KUTI SHOVINIST
– Një shoviniste sllavomaqedonase, flitet se është profesoreshë, aq shumë i urren shqiptarët sa që deklaron se janë 20% shqiptarë në Maqedoni, – tregoi një shkupjan.
– Ehe, po të ishim 20%… profesoresha do të këndonte, por jemi gjysma e banorëve në Maqedoni, – ndërhyri kumanovasi.

10. URREJTJA KOMBËTARE
– Çka mendon për urrejtjen kombëtare të shovinistit maqedonas ndaj shqiptarit në Manastir? – e pyeti gazetari avokatin bullgar.
– Pikërisht sllavomaqedonasi po tregon që është kolonizator i sertë në Manastir, – ia priti avokati bullgar.

11. URREJTJA
– Ku është dallimi në mes urrejtjes patriarkale të grave nga ana e Ramush Haradinajt dhe Ardian Kastratit? – e pyeti një qytetar analisten.
– I pari gratë i urren si pronë e burrave, ndërsa i dyti i urren si gjini të dobët? – u përgjigj analistja.

12. PËRKTHIMI DIPLOMATIK
– Si bëhet përkthimi i deklaratës së kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në gjuhën shqipe: “Ukoliko postoji opasnosti kod srpskog naroda u Kosovu, mi ćemo reagirati?”
– “Nëse ka rrezik për popullin shqiptar në Serbinë jugore, ne do të reagojmë”, – tha gazetari.

13. BARKU DHE ASFALTI
– Ku është dallimi në mes asfaltit dhe barkut të njeriut? – e pyeti njëri shokun e tij.
– Dallimi është se asfalti i hollë në rrugë dobësohet shpejt, ndërsa njeriu me bark të hollë lodhet shpejt, – tregoi shoku i tij.

14. KALI I FALUR
– Ku është dallimi në mes kalit të falur dhe biçikletës së falur? – e pyeti nipi dajën e vjetër.
– Dallimi është se kalit të falur nuk i shikohen dhëmbët, ndërsa biçikletës së falur nuk i shikohen gomat, – tregoi plaku.

15. EUFEMIZMI
Me një lajm ditor shkruante për italianin e moshuar që ka ndërruar jetë duke bërë dashuriçka me një kurvë. Ndërkohë policia fatkeqin që vuante prej sëmundjes së zemrës e ka gjetur pa jetë. Prandaj fatkeqi ka ndërruar jetë, në vend se të shkruhet qartë “ka vdekur” dhe “e ka gjetur të vdekur”.
– Shyqyr që ka shpëtuar, – ia priti tjetri, që nuk merrte vesh në shprehjen metaforike.
– Dallimi i vetëm është se italiani shqip ka ndërruar jetë, kurse italisht ka vdekur, – ndërhyri i dyti.

16. SHPËTIMTARI
– Ç’do të bësh po qe se borgjezi në det kërkon ndihmë për shpëtim? – e pyeti gazetari.
– Do ta thërras ekipin reaksionar për shpëtimin e tij, – u përgjigj urtisht qytetari.
– Domethënë nuk di të notosh, prandaj do të kërkosh ndihmë?! – ndërhyri gazetari.
– Jo, jo, për shkak se autoriteti i tij nuk e pranon ndihmën e fukarait, – ia ktheu qytetari.

17. PËR MORALIN
– Arsimtar, çka domethënë dënimi “tredhje kirurgjike”? – e pyeti studentja e mjekësisë arsimtarin.
– Tredhje kirurgjike domethënë vdekje seksuale, – tregoi arsimtari.
– Faleminderit, arsimtar, më pëlqen ky dënim, – e falënderoi studentja.

18. DASHURIA
– A më mirë është ta duash gruan si sytë e balli apo më shumë se sytë e ballit? – e pyeti njëri plakun e mençur.
– Unë mendoj që më mirë ta duash si sytë e ballit, përndryshe mund të mbetesh pa gruan dhe pa sytë e ballit, – tregoi plaku i mençur.

