Home / Histori / SHQIPËRIA DHE ADEM DEMAÇI, BURIME FRYMËZIMI PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

SHQIPËRIA DHE ADEM DEMAÇI, BURIME FRYMËZIMI PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Sejdi Gega

85-vjetori i lindjes së Adem Demaçit

Kombit Shqiptar, veçanërisht populli shqiptar i mbetur padrejtësisht nën sundimin Jugosllav që shekulli XX i solli një engjëll mbrojtës të çështjes shqiptare, kurse për shtetin serbe do të jetë një satana. Diçka tepër e rrallë. Nga vitet e 50-ta jeta e bacës Adem ishte sikurse jeta e popullit shqiptar që ka qenë një histori përpjekjesh dhe luftërash për liri dhe bashkim.
Si veprimtar i çështjes kombëtare, në vitin 1963, ai u bë nismëtar i përpjekjes së parë për bashkim kombëtar duke themeluar Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Me këtë qëndrim, ai u përplas jo vetëm me regjimin e Rankoviqit, por edhe me elitën e komunistëve shqiptarë në Jugosllavi. Si njeri me ideale të larta, ai asnjëherë nuk ju tremb ballafaqimeve, i vetëm e shpeshherë edhe kundër të gjithëve, gjithmonë në shërbim të drejtësisë e të vërtetës.
Ne ishim me fat e krenar që në gjirin tonë lindi dhe u rrit një njeri si bacë Adem Demaçi, tek i cili bashkëjetonin personaliteti dinjitar, karakteri i papërkulur dhe i sinqertë, kthjelltësia politike, shpirti human dhe dashuria e pastër për Atdheun. Ah, sikur ne shqiptarët të kishim jo një, por dhjetëra e më shumë shqiptar si Ai!
Për shqiptarët në Jugosllavi Prishtina ishte qendra (pika) e gravitacionit; qendra universitare, kulturore, qendra ku formësohej dhe kristalizohej identiteti shqiptar dhe qendra e nacionalizmit shqiptar. Për këtë kristalizim të identitetit shqiptar frymëzimi vinte nga Shteti Shqiptar, si shtet i gjithë shqiptarëve në botë, dhe nga simboli i rezistencës shqiptare. Edhe pse i mbyllur në burg të rëndë, idetë e tija nuk mund të mbylleshin as në grila burgjesh, as në qeli të errëta, as të kufizoheshin nga masat e dhunshme policore e gjyqësore. Të frymëzuar nga vepra e Bacë Ademit, në nëntor 1968 e gjithë Kosova u ngrit në këmbë për të kërkuar vetëvendosjen kombëtare e lirimin e menjëhershëm të Tij. Fryma e Tij politike u bë forcë shtesë duke i dhënë zemër shqiptarëve në valën e demonstratave të viteve ’80-ta, por dhe shpirt për luftën çlirimtare të Kosovës. Pra, figura e bacë Ademit u shtri e u shkri në përmasat e Atdheut, edhe jashtë Kosovës, në Evropë dhe botë.
Tanimë, pa dyshim se Adem Demaçi paraqet njërën nga figurat më emblematike në historinë më të re të kombit shqiptar në tërësi, dhe të Kosovës në veçanti. Parulla «Poshtë tradhtarët!» «Rroftë Adem Demaçi!» ishin brohoritur për dekada me radhë në mbarë trojet shqiptare dhe në mbarë globin.
