Home / Opinion / “RRËFENJAT” PERVERSE TË SHKRIMTARIT TONË!

“RRËFENJAT” PERVERSE TË SHKRIMTARIT TONË!

Se kildebilledet

 Shkruan; Gjon Bruçi

Nëpërmjet shtypit të ditës, morëm vesh se shkrimtari Ismail Kadare, vitin e 85-të të lindjes po e përcillka me botimin e një libri, që ai e ka emërtuar “Koha për rrëfim”. Asesi nuk më shkonte në mendje se personazhi i këtij libri është vetë shkrimtari ynë. Dhe kjo, për dy arsye të thjeshta: se shkrimtari ynë Ismail Kadare, duke qenë i besimit mysliman, nuk ka se si të rrëfehet, siç bëjmë ne katolikët. Por edhe sikur të ishte katolik, shkrimtari rrëfehet nëpërmjet personazheve të romaneve e veprave të tjera letrare, pa qenë nevoja të përdorë fjalën “rrëfim”, e cila përdoret kryesisht në liturgjinë kishtare, dhe sikur nuk shkon për një personalitet të letrave si Kadare. Aq më tepër që shkrimtari në fjalë, “rrëfenjat” si gjini të vogla e të thjeshta të letërsisë, i ka kapërcyer tashmë këtu e shtatëdhjetë vite më parë, kur ishte në hapat e para të krijimtarisë.

Por dilema ime u daravit, sapo lexova komentet e para në shtypin e ditës, ku thuhej se libri, është një përmbledhje e intervistave të autorit, dhënë në formë rrëfimesh, drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

Duke e pranuar pa diskutim të drejtën e autorit në përdorimin e fjalës “rrëfim”, kam të drejtë të pyes: Çfarë mund të na rrëfejë tjetër shkrimtari i madh Kadare, kur gjithë jetën, veprimtarinë, mendimet, ndjesitë dhe gjithçka që ka përjetuar, i ka hedhur me të gjitha format artistike në korpusin e madh të botimeve të tij? Ç’gjëra të fshehta paska ruajtur ndër vite, që po na i rrëfen tani në hyrje të moshës së tretë?

Kur lexova disa nga intervistat, apo rrëfimet, që i lançoi shtypi i ditës, mora vesh se mjaft prej tyre nuk ishin “rrëfime” të reja për lexuesin. Por siç duket, pasi i ka “ripunuar”, ka vendosur t’i përmbledhë në libër të veçantë, duke iu dhënë kështu një formë më impozante për lexuesin dhe “Institucionet e letrave”. Kur them “institucione të letrave”, e kam fjalën për Jurinë e çmimit “Nobel”, ku shkrimtari ynë i mirënjohur, megjithëse prej njëzet vitesh nominohet në treshen apo katërshen e parë, për arsye nga më të ndryshmet nuk ka arritur ta marrë. 85 vjetori i lindjes, siç duket, është mundësia e fundit e dhënies së këtij çmimi. Kjo “mundësi” shpejgon edhe botimin e “rrëfenjave” të hershme e të vonshme në një libër prestigjioz, si kujtesë për komisionin e çmimit të lartë të Letrave.

Shtrojmë pyetjen e thjeshtë: A e meriton Kadareja Çmimin “Nobel”, të ëndërruar e të premtuar disa herë?

Shkrimtari Ismail Kadare, i konvertuar tashmë nga ushtar besnik i socializmit e komunizmit, në apologjet i sistemit borgjezo-kapitalist, e meriton plotësisht “dekoratën” e këtij të fundit. Vërtet pjesën dërmuese të krijimtarisë, ia ka kushtuar socializmit, por në tri dekadat e konvertimit, ka prodhuar mjaft “miell” edhe për borgjezinë. Falë këtij “mielli”, ai mund ta arrijë çmimin, për të cilin prej tri dekadash po harxhon mund e djersë pa pushim. Por kjo arritje, nuk ia shton, përkundrazi ia ul akoma më poshtë vlerat si njeri dhe veçanërisht si shqiptar me kartë identiteti të vërtetë.

