Home / Opinion / Populli shqiptar i Republikës së Kosovës para provës së madhe

Populli shqiptar i Republikës së Kosovës para provës së madhe

(Rrënjët e kalbura janë më të fuqishme
se filizat e sapoçelur)

Se kildebilledet
Prof.dr. Eshref Ymeri

Më 14 shkurt, pikërisht në ditën e shenjtëruar të Shën Valentinit, populli i nderuar shqiptar i Republikës së Kosovës, ka për të dhënë një “provim” të tillë, rezultatet e të cilit do të kenë një jehonë të gjerë në mbarë trojet tona etnike. Kjo për arsye se në atë “provim” do të ballafaqohen dy botë të ndryshme, dy mendësi që nuk kanë kurrfarë pikash takimi në morinë diskutimeve të zhvilluara deri tani. Në atë “provim”, zgjedhësit, të gjendur para kutisë së votimit, do të shtrojnë para vetes pyetjen se për kë do të votojnë: për kastën e vjetër politike, të kalbur deri në qelizë, e cila ka gati 20 vjet që ka punuar për pasurimin marramendës të një grushti oligarkësh të kriminalizuar, për mbjelljen e varfërisë së pamëshirshme në radhët e shumicës dërrmuese të njerëzve të thjeshtë, me pasoja të dhimbshme shpopullimin masiv të vendit, për cenimin e rëndë të autoritetit të shtetit të Kosovës në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, për politikën vetëposhtëruese që kasta e vjetër ka praktikuar në maratonën e bisedimeve që ka zhvilluar me shtetin agresor serb, në të cilat këtij i janë bërë lëshime kaq skandaloze, saqë nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse si tradhti e kulluar, për heshtjen e qëllimshme të kastës së vjetër politike për krimet dhe shkatërrimet e rënda që bisha fashiste serbe pati kryer në Kosovë, një heshtje kriminale kjo që u konkretizua me mosngritjen e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë? Apo duhet të votojnë për klasën e re politike, të përfaqësuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët, në Programin e tyre, kanë një tjetër këndvështrim për qeverisjen e vendit, me katër objektiva kryesore: nxjerrjen e vendit nga humnera e varfërisë, sekuestrimin e të gjitha pasurive të paligjshme, të shoqëruar me nxjerrjen e grabitësve para organeve të drejtësisë, eliminimin e të gjitha monopoleve dhe ngritjen e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtë Program, para pak ditësh, Albin Kurti e parashtroi para opinionit publik kosovar. Prandaj votuesit tani e kanë më të lehtë të bëjnë zgjedhjen e vet, duke sjellë në kujtesë paraprakisht poshtërimin e rëndë që Serbia neofashiste i bëri Kosovës gjatë viteve ’90 dhe, për shkak të tradhtisë së bandës kriminale të Thaçit, ajo e vazhdoi poshtërimin edhe pas përfundimit të luftës, çka banda në fjalë, si shërbëtore e regjur e Beogradit, e konkretizoi me zhvendosjen e 14 500 shqiptarëve rrënjës nga Veriu i Mitrovicës dhe me zëvendësimin e tyre me serbë të importuar.
Duket sikur gjendja është e qetë dhe zgjedhjet do të zhvillohen normalisht. Por lind edhe dyshimi se nuk është plotësisht kështu. Sepse kasta e vjetër kriminale rreth kryetradhtarit Thaçi, i cili vazhdon tëheqjen e fijeve që nga burgu i Hagës, do të bëjë gjithçka që është e mundur për ruajtjen e pushtetit oligarkik edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Madje paturpësia e Thaçit prej tradhtari dhe argati të regjur të Beogradit ka marrë të tilla përmasa, saqë edhe nga burgu i Hagës ai guxoi dhe iu drejtua popullit me një letër të hapur, të botuar dje në gazetën “Bota Sot”, në të cilën bënte thirrje që ai të mos votojë për Albin Kurtin. Për këtë qëllim, kasta e vjetër politike, me mjetet e fuqishme financiare që disponon, ka vënë në shërbim shumicën dërrmuese të mjeteve të informimit masiv, pamore dhe të shkruara, si dhe komisionin qendror të zgjedhjeve, në krye të të cilit është Valdete Daka, një shërbëtore besnike kjo e kastës kriminale të Thaçit. Veç kësaj, kasta e vjetër ka mbështetjen e fuqishme të nëndheshme të Beogradit, prapa të cilit qëndron Kremlini putinian. Po ashtu, ajo gëzon mbështetjen e gjithanshme të kastës politike antikombëtare të Tiranës, me në krye Ramën, mikun besnik të Vuçiçit dhe të Thaçit, sepse, siç dihet, Rama është në garë me Putinin se kush do të qëndrojë sa më gjatë pushtet: Putini e ka deklaruar se do të jetë në pushtet deri në vitin 2036, duke iu kundërvënë edhe Hyjnisë, që kjo të mos guxojë ta thërrasë në gjirin e vet para këtij viti. Edhe Rama, sipas fjalëve që kanë qarkulluar poshtë e përpjetë, nuk ka ndër mend të largohet nga pushteti partiak apo shtetëror deri në vitin 2030.