Që në moshën e re, në vitin 1968 për mua dhe shumë të rinj Adem Demaçi ishte simbol i lirisë ndërsa Enver Hoxha ishte Shqipëria, atdheu ynë i dashur. Shqipëria dhe Adem Demaçi, ishin frymëzimi dhe dashuria për lirinë. Ky identifikim i Bacë Ademit dhe i Shqipërisë në krye me Enver Hoxhën, ishte shumë i përhapur te ne në Kosovë. Pas LDB-re ishte ky emocion në njërën anë për Shqipërinë dhe, në anën tjetër ishte emocioni për titizmin, dhe vëllazërim-bashkimin në Jugosllavi. E deshëm Shqipërinë, madje e deshëm shumë, sepse e kishim nënë. Nëna duhej edhe kur është e shëmtuar, e varfër apo e sëmurë. Ne që ishim të copëtuar e të robëruar padrejtësisht në Jugosllavi e kishim Shqipërinë të vetmen dhe të pazëvendësueshme si përkrahëse dhe mbrojtëse në institucionet ndërkombëtare, në Evropë dhe në Botë; pra, Shqipëria ishte frymëzim dhe inkurajim për qëndresën shqiptare në Kosovë dhe për mbrojtjen e lirive e të drejtave njerëzore e kombëtare të tyre dhe bacë Ademi ishte një frumëzim i fuqishëm për popullin shqiptar në Kosovë për të vazhduar rezistencën kundër Serbisë.
Ne me të drejtë dhe vërtet krenoheshim me shtetin shqiptar, serbosllavët dhe shqiptarët titistë dhe grekët frikësoheshin prej Shqipërisë dhe për këtë nuk hoqën dorë asnjëherë për ta destabilizuar dhe copëtuar Shqipërinë. Në fund, gjatë luftës në Kosovë u pa dhe u vërtetuar roli dhe rëndësia e Shqipërisë për çlirimin e Kosovës.
Rifillimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Shqipërisë, në vitin 1968 në mes të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Shqipërisë me institucionet respektive të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi zgjati deri në vitin 1981. Kjo periudhë ishte një lulëzim i jetës kulturore dhe arsimore në Kosovë. Ky bashkëpunim bëri të mundur ardhjen e shumë pedagogëve nga Universiteti i Tiranës, për t’i ndihmuar Universitetit të Prishtinës. Kuadrot nga Shqipëria me nivel të lartë të përgatitjes profesionale e prej pedagogu, me punën dhe përkushtimin e tyre duke qenë gjithmonë modest e të kujdesshëm, fituan zemrat e të gjithë studentëve shqiptar në Kosovë. Admironin mençurin dhe përgatitjen e tyre shumica e studentëve. Ata, RTSH dhe Radio Shqiptare, veçmas Radio Kukësi ndikuan shumë në formimin tonë kombëtar dhe në personalitetin tonë. E ndjenim këtë për çdo ditë si të ri që ishin me plotë ideale e pasione për atdhe e për jetë. Të rinjtë e idealizonin Shqipërinë deri në pafundësi, e cila ishte bërë motiv jo vetëm i jetës sonë, por edhe e realizimit të idealeve tona kombëtare.

Parimi i vetëvendosjes
Parimi i vetëvendosjes si një parim dhe koncept politik dhe si një e drejtë shfaqet fuqishëm me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Në aspektin praktik vetëvendosja është përdorur si mjet legjitimi për përpjekjet e etniteteve të ndryshme për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Shumica e konflikteve të përgjakshme gjithandej botës kanë ndodhur si pasojë e mohimit të vetëvendosjes dhe si pasojë e angazhimit për materializimin e saj, sikurse që ka ndodhur edhe tek ne shqiptarët. Pra, Lëvizja Popullore e Kosovës që nga themelimi dhe grupet tjera ilegale parimin e vetëvendosjes kishim si koncept politik në përpjekje për arritjen e lirisë dhe pavarësisë.
Në këto kushte dhe rrethana, Adem Demaçi dhe shokët e Tij kishin nevojë për përkrahjen e gjithanshme të shtresës së intelektualëve, përkrahje kjo që për fat të keqi mungoi nga intelektualët, por jo edhe nga populli. Mbështetja e dhënë nga populli, veçanërisht nga rinia, do të bënte që A.D. me shokët e idealit të vënë në jetë programin e Lëvizjes, në të cilin shtroheshin dy objektiva themelore: çlirimi i Kosovës nga Serbia kolonizatore dhe bashkimi me trungun e vetë, pra me Shqipërinë.
