Home / Të ndryshme / Anekdota: VESI I QYQES

Anekdota: VESI I QYQES

Beqir Elshani
1. GJYMTIMI
– Ku është dallimi në mes njeriut të gjymtuar në këmbë dhe atij në moral? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Dallimi është se njeriu i gjymtuar në këmbë dallohet, kurse ai në moral vështirë dallohet, – ia ktheu kolegu.
2. PËR TËRMETIN
– Cili tërmet është më rrezikshëm, tërmeti tokësor apo politik? – e pyeti gazetari durrsakun.
– Që tërmeti tokësor është i rrezikshëm, nuk asnjë dyshim, kurse me tërmetin politik jemi mësuar, – tha durrsaku.
3. 20 VJET VUAJTJE
– Nuk e di qe dy dekada vite se çfarë pune të mirë ka bërë Lëvizja Vetëvendosje? – pyeti me inat ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku,
– Si nuk e di, more Sami! Për dy dekada Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vjedh, nuk ka dhënë toka, nuk i ka dërguar trimat në Gjykatën Speciale të Hagës, nuk iu ka nënshtruar Serbisë fashiste etj. etj., – ia ktheu një veteran i revoltuar.
4. ANTITEZA
– Si quhet ministri që gojën e ka mjaltë, kurse zemrën e ka helm? – e pyeti arsimtari studentin.
– Antitezë politike, arsimtar, – tha studenti.
5. VESI I QYQES
– Kujt i përngjan qyqja, Arditë? – e pyeti i vëllai i madh.
– Për nga dukja më përngjan mua, për nga forma i ngjanë motrës së vogël, kurse për nga përtacia të ngjan ty, – tregoi Ardita.
6. NUMRI I PËRTACËVE
– A më shumë përtacë apo njerëz të vyeshëm gjenden në botë? – pyeti i biri babain.
– Dihet, më shumë njerëz të vyeshëm gjenden në botë, mirëpo fisin e përtacëve e rrit numri i qyqeve.
7. KEQKOMENTIMI
– Të nderuar vëllezër e motra, të nderuar miq! – kështu i përshëndeti kryetari i komunës të pranishmit.
Mirëpo një qytetare motrës shurdhe ia komentoi: – Kryetari i komunës po thotë “Të nderuar korrupsionistë, burokratë e hajdutë!”
8. INSPEKTORI
Një ditë kryetari i komunës shkoi për të vizituar shkollën fillore, ndërkohë prej çantës nxori flamurin e Kosovës dhe me kureshtje nxënësit i pyeti se i kujt është ky flamur.
– … i Ahtisarit, mësues, – ia kthyen në kor nxënësit.
9. PËRFITIMI
– Si mund të përfitohet frazeologjia e dyfishtë në frazeologji të vetme “N’shkofsh me hoxhë, bëhesh hoxhë, n’shkofsh me dreq, bëhesh dreq”? – e pyeti plaku nipin.
– Shumë lehtë, gjysh, “N’shkofsh me hoxhë, bëhesh dreq”, – u përgjigj nipi.
– Të lumtë, nip, asnjë fjalë më shumë, – e përgëzoi gjyshi.
10. BAKRI PËR AR
– E kam një të metë, nuk mund të dalloj lugën e bakrit me lugën e arit? – foli një varfanjak në mesin e njerëzve në treg.
– Të besoj, mirëpo njerëzit në pushtet janë finokë, nuk e marrin bakrin për ar, – ia ktheu qytetari tjetër.
11. OPOZITARI
– A i lexon deklaratat e Enver Hoxhajt për Albin Kurtin? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Jo, i lexoj komentet e lexuesve kundër kacagjelit Hoxhaj, – ia ktheu kolegu i tij.
12. GJELI FESTIV
– Zotëri polic, fqinji ma ka vjedh gjelin, mu natën e festës. Prandaj kërkoj ta arrestoni dhe të ma kthejë gjelin, – u ankua fshatari para organit policor në zyre.
– Shyqyr që nuk është lopë… Askush nuk e mori veshë kur arkës kombëtare ia vodhën dy milionë euro, kurse ti për një pulë po kukat, – ia ktheu polici.
13. SABOTIMI
– A po i shton nëna ujë qumështit? – e pyeti daja nipin.
– Jo, këtë punë e bën qumështorja, prandaj nëna nuk lodhet, – ia ktheu nipi.
14. FOTOMODELJA
Një fotomodele me pantallona të shkurtra e të grisura, pothuaj dy gishta afër “zogut” dhe me vithe tullumbace, para policit ankohet për fishkëllimat provokues të djemve në rrugë.
– Zotëri polic, këta djem më provokojnë me fishkëllima, – u ankua modelistja me pantallona të grisura.
