Home / Histori / Isuf Mullai-Manush Kelmendi i “Mërgatës së qyqeve”

Isuf Mullai-Manush Kelmendi i “Mërgatës së qyqeve”

 

Nr. 1. “I dërguari i Enverit te Zogu në Mërgim” Pjesa . 1

Nga Fatos Veliu

Isuf Mullai është një nga agjentët më të famshëm që ka pasur sigurimi i shtetit komunist. Me veprimet e tij tepër të zgjuara ka arritur që në mënyrën më spektakolare të bëhet njeriu më i besuar i Ahmmet Zogut. Për 10 vjet me radhë ai arriti të shtijë në dorë të gjithë dokumentacionin sekret të Partisë së Legalitetit, funksionar i lartë i të cilës u bë dhe vetë. Është pikërisht personazhi i Manush Kelmendit te romani i shumënjohur “Mërgata e Qyqeve”, i shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Saktësisht më 24 prill Isufi mbushi plot 8o vjeç. Sot ai pranon të flasë ekskluzivisht për gazetën “Ballkan”, në lidhje me shumë ngjarje të panjohura dhe të pabotuara deri më sot të cilat lidhen me jetën e tij të vështirë në emigrim kur kryente detyrën e ngarkuar. Si u përzgjodh nga Kadri Hazbiu të kryente misionin e veçantë për t’u dërguar si agjent në radhët e partisë së Ahmet Zogut. Çfarë pasojash pati kur filloi persekutimi i vërtetë. Përgatitja e kushteve për t’u arratisur dhe kursi special që zhvillonte gjatë netëve për t’u profesionuar si zbulues.
Jeta e tij 10 vjeçare në emigrim.Peripecitë dhe torturat që u detyrua të kalonte për tu bërë i besuar se ishte arratisur vërtet nga Shqipëria. Besimi që krijoi te Ahmet Zogu dhe detyrat e larta që mori në partinë e tij në mërgim.si rivendosi lidhjet me Tiranën dhe kodet me të cilët merrej vesh me Kadri Hazbiun.

Në çfarë periudhe ju ka dërguar sigurimi i shtetit jashtë kufijve?

Saktësisht kur ika, ka qenë data 6 Gusht i vitit 1955 dhe u ktheva në 8 Dhjetor 1964, pra afërsisht 10 vjet.

Si është ajo historia e fjalimit të Enver Hoxhës?

Nuk e harroj atë moment që isha kthyer nga Jugosllavia, ku kisha studiuar për dy vjet në shkollën e lartë të marinës ushtarake. Ishte viti 1945. Më caktuan si oficer në repartin e marinës së Durrësit. Në një prej atyre ditëve, si shkuam në Durrës, të gjithë ne oficerët e rinj të ardhur nga jashtë, madje kur akoma nuk kishim filluar as punën, na njoftojnë se Enver Hoxha do të bënte një takim jo vetëm me kuadrot kryesorë, por edhe me banorë të thjeshtë të qytetit. Shkuam dhe ne të gjithë. Ishim të entuziazmuar ashtu siç ishin të gjithë atëherë, aq më shumë neve që veç moshës së re kishim dhe një arsye më shumë, se e fillonim punën jo si punëtorë, por si oficera. Tubimi ishte më shumë se madhështor, gjë që na jepte më shumë kurajo dhe optimizëm për të ardhmen. Fjalimi i Enverit u mbështet kryesisht në slloganin e njohur për mbrojtjen e fitoreve të arritura. Këtë e theksoi aq shumë, saqë kuptova se kishte ardhur të jepte vetëm atë mesazh, në ndëshkimin e fajtorëve të popullit që atëhere ishin cilësuar “armiq”. Kuptohej, fjalën e kishte te njerëzit e shpallur kuislingë dhe tek ata që quheshin klasa të përmbysura, por që kishin bërë krime, pra kishin ikur që t’i shpëtonin ndëshkimit komunist. Aty për aty mbaj mend që ai, mes një revoltimi të papritur, ngriti zërin me sa fuqi kishte dhe tha: “Mos të kujtojnë armiqtë e popullit se kaluan kufirin dhe na e hodhën. Të gjithë ata që kanë larë duart dhe e kanë bërë hak, nuk do të mund të shpëtojnë dot. Një gjë ta kenë të qartë, se do të na kenë mbrapa për tërë jetën, kudo që të shkojnë në të katër anët e botës.” Gjithsesi unë me atë naivitetin tim të karakterizuar nga mosha dhe duke mos i ditur mirë punët e shtetit, ndërsa isha duke ikur për në dhomën ku rrija, po mendoja për thëniet e mësipërme të Enverit. I analizoja me vete. “Do të na kenë mbrapa”, e si do të na kenë? Ata çanë ferrën dhe kaluan kufirin e s’dihet nga e kanë lënë vrapin, e aq më shumë se ku hanë e pinë. Si mund t’i gjenim neve!? Kështu që nuk më mbushej mendja për asgjë. Mendoja se ishte thjesht një paradoks apo një truk propagandistik i tij. Por më vonë, jo shumë larg në kohë nga ai moment, kur mua ashtu si dhe shumë shokë të tjerë, na thirrën për të na dhënë detyrën e veçantë që t’i shërbenim sigurimit të shtetit, duke shkuar jashtë tij, u kujtova për fjalimin që ishte mbajtur.

A e pranuat detyrën?

Si të mos e pranonim? Madje ishim shumë të bindur dhe të ndërgjegjshëm. Ju e analizoni me kohën dhe mentalitetin e tanishëm, ku duket si fyerje që të kesh shërbyer në sigurimin e shtetit, kjo për faktin se ai ka marrë tashmë mbi kurriz dhe rrisqe që nuk i takojnë. Po ta analizosh me kohën që ishte atëherë, kjo konsiderohej një nder dhe vlerësim që të bëhej, pasi ishte mënyra më e mirë për t’i shërbyer popullit tënd .

Si t’u komunikua detyra.

Më thirri vetë Koloneli i sigurimit Kadri Hazbiu. Më foli shkurt dhe pa demagogji të tepërt. “Partia dhe populli të beson një nga detyrat e veta më të vështira. Në emigrim së bashku me shumë njerëz të ndershëm që kanë ikur nga frika e ndonjë përsekutimi të mundshëm nga pushteti komunist, kanë ikur edhe shumë njerëz që kanë bashkëpunuar hapur me pushtuesin, madje dhe kanë vrarë njerëz. Ata nuk kanë pushuar së vepruari. Kërkojnë të marrin sërish pushtetin me çdo mënyrë dhe formë, cilado të jetë kostoja e kësaj. Këtë do ta bëjnë ashtu siç e kanë bërë me grupe diversioniste, ku viktimat e tyre janë shumë njerëz të pafajshëm, si fshatarë, kooperativistë, punëtorë etj. Ti ke për detyrë që këta t’i neutralizosh dhe t’i bësh të padëmshëm, ashtu siç ke edhe detyrën tjetër që të pafajshmit t’i bindësh se nuk do t’u ndodhë gjë, por të kërkojnë riatdhesim dhe të vijnë pranë familjeve.

Kur u vutë në dijeni se ishit i zgjedhuri i Sigurimit?