19. VËLLEZËR
– Ku është dallimi në mes matematikës dhe biologjisë? – e pyeti gazetari akademikun.
– Me anën e matematikës jemi vëllezër me gjermanë, kurse me anën e biologjisë jemi vëllezër me majmunë, – u përgjigj akademiku.
– E para, përgjigje e bukur, e dyta, e shëmtuar, – shtoi gazetari.

20. LOTËT E DËSHPËRIMIT
– Doktor, e di që jam shurdhan, por nuk e kam ditur që jam qorr, kur kryetari i LDK-së dha dorëheqje, nuk ia pashë lotët, – kështu u ankua një qytetar para mjekut.
– Ehe, Mustafa është inatçi, kur të shkojë në shtëpi, do të shfryhet me vaj, – ia ktheu mjeku.

21. GJUMI NGJITËS
– A është sëmundje ngjitëse gjumi? – e pyeti kuksiani tiranasin.
– Patjetër, gjumi është si gogësima, nëse hyn në sallën e Partisë Demokratike, menjëherë të zë gjumi, nëse hyn në sallën e Vetëvendosjes, nuk të zë gjumi, sikur edhe me javë të mos flesh, – tregoi tiranasi.

22. ORA E ZGJIMIT
– Cili mjet është më i mirë për ta zgjuar bacën prej gjumit në mëngjes? – e pyeti motra e parë të dytën.
– Ora me zile, – u përgjigj e dyta.
– Nëse zili i orës nuk e zgjon, atëherë me se do ta zgjohesh. . .? – vazhdoi ta pyes e para.
– Me derdhjen e gotës së ujit në kokë, dhe baca si ushtar çohet në këmbë, – tha e dyta.

23. MARRIA NË RRUGË
– Quhem Marria, në cilën anë gjendet udha për të thyer qafën, në të djathtën apo të majtën? – e pyeti prijësi i gjatë e i hollë i Partisë Demokratike.
– Mashalla, për emrin që ke, njësoj është, mbaja nga të duash, – ia ktheu i panjohuri.

24. DËNIMI SIPAS VENDIT
– Gjysh nëse të vret babi im në Kosovë, dënohet me pesë vjet burg, nëse të vret xhaxhi në Gjermani, dënohet 25 vjet, – i tregoi mbesa gjyshit 90-vjeçar, pasi lexoi lajmin për dënimet në Gjermani.
– Mirëpo unë asnjërit nuk ia dëshiroj dënimin, – ia ktheu gjyshi me keqardhje.
– E, gjysh, para ligjit nuk ka dallim gjinia dhe mosha, të gjithë janë të barabartë, – tha mbesa.

25. KUNDËRVOTIMI
– Për çka je dënuar me burg? – e pyeti avokati anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje.
– Jam dënuar për shkak se nuk e kam votuar Gjykatën Speciale sipas kërkesës së Hashim Thaçit, – u përgjigj i burgosuri.
– Mirë ta kanë bërë që të kanë dënuar! Po ta kishe votuar, sot do të ishe në kuvend, – e qortoi avokati.

26. REVOLTA
Një fëmijë po qante, ndaj e ëma i afrohet dhe e pyet pse po qante.
– Po qaj për shkak se daja më quan lepurush, – tregoi i biri duke fshirë lotët.
– Jo, biri im, ti je luan i vërtetë, vetë daja është lepurush, – e qetësoi e ëma.

27. DIAMANTI
– Kush është baba u diamantit? – i pyeti arsimtari i kimisë nxënësit në klasë.
– Arsimtar, nëse e keni fjalën për shokun e klasës, babai i tij është Luani, nëse e keni fjalën për mineralin, është thëngjilli, – tha njëri nga nxënësit.

28. “TITANIKU” KINEZ
– A dëshiron të udhëtosh me “Titanikun” kinez në oqean? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Kurrsesi, sipas emrit dhe vendit të prodhuesit, fatkeqësia është e pashmangshme, – ia ktheu miku i tij.

