Home / Histori / Paskal Milo: Mid’hat Frashëri, bashkëpunim me Zervën gjatë luftës

Paskal Milo: Mid’hat Frashëri, bashkëpunim me Zervën gjatë luftës

Fakte të reja historike pritet që të përfshihen në tekstin e ri të “Historisë së shqiptarëve”, për hartimin e së cilës janë angazhuar 20 historianë nga Shqipëria e Kosova.

Një ndër këto fakte është edhe që Mid’hat Frashëri është ulur në një tryezë bashkëpunimi me Zervën, shkaktarin e masakrave ndaj popullsisë çame; por nuk do të mbeten jashtë edhe masakrat e regjimit komunist. Rasti i kampit të punës në Tepelenë, ku vdiqën rreth 300 fëmijë, do të jetë pjesë e këtij teksti.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë lidhi dje kontratën për realizimin e nismës shkencore për hartimin dhe botimin e veprës madhore “Historia e shqiptarëve”. Drejtuesit e këtij projekti janë akad. Pëllumb Xhufi dhe prof. Neritan Ceka. Kontrata u nënshkrua nga përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, prof. Irakli Koçillari.

Sipas akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, kjo vepër hartohet në kuadrin e nismës për tri veprat madhore albanologjike: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Historia e shqiptarëve”, që do të kushtojë 100 mln lekë të rinj. Për veprën “Historia e shqiptarëve” do të mobilizohen institutet, qendrat kërkimore shkencore dhe përfaqësues të botës akademike.

FAKTE TË REJA

Drejtues i tekstit, akad. Pëllumb Xhufi, tha se rishkruhet një vepër me vlerë kombëtare dhe “Historia e shqiptarëve” do të jetë e dimensioneve të tilla, ku përshihen edhe shqiptarët jashtë kufijve dhe jo vetëm që zgjerohet harta demografike, por vepra do të jetë me një natyrë specifike shkencore. Për të do të punojë pjesa më elitare e studiuesve të antikitetit e deri në ditët e sotme.

Profesor Paskal Milo thotë se ka boll fakte të reja. “Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”, tha Milo, duke cituar mandej një letër të një ushtari që shkruan nga Shkodra më 29 nëntor, çka rikthen debatin e çlirimit.

Historiani Beqir Meta thotë se “duhet parë gjithë kostelacioni i dokumenteve për të parë se çfarë roli luajti Esat Pashë Toptani në luftën e Shkodrës. Përpara ka qenë trajtuar në këndvështrim negativ”, tha ai. I pyetur për qasjen e re mbi komunizmin dhe vetë kampin e Tepelenës, Meta sqaroi “se Kampi i Tepelenës ka qenë një kamp pune i detyrueshëm, ku kanë vuajtur shumë njerëz e familje, por ku edhe kanë vdekur fëmijë. Kjo periudhë ka një memorie të gjallë historike”.

GRUPI I PUNËS

“Historia e shqiptarëve” do të realizohet duke shfrytëzuar një numër të madh autorësh dhe burimesh të rralla dhe vëllimet arkivore, ku do të ketë vlerësime, analiza, konfrontime burimesh dhe autorësh për çështje me interes të veçantë apo të debatueshme historiko- shkencore.

Drejtues i tekstit, prof. Neritan Ceka, arkeolog, e quajti risi përfshirjen e historisë së antikitetit, me të cilën fillon “Historia e shqiptarëve” e kryesisht të periudhës ilire si një zanafillë ku ka nisur edhe të formësohet identiteti ynë kombëtar.

Në tekstin “Historia e shqiptarëve” do të përfshihen veç historisë së mesjetës edhe prurjet në lëmin e arkeologjisë, studimet dhe vepra të autorëve të shquar të antikitetit si Hasan Ceka, Skënder Anamali e të të tjerë.

Prof. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë, foli për rëndësinë e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave për “Historinë e shqiptarëve”, ku për herë të parë bashkohet puna kërkimore dhe studimore e shqiptarëve të të gjitha trevave. Ai tha se kërkimet dhe studimet shkencore në treva të Kosovës, tashmë do të përfshihen në një histori të përbashkët.

Janë 20 autorë pjesëmarrës në hartimin e veprës: akad. Pëllumb Xhufi; prof. Skënder Muçaj; prof. Neritan Ceka; prof. Gjon Berisha (Kosovë); prof. Sabit Syla (Kosovë); akad. Myzafer Korkuti; prof. Saimir Shpuza; prof. Luan Përzhita; prof. Ferid Duka; prof. Adem Bunguri; prof. Apollon Baçe; prof. Paskal Milo; akad. Beqir Meta; prof. Sonila Boçi; prof. Ledia Dushku e të tjerë autorë kontribuues, që do të punojnë për hartimin e një vepre me 1500-2000 faqe, me tri vëllime dhe me një shtrirje kohore të lëndës që nga antikiteti deri në kohët moderne. Projekti do të finalizohet në vitin 2023.

About admin

x

Check Also

INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA shpalli ‘Non grata’ Berishën me informacione të tri dekadave! Tani Drejtësia shqiptare duhet t’ja konfiskojë pasuritë

Ish-Kreu i Gjykatës së Kasacionit në vitin 1994, flet nga SHBA: “Ja ...