Home / Opinion / Nait Hasani, Albini dhe UҪK-ja

Nait Hasani, Albini dhe UҪK-ja

Me keqardhje mësova sot se në mesin e ambasadorëve të shkarkuar me propozim të ministres së punëve të jashtme të Kosovës, Znj. Gërvalla dhe miratim të kryeministrit të Kosovës, Z. Kurti, dhe dekret të presidentes së Kosovës Znj. Osmani, është edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani.

Personalisht nuk kam pasur simpati për Naitin as gjatë kohës që ai ishte deputet i PDK në kuvend, ku nuk ju ndie zëri asnjëherë, e as kur u vendos amdasador. Veçanërisht pas letrës publike që ai bëri në mbështetje të Hashimit, kur ky i fundit u arrestua nga gjykata speciale. Jo më shumë për jargavitjen që i bënte në letër, por për tentativën e tjetërsimit të historisë së krijimit të UҪK. Nejse, kjo është një temë më vete që do hante libra e jo shkrime.

Por antisimpatia ime ndaj tij ka qënë për arsyen e thjeshtë se gjithnjë e kam mbajtur dhe vazhdoj ta mbaj përgjegjës të pavetëdijshëm të eleminimit të grupeve guerrile në Kosovë, e veçanërisht të Zahir Pajazitit. E them të pavetëdijshëm, sepse ky i shkreti nuk e ka kuptuar se përse disa bashibozukë të tipit Xhavit Haliti, e zgjodhën këtë për ta dërguar si ndërmjetësi kryesor midis grupeve ilegale dhe kryesisë së LPK ose më specifikisht, ndërmjet SRV (Sektori i Rëndësisë së Veçantë) të kryesisë së LPK dhe grupeve ilegale që zhvillonin aksione të armatosura kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë që nga viti 1992. Këta mjeshtra me qëllimin për të eleminuar këto grupe dhe pastaj të uzurponin ashtu si e uzurpuan kryesinë e UҪK-së dhe vetë UҪK-në, vendosën të çonin Naitin, një ish i burgosur politik si përfaqësues, i cili arriti të mblidhte ato grupe bashk e të krijonte shtabin e parë të UҪK-së, ku Naiti u zgjodh si kryesues i atij shtabi.

Por duke qenë se Naiti kish qenë më parë i arrestuar, ishte e llogaritur që Serbia dhe organet e saja të represionit, policia dhe UDB, do e mbanin nën vëzhgim Naitin se me kë do takohej, e për çka kish ardhur. Them i pavetëdijshëm se edhe kur u arrestua, ndoshta nuk i ka rezistuar torturave dhe sërish kjo e bën atë të pavetëdijshëm për ato që ka thënë.

Gjithsesi më duket se u zgjata shumë duke akuzuar e justifikuar në të njëjtën kohë Naitin. Pasi këtë shkrim e kam për qeverinë e Kosovës e në veçanti për kryeministrin Kurti, i cili me këtë veprim, mendoj se ai po tenton të zhdukë fare legjitimitetin e UҪK-së në qeverisjen e Kosovës dhe në përfaqësim të saj. E them këtë pasi e pashë që e nisi këtë fushatë të tij që me emërimin si ministër të mbrojtjes së Kosovës të një dezertori.

Po, po, dezertor, pasi ky zotëria është larguar për në Suedi dhe ka hyrë në ushtrinë e atij vendi pasi qeveria e përkohëshme e Kosovës e dalë nga Rambujeja bëri thirrjen e mobilizimit të përgjithëshëm të popullsisë në Kosovë në luftë kundër okupimit serb më 24 mars 1999.

Vendosja e këtij personi si ministër, i cili as nga përgatitja ushtarake, një komandant kompanie, nuk i plotëson as kushtet politike dhe as ato teknike për të udhëhequr një ministri të tillë. Për më tepër mos vendosja në atë pozicion nga qeveria Kurti të një ish pjesëtari të UҪK, siç mund të ishin Lulzim Jashari, i biri i Adem Jasharit, i cili jo vetëm që e kishte edhe gradën madhore, por edhe përgatitjen e duhur ushtarake dhe teorike për të drejtuar një ministri të tillë, pasi ka qënë pjesëtarë i TMK e pastaj i FSK që nga fillimi dhe plus ka mbaruar edhe akademinë e shtabit të përgjithëshëm në Shqipëri. Por si duket kjo e fundit do ketë qenë edhe arsyeja pse ai nuk është emëruar në atë pozicion.

Gjithashtu një figurë tjetër që do i bënte nder jo vetëm Kosovës, por edhe vetë Kurtit në atë pozicion do të ishte edhe ish shefi i shtabit të UҪK – Bislim Zyrapi, i cili prej qershorit 1998 kur UҪK ishte pa komandë tashmë, organizoi dhe ringriti UҪK-në, të gjtiha formacionet e saj ushtarake dhe bëri drejtimin e tyre në luftë deri në maj të 1999 kur vendosën ta zëvendësojnë. Edhe Bislimi ashtu si Luli ka gradën madhore të Kolonelit. Por vendosja e këtyre të dyve do të thoshte vazhdim i legjitimitetit të UҪK në qeverisje, dhe kjo nuk i pëlqen Sërbisë, se për shtetet e tjera nuk ja kam idenë nëse e duan apo jo. Mosdhënia e kësaj ministrie nën drejtimin e një individi që ka dalë nga rradhët e UҪK është guxim më i madh edhe se i LDK, e cila edhe pse asnjëherë nuk është shprehur pro UҪK, sërish ajo nuk ka guxuar që atë ministri mos t’ia besojë një ish luftëtari, ku së fundmi ja kish besuar drejtimin e saj ish luftetarit të UҪK-së Anton Ҫunit.

Në kohën që Serbia i dekoron dhe i vendos nëpër detyra të larta të gjith ata ushtarakë që kanë urdhëruar dhe udhëhequr masakrat e forcave sërbe ndaj popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës, Albini, i cili pretendon t’i kundërvihet kësaj Sërbie, nuk e bën atë as simbolikisht. Them simbolikisht, pasi drejtimi i kësaj ministrie nga njëri prej këtyre dy figurave të mësipërme do ishte karshilliku më i madh ndaj Serbisë dhe masakrave e masakruesve të saj.

Por si duket, Albini mendon se ekskluzivitetin e kundërshtimit dhe kundërvënies ndaj Serbisë i takon vetëm atij personalisht.

Dhe tashti largimi edhe i Naitit nga një detyrë përfaqësuese, për mua kjo vërteton plotësisht tentativën e Kurtit për zhdukjen e plotë, të jo vetëm, ligjitimitetit të UҪK por edhe të emrit të saj nga qeverisja.

Dhe e gjitha kjo më lidhet me letrën që burri i Donikës, të publikuar nga Ibrahim Kelmendi, e të lexuar prej burrit të saj në një rast, valorizonte FARK-un më shumë se UҪK-në.

Pra shkurt, dezertorët më të vlefshëm se çlirimtarët.

Kjo po duket edhe filozofia e kësaj qeverisje.

Do doja t’i thoja Kurtit, turp të keni, që e keni futur Naitin në atë listë, ku emrat e tjerë i shoh vetëm si mbulim për largimin e Naitit.

Por ësht e pamundur, pasi turpin ai e hëngri me bukë menjëherë pas emërimit të dezertorit si minstër mbrojte, kur të nesërmen vajti vizitë te Jasharajt.

Dhe nuk më mbetet veç t’i them një shprehje të profetit Muhamed: po nuk pate turp, bëj ç’të duash, se nuk kam ç’të bëj më.

21 05 2021

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...