Home / Të ndryshme / Komuniteti shqiptar në Danimarkë!

Komuniteti shqiptar në Danimarkë!

 Shkruan; Xhemil Zeqiri

Është shumë interesante se në Danimarkë ishim afër 15.000 punëtorë, shumica nga Maqedonia. Deri në vitin 1989/90 dhe ishte një shpresë e madhe kudo flitnin pro Shqipërisë dhe kundër Jugosllavisë, si dhe kundër J.B. Titos dhe pro Enver Hoxhës. Dhe kjo ndjenjë vërehej, si në vendlindje ashtu edhe në mërgatë, u bë një bashkim i mërgatës, me solidaritetin e madh në Kosovë, prej nga u formuar veprimi atdhetar “Familja ndihmon familjen”. Mërgimtarët nuk kursenin, ndihmat për minatorët, për gazetaret e pavarur, për Radio Televizionin e Prishtinës, për shoqatën “Nëna Terezë”. Kosova kishte përkrahjen e madhe nga punëtorët shqiptarë të ardhur nga Maqedonia e Veriut, pra ishte një bashkim gjithëkombëtar për mbështetjen e luftë për liri dhe barazi kombëtare.
Vlen të theksojmë këtu, në kohën e lajmeve mërgimtarët vinin në shoqatën “Besa” i dëgjonin lajmet, herë pas here deri 300 anëtarë, ku nuk mundje të merrej frymë lirisht, siç thotë populli edhe miza dëgjohej kur fluturonte. Ishin të përqendruar për të marrë informata se ç`po ndodh në vendlindje, në familje dhe në farefisin e kombit tonë. Gjatë kohës së lajmeve, i ndiqnim varrimet e ushtarëve shqiptarë që i sillnin nëpër arkivole të mbyllur hermetikisht me metale, ku me qindra mijëra pjesëmarrës merrnin pjesë nëpër varrime. Gjithandej shqiptarët ndiheshin krenarë, ishte një bashkim i popullit që përballej kundër së keqes dhe pushtuesve sllavë. Eh, merrnin frymë thellë, flisnin dhe ofshanin se nuk ka mundësi që Serbia të tallet me popullin tonë dhjetë milionësh.
Unë si “rebel” që isha thosha po, por Serbia gjakatare do krijojë kurthe që të shkatërrojë unitetin e punëtorëve dhe popullit në përgjithësi. Ajo me kohë i përgatitur njerëzit e vet diplomatikë që ta përçajnë unitetin e popullit shqiptarë.
Dalja në skenën e Partive Politike me Ibrahim Rugova nuk më pëlqeu, këtë njeri që e vendosi Serbia nëpërmjet ambasadorit amerikan në Beograd, Loranc Igelbergerin. Igëlbergeri ishte ambasador i SHBA në Jugosllavi dhe ishte i martuar me një serbe 18 vjeçare që ishte fotomodele nga Knini. Serbia kërkonte nga dhëndri i tyre që të formohet sa ma shpejtë “Opozita” kundër Partisë Komuniste në Kosovë PKK, shovinistët serbë e ndjenin presionin e madh nga komuniteti ndërkombëtar sa nuk është liruar nga Burgu Adem Demaçi, po u lirua nga burgu dhe automatikisht i takon Demaçit, që të jete dhe lider Legal i Kosovës, siç ishte Kritiku politik në Çekosllovaki – Voisllav Haveli. Pra ishin dy Kandidatë: Akademik Rexhep Qosja dhe Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova që ishte edhe Kryetar i Lidhjes Shkrimtarëve të Kosovës, dhe ishte anëtar i LKK-LKJ (që do të konvertohet në LDK), serbet këmbëngulën që të jetë Rugova kryetar i opozitës LDK, dhe ashtu veproi Ambasadori Loranc Egelbegger, pasi që serbët Qosjen e etiketonin si nacionalist. Pra këtu i frikohesha se e gjithë loja serbe ishte me Rugovën se ky njeri kohën e fundit e tregoi veten se është ”shqiptar i madh”, dhe gjithë këtë frikë bazohesha në intervistën e tij dhënë në revistën javore zagrebase “Start” më 25.09.1989 /nëse nuk gaboj/, ku prej atij rasti u binda se Rugova po luan një rol kundërshqiptar.