29. SHUJTA KINEZE
– Nëse nuk di për të ngrënë orizin me shkopinj kinezë, çka do të bësh? – e pyeti njëri fqinjin e tij.
– Do të ha me duar, siç kam ngrënë kur isha kalama, – tha i dyti.

30. FRYMËMARRJA
– Baba, a di ndonjë kafshë në botë që e kursen zemrën dhe frymëmarrjen? – e pyeti i biri babain.
– Po, është ariu i murrmë, pasi dimrit me borë kohën e kalon në gjumë, – tregoi babai.

31. GJYKATA SPECIALE
– A di ti kush është themelues i Gjykatës Speciale? – e pyeti gazetari kolegun e tij.
– Albin Kurti, – ia ktheu kolegu i punës.
– Dokrra, Albin Kurti nuk di të mbjellë një fidan, jo më të themelojë Gjykatën… Themelues është Hashim Thaçi, – tregoi me mburrje i pari.

32. NEOLOGJIZMI
– Qysh bëhet modifikimi i fjalisë “Titizmi i Kosovës ka vdekur”?
“Titizmi i Kosovës ka ndërruar jetë”, pasi që titistët nuk vdesin, por shkojnë në përjetësi, – u përgjigj me stil nxënësi.

33. FJALI MUNGESORE
– Si quhet fjalia “Qeveria Hoti, hajdute e hajdutëve?” – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
– Fjali mungesore, arsimtar, pasi që fjalisë i mungon kallëzuesi “është” – u përgjigj nxënësi.

34. KUSHTETUTA
– A e di kush po e shkelë më së shumti Kushtetutën e Kosovës? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Askush më shumë se politikanët nuk po e shkelin Kushtetutën… – u përgjigj i dyti.

35. JEP – MERR
Ish-kryeministri, që në mandatin e tij Çakorrin ua dha malazezëve, në zgjedhjet e reja deklaroi: Nëse votoni për mua, e kthej Çakorrin.
– Çakorri, a është makinë që lëvizë, prej një vendi në vendin tjetër?! – pyeti një qytetar.
– Jo, është vend malor me sipërfaqe bukur të madhe, sa gjysma e komunës së Deçanit, – tregoi një tjetër.

36. PRIVAT – ZYRTAR
– Ku është dallimi në mes hajdutit privat dhe atij zyrtar? – e pyeti gazetari inspektorin e policisë.
– Dallimi është se hajduti privat vjedh me thes, kurse hajduti zyrtar vjedh me çantë, – ia ktheu inspektorin.

37. TITIZMI
– Cili prej tyre e ka vrarë titizmin në Kosovë, Rugova apo Mustafa? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Asnjëri. Rugova titizmin e ka mbajtur me krunde, Mustafa me jonxhe, – ia ktheu qytetari i revoltuar.

38. KEQTRAJTIMI I FOLJES
– A ka ndonjë gabim në fjalinë ”Qytetarët ia kanë jap votën Vetëvendosjes?” – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
– Patjetër, folja kalimtare “jap” duhet shkruar në pjesore “Qytetarët ia kanë dhënë votën Vetëvendosjes”, – u përgjigj drejt nxënësi.

39. CIGARJA MJET QETËSIMI
– Djali im kur nervozohet në gruan, tymos cigare? – tregoi një grua duke biseduar me një shoqe.
– E çfarë bën reja kur nervozohet në burrin? – ndërhyri tjetra.
– Edhe ajo kur nervozohet në burrin, tymos cigare, – ia ktheu e para.

40. INVERSIONI NËNËS
– Si bëhet inversioni i fjalisë “Më shumë e dua nënën time se vjehrrën”? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Shumë lehtë, arsimtar, “Më shumë e dua vjehrrën se nënën time”, – u përgjigj drejt nxënësi. Baca im, sa ishte pamartuar, e donte nënën, pas martesës e do vjehrrën.

Suedi, 28 maj 2021

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...