– Zonjushë, nuk kanë faj djemtë, fajin e kanë brekët e tu të shkurtra që po i shastis… Prandaj për t’i dënuar djemtë, duhet nisur prej teje, – ia ktheu polici me zemërim.
15. DJATHTAS DHE MAJTAS
– Nëse shikon në anën e djathtë, e has LDK-në; nëse shikon në të majtën, e has PDK-në, – tha xhaxhai.
– Mirë, xhaxha, por nëse shikon drejt, kë e has? – e pyeti nipi.
– Dihet, e has Vetëvendosjen, – ia priti xhaxhai.
16. KËSHILLA E PSIKOLOGUT
– Ju lutem, psikolog, më këshilloni si mund ta largoj lodhjen fizike duke shkruar me dhjetëra herë fjalën dorëheqje, dorëheqje… në Qeverinë e Kosovës me përvojë të gjatë? – e pyeti gazetarja psikologun në facebok.
– Shumë lehtë! Në fillim me anën e pullave në tastierë Ctrl+C e kopjon përcaktorin “dorëheqje”, pastaj çdo qeveritari që ka dhënë dorëheqje me anën e pullave Ctrl+V e bashkëngjit përcaktorin e kopjuar, – ia komentoi psikologu.
17. GABIME LOGJIKE
– A ka ndonjë gabim në fjalinë “Mushka jonë është mbarsur vitin e kaluar, sivjet pritet të na sjell një mëz?” – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Gabime drejtshkrimore nuk ka, por ka gabime logjike, pasi që mushka as nuk mbarset, as nuk pjellë, – u përgjigj nxënësi.
18. VOTA ME KOMPJUTER
– Çka do të studiosh, oj mbesa ime? – e pyeti daja mbesën.
– Pritet që Sokol Basha të gjitha familjet t’i furnizojë me kompjuterë, prandaj do të studioj informatikën, për t’i ushtruar familjet, – tha mbesa.
19. FUSHATA E PREMTIMEVE
– Nëse votoni për mua çdo shtëpi do të ketë nga një laptop, – premtoi kryetari i PD-së.
– Nëse votoni për mua, çdo klasë do të ketë tabelën e zezë, – tha kryetari modest i PS-së.
20. LEXIMI N’PELENA
– Zonjë, a beson që Lulzim Basha e ka lexuar “Ana Kareninën” e Tolstoit qysh n’pelena? – e pyeti gazetari një grua në qendrën tregtare.
– Si jo, ime bijë qysh në moshën katërvjeçare i ka lexuar dramat e Shekspirit, – ia priti gruaja me ironi.
21. PËR LEXIMIN
– Baba, unë kam lexuar shumë, asnjë libër nuk më ka lënë përshtypje sikur “Kurani”, – tha me krekosje i biri.
– Edhe unë kam lexuar shumë, mirëpo asnjë libër nuk më ka lënë përshtypje më shumë se “Bagëti e bujqësi” e Naim Frashërit, – ia ktheu babai.
22. TELEVIZORI I PRISHUR
– Mjeshtër, më është prishur televizori, koka e Isa Mustafës po lëviz si robot, – u ankua qytetari.
Mjeshtri e shikoi televizorin dhe tha: – Televizori punon mirë, mirëpo Mustafa e bën prej tronditjes që ka humbur në zgjedhje.
23. VOTIMET
– Xhaxha, lëdëkëja dhe pëdëkëja po ankohen se Lëvizja Vetëvendosje në kohën e koronavirusit po mban fushatën zgjedhore, – tregoi nipi.
– Lëdëkëja dhe pëdëkëja nuk frikohen prej koronavirusit, por prej fitores vendimtare të Lëvizjes Vetëvendosje, – ia ktheu xhaxhai. Prandaj, ku shkel Albini, zhduket virusi.
24. FUSHATA E ZGJEDHJEVE
– Çka mendon për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë? – e pyeti gazetari një qytetar në qendër të qytetit.
– Nëse fiton Vetëvendosje – fiton populli, nëse fiton LDK – fiton Isa, nëse fiton PDK – fiton Hashimi, – u përgjigj qytetari.
25. MJEKU I DHËMBËVE
– Kërkojmë punë, – iu drejtuan shefit të klinikës dy mjeke të dhëmbëve, që sapo kishin diplomuar.
– Mirëpo në fillim me gishta duhet të nxirrni gozhda prej dërrasës, pastaj mund të shkulni dhëmbët e prishur të pacientëve, – ua ktheu shefi i klinikës së stomatologjisë.
26. HUNDËMADHI
– Hundën e kam të madhe, prandaj pa vështirësi e kruaj me gishtin e pushkës, – tha një qytetar me hundë të madhe që pothuaj ia mbulonte fytyrën.
– Mirëpo gishti yt nuk është as gisht tregues, jo më i pushkës, – ia ktheu i dyti.
