Home / Histori / Myslim Peza – Hero i Popullit

Myslim Peza – Hero i Popullit

May be an image of 1 person

Myslim Peza u lind më 1 maj 1899 në Pezën e Madhe.

Rrjedh nga prindër të shquar të kohës, nga Haziz Peza, Sheh i teqesë së Pezës dhe nga Mahmudie Peza, nëna e tij. Myslimi ishte djali i dytë i tyre, ndërsa Shyqyriu djali më i madh. Sheh Haziz Peza ka qenë lidhur me patriotin e kohës Aqif Pashë Elbasani për të luftuar kundër sundimit turk, si dhe për të përhapur e mësuar gjuhën shqipe. Në luftën për pavarësinë e vendit nga turqit më 1912, u përfshinë edhe dy vëllezërit, Shyqyri e Myslim Peza. Të dy vëllezërit në janar 1920 së bashku me 60-70 vullnetarë pezakë, për 11 ditë qëndruan në mbrojtje të Kongresit Historik të Lushnjës. Në dhjetor 1921, Ahmet Zogu bëri grusht shteti dhe mori qeverinë. Peza u bë strehë e antizogistëve. Në shkurt 1922, xhandarët e dërguar nga Zogu në pabesi e arrestojnë Myslim Pezën së bashku me kushëririn e tij Gani Peza. Për një kohë i mbajtën në burgun e Peqinit, më pas i internuan në Korçë ku qëndruan një vit. Në 1923, Myslim Peza kthehet nga internimi, lidhet me shokët e Shoqërisë Demokratike “Xhoka” të Tiranës për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese, të cilat u manipuluan nga Zogu që u zgjodh kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme. Në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, të dy vëllezërit, Shyqyriu dhe Myslim Peza morën pjesë dhe përkrahën forcat revolucionare të Fan Nolit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës dhe Riza Cerovës. Pas dështimit të këtij revolucioni, dy vëllezërit Peza filluan të ndiqeshin si përkrahës të qeverisë së Nolit. Më 5 shtator 1926, Myslimi së bashku me shokun e tij Lam Lekën, brenda në Tiranë me atentat vranë majorin zogist Osman Bali, i cili kishte bërë shumë vrasje për Esat Pashë Toptanin dhe Zogun. Pas kësaj vrasje, Myslimi me Lam Lekën arratisen, duke iu fshehur përndjekjeve të spiunëve e xhandarëve të Zogut. Gjykata e dënoi në mungesë me pushkatim. Për kapjen e Myslim Pezës u vunë në dispozicion mijëra napolona flori, u kapën dhe internuan shumë të afërm dhe miq të tij.

