IKNI!
Posted by: admin
in Të ndryshme
24/02/2021
178 Views

Sa shumë, po ju “digjet xhani”,
Këto javë para zgjedhjeve, a më thoni?!
Sa dinakërisht, surratet e nxira,
Si çdoherë, me maska po i mbuloni…
–
Për ju o dhjetëristë, shkruaj vargje hidhërimi!…
Pse kafshatën popullit, nga goja ia morët.
Në xhepat tuaj, me kusari po e përfundoni.
–
Nënës Shqipëri, ju i vutë flakët…
Me gjuhët dredharake, me premtime boshe,
Paturpësisht, popullin tonë po e mashtroni.
–
Ah!… Tridhjetë vite katrahura ikën.
E, ju s’u ngopët, duke grabitur,
o të babëzitur…
Ju, popullit si shushunjat gjakun po ia pini, për “demokraci”, duke llomotitur.
–
Sa brezni, nga krimet tuaja i mbuluat në zi…
Tmerrshëm janë tronditur, janë lemeritur.
Ju, që rininë tonë e degdisët, e tretët nga Nëna Shqipëri, o delinxhinj, faqezinj…
–
E ç’kërkoni më pastaj, nga ky popull?!
Të gabojë, votën me vullnet, t’ua dhurojë,
Kur, fort mirë ju njeh kush jeni…
Si po guxoni të mendoni, përsëri do t’u besojë?!
–
Ju, si “Kuajt Trojanë”, shkelët e po shkelni mbi gjakun e dëshmorëve.
Ju, na morët lirinë, barazinë, drejtësinë?
Ju, armiqve tradhëtisht, o marrëzisht,
ua hapët portat…
–
Ju, përdhosët sakatosët, çdo gjë të bukur shqiptare; besën, nderin, krenarinë…
Ju, në gjeografinë tokësore dhe detare,
Si plaçka tregu; po e hidhni, po e shisni Nënë Shqipërinë.
–
Ju, me të fituar votën, përsëri vidhni, plaçkisni, bëni kërdinë.
Ikni, nga kolltuqet e lagura, ku keni hipur.
Mijëra plagë të pashëruara, në shpirtëra na keni hapur, popullin e keni cfilitur.
–
Ja, më në fund, një dritë në tunelin prapësive tuaja, po nxjerrë shkëndija dikund.
Posi, jemi të kënaqur, shpresojmë të gëzuar!…
Populli, po ju njeh me dhëmbë e dhëmballë, o të mjerë, o të mallkuar!…
–
O dijeni mirë, mos harroni!
Mos provoni, më tej të mashtroni.
Juve, që vërtet e meritoni…
Me drejtësinë shqiptare, përjetësht,
për t’ju dënuar!
24/2/2021
2021-02-24