Kadare, është shkrimtari i vetëm në radhët e krijuesve tanë, i cili në fund të vitit 1990, kur u përmbys socializmi në vendin tonë, bëri “retikulatën” më spektakolare të kalimit nga fronti socialist, në atë kapitalist. Me një perversitet të pashembullt, ai mohoi dhe revizionoi pothuaj gjithë krijimtarinë e tij të kohës së socializmit, në përpjekje për të marrë statusin e disidentit, “monedha”e çmuar për ata që kishin projektuar përmbysjen e Shqipërisë. Nga ana tjetër, për fatin e keq të shkrimtarit, në vitet pas konvertimit, ai nuk arriti asnjëherë të prodhonte vepra të tjera më të mëdha se ato të paranëntëdhjetës. Kjo, sepse i mungonte, i humbi, apo më saktë e braktisi motivin e vërtetë të krijimtarisë. Është e vërtetë se njeriu evoluon e ndryshon, por kur mbërrin dhe i kalon të pesëdhjetat, sa ç’ishte shkrimtari ynë në vitin 1990, ndryshimet dhe evoluimet njëqind e tetëdhjetë gradëshe, mund të të dërrmojnë shtyllën e kurrizit. Siç rezultoi, Kadareja, “kurrizoren” nuk e kishte prej ashti, por prej tuli, ndaj e përdrodhi belin, duke i shpëtuar frakturës fizike, por gjithsesi duke pranuar frakturën e pashmangshme mendore.

Nëse shkrimtari i famshëm, do të qëndronte pa u ndjerë në pozicionin e ri që zgjodhi, qoftë edhe në antipod me ato që kishte shkruar më parë, ne qytetarët që e kemi lexuar e vlerësuar si më të madhin krijues tonin, do të heshtnim duke gëlltitur dhimbjen për humbjen e tij. Por fatkeqësisht azil-kërkuesi ynë modern, u shndërrua në kopje të azilkërkuesve ballisto – zogistë të kohës së pasluftës, dhe ngjashëm me Tufën e”Institutit të krimeve të komunizmit”. Dhe ajo që na habiti e na revoltoi pa masë, intelektuali dhe shkrimtari më fin që kemi patur, nuk mungoi të godasë pas vdekjes e pas kurrizit, edhe bashkëqytetarin e tij nga Gjirokastra, mbrojtësin e veprës së tij letrare, Liderin e papërsëritshëm të popullit shqiptar, Enver Hoxhën. Madje, në pamundësi për të shembur me argumente politikë figurën e Udhëheqësit tonë të madh, Kadare merr “uha” nga fjalori baltë i Fevziut, duke na treguar “rrëfenja” të kohës së fëmijërisë së Enver Hoxhës, kur Ismaili, e shumta ishte në hallatet e babait të tij të pamartuar.

Kadare, në revanshin e tij pervers të shpikjes e të shpifjes, dhe me objekt rritjen e krediteve të tija antikomuniste përpara padronëve që e kanë aziluar, e që e ndjellin si manar me çmime ndërkombëtare, arrin të mohojë edhe personazhin kryesor e madhor, Enver Hoxhën, tek “Dimrit i vetmisë së madhe”, ose “Dimri i madh”-(ribotim), çka është e paimagjinueshme nga pjesa dërmuese e qytetarëve shqiptarë, dhe madje e papranueshme edhe nga kundërshtarët politikë të Enver Hoxhës. Në konkretizim të kësaj që shkrova më lart, po jap një pasazh nga ky roman ndër më madhorët e autorit në fjalë:

Është fjala për një moment kur Enver Hoxha, pas fjalimit të tij të famshëm në sallën Gjeorgjevskaja në Moskë, dhe pas takimeve me të dërguarit e Hrushovit në vendin ku ishte akomoduar delegacioni shqiptar, zbret tek holli i ndërtesës, ku po rrinin punonjësit që shoqëronin delegacionin. Gjatë bisedës më punonjësit në fjalë, Enver Hoxha kërkon nga shërbimi një kafe, të cilën e piu gjer në fund, dhe e vendosi filxhanin bosh të kafes mbi tavolinën e vogël para tij. Për këtë moment, Kadare shkruan në roman afërsisht kështu: “Të gjitha plakat e Shqipërisë, do të kishin dashur të shihnin filxhanin e Enver hoxhës”. (Fjalët e mia mund të kenë ndonjë ndryshim nga origjinali, sepse nuk e kam botimin e parë të romanit, por kuptimi është i saktë). Kjo frazë, ndonëse në formën e një bestytnije, e ngre shumë lart figurën e Enver Hoxhës, më lart se çdo lëvdatë tjetër në prozë apo në poezi. Kush e detyroi Kadarenë ta shkruante këtë frazë? Askush, veç bindja e tij mendore e shpirtërore. Po, pse ndryshoi kjo bindje mbas 90-tës? Sepse ai u vu në shërbim të atyre që nuk lanë gurë pa lëvizur për përmbysjen e sistemit socialist.