Pas katër vite përpjekjesh, burgosje dhe internimi i 66 vetëve, fëmijëve dhe të afërmve që i kishin strehuar, qeveria e Zogut u hakmorr. Në këto kushte Myslim Peza, e Sul Ajazi u arratisën në Maqedoni, ndërsa Lam Leka qëndroi këtu dhe u vra nga trupat e ndjekjes së Zogut. Në Maqedoni, Myslimi lidhet me patriotin Haxhi Lleshi, i cili e ndihmoi dhe përkrahu me gjithçka. Në mes tyre u lidh një miqësi që vazhdoi derisa ishin gjallë. Atje Myslimi u lidh dhe u miqësua me Kajo Karafilin, Mustafa Kaçaçin dhe shumë emigrantë që ishin përndjekur nga Zogu. Në Maqedoni Myslimi qëndroi derisa u kthye në qytetin e Resnjës menjëherë pas pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939. Në fillim të korrikut 1939, pasi ndahet në Resnjë me Haxhi Lleshin, Myslimi kthehet në Tiranë me qëllim që të luftonte kundër fashistëve për çlirimin e vendit. Këtë mendim ia tha edhe Haxhi Lleshit kur u ndanë. Në Tiranë qëndroi në kafen e Dem Xhepës, ku patrioti Esat Dishnica e takoi me Enver Hoxhën. Që këtu i dhanë besën njëri-tjetrit dhe do të mobilizonin popullin për luftë kundër fashistëve dhe tradhtarëve. Kjo miqësi u forcua më shumë gjatë LANÇ. Pas 9 vitesh Myslimi kthehet në Pezë dhe pas tij vjen në Pezë nga Maqedonia edhe Kajo Karafili në shtëpinë e Babë Myslimit. Në 5 qershor 1940, Myslimi me familjen e tij, të afërmit, miqtë, si dhe shokët që kishin ardhur për të luftuar fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij, formoi çetën e parë antifashiste në Shqipëri dhe në Europë. Pas takimit të Myslim Pezës më 28 qershor në Grebllesh të Ndroqit me Enver Hoxhën, u ra dakort çeta të ndihmohej me të rinj e të reja të qytetit dhe fshatrat e Tiranës. Në çetë erdhën komunistët Qemal Stafa, Mihal Duri, Kristo Themelko, Vasil Shanto, Misto Mame, Pandi Nasho, Baki Starja, Todi Morava, Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Todi Lubonja, Lefter Goga, Maliq Muça, Loni Grazhdani etj. Çeta e Pezës me komandant Babë Myslimin filloi menjëherë veprimtarinë luftarake kundër pushtuesve fashistë. Ata prenë lidhjen telefonike Tiranë-Durrës-Romë, u plagos konti Kampello. Ky aksion alarmoi fashistët, të cilët më 15-16 mars 1941 e sulmuan Pezën me 700 karabinierë. Lufta vazhdoi gjithë ditën dhe më në fund fashistët u tërhoqën, duke lënë 84 xhandarë të vrarë dhe mjaft armatime. Por dhe nga çeta ranë 5 dëshmorët e saj të parë: Sadi Sinani, Hasan Peza, Rrem Haka, Vath Korriku dhe Xhaferr Durishti. Të plagosur mbetën Skënder Peza (i biri i komandant Myslimit) Emin Çelmeta, Lul Brahja, Shkurt Rexha e Qemal Deliallisi. Më 21 gusht 1941, në çetën e Pezës vjen komisari politik, militanti komunist Vasil Shanto. Tani çeta e Pezës do të quhej “Çeta partizane e Pezës”. Në mars 1942 vjen në Pezë Haxhi Lleshi me 8-9 luftëtarë të çetës së Dibrës të formuar nga ai, ndërmjet tyre dhe komunisti Mustafa Kaçaçi nga Kruja. Babë Myslimi organizoi një takim me Enver Hoxhën dhe Haxhi Lleshin, ku u rrahën mendime mbi forcimin e luftës kundër fashistëve italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Nga mesi i 1942 në Shqipëri kishin ndodhur ndryshime të mëdha dhe LANÇ ishte rritur e zgjeruar. Njësitet guerrile me aksionet e tyre po trondisnin pushtetin fashist. Shumë ushtarë dhe oficerë, me thirrjen e PKSH dezertonin nga ushtria fashiste për t’u bashkuar me forcat partizane. Më 16 shtator 1942 në shtëpinë e Myslim Pezës, me inciativën e PKSH, u mbajt Konferenca e Pezës. Detyra kryesore e kësaj konference ishte që të bashkohej populli në luftë kundër okupatorit pa dallim feje, krahine, ideje dhe bindje politike. Të krijohej Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili do të organizonte luftën nëpërmjet çetave partizane. Të krijoheshin Këshillat NÇl. në fshat dhe qytet, si themeli i pushtetit të ri popullor dhe do të mbështesnin luftën kundër okupatorit. Pas mbarimit të Konferencës së Pezës, armiku do të ndërmerrte aksione luftarake ndëshkuese kundër çetës partizane të. Më 28 shtator 1942, fashistët bënë masakrën ndaj popullsisë së pambrojtur të Pezës së Vogël, duke vrarë 18 vetë pleq, gra e fëmijë. Populli iu përgjigj kësaj masakre me shtimin e radhëve në betejat luftarake që u zhvilluan. Në dhjetor 