Lëvizja Popullore Kosovës ishte Organizatë politiko-ushtarake që në kushtet e represionit e ndjekjes së pashembullt, ia kishte dalë të ruante kohezionin e ilegales dhe, në dekadën e fundit të shek. XX, të krijoi bërthamën e UÇK-së. Në kohën e lindjes (1989) së pluralizmit politik, disa anëtar të LPK-së që zgjodhën rrugën e rezistencës aktive, pra, rrugën e lavdisë në bashkëpunim me shtetin Shqiptar, duke bartur mbi supe aktivitetet kryesore të rezistencës sonë kombëtare duke i dhënë peshë dinamikës së politikës në Kosovë, që më pastaj të formojë UÇK-në për të realizuar luftën çlirimtare në aleancë me NATO-n.
Adem Demaçi dhe LPK ishin të bindur se çlirimi i vendit nuk mund të arrihet sikurse nuk është arritur në asnjë vend tjetër, pa vepruar vetë populli, jo me formë paqësore e nënshtruese, por me ato aktive e çlirimtare.
Andaj duke i futur në zbatim mjetet demokratike të luftës, të organizimit të popullit në mënyrë profesionale, deri edhe ushtarake, pasi që kjo është forma e vetme e organizimit që i përgjigjet gjendjes dhe e çliron vendin, që e bënë popullin shqiptar faktor kryesor brenda dhe jashtë.
Në këtë rrugë të udhëtimit të LPK-së, Adem Demaçi, pavarësisht thirrjes në fillim të pluralizmit politikë që, të gjithë shqiptarët duhet t’i bashkohen LDK-së, «Lëvizjes gjithëpopullore», Ai, nuk ka insistuar asnjëherë që LPK-ë të ndërpresë aktivitetin dhe të shuhet fare… Përkundrazi, ka qenë afër nesh, kjo dëshmon edhe për takimet dhe diskutimet me orë të tëra për një përgatitje edhe të karakterit ushtarak. Ne (LPK), në Kosovë, në Këshilla të rretheve kishim filluar me përgatitje teorike dhe praktike ushtarake…
Meqë tërë jetën ia kishte kushtuar përpjekjeve për liri, drejtësi dhe barazi, në dhjetor të vitit 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian në Strasburg me Çmimin «Sakharov». Ai, në PE tha se në Kosovë nuk ka lirime nga burgu, sepse vetë Kosova është shndërruar në një burg të madh. Dhe pas takimeve dhe bisedave me nivelet më të larta diplomatike në Evropë në fillim të viteve ’90-ta, vazhdoi punën në mënyrë të devotshme në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut duke mos heshtur dhe duke mos u ndalur kurrë: vazhdoi në krye të protestave e grevave të urisë, u bë pjesë e zëshme e jetës politike të Kosovës edhe brenda sistemit paralel me Partinë Parlamentare të Kosovës.
Përveç takimeve me anëtar të LPK-së në Kosovë, Ai, në fillim të vitit 1992 (janar/shkurt), i shoqëruar nga atdhetari i madh – Ahmet Haxhiu, takohet me Kryesinë e LPK-së, dega jashtë vendit për të diskutuar në imtësi çështjen e rezistencës aktive, për këtë flasin edhe stenogramet dhe incizimet e takimeve (E. Xhemajli). Merr pjesë në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të LPK-së, në demonstratën e organizuar para selisë së OKB-së,( ku u mbante sesioni i 48-të për të drejtat e njeriut) nga ana e LPK-së dhe subjekteve tjera politike shqiptare në Gjenevë.
