Home / Lajme / Shkëputur nga mbrojtja para gjyqit

Shkëputur nga mbrojtja para gjyqit

Ukshin Hoti

Të gjithë e kanë ditur se unë kam qenë minister regjional i krahinës potencialisht eksplozive të Kosovës dhe të gjithë me mjeshtri i janë shmangur temave të nxehta. Bile edhe Stiven Larabe, njeri intelegjent i kohës sime, me të cilin jam shoqëruar më së shumti, e i cili atëherë ishte emëruar shef i drejtorisë për Ballkan në State Department, edhe ai i ka ikur bisedave serioze për këtë temë. Nuk e di se pse e ka lëshuar State Departmentin dhe ka shkuar në institutin “Rand”, pas burgosjes sime të parë, por e di se ka qenë qëndrim i amerikanëve që më me dëshirë do ta shihnin se si Shqipëria do t’i bashkangjitej Kosovëse jo Kosova – Shqipërisë, kjo ka qenë shumë e përhapur në emigracionin politik shqiptar në SHBA. Disa pjesë të këtij emigracioni, e sidomos të tubuar rreth “Legalitetit”, parti e zogistëve që e ka kërkuar Leka Zogun e I –rë në krye të fronit, e këtë e bëjnë edhe sot, si dhe pjesë të veçanta të “Ballit Kombëtar” të tubuar rreth Xhafer Devës, kanë folur, por edhe shkruar se më me qejf do t’ia heqnin kokën Enver Hoxhës, e më pas Fadil Hoxhës.Kanë menduar se ata ishin fajtor për ate që Shqipëria nuk u bashkua menjëherë pas luftës. Nuk e kanë ditur përgjigjen në pyetjen se pse mendojnë që Shipëria është më shumë fajtore për këtë se sa Kosova apo Jugosllavia për këtë rezultat negativ për shqiptarët menjëherë pas luftës. Përgjigjet e autorëve tanë në këtë pyetje, të cilët janë lajmëruar pas vitit 1990 në shtypin tonë, e fajësojnë ish regjimin komunist në Shqipërisë sipas logjikës së shtetësisë:

Ata janë shtet, e ne jo.

Nisur nga kjo, ata janë fajtorë më shumë se ne. Nuk është e nevojshme të komentohet se rezonimi i tillë është më së paku serioz. Nuk ka qenë e vështirë të përfundohet se rezonimi i tillë i emigracionit politik shqiptar në këtë kohë, në të vërtetë ishte refleksion i disponimit antikomunist të administrates amerikane e cila nuk ka patur kurrfar lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Në lidhje me këtë çështje ata kanë rezonuar si superfuqi dhe nga pozicionet e politikës globale. E kanë ditur se qendrimi i Internacionales Komuniste, në lidhje me këtë çështje prej vitit 1926 e më pas, deri te Kongresi i V-të i PKJ-së ka qenë që Kosova t’i bashkangjitej Shqipërisë, prandaj për këtë kanë vendosur anasjelltas, që Shqipëria t’i bashkangjitej Kosovës, dhe do të mundeshin që edhe më tej sllavëve t’u shiteshin 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion shqiptarëve, sikur t’i përkrahnin ata. Në lidhje me këtë, ndonjëri prej tyre fliste haptas në sallë. I kam kuptuar atëherë parametrat e mendimeve të tyre me të cilat çdo gjë është shëndrruar në kuantitet, por nuk mund të them se kjo më ka pëlqyer. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili këto çështje, me metoda të represionit policor, i ka shpallur tabu-tema. Është dashur shumë kohë, mund, djersë dhe gjak që më në fund të hapeshin këto tema. Qysh atëherë kam fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish Jugosllavinë titiste në të vërtetë ka qenë refleksion i ndeshjes së këtyre dy politikave globale, prapa të cilave kanë qëndruar shoqëritë globale, dhe kjo më ka trishtuar.

About xhzeqiri

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...