Home / Opinion / Urime dita e Mësuesit

Urime dita e Mësuesit

May be an image of 1 person

Shkruan: Avdi Ibrahimi

Rilindja shqiptare pati rol të madh në ngritjen e arsimimit dhe vetëdijes kombëtare
Dita e Mësuesit 7 Marsi, është dita e themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës së 1887-ës. Kjo ditë për popullin shqiptar është një ditë e shenjtëruar më rëndësi politik e kulturore në historinë e arsimit shqiptar.
Dihet historikisht se lufta për liri e të drejta kombëtare si dhe zhvillimi i arsimit në Shqipëri është bërë gjithnjë në rrugë luftarake.
Pushtimi shekullor i Shqipërisë e pengoi zhvillimin e arsimit në mbarë trojet shqiptare, gjatë periudhës së robërisë osmane nuk u lejua as të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe, as të shtypeshin libra shqip. Çdo hap në këtë drejtim patriot/e shqiptar u detyruan ta bënin në rrugë të fshehtë.
Një hap i madh dhe i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit në Shqipëri u bë në periudhën e përndritur të Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo punë drite e diturie kombëtare zë fill kryesisht me Naum Veqilharxhin (1797-1846), në platformën e të cilit shtrohet nevoja e arsimit të fëmijëve shqiptarë “në gjuhën amtare”. Botimi i ”Evetarit” (Abetarës së parë në gjuhën shqipe) në 1844 nga ana e tij, që shoqërohet me mendime mjaft të guximshme e të përparuara për zhvillimin e sistemit arsimor, është një kontribut bazë edhe në fushën e botimit të teksteve shkollore shqiptare.
Kontribut shumë të madh aso kohe në përcaktimin e linjave të zhvillimit dhanë edhe Sami e Naim Frashëri, Jani Vreto etj. Kështu u hap Mësonjëtorja e parë Shqipe në Korçë më 1887. Poashtu më 1889 u hap Mësonjëtorja tjetër kombëtare shqiptare, ajo e Prizrenit.
Patriotët shqiptarë, konsekuentë në rrugën e tyre, shfrytëzuan ato pak mundësi që lejonin kushtet e reja dhe të përkrahur nga populli vazhduan rrugën e nisur për hedhjen e bazave të krijimit të sistemit arsimor shqiptar. Në theks të veçantë shkrimesh të shkruara nga autor të ndryshëm kushtuar veprimtarisë atdhetar të gjithë atyre që edukuan breza nxënësish e studentësh universitarë, që dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre për përhapjen e dritës diturore në mbarëshqiptarinë, e sa prej tyre ranë edhe me pushkë në dorë në mbrojtjen e atdheut në të gjitha kohërat e shekujve të përflakur të shqiptarizmës me gojën plotë themi se “Ata rrojnë midis nesh”. Është më rëndësi në këtë shkrim të përmendim se në këtë luftë ranë dhjetëra e dhjetëra dëshmorë si që thuhet në librin shkencor “Fjalor i Pedagogjisë”, *41. Në mes tjerash shkruan:
– Dëshmorët e Arsimit Kombëtar, që nga Pjetër Budi (1566-1622) e Dhaskal Todhri (1730-1805) e deri të Ndoc Ndue Gjoka (1919-1946). Pas shkatërrimit të shkollës fillore të Pëdhanës nga autoritet osmane, më 1648, persekutimi i arsimit në gjuhën shqipe u ngrit në sistem… Në këtë luftë antishqiptare morën pjesë Porta e Lartë e Perandorisë Osmane, Patrikana Ortodokse e Stambollit, dhe Papati i Romës, shovinistët serbë dhe ata grekë, fashizmi italian dhe ai gjerman klerikët, vojvodët, naçellnikët dhe bajraktarët.
Ata përdorën kundër mësuesve shqiptarë ndjekjet, bastisjet, internimet, vrasjet dhe burgosjet në burgjet e Manastirit dhe të Anadollit dhe deri të kampi famëkeq i Prishtinës…
Gjok Shqiptarin e masakruan, sepse për’ndante libra shqip…, Naum Veqilharxhin me urdhër të patriarkut igumenik të Fanarit e helmuan…, Anastas Kulluriotin e persekutuan dhe e burgosën…, Koto Hoxhin poashtu…, Bilal Tahirin -mësuesin shëtitës- e vranë me të pabesë rreth vitit 1893…