Rroli i Bacës Adem në vazhdimin e rezistencës aktive të LPK-së deri në themelimin e UÇK-së ishte jashtëzakonisht i madh. Do të konsultohet në vazhdimësi përmes atdhetarit të shquar, Ahmet Haxhiu, sikurse janë konsultuar edhe shumë intelektual atdhetar dhe ushtarak shqiptar, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës. Për këto takime dhe konsulta e analiza politike e ushtarake janë me qindra faqe dhe incizime në arkivin e LPK-së. Të cilat nuk janë publikuar, për t’mos rrezikuar intelektualët dhe ushtarakët atdhetarë…
LPK vazhdimisht ka bashkëpunuar dhe bashkërenduan me institucionet shqiptare në Shqipëri, pavarësisht se kush ishte në pushtet, PD apo PS, sikurse me shumë ushtarak eminent të Shqipërisë. Kishte përgatitur së bashku me ta edhe plane e projekte për organizim dhe trajnim të djemve dhe vajzave atdhetare. Përveç dy grupeve të Qeverisë së Bujar Bukoshit, grupit të Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit në marrëveshje me Ramiz Alinë, LPK kishte investuar edhe për përgatitje tjera, si në aspektin ushtarak dhe atë politik.
Në zbatim të vendimeve të Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, mbajtur në Prishtinë, me propozimin e Kryesisë së LPK-së j.v. në mbledhjen e datës 4 dhjetor 1993, në Zvicër themeloi fondin e veçantë të LPK-së, pra, Fondin «Vendlindja Thërret».( Mbledhja e Katërt e Përgjithshme që u mbajt në Prishtinë në korrik 1993 aprovoi rezolutën, sipas së cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të Lëvizjes Popullore të Kosovës).
Më 17 nëntor 1994 në Zvicër, pas një diskutimi të përimtuar, Kryesia e LPK-së, dega jashtë vendit, duke pasur parasysh vendimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme në Prishtinë, edhe propozimet e Këshillave të Rretheve Popullore të LPK-së (që ishin të njëjtën kohë edhe anëtarë të grupeve të armatosura) në Kosovë, grupimeve ushtarake në teren, mori vendim që organizimi i ri ushtarak të quhet «USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS». Duke qenë i informuar bacë Ademi për të gjitha aktivitetet e LPK-së, në dhjetor të vitit 1995 derisa LDK-ja po vegjetonte, Ai po deklaronte hapur se nuk do të jem vetëm simbol i rezistencës, por edhe energji e sajë.
Baca Adem, përveç njoftimeve që i ka pasur nga individ të LPK-së, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së dhe të Kryesisë së saj, përmes të grupit të ngarkuar prej tre anëtarëve; Azem Syla, anëtar i KP të LPK-së dhe anëtar Kryesi, Sejdi Gega e Shaban Muja, të dytë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së dhe anëtarë të Kryesisë së Nëndegës së LPK-së në Zvicër, më 17 dhe 18 shkurt 1996, në Gjenevë në banesën e veprimtarit të palodhshëm – Basri Misini, zyrtarisht do të njoftohet për ekzistencën e UÇK-së në Kosovë, duke u njoftua më detajisht, për aksionet e kryera nga grupet e armatosura të Ushtrisë ÇK-së, pra nga djemtë e Kosovës. Baca, pas njoftimit nga Azem Syla dhe ne, premtoi se, edhe pse i kishte përkrahur gjithmonë vlerat konkrete atdhetare, rezistencën më aktive të shqiptarëve, po kësaj radhe duke u njoftuar edhe më detajisht, do t’i përkrahë edhe më shumë, gjë që për këto do të bie në thumbat e politikës pasive, të ndërkombëtarëve, po edhe në shënjestër të politikës së Beogradit, por nga ana tjetër do t’i motivojë moralisht dhe politikisht forcat aktive, pra, ushtarët e UÇK-së. Adem Demaçi, në këtë takim, grupin e ngarkuar nga Kryesia e LPK-së d.j.v., do ta njoftojë për nismën e Mbledhjes së Parlamentit të Kosovës, nismë kjo e dështuar. Ky takim deri në përfundim të luftës, sikurse edhe takimet tjera zyrtare të LPK-së me bacën Adem nuk është publikuar asnjëherë…
I bindur se pa gjak regjimi serb nuk kishte ndërmend që të hiqte dorë nga pushtimi i Kosovës, Demaçi, më 12 gusht 1998, merr përsipër udhëheqjen politike të UÇK-së dhe të përfitonte mundësinë për krijimin e Asamblesë së Kosovës. Pas kësaj, Adem Demaçi, në mes të Prishtinës, më që ishte i vlerësuar me çmimin prestigjioz evropian Sakharov, i dha emër ndërkombëtarisht UÇK-së. Ai ishte fytyra e gjallë politike e padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve.