U kuptua thjesht fare. Siç thashë në fillim, në vitin 1948 ishim kthyer nga shkolla ushtarake e marinës në Jugoslllavi. Në momentin që kishim filluar punën, na vjen vetë Kadri Hazbiu për të na graduar. Kështu ishte rregulli për oficerët që fillonin punë, gradat i akordoheshin më pas dhe vendoseshin me ceremoni. Ndërsa lexoheshin emrat dhe gradat, vura re se emri im nuk u zu në gojë fare. Kjo do të thoshte se ishte ndonjë ndëshkim. Pra, të mbeteshe pa graduar nuk ishte gjë e lehtë. Ajo konsiderohej goditje politike. Për këtë do të fillonte natyrshëm distancimi që do të bënin dhe shokët e tu, për faktin se partia diçka i kishte zbuluar. Takoj menjëherë Kadri Hazbiun dhe i them: “Shoku Kadri nuk e di pse nuk më keni graduar edhe mua! Unë njëlloj si shokët kam mbaruar dhe rezultatet i kam nxjerrë shumë të mira. Nuk e di çfarë keni pasur parasysh, por unë nuk kam bërë ndonjë gabim.” Ndërsa flisja, frymëmarrja më shpeshtohej nga shqetësimi i tepërt, pasi nuk dija përgjigjen.
Kadri Hazbiu ishte shumë i qetë. Jo vetëm kaq, por kuptova saktësisht se ai e priste ndërhyrjen time, kështu që ishte i përgatitur dhe për përgjigjen. “Dëgjo këtu Isuf Mullai. Partia ka parasysh shumë gjëra, kështu që dhe ty të njeh mirë, dhe nuk është fjala se është e pakënaqur nga ty apo nga familja jote, por për ty jemi përgatitur të bëjmë punë të mëdha. Hajde, mos e vra mendjen se i kemi menduar të gjitha, mos u bëj merak.” Ai më shkarkoi nga tensioni i parë që kisha dhe më la të kuptoja se do të më ngarkonin në një detyrë me shumë rëndësi.

Nga të njihte Kadri Hazbiu?

Që ta dish ti, unë që në kohë të luftës isha marrë me shërbimin e fshehtë. Në vitit 1942, kur isha shkuar në luftë, më dërgonin nga shtabi partizan të merrja informata për armikun apo për spiunë të ndryshëm, madje dhe jam plagosur me dy plumba, një në këmbë dhe një në fytyrë. Kështu që Kadri Hazbiu e kishte lexuar dosjen time dhe kishte mësuar për aftësitë fizike dhe intelektuale.

Si ndodhi që u plagosët?

Ishte viti 1944. Ka qenë operacioni i Qershorit. Unë me një shok u ngarkova që të shkoja deri në kufi me Greqinë dhe po të ishte nevoja të dilja edhe matanë tij, siç kisha bërë dhjetëra herë të tjera që kisha shkuar deri në Janinë. Detyra ishte të merrja informata dhe të vrojtoja sasinë e ushtrisë naziste që kishte marrë drejtimin për të hyrë në Shqipëri. Kjo bëhej me qëllim që forcat partizane të merrnin masa për t’i pritur me armë. Pikërisht në afërsi të fshatit Selcë të Gjirokastrës (afër Jorgucatit) u ndesha me një formacion gjermanësh dhe shkëmbyem zjarr. Aty u plagosa me dy plumba. Ja, plumbi i parë ka hyrë këtu nën mjekër dhe ka dalë te hunda, ndërsa tjetri ka hyrë këtu në këmbë.

Si Vijoi historia jote e mëtejshme?

Sipas rregullave fikse dhe profesionalizmit të sigurimit të shtetit u vendos që unë të persekutohesha. Për këtë nuk do të më bënin asnjë përjashtim nga ata që ishin quajtur armiq të popullit. Arsyeja ishte që kur të shkoja jashtë shtetit me shërbim, ku do të paraqitesha si i arratisur dhe i pakënaqur nga pushteti komunist, të besohesha pasi dhe ata kishin informatorë të këtushëm që do të verifikonin ashtu siç verifikuan gjithçka. Pra unë, me një fjalë, duhej të persekutohesha në atë mënyrë që të bëhesha i pakënaqur vërtet. Një faktor tjetër për besueshmërinë time që mund të isha kundër pushtetit të ri, ishte se unë kam pasur babain, Tefik Mullain, oficer në kohën e Zogut, madje me gradën “Major”.

Çfarë persekutimi pësove konkretisht?

Që në fillim, siç thashë, nuk m’u dha grada. Ky ishte persekutimi i parë, dhe menjëherë u hap fjala se Partia nuk kishte besim tek unë, çka do të thoshte se isha njeri i dyshimtë. Pas kësaj vetvetiu u krijua distancimi i padurueshëm nga të gjithë, madje dhe nga shokët e ngushtë. Ishe i detyruar të përjetoje poshtërimin dhe mungesën e besimit që shfaqej hapur në çdo ambient. Pas tre-katër muajsh erdhi goditja e dytë. U përjashhtova nga Partia. Në atë kohë do të thoshte pushkatim politik. Përjashtimi nga Partia u dha shkas të gjithëve të më përçmonin më hapur madje të më fyenin dhe pa takt fare. Kjo do të vazhdonte jo pak por dy vjet. Pas saj erdhi ajo që për mua pritej dhe që nga të tjerët do të konsiderohej goditja vendimtare. U përjashtova nga ushtria fare dhe u dha ultimatumi: Të bëjë si të dojë dhe të jetojë ku të dojë. Partia dhe populli nuk kanë besim tek ai. Atëherë, mbaj mend, ishte prilli i vitit 1951. S’kishe çfarë bëje duhej krijuar imazhi se isha njeri i keq për shtetin dhe Partinë. Dhe më mbrapa të besohej se kisha arsye që isha bërë i pakënaqur.

Ç’ndodhi më pas?

Shkova në fshatin tim në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës. Aty kishte mesele të tjera. Shumë fshatarë kur panë që unë isha futur në rreth nga Partia si një njeri i dyshimtë, nuk më takonin fare, por më largoheshin si të kisha zgjebe. Por kishte dhe nga ata që nuk donin t’ia dinin dhe më takonin si në fillim. Gjithsesi familja ime dhe unë po e krijonim imazhin e familjes që përndiqej dhe po bëheshim të pakënaqur. Aty jetoja vetëm duke dëgjuar njërin apo tjetrin, që të takonte fshehur apo të fyente në sy të të tjerëve, duke të quajtur harrëmsëz, i poshtër, apo dhe maskara që ia kisha pasur me hile Partisë dhe popullit, gjë që nuk ishte e lehtë për mua.

Si i mbaje lidhjet me Sigurimin nga fshati?

Në fshat më vinin njerëzit e sigurimit dhe më sillnin rrogën.Vinte një oficer i Ministrisë së Brendshme dhe më takonte jo më shumë se një orë. Duhet të kesh parasysh se njerëzit që shkonin në fshat të përzënë nga Partia, mbaheshin në mbikëqyrje nga njerëz të shtetit që s’kishin idenë se çfarë loje po bëja unë. Kështu që ata më mbanin nën trysninë e vëzhgimit. Në këtë rast dhe njeriu i sigurimit që vinte nuk kishte të drejtë të takonte asnjë, por në mënyrën më të fshehtë të shkëmbente informacionet me mua dhe si më dorëzonte rrogën, më jepte udhëzimet e radhës.

Pse u larguat më pas nga fshati juaj?

