Home / Histori / REKRUTIMI I AHMET BEJ ZOGOLLIT NGA AGJENTURA USHTARAKE SERBE

REKRUTIMI I AHMET BEJ ZOGOLLIT NGA AGJENTURA USHTARAKE SERBE

Shkruan; Azis Gjergji

(Fragment nga biografia shkencore “Zogu, politikani që u shpall “Mbret i Shqiptarëve”)
Tre javë pas shpërthimit të luftës midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë (28 korrik 1914), e cila u shndërrua në shkëndijën fatale të Luftës së Parë Botërore, Ahmet Bej Zogolli priti në Burgajet oficerin e zbulimit serb Mlladen Stamatoviç…
Mlladen Satamatoviç ishte pseudonimi i oficerit të zbulimit të ushtrisë mbretërore serbe, Xhemal Bej Ljubović, i dërguar i posaçëm i kryeministrit serb Nikola Pashiç (serb. Nikola Pašić) për të punuar së bashku me kreun e qarkut të Ohrit, Jovan Çirkoviç, për rekrutimin e krerëve shqiptarë në zonën e kufirit të Serbisë me Shqipërinë. Në përmbledhjen (Résumé) e artikullit të tij studimor në frëngjisht: “Ahmed Bey Zogou et la Serbie: Une coopération inachevée (1914-1916)” (Ahmet Bej Zogu dhe Serbia: Një bashkëpunim i papërfunduar, 1914-1916), historiani serb, Dushan T. Batakoviç (Dušan T. Bataković ), faqe 169 shkruan:
“Duke synuar të zgjeronte rrjetin e krerëve miq klanorë me anën e të dërguarve të posaçëm në Shqipëri, Pashiç [Nikola Pašić] rekrutoi Ahmet Bej Zogun [Zogolli], kreun e krahinës së Matit dhe nip i Esat Pashës… Kryeministri serb Pashiç, nëpërmjet të dërguarit të vet të posaçëm Xhemal bej Ljubović, oficer i zbulimit të ushtrisë mbretërore serbe, që vepronte në Shqipëri me pseudonimin “Mlladen” (Stamatoviç?), punonte – i përkrahur nga kreu i distriktit serb të Ohrit – t’i kthente në mbështetës të kauzës së vet krerët shqiptarë, me qëllim që ta bënte të sigurt kufirin e Serbisë me Shqipërinë.”(“En vue d’élargir le réseau des chefs claniques amicaux à travers les émissaires spéciaux en Albanie, Pašić recruta Ahmed bey Zogou, le chef de la région des Mati et le neveu d’Essad Pacha.”; page 173-174: “Le Président du Conseil serbe Pašić, par l’intermédiaire de son émissaire spécial, Djemal Bey Ljubović, un officier de l’armée serbe qui agissait en Albanie sous le pseudonyme de « Mladen » (Stamatović ?), travaillait — avec la complicité du chef du district serbe d’Ohrid — à gagner à sa cause les chefs albanais pour sécuriser la frontier de la Serbie avec l’Albanie.” (përkthyer në shqip nga Kopi Kyçyku)
Sipas dokumenteve të botuara rezulton se, në bazë të porosive të kryeministrit N. Pashiç, më 3 gusht 1914, specialistët e MPJ të Serbisë kishin përgatitur një material sekret me titull: “Udhëzime për punë me shqiptarët” dhe ua kishin dërguar autoriteteve ushtarake e civile në vendbanimet kufitare me Shqipërinë. Ndër të tjera, materiali udhëzonte:
“Mundemi çdo njërit fis t’ia njohim qeverisje e veçantë dhe të gjitha fiset të formojnë Senatin. Me Serbinë të formojnë aleancë politiko-doganore dhe mbrojtjen e përbashkët nga armiku į jashtëm. T’į lejohet Serbisë të ndërtojë hekurudhën gjer në bregdet. Më së miri do të ishte që ata ta pranojnë bashkimin shtetëror dhe doganor, kurse përbrenda të qeverisin sipas zakoneve të veta. Marrëveshja në fillim të arrihet me disa krerë, kurse më vonë, një vendim të tillë ta miratojë një Kuvend į tyre į Përgjithshëm, į cili do të kërkojë prej nesh formimin e bashkësisë personale dhe doganore, që do të thotë të kemi ushtrinë të përbashkët, doganën dhe mjetet e përbashkëta të komunikacionit.” (Shukri Rahimi, Marrëveshjet e Qeverisë Serbe me Esat Pashë Toptanin gjatë viteve 1914–1915, revista “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, nr. 6/1976, Prishtinë, 1977, f. 120-121 (sipas AM (m.g.) DA SIP Po Serija “G” Fasc 8: “Udhëzimet e MPJ të Serbisë për punë me shqiptarët” dërguar prefektit të Ohrit, Jovan Çirkoviç. Rezervat 124, dt.08.08.1914; D. Batakoviç, Ahmed Bey Zogou et la Serbie: Une coopération inachevée (1914–1916), p.176)