Me një pyetje të gazetarit se ç` mendon për Sllobodan Millosheviqin?, Ibrahim Rugova i përgjigjet: ”se ç`është ky stalinizëm! Pra Rugova Millosheviqin e quan Stalinist, kur e gjithë bota e quante Hitler e fashist. Frikohesha se Rugova do fillojë luftën kundër Shqipërisë sonë, sepse e gjithë bota Shqipërinë e quanin staliniste si dhe udhëheqjen e saj staliniste.
Po ashtu nga fakti se ekipit të tij pasi janë njerëzit me besnikë të titizmit jugosllav si Isuf Buxhovi, Milazim Krasniqi Ali Aliu, Fehmi Agani etj… Më vonë do shohim se kur Rugova u thirr nga presidenti shqiptar, Ramiz Alia, për vizitë në Tiranë, Rugova pritet nga presidenti Ramiz Alia dhe, ndalet e shikon disa sekonda, dhe atë me një urrejtje patologjike monumentin e Enver Hoxhës, pastaj vazhdon e merr Sali Berishën për krahu dhe ikën për në selinë e PD.
E gjithë në kundërshtim me vizitën e Nena Terezës, kur ishte në Shqipëri vendos kurorë me lule te bustit të Enver Hoxhës. Këto biseda i bëja me shqiptarët ku takohesha si për shembull me Prof. Haki Bilallin e Ibrahim Xhemailin e shumë tjerë, bile ua dhashë dhe gazetën zagrebase ”Start”, ku e parandieja rrezikun nga Rugova se për dy vite do shkatërrojnë shtetin dhe unitetin shqiptar, si dhe do shpeshtohen shpifjet, trillimet kundër luftës dhe udhëheqës shqiptare për 50 vite.
Pra në mesin e punëtorëve kishim dhe intelektualë, por kurrë nuk bënë asnjë punë të ndershme deri 1989, edhe pse u krijuan partitë politike si LDK dhe PPD. Pas formimit të këtyre partive shumë shpejt u ”aktivizuan”, prej nga disa intelektualë dolën si kërpudhat pas shiut dhe formuan degët e partive të Kosovës e viseve tjera si Prosperiteti i Maqedonisë.
Si u krijuan këto parti për disa muaj filluan t’i qetësojnë dhe zbutin mirë punëtorët shqiptarë. Kështu partitë e krijuara prej vitit 1989 deri më 1998, unë i quaja parti të krijuara nga pushtuesit sllav, bazohej në jetën e përditshme në hapësirën shqiptare. Në Kosovë e në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullit shqiptar. Mendoj se shumë pak policë mbanin qetësinë në tërë Prishtinën, ndërkohë që partitë bënin vetëm zhurmë nëpër konferenca për shtyp, si gjithmonë e frikësonin popullin se Serbia për dy orë i vret 300.000, dhe “dënojmë shtypjen” e Policisë bla-bla-bla e në anën tjetër Kosova dhe viset shqiptare po largoheshin nga sytë-këmbët deri ne 20 autobusë në ditë dilnin vetëm nga Prishtina.
Në Danimarkë mundohesha të organizoj diçka për të alarmuar për fatkeqësinë kombëtare që po përgatitej para syve të botës, kur ”partizanët” e LDK dhe PPD në Danimarkë, nëpër mbledhje tuboheshim për të organizuar bashkërisht me subjektet tjera për ndonjë veprimtari apo Demonstratat. Unë kërkoja që të vazhdojnë si për herë, siç kemi bërë demonstrata, dhe kërkesat nuk kemi pse i ndryshojmë, por “partiakët” e LDK-së, në Kosovë dhe në mërgatë. këmbëngulnin që të behet një banderolë dhe të shkruhet si ”Temishvara” në Rumuni, Dhe ai Sheshi paqësor në Kinë, ku u përleshën protestuesit me policinë e vendit.