Në fshat, me gjithë durimin dhe gjakftohtësinë që tregoja për të përballuar të gjitha situatat ashtu siç kisha udhëzimet, u rrezikova që të dekonspirohesha për misionin që po gatisja të kryeja. Kështu që në një situatë të tillë u detyrova të kërkoja që të largohesha dhe ashtu u bë. Kjo bëhej me kërkesë, se çdo lëvizje e imja do të bëhej me udhëzim nga lart, që miratohej direkt nga Kadri Hazbiu. Kështu që u pa e drejtë kërkesa ime e bërë më lart dhe vonoi për t’u miratuar.
Ishte janari i vitit 1952, kur u njoftova se isha caktuar të punoja në shërbimin sinoptik të Gjirokastrës me detyrën “vrojtues i motit”. Aty do të bëja pikërisht hapin e fundit, para se të merrja urdhrin për t’u arratisur, kursin e shërbimit të fshehtë.

Si e zhvilluat kursin e sigurimit të fshehtë?

Askush nuk mund ta merrte me mend se pikërisht në atë zyrë të ndodhur poshtë lagjes së 18 shtatorit në Gjirokastër, unë që njihesha sikur matja milimetrat e shiut dhe drejtimin e erës, gjatë gjithë natës bëja kurs të shërbimmit të fshehtë shtetëror. Për këtë, si mbaronte aktiviteti i zhurmshëm i ditës, në darkë vinin direkt nga Tirana me një xhip sovjetik dy kolonelë të Ministrisë së Brendshme, njërin prej të cilëve e mbaj mend që quhej Asaf Kondi. Për orë të tëra të natës dhe pothuajse çdo natë, mësoja shumë rregulla dhe sekrete të shërbimit të fshehtë. Mësoja si ishte bota jashtë, që të mos isha i paditur se si funksiononte kapitalizmi. Mësoja konkretisht për jetën e atjeshme, rregullat, ligjet, qytetet, rrugët, istitucionet, pikat turistike dhe shumë gjëra të veçanta. Ndërsa në lidhje me shërbimin që do të kryeja, po më mësonin që nga momenti që do të arratisesha, rruga që do të kaloja dhe ku do të arrija. Punoja me harta dhe me orientime praktike. Mund t’ju them se sigurimi i shtetit atëherë ka pasur një informacion të jashtëzakonshëm për çdo veprim të zyrtarëve të përtej kufirit. Kështu më mësonin deri dhe se si do të vepronin ata me mua. Kush do të më takonte, çfarë pyetjesh do të më bënte, çfarë torturash do të isha i detyruar të përballoja, si dhe kush do të m’i bënte dhe sa kohë do të zgjaste. Kush do të më merrte në pyetje në zyrë, si dhe çfarë pyetjesh do të më bëheshin. Çfarë tipi ishte ky apo ai. Unë duhej që dhe në ëndërr t’i thoja të njëjtat përgjigje për çdo pyetje që më bëhej nga njerëzit e sigurimit që imitonin zyrtarët grekë. Në kurs më mësonin se si do të më provokonin jo një herë e dy, por me dhjetëra e dhjetëra herë, madje dhe me vite që të konstatonin qoftë dhe njëherë që unë të shmangesha nga ç’kisha deklaruar më parë për këtë apo atë përgjigje dhe të dilej në konkluzion se unë isha dërguar nga sigurimi shqiptar.

Isuf Mullai sot mbush plot 80 vjeç. Ai është konkretisht personazhi real i Manush Kelmendit te romani, tashmë i shumënjohur, “Mërgata e Qyqeve”, i shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Ka qenë një nga agjentët më të sprovuar të sigurimit të shtetit, i cili ka shërbyer në emigrim. Për 10 vjet në Bruksel arriti të bëhej një nga njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut dhe familjes së tij. Me aftësit e tij prej zbuluesi, arriti jo vetëm të futet fuqishëm në radhët e Partisë së Legalitetit, por të marrë edhe poste të rëndësishme në të. Sot ai rrëfen për ato momente, kur ka kryer misionin e tij të vështirë. Nga numri i parë lexuat: Si u thirr ai nga Kadri Hazbiu për t’u ngarkuar me detyrën speciale. Çfarë persekutimesh përjetoi familja për t’u bërë e besueshme alibia e arratisjes. Situata e tij dhe e familjes në periudhën para se të nisej me shërbim jashtë shtetit. Kursi special që zhvilloi në interes të detyrës dhe si i erdhi urdhri i Kadri Hazbiut për t’u arratisur. Pse shkoi në fshat dhe çfarë i tha familjes kur u largua. Takimi misterioz i tij në Gjirokastër me oficerët e Ministrisë së Brendshme. Çfarë i ndodhi kur kaloi kufirin. Si kaloi në mesnatë në tokën greke. Momentet e rënies në duart e ushtarëve të zbulimit grek. Torturat që u detyrua të provonte, deri te humbja e dëgjimit nga elektroshoku. Gjarpërinjtë e lëshuar në qeli dhe si ndenji i mbështjellë nga ata për dy ditë. Ndërsa sot ai tregon për situatën që kaloi në kampin e emigrantëve në Athinë. Jeta e tij mes zbuluesve të disa vendeve. Si kaloi dhe provën e fundit në kamp për të marrë viston e udhëtimit të tij në Belgjikë. Hyrja në partinë e mbretit dhe funksionet që mori në të. Si i vendosi lidhjet me sigurimin shqiptar. Kodet dhe mënyrat e ndërlidhjes me Tiranën. Si e ftoi Ahmet Zogu në shtëpi. Këto dhe shumë detaje të tjera do t’i lexoni në intervistën e mëposhtme, të vetë Isuf Mullait dhënë ekskluzivisht për gazetën “Ballkan”.

Kur e mbarove kursin e zbulimit?

Kursi për instruktimin tim vazhdoi jo pak por plot dy vjet. Pra, siç theksova dhe në fillim të kësaj bisede, dy kolonelët e Ministrisë së Brendshme vinin rregullisht nga Tirana me një xhip sovjetik dhe gjatë natës unë vazhdoja të instruktohesha, ndërsa gjatë ditës prezantohesha si punonjës i shërbimit sinoptik. Kjo vazhdoi deri në korrik të vitit 1955, kur unë kisha parasysh gjithçka. Dija se nga do të kaloja, ku do të shkoja, kush do më kapte etj. Çfarë do të më thonin dhe çfarë do t’u thosha. Kush do më fliste dhe për çfarë, pa bërë më fjalë për kodet dhe shifrat e ndërlidhjes e të përballimit të situatave të vështira. S’po e zgjas, kursi me një fjalë u quajt i përfunduar. Tashmë kishte ardhur momenti për të ikur. Nga ai çast do të fillohej të luhej ajo që ishte më e madhja dhe më e rrezikshmja, loja e vërtetë. Arsye kisha ta justifikoja se me ato që më kishin bërë pushtetarët e rinj komunistë, nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër përveç arratisjes. Prisja vetëm urdhrin për këtë gjë.

Kur të ikje, a do të të shoqëronte njeri?

Deri në kufi po. Do të caktonin njerëz nga Tirana sa të më kalonin te telat e kufirit, pastaj do të më thoshin mirupafshim, shpëtofsh gjallë dhe u bëfsh i vlefshëm. Në momentin e parë që do të kesh mundësi, krijo ndërlidhje menjëherë. Por nga çasti i kalimit të kufirit si dezertor i shtetit, derisa të të jepej mundësia të hyje në lidhje, mund të kalonin jo muaj, por vite. Kjo punë nuk kishte garanci, qe tafti-bafti derisa të krijoje besim që ishe i arratisur vërtet dhe kjo nuk ishte ndonjë lojë e sigurimit që ata ia kishin shumë frikën.