Më 12.II.1905, agjentët e dhespotit të Kosturit therën mësuesin e shqipes Kristo Harallambin, Papa Kristo Negovanin, (1875-1905)…
Drejtorët dhe edukatorët e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës Pandeli Sotirin (1843-1891), Petro Nini Luarasin (1865-1911), dhe Nuçi Naçin (1927-1927), i ndoqën, i persekutuan dhe i martirizuan, Fanari grek dhe Porta e Lartë.
Në ekspeditën ndëshkimore të 1910-ës, Shefqet Turgut pasha i shkatërroi edhe ato pak shkolla që kishte në gjuhën shqipe…
Më 1917, Forcat e pushtimit francez ekzekutuan Themistokli Gërmenjin… Forcat e pushtimit Italian vranë tradhtisht më 1920, insepektorin e arsimit Sali Nivicën… Avni Rrustemin (1893-1924) Mësuesin e Popullit regjimi kuisling i Ahmet Zogut, vranë tradhtisht Avniun…, një vit më vonë më 1925 vrasin pabesisht mësuesin antiklerikalist Sali Çekën…, Luigj Gurakuqin. Më 1929, shovinistët serbë masakruan Shtjefën Gjeçovin, vetëm se punonte për shkollën shqipe… Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (1941-1944), bien heroikisht në luftë edhe mësuesit e mesuset: Fasli Çami, Kristo Isaku, Jordan Misja, Perlat Rexhepi, Branko Kadia, Raçi Grabocka, Abdyl Myzyri, Kristaq Capo, Hysni Zajmi, Shejnaze Juka, Tomor Sinani, Kadri Abdihoxha, Shyqri Haxhia, Hajrulla Kastati, Inajet Karalliu, e shumë të tjerë.
Nga viti 1945 shqiptarët e mbetur nën pushtimin e Federatës Jugosllave për liri e të drejta kombëtare dhe për zhvillimin e dritës arsimore u ndoqën, u persekutuan, u burgosën, u martirizuan dhe u vranë nga regjimi fashist Tito-Rankoviç-Millosheviq, nga OZNA dhe UDB-a Jugosllave me dhjetëra mësues, mësuese, arsimtar e arsimtare, profesor e profesoresha të arsimit shqip, po ashtu me dhjetëra të tillë nga radhët e arsimit shqip nga mbarë hapësirat e trojeve shqiptare te atdheut amë Shqipërisë, u vranë e u plagosën në tri luftërat çlirimtare antipushtuese Jugosllave në Kosovë, në trojet shqiptare në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. Një nga dhjetëra mësuesit që u vra në burgjet Jugosllave nga torturat e UDB-ës ishte edhe mësuesi Fazli Grajçevci, ai më punën e tij në arsimimin e nxënësve shqiptarë e konsideronte si diçka të shenjtë që t’u jepte nxënësve dritën e diturisë, por edhe edukatë morale dhe etikë kombëtare…
Në luftën për të drejta kombëtare dhe arsimimit të kombit dhanë të shtrenjtën jetën e tij edhe mësuesi i popullit Shaban Jashari, Babai i komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, flijimi i legjendarit me bashkë familjarët e tij, është parë si një metaforë për kohën tonë për të gjitha dhimbjet shekullore shqiptare, njëkohësisht edhe si paralajmërim i mijëvjeçarit të ri se shqiptarët nuk duhet të jenë robër të askujt. Kjo është ajo që tregon se kush jemi ne, kjo është ajo që ndjejmë shqiptarinë, kjo është ajo çfarë vlejmë të jemi, kjo është rruga që na mbush shpirtin me dashuri, kjo është rruga e mësuesit e mësueses luftëtar/e përplot identitet shpirtëror kombëtar shqiptar… Epoka e së Resë në fakt është lashtësia jonë, janë rrënjët tona pellazge-ilire-shqiptare, që po rilind në një kontekst të ri.
*41. Fjalor i Pedagogjisë të studiuesit shkencor Shefik Osmani, libër ky i shtypur në Kombinatin Poligrafik – Shtypshkronja e Re – Tiranë 1983. Po aty faqe: 36/37/38/135/.
P.S. Ndalohet, riprodhimi apo kopjimi i paautorizuar, si dhe shpërndarja pa treguar autorësinë e burimit.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...