1942, fashistët me tradhtarin Ramazan Bali kryen masakër në Grecë e Pajonë, duke masakruar 22 burra, të cilët qëndruan heroikisht para torturave dhe dhanë jetën duke thirrur: “Poshtë fashizmi, poshtë Duçja, Rroftë Shqipëria, Rroftë Babë Myslimi!” Partizanët do të hakmerreshin duke pushkatuar Ramazan Balin dhe të tjerë në mes të Tiranës. Më 18 dhjetor 1942, Departamenti i Shtetit të SHBA, ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe dhe ministri i Punëve të Jashtme të BS, bënë deklaratën ku njohën Frontin ANÇl. dhe komandantin Myslim Peza në luftën që bënte populli ynë kundër fashistëve. Më 15 mars 1943 në Pezë formohet batalioni i parë partizan me komandant Myslimin dhe komisar Mustafa Gjinishin. Krijimi i këtij formacioni partizan në Pezë e shqetësoi shumë okupatorin dhe qeverinë kuislinge, të cilët dërguan spiunë në zonën e Pezës. Nga 13-18 qershori 1943 forcat fashiste prej 14 mijë forcash filluan operacionin kundër forcave partizane të Pezës. Plani i tyre ishte rrethimi dhe asgjësimi i forcave partizane në zonën e Pezës. Megjithëse ata e bombarduan dhe e dogjën, grabitën bagëti e ushqime, por nuk e nënshtruan dot popullatën dhe u larguan të mundur, duke lënë mjaft të vrarë, ndërmjet tyre komandant Baterlemeonen dhe materiale luftarake. Komandanti i batalionit partizan të Pezës do të shkonte me kokën lart në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ANÇl. që u mbajt më 10 Korrik 1943 në Labinot. Aty u zgjodh Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, ku Myslim Peza zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Atëherë numri i partizanëve ishte shtuar shumë në zonën e Peqinit Lushnjës, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit, Shijakut, Tiranës, Elbasanit dhe Krujës. Më 17 korrik 1943, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH vendosi krijimin e Grupit Partizan të Pezës me komandant Myslim Pezën dhe komisar Kristo Themelkon. Grupi përfshinte katër batalione. Në luftën e Arbanës më 9 tetor 1943, forcat partizane përballuan një mësymje të ashpër të trupave naziste gjermane. Gjatë luftimeve armiku la në fushën e betejës 55 ushtarë e oficerë të vrarë, shumë të plagosur dhe një sasi të madhe municioni, kurse nga partizanët mbetën 8 të vrarë dhe 7 të plagosur. Në nëntor 1943 komanda gjermane përgatiti operacionin “505” për asgjësimin e Grupit Partizan të Pezës, duke mobilizuar 7 batalione me një efektiv 8 mijë trupa, por nuk pati sukses. Më 10 janar 1944, forcat gjermane organizuan një operacion kundër batalionit të tretë partizan të komanduar nga Kajo Karafili në Lis-Patros për ta asgjësuar. Lufta vazhdoi gjithë ditën, gjermanët patën rreth 100 të vrarë, shumë të plagosur dhe humbje në armatime, por këtu ranë heroikisht duke luftuar Kajo Karafili, Mustafa Lleshi, komisar kompanie, mitralieri trim Bajram Tusha dhe Myrvete Peza, e fejuara e Kajo Karafilit. Në janar-shkurt 1944, forcat gjermano-balliste i ranë kryq e tërthor Pezës për të asgjësuar partizanët, por dështuan me turp. Me gjithë humbjet që pësuan, në fillim të pranverës, gjermanët ndërmorën operacionin “Busard” kundër partizanëve të Pezës. Ata hodhën 4 mijë forca të përforcuara me artileri dhe 1 mijë ballistë për të mbështetur luftimet, por dhe këtë herë pasuan disfatë. Nga nëntori 1943 deri në mars 1944, Grupi Partizan i Pezës përballoi 5 operacione të armiqve. Më 18 shtator 1944 në Pezë formohet Brigada XXII Sulmuese, e cila çliroi Mirditën, Pukën dhe mori pjesë në çlirimin e Shkodrës. Jashtë kufirit shqiptar në ndjekje të nazistëve çliroi Tuzin, Podgoricën, Vishegradin.

Myslim Peza gjatë LANÇ ka qenë zgjedhur anëtar i Këshillit ANÇl, anëtar i SHPUNÇSH, zëvendës në Këshillin ANÇl, Zv/.kryetar i Qeverisë Demokratike dhe iu dha grada gjeneral-major. Pas çlirimit ka qenë zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat, por ka qenë zgjedhur edhe Nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pas çlirimit ka ushtruar detyrën e Nënkryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Për kontributin e dhënë gjatë LANÇ i është dhënë dekorata më e lartë Hero i Popullit.

Xhevdet Çelmeta

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...