Çfar përjetove kur të erdhi urdhëri i Kadri Hazbiut për arratisje?

Në fund të gushtit më erdhi dhe urdhri i shumëpritur, do të nisesha natën e 6 gushtit. Sa mora njoftimin për t’u nisur në mision, sikur u përmenda nga një gjumë i papritur. Kisha disa vjet që po punoja për atë ditë, ku kisha kryer një specializim të veçantë si zbulues, madje as gruaja nuk dinte gjë. Jo vetëm kaq, por ajo nuk dinte as pse u përjashtova katër vjet më parë nga partia dhe nga ushtria. Askush nga njerëzit, si bashkëfshatarët tanë apo ata që na njihnin dhe që na luftonin si të deklasuar, as nuk mund ta merrnin me mend që gjithçka ishte një lojë. Por ja që erdhi momenti dhe do të më duhej të lija vetëm, në mes të katër rrugëve, gruan time 26-vjeçare, Reson, që atëherë ishte dhe shtatzënë, dhe dy fëmijët e vegjël, vajzën, Nëzaqetin, që ishte veç 4 vjeçe dhe djalin 3-vjeçar, Kujtimin. Shkova në shtëpi dhe s’ngopesha së pari gruan dhe fëmijët. Ata vinin më përqafonin dhe më puthnin duke më thënë herë pas here, “Babi”. Thosha me vete: “e ç’thoni babi, babi. Po ta dini ju që babin nuk do ta kini më pas një jave, nuk e di çfarë do të më thonit.” Nuk dihej nëse do të shpëtoja i gjallë apo jo, në do të kthehesha apo do t’i lija fëmijët jetimë. Në një moment m’u mbushën sytë me lotë dhe ika në dhomën tjetër për të qarë. Ç’faj kishin fëmijët dhe gruaja ime e mrekullueshme, që është treguar e fortë dhe ka vuajtur shumë për shkakun tim. Kur mendoja që atyre do t’u duhej të përballonin persekutimin politik, ashtu si gjithë të tjerët pa as më të voglin përjashtim, më mblidhej një lëmsh në fyt dhe nuk më shqitej. Gjithsesi erdhi një moment dhe unë e mblodha veten, duke menduar që populli dhe atdheu im kishin nevojë për mua.

Ku e çove familjen ?

Ç’të zgjatem kot, sipas udhëzimeve do të më duhej të çoja gruan dhe dy fëmijët e vegjël në fshat, që t’i lija aty para se të ikja. Sepse në fshatin tim, në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, kisha babain, Tefik Mullai, gjyshen, dy motrat, Zerhaja dhe Ezmaja, si dhe tre vëllezërit, Avniu, Demiri dhe Telini të cilët varionin nga mosha 20 vjeç deri në 10 vjeç. Nënën s’e kisha. Kështu bëra më 3 gusht (1955) me gruan dhe dy fëmijët, arrita në shtëpinë e plakut. Do t’i takoja, të çmallesha mirë për tre ditë dhe pastaj do të ikja. Gjyshja sikur parandjente diçka, se nuk po çmallej dot. Ndenja në fshat deri në datën 6 gusht. Pastaj u çova të ikja që në mëngjes. Mbasdite do të takohesha me të dërguarit e Ministrisë së Brendshme, të cilët do të bënin përcjelljen time. Në shtëpi u thashë të gjithëve se do të shkoja në Gjirokastër, pasi më duhej të dilja njëherë nga puna. Nesër do të takoheshim në festë me të gjithë.

Për çfarë festë bëhet fjalë?

Në datën 7 gusht të çdo viti, në zonën e Kardhiqit në Gjirokastër, bëhej festimi i krijimit të batalionit partizan “Asim Zeneli”. Ajo u kthye si një festë e madhe popullore dhe për të u krijua një traditë e shkëlqyer. Kështu, i binte që të nesërmen e asaj dite e gjithë krahina të shkonte në festë, dhe unë lashë takimin me gruan, babain, motrat dhe vëllezërit. Gjyshja, kur u ndamë, nuk e di nëse e shpjegova dhe më lart, kishte një parandjenjë të çuditshme që nuk do të takoheshim më bashkë dhe qau, siç ndodhi në të vërtetë që nuk u takuam. Ajo më përcolli deri jashtë, ndërsa thoshte me lutje: “Të keqen nëna o bir, pas festës hajde prapë në shtëpi se nuk jam çmallur fare. Nuk e di ç’kam kështu”, dhe ia dha të qarit duke më përqafuar. Unë s’dija ku ta kisha mendjen para. Mendoja që po i lija të gjithë; gjyshen, babain, gruan dhe fëmijët. Ishin shumë momente të dhimshme për mua. Të nesërmen, kur ata do të më prisnin në vendin ku bëhej festa që të kthehesha nga Gjirokastra, unë do të isha matanë kufirit.

A e takuat më gjyshen?

Jo. Ai ishte takimi im i fundit. Ajo nga meraku për mua dhe nga malli i madh nuk arriti të jetonte gjatë. Vdiq vetëm katër muaj para se të kthehesha nga misioni. Madje dhe kur jepte shpirt, siç më thanë, mbante fotografinë time te koka e krevatit dhe herë pas here thërriste “Bir”.

Ku u takuat me personat që do të të përcillnin në kufi?
Që në orën 06.00 të mëngjesit të datës 6 u nisa për në Gjirokastër. Siç thashë më lart, nuk përshkruhet dhimja që ndjeja për familjen. Shkova në Gjirokastër dhe si u përgatita, vajta në bazën e urdhëruar. Ajo ishte një shtëpi sekrete në lagjen “Palorto”. Aty pas disa orësh erdhën dhe ata që duhej të më përcillnin dhe të më udhëzonin për të fundit herë. Njëri ishte Koloneli Asaf Kondi, që më kishte bërë dhe kursin e zbulimit. Kishte ardhur gjithashtu shefi i zbulimit të kufirit të republikës, që ishte me gradën Kolonel. Mbaj mend që emrin e kishte LLazi dhe se ishte nga Korça. Ndërkohë kishin marrë dhe një person nga Dropulli, i cili quhej Vasil Nasto, që njihte mirë rrugën e kalimit të kufirit.

I njihje më parë personat që kishin ardhur për të të përcjellë?

Vetëm Kolonel Asaf Kondin që më kishte bërë kursin. Të tjerët i njoha aty.

Çfarë bëtë pasi u takuat?

Vazhduam me porositë e fundit dhe prisnim orën që të niseshim për në kufi. U përsërit skenari i njohur se për çfarë do të deponoja, pasi të kapesha në tokën greke. Unë do të thosha se isha nisur mbasditen e datës 6 gusht nga Delvina, me një makinë transporti për në Gjirokastër. Qëllimin e kisha pasur që të arratisesha patjetër, se nuk mund të duroja dot më persekutimin që po më behej nga shteti. Për të mos u kuptuar se çfarë qëllimi kisha aty, në një fshat të Dropullit i thashë shoferit të ndalonte, pasi isha kujtuar në moment për një punë aty. Pastaj kisha pritur natën dhe kisha marrë guximin për t’iu afruar kufirit dhe ashtu kuturu kisha mundur që ta kaloja. Që të bëhej e besueshme kjo alibi, shokët e ministrisë më dhanë dhe një biletë të prerë në Delvinë, të cilën, sipas udhëzimeve, e futa në xhepin e vogël të pantallonave. Fjala ishte që bileta të zbulohej pa dashur nga ata që do të më kontrollonin, pasi unë nuk dija fare se e paskësha futur në xhep. Kjo alibi do të bëhej moto për mua. Që nuk duhej ta harroja as në gjumë, sikur të shmangesha nga dëshmia e parë, do të thoshte vdekje për mua, pasi zbulohej loja.

