Home / Opinion / ARISTOTELI MBI MORALIN

ARISTOTELI MBI MORALIN

Nga: Dilaver Goxhaj
Një burrë vajti tek i madhi Aristotel dhe i tha:
”O mësues i madh! Kam ardhur të të pyes për diçka. Unë vij nga filan vend dhe dua të vendosem dhe të jetoj në qytetin tuaj. Prandaj dhe doja të të pyes si janë njerëzit këtu!”
Aristoteli e pyeti: ”Më trego pak si janë njerëzit në vendin nga i cili vjen?”
Burri iu përgjigj: ”Ç’të të tregoj më parë!
Njerëz më të ligj, më të poshtër dhe më të pacipë nuk më kanë parë sytë. Janë pikërisht njerëzit ata që më detyruan të marrë rrugën dhe të largohem që andej për tu vendosur këtu!”
Aristoteli pas një heshtje të shkurtër i tha:
”O mik, mos u lodh se edhe këtu ashtu janë!”
Pas disa kohësh, vjen një burrë tjetër dhe i thotë:
”O mësues i madh! Dua të vij të banoj në qytetin tuaj, por doja të di diçka më shumë rreth njerëzve këtu.”
Aristoteli e pyeti: ”Më trego si janë njerëzit në vendin nga vjen!”
Burri iu përgjigj: ”Për Zotin janë shumë të mirë, të dashur, të respektueshëm dhe të ndershëm. Po të mos kisha disa probleme të miat nuk do të largohesha nga ai vend kurrë.”
Aristoteli, duke buzëqeshur i tha:”Ashtu janë dhe këtu.”
Nxënësit e tij e pyetën të çuditur:
”O mësuesi ynë! Cila është e vërteta në këtë mes? Njerëzit tanë janë të këqinj apo të mirë? Para disa kohësh dikujt tjetër i pate thënë se janë të ligj, tani këtij i thua se janë të mirë!”
Aristoteli u tha: ”Dëgjoni nxënësit e mi!
I pari, kur foli keq për njerëzit me të cilët kishte jetuar, më shumë se për ta, tregoi cilësitë dhe mendimet që kishte në mendje. Një njeri i tillë kudo që të shkojë njerëz të ligj do të gjejë.
I dyti kur lavdëroi njerëzit me të cilët kishte jetuar, tregoi cilësitë e tij më të mira dhe ky njeri kudo që të shkojë, edhe në vendin më të keq, njerëz të mirë do të gjejë.”

Morali:
E bukura dhe e shëmtuara janë brenda vetes, mbizotëron ajo që ushqejmë më shumë. Ata që mallkojnë errësirën nuk e shohin dot dritën, sepse janë fokusuar vetëm tek errësira, e cila u del përpara kudo që të shkojnë. Ata që janë fokusuar tek drita, e shohin, e vlerësojnë dhe e shijojnë në maksimum. Edhe kur ajo mungon përkohësisht janë të bindur se ajo do të kthehet shumë shpejt. Provo të shohësh dritën dhe të bukurën dhe do e gjesh atë kudo.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...