Home / Të ndryshme / Batanija

Batanija

BISLIM ELSHANI

NJË PËRKUJTIM QË MË EMOCIONOI!

(Kujtimit të nënës Fatime)

U bë një javë qyshse nëna jonë u shkëput nga bota e të gjallëve për të hyrë në botën e shpirtrave. Nëna jonë sigurisht që nuk reduktohet kollaj në një ide të thjeshtë, në një simbol apo në një arketip. Nëse jeta e njeriut përcaktohet nga puna që ka bërë, profesioni që ka ushtruar apo roli që ka luajtur në jetën sociale, atëherë babai im do të kujtohet si një punëtor i një ndërmarrjeje rrugore, drejtues i një ruli që sheshonte asfaltin e nxehtë rrugëve të Kosovës. Sa herë që ngjitem serpentinave që të shpien në Prevallë e në Brezovicë, kujtoj punën e babait tim. Dhe nëse udhëtoj në këmbë, dhe nuk ka baltë që të më ngjitet në këpucë, për këtë gjë falënderoj sërish babain tim. Ndërsa puna që bënte nëna ime për t’i rritur 6 djemtë dhe 2 bijat e saj ishte e një natyre tjetër. Përpos punëve shtëpiake dhe atyre të fushës, ajo kishte një makinë qepëse të markës gjermane FAFF me të cilën qepte fustanet e nusërisë të nuseve të reja në Suharekë. Kjo makinë i mbijetoi gjithë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore, që nga koha kur babai im e kishte sjellë nga jesirllëku i tij në Gjermani, e deri më 1999. Për fat të keq, nuk i mbijetoi edhe barbarizmit serb në luftën e  fundit. Shtëpia ku u gjend ajo, bashkë me gjithë bibliotekën time private, u bënë shkrumb e hi. Nëse babai im zbukuroi Kosovën duke hequr baltën nga rrugët tona, nëna bëri gjithçka për zbukurimin e nuseve dhe të dasmave në fshatrat rreth Suharekës. Një jetë në shërbim të bukurisë. Kjo më bën të mendoj që shpirti i prindërve të mi vazhdon të jetë i pranishëm akoma midis nesh në atë formë që Adem Demaçi në disa libra të tij e cilësonte si formë kuantike. Që të dy patën fatin e hidhur që për 4 vjet, nga viti 1981, të bënin rrugë të gjata nëpër Serbi për të më vizituar nëpër dy burgjet e saj, në Leskovc e në Shabac.

Do të kujtoj me këtë rast një episod nga dimri i vitit 1991.

Kishim ardhur bashkë me Ukshin Hotin në dhjetor nga Lubjana për të kaluar Vitin e Ri në Kosovë. Pasi përfunduam pushimet, pas Vitit të Ri, Ukshini, ose baca Ukë, siç e thërrisja atëbotë, u shfaq me WW-Pasatin e tij të gjatë në derën time. Pasi hëngrëm darkë e pimë kafe, u bëmë gati të niseshim për Lubjanë. Nëna ime nisi të protestonte: “Ku do të niseni në këtë të ftohtë? Rrini së paku deri në mëngjes!” Mirëpo Ukshinit s’ishte kollaj t’ia ndryshoje mendjen. Me t’i futur çantat në makinë, pashë nënën time me dy batanije që po më vinte pas. “Merrini edhe këto me vete se keni rrugë të gjatë!”. Dhe i rrasi në gepek.

Kur u nisëm për rrugë, pashë termometrin në bord-kompjuterin e makinës: shënonte minus 20 gradë. Deri në Prishtinë Pasati nuk na nxori ndonjë shqetësim serioz, mirëpo sapo lamë Prishtinën, kur morëm rrugën për Podujevë për të vazhduar më tutje drejt Nishit, makina nisi të ngulte këmbë si mushka e të refuzonte lëvizjen. Si duket të ftohtit ekstrem kishte ndikuar edhe mbi naftën. Mirëpo Ukshini dyshonte në mosfunksionimin e  një pjese të motorit, kështu që ndaluam te servisi i parë që na zunë sytë në njërin nga fshatrat midis Prishtinës dhe Podujevës, dhe thirrëm automekanikun ke porta e shtëpisë pasi që e  kishte mbyllur që moti punishten. Meqë Ukshin Hoti qe figurë e njohur dhe e dashur kudo në Kosovë, automekaniku nuk përtoi shumë për të na ardhur në ndihmë. Ai u përpoq sa mundi, bëri edhe ndonjë intervenim, dhe i bëri provën e ndezjes e cila funksionoi. Mirëpo nuk na garantoi se mund të vazhdonim shumë gjatë në atë të ftohtë. Pas ndonjë vështirësie që nuk i dhamë shumë rëndësi, makina na çoi deri në Merdare, aty ku sot gjendet kufiri i Kosovës me Serbinë. Aty ndaloi dhe s’donte të bënte asnjë hap më tutje. Ishte rreth 2 pas mesnate, dhe askund s’shihej ndonjë derë ku mund të trokisnim. Rreth e rrotull vetëm pyje e bjeshkë të larta, ndërsa po të dilje jashtë makinës, mund të dëgjoje nga larg edhe lehje qensh e ulërima. Shikova edhe një herë termometrin në bord: minus 29 gradë celzius. Një të ftohtë që s’mbahej mend prej shumë vitesh. Skajuam pasatin dhe po prisnim se mos po shfaqej ndonjë makinë në rrugë. Motori nuk i bënte punë fare, as për të na ngrohur brenda, dhe nisëm të mërdhinim. Kur pas më pak se një ore u shfaq një automobil nga larg, dolëm jashtë dhe i ngritëm dorën. Makina ndaloi. Ishin dy qytetarë serbë, dukeshin si zyrtarë që po lëviznim për ndonjë urgjencë. Ukshini më tha që të futesha brenda ndërsa ai do të qëndronte. Më tha që ta merrja Hakiun, dhëndrin e tij në Prishtinë, dhe të vinin bashkë me të për ta tërhequr. E kundërshtova këtë ide, duke i thënë të iknim që të dy, mirëpo ai nguli këmbë: “Mos u shqetëso, kam batanije!” Gjatë gjithë rrugës më hante meraku se mos i ndodhte gjë edhe kësaj makine, dhe në vend se një orë a dy, mund të vonoheshim shumë më tepër. Apo mos po më ndodhte edhe mua vetë ndonjë gjë nga këta dy serbë të dyshimtë. Për fat arritëm shumë shpejtë dhe pa ndonjë telash në Prishtinë. Pagova shoferin dhe mora një taksi që më çoi deri te shtëpia e Myrvetes, motrës së Ukshinit. I zgjova nga gjumi dhe Hakiu, burri i saj, u bë gati menjëherë. U nisëm menjëherë dhe arritëm me të shpejtë ke vendi ku e kisha lënë Ukshinin. I hapëm derën nga jashtë dhe e pamë të mbështjellë me batanijet që na i kishte futur në bagazh nëna ime. Ato ia kishin shpëtuar jetën.

About xhzeqiri

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...