Pritëm mesnatën. Ishte aty nga ora 24.00, kur te porta e shtëpisë që rrinim u afrua një makinë tip xhip sovjetik. Pas kësaj hipëm në xhip një nga një, i cili në pak çaste mori rrugën e Dropullit. Aty ku do të bëhej kalimi im, ishte përcaktuar që më parë. Për këtë oficeri i zbulimit të ministrisë kishte shkuar disa herë për inspektim ditën dhe kishin përcaktuar tamam pikën ku do të nënkaloja telat. Ushtarët e kufirit në atë orë kishin marrë një situatë tjetër, për t’u tërhequr nga zona e operacionit. Kështu që ne rrugën e kishim të lirë. Me vete, veç biletës që e kisha futur në xhepin e vogël, kisha marrë dhe fotografitë e kalamajve dhe letërnjoftimin tim. Të gjitha këto i kisha marrë sipas udhëzimeve të dhëna.

Po për pasaportën nuk patët frikë se mund ta përdornin në Greqi njerëzit e kundërzbulimit?

Është e vërtetë se mund të ndodhte diçka e tillë. Por atëherë kishte një specifikë të veçantë me pasaportat, se pikërisht pas dhjetë ditësh nga momenti që unë do kaloja kufirin në shqipëri, do të dilnin nga qarkullimi pasaportat ekzistuese. Kështu që nuk mund ta përdorte më kush për të ardhur nga Greqia.

Ku e kaluat kufirin?

Isha pra në makinën e ministrisë me gjithë miqtë që më përcillnin. Aty nga ora 01.00 u ndalëm në postën e Radarit, e cila ndodhet në afërsi të fshatit të Kakavijës, rreth tre km larg kufirit. Pastaj të gjithë të heshtur morëm rrugën e vendit ku do të kaloja. Para printe Vasil Nashua (shoku nga Dropulli), që e dinte si në pëllëmbë të dorës çdo skutë dhe rrëzë. Pas tij vinte Koloneli i zbulimit, pastaj unë me Asaf Kondin. Aty rreth orës 02.35 minuta u gjendëm te shtegu, ku do të kaloja nën tela. U takova me të gjithë me një mall të madh, sikur të kishim vite që njiheshim dhe jo sikur të kisha vetëm pak orë (me disa). Mbaj mend që Vasili mori një shkop që e kishte lënë gati që një ditë më parë dhe e futi poshtë telave dhe i çoi lart. Në ato çaste unë kalova matanë. U ktheva dhe një herë nga shokët e këtej kufirit dhe ua bëra me dorë në formë përshëndetëse, dhe u nisa me vrap në rrugën e udhëzuar. Mbaj mend që ashtu si në pëshpërimë shokët më thanë: “Të vaftë mbarë”.

Në çfarë rruge kaluat pas kësaj?

U futa në një pyll dhe ecja kuturu. Ishte mesnatë dhe nuk dija ku do të arrija deri në mëngjes. Vetëm ecja dhe ecja. Gërvishesha dhe shqyhesha nga ferrat dhe drurët, se që thua ti, aty ishte dhe një pyll i dendur.

A kishit frikë?

Sigurisht. Ishte errësirë e plotë dhe kisha frikë se mos qëllohesha nga ushtarët grekë pa paralajmërim. Dëgjonin të kërciturat e shkarpave që në ato orë të tringëllinin disi me zhurmë dhe më ngatërronin me ndonjë derr apo ku e di unë.

Deri ku do të vazhdonit të iknit kështu?

Deri ku të më zinin rob ushtarët grekë. Ky qe qëllimi im, të dorëzohesha si i arratisur. Por ç’e do se nuk po më kapte njeri. Vazhdova ashtu duke ecur derisa më zuri mëngjesi. Pra aty nga ora 05.00, kur zbardhi, unë u afrova te lumi që të ikja anash tij. Dija se ku ndodhej posta dhe se sa larg ishte, se ma kishin përsërituar aq herë, saqë më dukej se kisha qenë me dhjetëra herë. Por qëllimi im ishte të paraqitesha si i paditur, prandaj ecja dhe anash lumit, që t’u shpjegoja se nuk dija nga të shkoja, por ecja rrjedhës së lumit, pasi e dija se të paktën ai vinte nga Greqia. Pasi bëra goxha rrugë, diku në një arë pashë disa fshatarë grekë që po punonin arën që në mëngjes. Aty e dija se isha shumë afër postës ushtarake, e ndodhur në një lartësi mbi neve. Fshatarët sa më panë, u sulën me vrap për të marrë armët e lëna në një cep të arës dhe më rrethuan. Dinin shqip. Njëri më tha: Ku shkon? Në Greqi – i them. E di rrugën? Jo – u përgjigja. Po pse erdhe? Nuk duroja dot më në Shqipëri. Nga kalove? Nuk e di, ja andej, ku di unë. Po ku do të shkosh? Ku di unë, ku ka këtu ndonjë vend të dorëzohem. Hajde me neve thanë, se këtu është posta ushtarake. Kështu, si më vunë në mes fshatarët e armatosur, të cilët hiqeshin si triumfatorë se kishin kapur një shkelës kufiri, u nisëm për te posta. Tani do të më fillonin peripecitë.

Intervista 3.

Ish-agjenti i sigurimit Isuf Mullai tregon historinë e vet kur u urdhërua për shërbim në emigrim. Si arriti në repartin e Greqisë dhe dy muajt e tij në qelit e torturave greke.

1. Isuf Mullai : Si durova torturat greke për urdhërat e Kadri Hazbiut.
2. “Dy netë në qeli rrija i mbështjell nga gjarpërinj të rrezikshëm”

Çfarë ndodhi kur të kapën fshatarët grekë?

Ata, siç thashë, më rrethuan dhe më thanë që të shkoja me ta. Unë hiqesha sikur nuk dija se ku dhe pse do shkoja. Ata mbanin armët drejt si triumfatorë që kishin kapur një diversant apo shkelës kufiri, si i thonin ata.

Po ti në të vërtetë e dije se ku po shkoje?

Si s’e dija. Unë ju thashë në intervistat e mëparshme, se për tre vjet kisha mësuar dhe shejtanin. Kështu u thashë fshatarëve, që të më dorëzonin ku të donin, se unë atë gjë kërkoja, të paraqitesha në organet e shtetit të tyre. Por unë e dija se ku ndodhej posta dhe sa kohë donte të shkoje deri aty. Dhe vërtet nuk kaloi as 20 minuta, kur na doli godina e postës kufitare para. U afruam te porta dhe pashë që ishte një indiferencë që ç’të të them. Çdo gjë mund t’i thoje, por repart gadishmërie kurrsesi. Ushtarët ishin si të përgjumur. Oficerët s’ishin ngritur akoma nga gjumi. Në oborr ishin nderë rrobat e ushtarëve që të thaheshin. Vetëm godina dhe ambienti bënin përjashtim, që ishin më shumë se një mrekulli.