Unë mundohesha që t’ua argumentoja se në Kinë u harruan ato protesta politike, besa edhe në Temishvarë të Rumanisë u harruan, ”apo u zgjodhën” ato kërkesa politike. E, problemi ynë, i shqiptarëve, nuk ashtë zgjedhur dhe as që janë duke punuar për zgjedhjen e drejtë të problemit kombëtar në përgjithësi, as i Kosovës në veçanti. E, partitë politike bëjnë sehir dhe vetëm shëtitën nëpër shtetet e perëndimit dhe popullatën e organizojnë që të pasivizohet, duke e mashtruar bashkatdhetarët se Dr. Ibrahim Rugova e ka marrë premtime nga Anglia, Amerika etj., se e ka zgjedhur problemin politik dhe se është çështje kohe për bashkimin e shqiptarëve…! Kështu na kumtonin emisarët e Rugovës dhe Nevzat Halilit. Bile ky i fundit, bënte thirrje mërgimtarët që ta ndihmojmë sa më shumë Sali Berishën se Sala do shkatërrojë komunizmin!!!
E ç`është e vërteta, në ato vite partitë politike e qetësuan popullin, e unë nuk isha i qetë, organizoja takime të ndryshme me intelektualë danezë, me gazetarë, me organizatat jo qeveritare për të organizuar debate publike, pastaj ftonim intelektualë dhe veprimtarë politikë nga trojet tona dhe mërgata, që gjendjen ta mbajmë aktuale dhe të kërkonim zgjedhje e problemit tonë kombëtar, po ashte i lutja gazetarët të bëjnë artikuj, pastaj i merrja artikujt e gazetave dhe artikujt e mi ose letrat që ua dërgoja institucioneve daneze e ndërkombëtare. Kur artikujt botoheshin i kopjoja dhe i shpërndaja në shoqatat, ideja ishte që bashkatdhetarët tanë të mos e humbin interesimin dhe të jemi në veprim për çështjen kombëtare. Por, për ironi, sipas kryesisë së shoqatës” Besa” unë e paskam mbushur kupën, sepse po vjen me lloj-lloj propagande dhe shpërndahet në shoqatë, se disa herë ma paskan tërhequr vërejtjen se anëtarëve nuk iu intereson politika, se populli ka zgjedhur partitë politike e ata janë për politikë e jo Xhemil Zhelina, (Zhelinë është emri i fshatit tim). E sa përbuzje dhe sharje kam përjetuar, bile më kërcënuan edhe fizikisht për qëndrimet dhe veprimtarinë politike.
Po ashtu mundohesha të mbaj lidhje me veprimtaret e LPK në Zvicër e Gjermani, e thirrja shpesh Ibrahim Kelmendin të caktoja takime me politikanë dhe intervista me redaksi të ndryshme Me Muhamet Kelmendin, Hajdin Abazin, ato të ”qeverisë” Xhafer Shatri, Shaqir Shaqiri, organizova vizitën e me deputetë dhe organizata të ndryshme që merreshin me politikën ndërkombëtare.
Vlen të theksoj se edhe kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, me anën e intervenimit tim tek institucionet, është ftuar në Danimarkë. Që nuk kisha aspak respekt për Qeverinë e Bukoshit, e vërejta se nuk iu interesonte dhe aq, sepse ata as që iu përgjigjshin thirrjeve institucioneve daneze se do vijnë apo jo! Prej të ndjerit Prof. Dr. Muahamet Memeti, që të intervenojë tek Prof. Dr. Mujë Rugova, që ishte si ministër apo këshilltar në qeveri, nëse nuk gaboj, takimi u realizuar, ndërkohë që isha në pushim në vendlindje, duke koordinuar veprimtarinë politike.
Kopenhagë 13.06.2006
/Pjesë nga libri i ardhshëm/

/Në qershor të vitit 2005. Në institutin Albanologjik, gjatë Përurimit të librit tim të tretë,  Prof. Beqiri Berisha, Adem Demaci,  Prof, Sadri Fetiu, dhe Xhemil Zeqiri,/

 

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...