27. LIGJI I KADISË
– A ka dallim shuplaka e qytetarit ndaj ministrit me shuplakën e ministrit ndaj qytetarit? – e pyeti gazetari avokatin.
– Patjetër, pasi që shuplaka e qytetarit ndaj ministrit është sulm ndaj qeverisë, – tha avokati.
– Atëherë, po bie që shuplaka e ministrit ndaj qytetarit të jetë më e rëndë, sepse është sulm ndaj popullit, – ndërhyri gazetari.
28. DALLIMI I VRASJES
– Ku është dallimi në mes vrasjes me pakujdesi dhe vrasjes me qëllim, – e pyeti gazetari avokatin.
– Vrasje me pakujdesi është nëse vrasësi është sllavomaqedonas, ndërsa viktima shqiptare, kurse vrasje me qëllim është nëse vrasësi është shqiptar, ndërsa viktima sllavomaqedonase, – u përgjigj avokati.
29. SHOVINIZMI I TËRBUAR
– A më me ëndje do ta ruanit shtetin e Maqedonisë në bashkëjetesë me shqiptarët, apo do ta zhbënit? – i pyeti zyrtari i BE sllavomaqedonasit.
– Më me ëndje do ta zhbënim, – ia kthyen shovinistët e tërbuar sllavomaqedonas.
30. NISMA
– Partia politike e Kosovës ka emër të bukur “Nisma”, – tha me krekosje një anëtar i Nismës.
– Për fat të keq, më shumë flisni për iniciativën latine se për nismën shqiptare, – ia ktheu miku i tij.
31. KOMENTET
– A të pëlqejnë shkrimet opozitare në faqet shqiptare? – e pyeti njëri kolegun e tij.
– Më pëlqejnë qortimet e lexuesve në fund të shkrimit të tyre, – ia ktheu kolegu.
32. INERCIONI
– Zonjë, biri juaj është më i miri në muzikë, por i dobët në fizikë, nuk di kush është autor i Ligjit të inercionit? – i tha kujdestari i klasës mëmës së nxënësit.
– Si nuk e di im bir, që autor është Isa Mustafa, qe 20 vjet po bën inercion, – u ankua e ëma e nxënësit.
33 HUMUBJA E LDK-së
– Si shkruhet shqip “Humbja e LDK-së nuk ishte shokuese, por e pritshme”? – i pyeti nxënësit arsimtari i gjuhës.
– “Humbja e LDK-së nuk ishte tronditëse, por e pritshme”, – u përgjigj drejt nxënësi.
34. VOTA E MËRGATËS
– A e di pse LDK nuk e do mërgatën? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Mbase për shkak të përhapjes së koronavirusit, – tha i dyti.
– Jo, për shkak se e ka dyfishuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, – tregoi i pari.
35. DËSHTAKU
– A di ndonjë pasanik që ka trup të madh dhe emër të bukur, mirëpo punën e ka pus? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Si jo, ministër Agimi, që tani gjendet në pension demokratik, – ia ktheu i dyti.
36. POLITIKA DHE INTERESI
– Këtu gjenden dy qendra ekonomike, e para quhet Interesi, e dyta Politika. Prandaj në cilin vend dëshiron të punosh? – e pyeti kandidatin zyrtari për punësim.
– Në qendrën e Politikës, pasi që me retorikë e joshi Interesin, përndryshe Interesi të lë në baltë, pa harruar që Politika është një zonjë e pashme, – u përgjigj kandidati.
37. HUPSA PËR KRYETAREN
– Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza, thotë se për ta zgjedhur Vjosën kryetare të Kosovës, Vetëvendosja duhet me dhanë hupsa, – tregoi një deputet.
– Paj, Vjosa është e martuar, nuk është çikë me dhanë hupsa, – ia ktheu deputeti tjetër.
38. LDK DHE PDK
– A e di bij të kujt janë LDK dhe PDK? – e pyeti arsimtari nxënësin.
– Bij të Kosovës, arsimtar, – u përgjigj nxënësi.
– Jo, LDK është bijë e Isa Mustafës, kjo e fundit është bijë e Hashim Thaçit, – e korrigjoi arsimtari.
39. SISTEMI SHTETËROR
– Çfarë sistemi shtetëror ka Kosova, sistem kapitalist apo socialist? – pyeti arsimtari nxënësin.
– Sistem skllavopronar, arsimtar, – u përgjigj shpejt nxënësi.
40. TËRMETI NË PUSHTET
– A ka dallim tërmeti politik me shtrëngatën politike? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Patjetër. Tërmeti politik t’i merr karriget në kuvend, kurse shtrëngata politike ta merr kulmin e kuvendit, – ia ktheu avokati i popullit.
Suedi, 31.03.2021

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...