Sa ishte ora në ato momente?

Duhet të ketë qenë ora shtatë e mëngjesit. Data që të saktësoheni ishte 7 gusht 1955. Një ditë më parë në atë orë unë isha ndarë me familjen. Tani pas 24 orësh ata më prisnin sipas fjalës që kishim lënë, që të shkoja sërish nga Gjirokastra për në festë, e cila bëhej afër fshatit.

Ç’të ndodhi në postë?

Hymë brenda në oborrin e repartit që, me sa mbaj mend, ishte një oborr i bukur me lule në çdo kënd dhe me stola të lezetshëm të vendosur me estetikë mes buqetave të luleve. Ushtarët, ashtu siç ishin të zbërthyer, njoftuan dikë brenda godinës, që kuptohej se flisnin me shefin e tyre.

Ç’mendonit në ato momente. A u frikësuat për ndonjë veprim ekstrem të ushtarakëve të huaj?

Dëgjo. Po të karakterizohesha nga frika, nuk do ta ndërrmerja fare atë veprim. E kisha mbledhur mendjen dhe e kisha bërë top. I kisha marrë parasysh të gjitha. Unë e dija që në çdo hap do të jetoja me vdekjen mbi kokë, e cila në çdo çast do të më kërkonte të më përpinte. Por njeriu një herë ka lindur dhe një herë do të vdesë. Unë ta kam përsëritur disa herë që i kisha shumë të qarta se ç’do më ndodhte brenda atyre reparteve. Dija se çfarë do më thonin dhe sa do të më mbanin. Ç’pytje do të më bënin, kush do të m’i bënte etj. Sigurimi shqiptar atëhere kishte informacione të sakta dhe të bënte një përgatitje fizike, psikologjike dhe profesionale në njohjen e të gjithë problematikës së të papriturës që mund të të dilte përpara, saqë unë kur vajta më dukej se kisha shkuar jo për herë të parë, por sikur isha vendas. Jo vetëm kaq, por gjatë gjithë veprimtarisë sime jashtë, nga ç’më kishin instruktuar njerëzit e sigurimit të Tiranës, nuk më doli asnjë gjë ndryshe. Të gjitha më dolën siç më kishin thënë ata.

E lamë subjektin kur ushtarët njoftuan shefin e tyre.

Nga godina doli menjëherë një oficer grek i shëndoshë dhe me mustaqe. Ai ishte i tronditur për ngjarjen që u informua, se, me sa kuptova, shqetësohej për faktin se do t’i hiqej ndonjë vërejtje, pasi unë kisha bërë mbi tri orë që prej kufirit deri në postë, pa mundur të më kapte njeri. Kjo do të thoshte për shefat e tyre që po të donte një keqbërës, mund të shkonte deri në postë dhe të kishte bërë masakër. Gjithsesi unë ndenja shumë i qetë, pa e vrarë mendjen fare. Ai më urdhëroi të futesha në një dhomë, ndërkohë që hyri dhe vetë me një ushtar që më rrinte gjithmon pranë. U ul në tavolinën që ishte parballë dhe pa më dhënë mundësi që të ulesha, filloi të më pyeste. Unë e kisha në mendje skemën legjendë të përgjigjeve të miratuar nga sigurimi, të cilën do ta thosha jo vetëm në atë moment, por gjithmonë në raste të tilla pyetjesh. Kështu Oficeri vazhdoi me të tijat duke mbajtur ndërkohë një proces-verbal. Si quhesh ti? Nga vjen? Pse erdhe? Nga kalove? Ku do të shkosh? Çfarë ke në xhep? Kush të ka dërguar? etj. Ndërkohë, ndërsa fillova të flisja, dëgjova zhurmat e tringëllimave të telefonave me dorezë që po u binin nga dhoma ngjitur. E kisha të qartë se po merrnin komandën e tyre eprore në Janinë për t’i raportuar për ngjarjen.

Si komunikonit, kur ti nuk e dije greqishten?

Ishte njëri nga fshatarët që e dinte shqipen shumë mirë. Siç duket ngaqë ishin fshatra kufitare me ne. Gjithsesi në përgjigjet e mia shabllone dhe të pandryshueshme që i thoja dhe në mes të natës, po të më çoje nga gjumi, ishin: “Nuk e di nga kalova. Isha në Delvinë. Në mbasditen e djeshme hipa në një makinë dhe u nisa për në Gjirokastër. Aty afër fshatit Selcë të Dropullit bëra sikur m’u kujtua një porosi e momentit dhe i thashë shoferit që të mbante makinën se unë do të zbrisja, pasi do të shkoja pak më mbrapa në Gjirokastër. Kështu bëra. Ndenja aty deri në mbrëmje dhe u nisa ashtu kot drejt kufirit me mendimin të bëhej ç’të bëhej. Në një rrëzë përroi si rrëpirë, ishte një boshllëk poshtë telave të kufirit dhe unë kalova, për çudi pa më diktuar njeri. Deri këtu erdha kot më kot duke ecur nëpër pyll. Shyqyr që më doli para lumi dhe eca anës tij, se këtë gjë e dija që kur isha në Shqipëri, që lumi që kalon në Gjirokastër rrjedh nga Greqia. Kështu që eca anës tij dhe e dija që diku këtu do të dilja. Unë doja vetë të dorëzohesha, kudo që të ishte e mundur. Po të kisha frikë, unë do t’u isha fshehur dhe fshatarëve që më sollën këtu, apo kujtuat se më kapën vetë? Jo vetëm kaq, por sa i pashë, thashë me vete shyqyr që i gjeta, e jo të fshihesha.” “Çfarë ke me vete” – tha më në fund oficeri. I nxora nga xhepi pasaportën time dhe fotografitë e fëmijëve dhe ia dhashë, ndërkohë kontrollova dhe një herë (lojë) se mos kisha ndonjë gjë tjetër.

Po biletën e makinës që të dha sigurimi nuk e dorëzove?

Jo, atë sipas porosisë e kisha vendosur në xhepin e vogël të pantallonave (ku mbahen lekët), që ta gjenin vetë kur të më kontrollonin imtësisht. Atë, kur ta gjenin si rastësisht, unë do të kujtohesha se e paskësha vënë në xhep, kur e dija të humbur. Vetëm kështu do ta bënte bindëse alibinë e përgatitur me kujdes, që kisha ardhur vërtet nga Delvina. Ai që më bëri pyetjet më vuri përpara proces-verbalin që sapo e kishte përpiluar dhe e firmosa. Arrita t’i bindja disi se isha një njeri i zakonshëm dhe askush tjetër, aq më shumë kur më panë dhe më fytyrë të gërvishtur dhe rrobat e shqyera nga ferrat dhe drurët e pyllit. Si mbaruam të gjitha këto formalitete, të cilat për mua ishin të parat, por që do të përsëriteshin dhe me qindra herë, më uli në karrige për të vazhduar bisedën jashtë strukturës së proces-verbalit.

Ç’do bëhej më tej me ty, nuk të tha gjë?