Adem Demaçi nuk u pajtua me “Projektin e Rambujesë”, sepse ai ofronte vetëm një autonomi të cunguar për shqiptarët. Gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi Serbinë dhe mbi caqet ushtarake në Kosovë, Adem Demaçi refuzoi të fshihej ose të arratisej nga Kosova.
Pas luftës ai u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave joshqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre e qytetarëve tjerë.
Adem Demaçi ishte dhe mbetet baca Adem, i gjithëkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij. Në jetën njerëzore unë nuk njoh asnjë njeri më humanist se bacë Adem Demaçi. Tiparet e karakterit të Tij, përpjekjet për lirinë e Kosovës për gjatë gjithë jetës e bëjnë Emblemë të luftës dhe Deputet moral të përjetshëm. Ai, ndryshe nga shumë të tjerë, ka mandat të përjetshëm. Ai do të mbetet një lider shpirtëror më shumë se çdo përfaqësues partiak e shtetëror.
Shqipëria kishte rëndësinë dhe rolin jetik për Kosovën dhe ky rol u tregua edhe gjatë përgatitjes dhe gjatë luftës së Kosovës në vitit 1998/1999, ku Shqipëria pavarësisht se ajo ishte vetë në krizë politike e sociale, mundësoi dhe priti rreth 800 mijë shqiptarë të Kosovës të dëbuar nga regjimi kriminal dhe gjenocidit serb, si dhe nëpërmjet Shqipërisë u bë furnizimi i fuqizimi i UÇK-së dhe u bë e mundur që edhe nga mërgata të vinin me mijëra vullnetarë të UÇK-së që shkonin në luftë për çlirimin e Kosovës.
Roli jetik i Shqipërisë nuk mund të zëvendësohet nga asnjë shtet tjetër në Ballkan. Adem Demaçi dhe roli i tij nuk mund të zëvendësohej nga askush tjetër, sepse jeta dhe vepra e tij ishin unike, sikurse dhe roli i Adem Jasharit ishin të papërsëritshëm, sepse historia nuk do t’i japë një mundësi të tillë që e pati dhe e shfrytëzoi deri në vetëflijim, Adem Jashari, në përleshjet që nga 5 marsi deri më 7 mars, forcat ushtarako-policore serbe masakruan mbi 50 anëtar të familjes Jashari dhe mysafirët e tyre, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë. Pas rënies, Adem Jashari dhe familja Rifat Jasharit, u bënë simbol i luftës së Kosovës dhe pavarësisë së vendit.
Adem Demaçi, i cili u nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2018 në moshën 82-vjeçare, ia kushtoi jetën e tij përpjekjeve për Liri, Drejtësi dhe Barazi, padyshim ishte Simboli i rezistencës dhe arkitekt i Pavarësisë së Kosovës që nga viti 1958.
Ai, ndryshe nga shumë të tjerë, ka mandat të përjetshëm.
Ai, do të mbetet një lider shpirtëror më shumë se çdo përfaqësues partiak e shtetëror, i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij.
Si lum Ai e si lum Ne!
TA PAÇIM BORXH RESPEKTIN, DASHURINË DHE PËRULËSINË BREZ PAS BREZI!
NDERI I KOMBIT – ADEM DEMAÇI

May be an image of 1 person dhe tekst

May be an image of një ose më shumë njerëz, people standing dhe tekst

May be an image of 2 njerëz, people sitting, people standing dhe E brendshme

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...