Shqipëria jonë në fund të vitit 1990 u “kryqëzua”, kryqëzim prej të cilit edhe sot qëndron e mbërthyer. Ç’bëri e ç’po bën intelektuali e shkrimtari i famshëm Kadare për ta shpëtuar Shqipërinë nga kryqëzimi i armiqve të përhershëm të saj?! Bëri dhe po bën romane?! Dakort, po, a janë të mjaftueshëm këto romane, të cilat në mungesë të motivit real, nuk u afrohen veprave të tij të kohës së Socializmit. A i lejohet një intelektuali e shkrimtari të vërtetë, që ndërsa Atdheu i tij po shkon drejt degradimit moral, politik e social-ekonomik, ai të ketë objekt pune vetëm romanet në shërbim të borgjezëve dhe marrjen po prej tyre të “Nobelit”, kur asesi ajo dhe as çdo dekoratë tjetër kësisoj, nuk mund të zëvendësojë dekoratën që të jep kombi yt”?!

Do të sjell për lexuesin dhe Kadarenë, tre personalitete të letrave, një nga bota dhe dy nga vendi ynë, veprimi i të cilëve, duhet ta bëjnë të skuqet Kadarenë, për pozicionin që ka marrë e po mban në këto tri dekada të kryqëzimit të vendit të tij:

Shkrimtari i madh gjerman, Gëte, kur pa se Gjermania, për nga zhvillimi kishte mbetur prapa vendeve të tjera kapitaliste të Europës, e la mënjanë penën e shkrimtarit dhe iu fut studimit në fushën e mineralogjisë, çka ishin lënë në harresë nga klasa borgjeze gjermane, madje kishin mbyllur edhe minierat e fabrikat përkatëse. Gëte, jo vetëm realizoi studimet në fjalë, por vullnetarisht mori edhe detyrën e Ministrit të minierave, çka bëri që pas disa viteve Gjermania të radhitej me simotrat e saj, Franca, Anglia etj.

I dyti, Abdyl Frashëri, atdhetari ynë i madh, i kishte të gjitha mundësitë të bënte karierë brilante në fushën e historisë, por në vitin e jashtëzakonshëm 1878, (Lidhja Shqiptare e Prizrenit), ai la gjithçka mënjanë, për t’ju përkushtuar çeshtjes kombëtare që ishte në zgrip, duke vënë veten dhe pasurinë në shërbim të shpëtimit të kombit, dhe siç dihet vdiq në burgun e perandorisë otomane.

Në vitet nëntëdhjetë, të shekullit të kaluar, Hysni Milloshi, ishte një nga poetët më pikantë në vendin tonë. Njeriu i vogël në shtat, por me zemër të madhe e të zjarrtë, jo për të imituar Gëten gjerman, apo Abdylin tonë, por i inspiruar nga idealet e tij kombëtare, kur në fillim të 1990-tës ndodhi përmbysja e madhe, la mënjanë profesionin e jetës dhe u vu në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur Atdheun nga “kali i drunjtë”, i cili tashmë doli hapur, duke shkelur e shkatërruar gjithça ishte ndërtuar me djersën e një populli të tërë për rreth gjysëm shekulli me radhë.

A i hyjnë në vesh këta shembuj dhe plot të tjerë kësisoj nga bota dhe vendi ynë, shkrimtarit tonë të madh? Fatëkeqësisht përgjigja është negative dhe dëshpëruese. Për më keq, siç e cekëm edhe më lart, Kadareja, jo vetëm nuk i ndahet luftës për lavdi e kredite personale, por me një pasion të neveritshëm dhe pervers hedh gurë e baltë mbi historinë pesëdhjetë vjeçare të vendit dhe kohës që e lindi dhe e ngjiti në shkallën më të lartë të krijimtarisë artistike.

Dhe, ajo që nuk imagjinohej, kacavirret mbi figurën e Shqiptarit më të madh të të gjitha kohrave, duke u munduar ta gërvishtë. Po a mund të gërvishtet e përdhoset Mali i Veprave të pavdekshme të Enver Hoxhës?! Kurrsesi! Aq më pak mund ta bëjë këtë Kadareja, edhe sikur natyra apo perendia t’i dhuronte edhe një tetëdhjetë e pesë vjeçar tjetër me “rrëfime” të vjetra e të reja të tipit të Tufëzinjëve e Fevzinjëve që nuk i mungojnë botës së sotme.

May be an image of 1 person dhe sitting

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...