Për 15-20 minuta, si kishim filluar bisedën e lirë me komandantin e postës, erdhi një makinë ushtarake tip “shevërlet” (amerikan), nga ata që mori dhe ushtria jonë pas viteve ’90. Andej zbriti një major grek rreth 45 vjeç dhe dy ushtarë që mbanin me vete dhe një qen të madh kufiri. Ai zbriti tërë nerva dhe tërsëllimë, ku ndryshoi gjithë klimën e butë që ekzistonte deri në ato momente. Më foli që në fillim mua me një zë të fortë dhe tepër urdhërues, sikur do të më hante të gjallë. “Po ti nga kalove që erdhe deri këtu? Pse erdhe? Kush të ka dërguar? Pse loz të paditurin? Je aq i aftë sa të na mashtrosh neve?” etj., etj., që po i lëshonte si breshër duke më afruar fytyrën më afër. E dija që po fillonte ai që quhej “terror psikologjik”. Pas tij radhën e kishin torturat. Gjithsesi, nga çdo situatë që krijohej, unë nuk lëvizja asnjë nerv. Vetëm se kur më jepte kohë për përgjigje, ia ktheja se ashtu e kisha menduar dhe se nuk pendohesha për veprimet e mia, çfarëdo që të më bënin. Për mua mjaftonte që kisha ikur nga ai vend i mallkuar që quhej Shqipëri. Pastaj më thanë të zhvishja rrobat. Eh, rroba i thënçin, se ato ishin bërë zhele nga rruga dhe ferrat. Ndenja vetëm me të mbathura. Më bënë shenjë që t’i hiqja dhe ato. Ashtu bëra, s’kisha rrugë tjetër. Më këqyrën me vëmendje se mos kisha ndonjë shenjë për fshehjen e ndonjë sendi poshtë mbathjeve. Pasi më panë mirë e mirë disa çaste, më dhanë urdhër të vishesha me një palë rroba ushtarake, që i solli një ushtar. I mora dhe i vesha pa e prishur shumë terezinë.

Të veshën si ushtar grek?

Po, po, si ushtar grek. Se rrobat e mia i mori ushtari që solli rrobat ushtarake.

Pse t’i morën rrobat?

Do t’i kontrollonin mirë. Ato, siç më kishin stërvitur, do t’i shqepnin fare dhe do të shpalosnin çdo cep të tyre se mos gjenin gjë të dyshimtë. Këto ishin rregullat e zbulimit. Po ç’zbulim zeza, do të thuash ti, kur sigurimi i shqipërisë u dinte jo vetëm çfarë lëvizjesh apo kontrollesh do të bënin, por dhe sa dhëmbë e dhëmballë kishin në gojë.

I kontrolluan konkretisht rrobat?

Po. Në ato momente gjetën dhe biletën e vendosur si pa të keq brenda tyre. Pra, me një fjalë, filloi të funksiononte skema. Unë u thashë që e dija të hedhur biletën. Ata kuptuan se kisha ardhur vërtet nga Delvina. Pas kontrollit të teshave më morën për të më përballur me një provë tjetër. Më vunë para me ushtar dhe më çuan larg prej repartit ku kishim qëndruar, diku afër një pylli. Më futën në një çadër, e cila ishte diçka e madhe, dhe rreth saj vendosën disa ushtarë roje të armatosur.

Pse të çuan në çadër, po fillonin torturat?

Jo, ishin akoma në fazën e provokimeve, që të konstatonin nëse isha i dërguar i sigurimit shqiptar. Më lanë nja dy orë në çadër, sa ia dha dielli me një të nxehtë të papërballueshëm. Mos harro, ishte ora rreth 12.00 e datës 7 gusht, që do të thotë, piqej buka në diell. Unë brenda saj isha bërë çurk në djersë dhe po më mbytej fryma. Në këto momente pashë (sikur përfitonin nga mungesa e shefave për t’i kontrolluar) që po iknin dhe ushtarët një nga një. Kështu e lanë çadrën, për rreth dy orë vetëm. Por unë e dija që kjo bëhej për të parë nëse do të largohesha unë apo jo. Por unë dola te dera e saj dhe rrija i qetë, se po të rrija brenda do të kuptohej që kisha pasur dijeni për këtë lloj loje. Kur më thanë se pse nuk ika (më tha si dashamirës një ushtar), unë ia ktheva, se ku do të shkoja dhe s’kisha arsye të trembesha. Megjithatë, donin të bindeshin thua ti? Absolutisht jo. Ata do të vazhdonin planin e tyre të më bënin presion me çfarëdo lloj forme, që të pranoja se s’isha një emigrant i zakonshëm. Kështu, u erdhi radha torturave dhe shumë përipecive të tjera.

Kur i filluan torturat?

Menjëherë të nesërmen. Atë ditë, si kaloi dhe prova e çadrës, më morën me makinë dhe më çuan në Janinë, ku do të fillonte tashmë situata më e vështirë.

Ku të vendosën në Janinë?
Ku do të më vendosnin, veçse në burg. Aty ndenja jo pak, por dy muaj. Çdo ditë do të më bëhej nga katër orë hetuesi, ku do të pyetesha për çdo gjë, jo një herë, por disa herë. Pyetjet bëheshin të tilla, sikur ata kishin dijeni se kush më kishte nisur, por që donin ta pranoja vetë. Ndërkohë vijonin me torturat që ishin nga më të tmerrshmet.

Çfarë torturash provuat?

Ishin të shumta, por dy ishin ato më të tmerrshmet. Elektroshoku dhe gjarpërinjtë në qeli.

I përshkruan dot shkurt këto dy tortura?

Po. Siç më mbanin fillimisht në dhomën hetuesi të burgut, ku bënin dhe ribënin kushedi se për të satën herë të njëjtat pyetje, më merrnin dhe, si më shtrinin në një krevat, më vinin dy polet e korrentit në vesh. Mbaj mend që dridhesha i tëri nën një dhimbje që nuk jam në gjendje ta shpjegoj dot. Ajo vazhdonte derisa bija pa ndjenja. Kjo gjë bëhej disa seanca në ditë dhe vazhdoi për disa ditë me radhë. Në atë torturë humba fare dhe dëgjimin nga një vesh. Ndërsa për rastin e torturës me gjarpër, do thoja që nuk ishte gjë ajo me korrent para kësaj. Unë do të kisha vdekur po të mos më kish treguar sigurimi në specializim se gjarpërinjtë ishin të stërvitur dhe se nuk kishin helm. Dija se po të kisha kaluar dhe torturën e gjarpërinjve, pothuajse e kisha të kaluar testin, se me të vërtetë isha ashtu siç u kisha deklaruar. Erdhi në një prej atyre ditëve një oficer dhe hapi derën e qelisë së vogël (1,5 me 1,5 m). Kishte me vete dy kuti të mëdha sa një valixhe dhe u hapi kapakun. Nga ato dolën dy gjarpërinj të mëdhenj nga rreth 2 metër secili dhe ishin shumë të trashë dhe të frikshëm. Ata sa u lëshuan në qeli, filluan të lëviznin zhurmshëm nëpër të. Dera ndërkohë u mbyll. Dritare nuk kishte. Ishte vetëm një llambushkë e vogël në mur për të bërë vetëm pak dritë mes errësirës pis që ekzistonte. Në fillim njëri gjarpër u pështoll rreth trupit tim dhe po më shtrëngonte për të më mbytur, duke u mbledhur deri te fyti dhe duke më nxjerrë gjuhën e frikshme, më drejtonte te fytyra dy sytë e mëdhenj, sikur donte të më thoshte: “Do të tregosh apo çfarë mendje ke?” Unë rrija i ngrirë krejt, me frymëmarrjen që pothuajse më bllokohej, duke vënë parakrahët te fyti që të mos më përdridhej gjarpri se mund të më mbyste. Ai si i stërvitur që ishte, më lëshonte në momentin që isha gati për t’u lëshuar pa ndjenja dhe pastaj fillonte tjetri, ndërsa ky ecte nëpër dhomë. O perëndi. Nuk ka zot që i beson dhe nuk ka zot të përshkruajë gjithë atë llahtari që vazhdoi për dy netë dhe dy ditë. Mua më nxirrnin çdo dy orë nga qelia dhe më pyesnin, pastaj si ngulja këmbë në timen, më fusnin prapë te gjarpërinjtë që mezi më prisnin për t’u vërsulur. Të mos isha i mësuar në kurs, do të kisha vdekur nga frika. Unë dija gjithashtu se vrojtohesha nga një kamer e fshehtë. Më pas i morën gjarpërinjtë duke më thënë që do të vazhdonin dhe me të tjera, pasi s’kisha si t’u shpëtoja. Por për mua kjo ishte fitore. Tani quhej i kaluar lumi, të më bënin çfarë të donin. Kështu mes kësaj situate kalova plot dy muaj në atë burg të tmerrshëm mes torturash në Janinë.