Mlladen Stamatoviç [Xhemal Bey Ljubović] u prezantua në sarajet e Zogollëve si ndihmës i prefektit Çirkoviç; në të vërtetë, në linjë agjenturore ishte shefi i tij. Kështu, në dokumentet serbe, të nxjerra në dritë nga historiani Bogumil B. Hrabak dhe të cituara nga Dushan Batakoviç, në faqen 174 thuhet:
“Përfaqësuesi serb në Shqipëri Ljubović [Mlladen Stamatoviç] dhe zëv.shefi i tij në Ohër, prefekti Jovan Çirkoviç, arritën me sukses të tërheqin në anën e Serbisë, Ahmet Bej Zogollin, i gjendur į izoluar politikisht në bastionin e tij në Mat. Qeveria e Beogradit į pagoi atij afro 4000 dinarë, një të pestën e shumës së parave të ndarë për krerët e fuqishëm të klaneve të Shqipërisë së Veriut.” (p. 174: “… le représentant serbe en Albanie Ljubović et son sous-chef à Ohrid, le préfect Jovan Ćirković, parvinrent à attirer du côté de la Serbie Ahmed Zogou, toujours politiquement isolé, dans son fief à Mati. Le gouvernement de Belgrade lui versa près de 4 000 dinars, soit un cinquième des sommes allouées aux puissants chefs de clans de l’Albanie du Nord.” (sipas: Bogumil B. Hrabak, “Muslimani severne Albanije i Srbija uoči izbijanja rata 1914. Godine”, në përmbledhjen “Les musulmans de l’Albanie du nord et la Serbie à la veille de la guerre de 1914”, Zbornik za istoriju Matice srpske, 22, Novi Sad, 1980, p. 64.) (përkth.Dhimitër Myzeqari, Montreal/Canada)
Historiani Batakoviç thekson se interesimi i agjenturës mbretërore serbe për Ahmet Bej Zogollin duhet të ketë qenë shumë më i hershëm; megjithatë, sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, emri i tij del në një telegram të prefektit Jovan Çirkoviç, dërguar eprorëve të tij në Beograd, më 25 prill 1914. Në atë telegram, Çirkoviç kishte raportuar mbi përpjekjet që ishin bërë për të tërhequr kreun krahinor Ahmet Muhtar Matin në krah të mbretërisë së Serbisë, duke i premtuar bursë për studime ushtarake në një vend të Europës, por ai nuk kishte paraqitur ndonjë interes për shkollim të mëtejshëm. (Xh.Shala, Marëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918, vep. e përm., f. 205 (sipas: DASSIP-AO-1914- F-1-D-VI-br. 1003, telegram i prefektit Çirkoviç nga Ohri në Beograd, 25.04.1914); D. Bataković, Ahmed Bey Zogou et la Serbie Une coopération inachevée (1914-1916), p.172)
Sipas dokumenteve arkivore dhe kujtimeve të bashkëkohësve, në ditët e para të prillit të vitit 1914, në sarajin e Zogollëve në Mat kishte bujtur edhe Arif Hiqmeti nga fshati Llojan i Kumanovës, i njohur si agjent i dyfishtë xhonturk dhe serb. Dëshmitari i kohës, Sejfi Vllamasi shprehet se Arif Hiqmeti ishte “një tip i zgjuar dhe aventurier i klasit të parë”. Gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913), ai kishte qenë për disa kohë në detyrën e sekretarit të nënprefekturës së Dibrës dhe ishte rekrutuar nga prefekti serb i Ohrit, Jovan Çirkoviç. Patrioti tiranas Jusuf S. Elezi gjithashtu dëshmon: “Arif Hiqmeti ishte mik i ngushtë i Ahmet Bej Zogollit, në shtëpinë e të cilit rrinte në atë kohë”. Në një artikull me titull: “Një lëvizje suspekte [e dyshimtë] në Mat”, gazeta “Populli” e Vlorës, më 11 prill 1914, kishte botuar një lajm ku thuhej: “Nga disa njerëz pranë atyre viseve [Matit] mësojmë se një tradhtar i vjetër i kombit dhe gjuhës shqipe, Arif Hiqmeti, duke hyrë në shërbim të Serbisë, me të holla dhe me anën e disa krerëve, po përgatit një lëvizje të dyshimtë.” (S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri…, f. 106; Jusuf S. Elezi, nga letra e hapur botuar në gazetën “Dielli”, Boston Mass., dt.01.08.1923; gazeta “Populli”, Vlorë, viti I, dt.11.04.1914; Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 395)
Po ashtu, patrioti dibran, Ismail Strazimiri dëshmon: “Pata marrë vesh se nji į quejtun Arif Hiqmeti, dy-tre herë kishte dalë nga Serbia dhe tuj kalue përmes Matit, kishte shkue në Tiranë. Veç kësaj isha lajmue se ky njeri, morali į të cilit ishte fare į dobët, qenka takue edhe me Ahmet Bej Zajmin e Jusuf Bej Hysen Agollin [Dohoshishti] në shtëpi t’Ahmet Bej Zogut në Mat dhe paska lidhë besë me ta.” Më datën 2 maj 1914, gazeta “Populli” botoi një artikull të dytë me titull: “Arif Hiqmetoviç”, ku thuhej: “Çanaklëpirësi ynë s’lodhet duke u endur dhe vete sa nga Matja, sa nga Golloborda. Ka gjetur disa interesan [interesaxhinj] dhe ka ngeh nja dy a tri krahina, bie fjala, si në Gjoricë e gjetkë, ku xhandarëve iu jep nga 4 lira rrogë. Çudi pra, ku i gjen këto të holla?” (I. Strazimiri, Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë, f. 29-30; gazeta “Populli”, Vlorë, viti I, dt. 02.05.1914)
Më 23 qershor 1914, Arif Hiqmeti po udhëtonte me kalë në rrugën Gostivar–Mavrovë, por pranë fshatit Zhernanicë (Žirovnica) u godit në kafkën e kokës nga një plumb preçiz i patriotëve dibranë dhe ra përmbys mbi gjakun e vet. Kryeministri Pashiç e kishte deklaruar vdekjen e bashkëpunëtorit të zellshëm të tij, se kishte vdekur “për shkak të rënies nga kali dhe derdhjes së truve”. Sipas një lajmi të botuar në gazetën “Populli” të Vlorës, më 8 korrik 1914, “Arif Hiqmeti ishte shtruar urgjent në spital të Shkupit, ku mjekët i bënë një operacion dhe pas dy ditëve vdiq. Tradhtarit iu gjetën 29.000 franga në xhep”. (Xh.Shala:, Marëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918, f. 205; gazeta “Populli”, Vlorë, viti I, nr. 14, dt.08.07.1914)
Pas vdekjes së Arif Hiqmetit, agjentura mbretërore serbe i intensifikoi përpjekjet për t’u lidhur me mikun e ngushtë të tij në Mat, Ahmet Bej Zogollin. Nga ana e tij, Zogolli i ri i pranoi me kënaqësi 4000 dinarët e parë që i ofroi oficeri i zbulimit ushtarak serb Mlladen Stamatoviç. “Pas vdekjes së Arif Hiqmetit, në verën e vitit 1914,” shkruan D. Batakoviç, “Ahmet bej Zogu u bë njëri nga krerët e rrallë të rëndësishëm të klanit shqiptar të gatshëm për të bashkëpunuar me Serbinë fqinje.” (p. 172: “Après la mort d’Arif Hikmet à l’été 1914, Ahmed Bey Zogou était l’un des rares chefs de clan albanais importants prêts à coopérer avec la Serbie voisine” (sipas: dépêche de Jovan Cirkovic au Ministère des Affaires étrangères serbe, publiée dans Dokumenti o spoljnoj politici Kraljevine Srbije 1903–1914 [Documents sur la politique étrangère du Royaume de Serbie, 1903–1914], vol. VII-2, doc. no. 271)

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...