Në këto Kushte, vetvetiu lind dyshimi se kasta e vjetër politike në Prishtinë, sipas shembullit të kastës së kalbur politike të Tiranës, do të lëvizë të gjithë gurët për manipulimin e zgjedhjeve. Sepse, për arsyet që u thanë më lart, ajo kastë vërtet përfaqëson botën e errësirës, rrënjët kalbura të pushtetit të bandës kriminale rreth Thaçit, por nuk duhet harruarr se rrënjët e kalbura janë më të fuqishme se filizat e sapoçelur. Prandaj, nëse bëhet manipulimi i zgjedhjeve, ka rrezik që në Republikën e Kosovës të shpërthejë kaosi politik që mund të çojë edhe në luftë civile, sipas të njëjtit skenar të grekoserbizmit që u luajt në atdheun amë në vitin 1997.
Veç kësaj, duhet pasur parasysh se klasa e re politike, e përfaqësuar nga Albini dhe Vjosa, nëse vjen në pushtet (dhe duhet besuar se duhet të vijë, gjykuar nga pulsi politik që është vënë re në radhët opinionit publik gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore), do të ndeshet me vështirësi të shumta, jo vetëm në përballjen me kalbësirën e deritanishme politike 20-vjeçare, por edhe me pakicën serbe në mbështetje të saj. Pakica serbe, sipas marrëveshjeve që kryetradhtari Thaçi, në cenim të rëndë të tërësisë territoriale të Kosovës, të sovranitetit të saj, ka nënshkruar me Beogradin në mjediset e brukselizmit, do të vazhdojë t’i zbatojë ato marrëveshje, duke e mbajtur të pushtuar Veriun e Mitrovicës, me objektivin përfundimtar bashkimin e tij me Serbinë. Prandaj Albini dhe Vjosa, duke u mbështetur fuqimisht në përkrahjen e shumicës së popullit dhe duke qenë të bindur se ajo përkrahje është vendimtare për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës me forcat e armatosura dhe me organet e policisë, duhet të rivendosin autoritetin e saj të plotë në Veriun e Mitrovicës, me rikthimin e 14 500 shqiptarëre në vatrat e tyre dhe largimin e serbëve që kryetradhtari Thaçi i importoi pas përfundimit të luftës, duke e kthyer atë zonë një herë e mirë nën administrimin e Prishtinës. Me fjalë të tjera, Veriu i Mitrovicës do të shërbejë si “lakmus” për mënyrën e qeverisjes së Albinit dhe të Vjosës: nëse ai do të vendoset përfundimisht nën administrin e shtetit të Kosovë ose jo. Nëse jo, atëherë ata i pret dështimi politik dhe Kosova do vazhdojë të jetë e nëpërkëmbur dhe e poshtëruar nga Serbia, duke mbetur si Jerusalem apo Kashmir në Gadishullin dikur Ilirik.
Por, nëse shumica e zgjedhësve do të votojë për kalbësirën politike të deritanishme, atëherë do të duhet të pranohet me keqardhje të thellë se populli shqiptar i Kosovës, ashtu si edhe populli shqiptar i atdheut amë, nuk e kuptuaka dot jetën pa nënshtrim, pa vuajtje në kushtet e varfërisë, çka të sjellë në kujtesë formimin psikologjik të popullit rus, për të cilin shkrimtari i madh Fjodor Dostojevski (1821-1881), në veprën me titull “Ditari i shkrimtarit”, të botuar për herë të parë në vitin 1873, ka shkruar:
“Mendoj se kërkesa më kryesore, më rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje, për një vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë. Me këtë etje për vuajtje, ai, me sa duket, është infektuar që kur bota është zënë. Rrjedha e vuajtjeve përshkon gjithë historinë e tij, jo vetëm nga fatkeqësitë dhe gjëmat e jashtme, por ngaqë ajo zien përbrenda vetë zemrës së popullit. Në vetëdijen e popullit rus, madje në çaste lumturie, gjendet patjetër një grimë vuajtjeje, ndryshe lumturia e tij për të nuk është e plotë. Asnjëherë, madje edhe në minutat më solemne të historisë së tij, ai nuk merr një pamje plot krenari dhe ngazëllim, por vetëm një pamje mallëngjyese deri në përvuajtje. Ai trishtohet dhe falënderimin e vet ia përcjell mëshirës së Hyjnisë. Në vuajtje populli rus sikur gjen kënaqësi”.
Nëse ndodh vërtet kështu, atëherë do të vërtetohen përsëri dhe përsëri fjalët e Profesorit Vedat Kokona, i cili ka thënë:
“Sundimi i shqiptarëve prej shqiptarëve ka qenë më i rëndë se sundimi i huaj”.
Le të shpresojmë se zgjedhjet e 14 shkurtit do të hapin një epokë të re në historinë e kombit shqiptar, do të shërbejnë si nxitje për një zgjim mbarëkombëtar, në mënyrë që formacioni politik “Vetëvendosje!”, në aleancë të ngushtë me formacionin “Guxo” të Vjosa Osmanit, t’i çelin filizat e nacionalizmit shqiptar edhe në atdheun amë, edhe në Shkup, edhe në Ulqin, me shpresë edhe në trevën amtare të Çamërisë, me perspektivë ribashkimin e trojeve tona etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur kombëtar. Vetëm atëherë kombi shqiptar nuk do të jetë më i nëpërkëmbur, si deri tani, nga grekoserbizmi dhe nga brukselizmi, por do të bëhet komb me autoritet dhe i respektuar kudo në botë.
13 shkurt 2021

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...