Si të nxorën nga burgu?

Në fillim më kërkuan të falur se më kishin rënë kot në qafë, por ishin të detyruar se kishin dijeni që sigurimi shqiptar u kishte dërguar shumë herë agjentë. Pastaj më dërguan për në Athinë. Aty më futën në policinë e Pireut, ku më mori në pyetje një tjetër kolonel. Por për fat përkthyesi doli një miku i babait tim nga Nivica e Sarandës, që quhej Mitro Papadhima dhe doli garant për mua se isha arratisur me të vërtetë, se më njihte familjen. Kështu, të nesërmen m’u dha e drejta të shkoja në kampin e refugjatëve, ku do të më merrnin në patronazh OJQ-të për më të gjetur punë. Provat me shtetin grek i kisha kaluar. Të tjera prisja të kaloja. Erdhi në polici më mori vetë shefi i sigurimit të kampit të refugjatëve të Llavrios. Aty gjeta rreth tre mijë refugjatë, ndër të cilët ishin dhe të paktën katërqind shqipatë, të cilët kishin vite që ishin aty, madje që kur kishin ikur nga koha e luftës. Misioni im ndërkaq kishte filluar.

Intervista 4. Agjenti i sigurimit komunist në Bruksel , Isuf Mullai, tregon historinë e misionit të vetë të ngarkuar nga Kadri hazbiu. Si arrita të shkoj në shtëpinë e Ahmet Zogut në Paris.

Kur shkove në kampin e refugjatëve?

Siç e shpjegova në numrin e kaluar, në policinë e Athinës, pasi më lejuan autoritetet greke, erdhi më mori vetë shefi i sigurimit të kampit të refugjatëve në Lavrio. Pastaj shkuam në kamp, i cili ndodhej jo më pak se 70 km nga Athina.

Çfarë ishte ky kamp dhe pse shkove atje.

Ai kamp quhej në gjuhën sekrete “kamp filtrimi”, që do të thoshte se akoma nuk kishin mbaruar avazet e kontrollit të sigurisë, pasi te kushdo kishte mosbesim.

Ju lutem shpjegohuni më qartë. Nuk kishit të drejtë të ishit i lirë pas kaq torturash që hoqët për dy muaj në qelitë e burgjeve greke?

Absolutisht jo. Si mund të ishe i lirë? Shkoje në kampin që mblidhte refugjatë të ardhur nga e gjithë bota dhe aty ishe nën mbështetjen gjoja të këtyre OJQ-ve, që janë tashmë dhe te neve. Aty jetoje si në kazermat e ushtrisë, ndërkohë që ishe nën kontroll të plotë nga shumë drejtime. Këtu funksiononin format e tjeras të kontrollit, prandaj quhej kamp filtrimi. Aty gjoja ishe në pritje të ndihmës që mund të të jepnin këto organizatat jo qeveritare, që thashë më lart, të cilat kërkonin punë në shtete të ndryshme dhe pastaj përcillnin njerëzit me kontigjente. Duhet të kihet parasysh që në fillim iknin ata që kishin krijuar besim më parë, ndërsa të tjerët rrinin aty.

Si jetonit në kamp dhe sa ndenjët aty?

Jetonim si mos më keq. Si në kazermë, e thashë dhe më parë. Hanim dhe jetonim në turmë. Aty ishin 2500 deri në 3000 refugjatë nga e gjithë Evropa. Vetëm shqiptarë ishin rreth 400.

Kur kishin shkuar këta shqiptarë?

Ehu, që nga viti 1944 e pas, të cilët ishin larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar burgjeve politike. Pra, kishte nga ata që ndodheshin aty prej 10 vjetësh, 7 vjetësh e kështu me radhë. Ata jetonin si mos më keq. Kështu fillova të jetoja edhe unë. Por unë isha instruktuar se aty përgjohesha dhe ruhesha, ashtu siç bëhej për të gjithë.

Si ruheshit?

Kishte provokatorë në radhët e refugjatëve, të cilët çonin informacione të fshehta aty ku ishin urdhëruar. Kështu, ajo që përdorej si vend mëshire, ishte një çerdhe zbulimi. Unë ruhesha nga gjithçka që të mos e tradhëtoja veten në asgjë. U organizova me këta legalistët që në fillim se, siç thashë, kisha pasur babain oficer në kohën e Zogut. Kështu që isha diçka më i besueshëm. Na jepnin liridalje një apo dy herë në muaj dhe ndërkohë na vinin njerëz mbrapa për të na ruajtur, se mos bënim ndonjë takim të fshehtë.

Ju kishit konstatuar njerëz që ju ndiqnin?

Jo, unë e dija se isha vetë zbulues dhe nuk kisha nevojë që të ruaja. Pastaj fakti që unë ndenja vetëm dy vjet në kamp, tregon se isha ruajtur, por ngaqë e dija, nuk isha dekonspiruar.

Kishte agjentë të sigurimit nga vendet e tjera mes refugjatëve në kamp?

Si ore s’kish? Edhe këtë e dija, ishin rreth 30-40 veta nga shtetet e ndryshme, madje këtë e dinin dhe autoritetet e atjeshme, por nuk i zbulonin dot se ishin bashkuar kaq bukur me të arratisurit e vërtetë, saqë ishte i pamundur dekonspirimi.

Si puna Juaj?

Po, qesh, si puna ime. Duhet të dish se kuislingët ishin të dënuar në të gjitha vendet komuniste dhe ishin në ndjekje nga vendet e tyre.

Kur u larguat nga kampi?

Kalova dy vjet në atë jetë mizerabël, mes kushtesh teje të vështira. Ngrënia ishte e keqe. Veshjet që na sillnin, ishin si ato që shesin këtu gabelët, të cilat edhe kur i sillnin, kush t’i merrte më parë. Ç’të të them. Ishim kthyer në bagëti. Mirëpo unë kisha një mision dhe do të më duhej të përballoja gjithçka. Pastaj, siç të shpjegova, lidhur me misionin isha i kujdesshëm. Mua nuk ma hidhnin dot, se kisha bërë dy vjet kurs. Këtë tani po ta them se nuk e kam deklaruar ndonjëherë, që kursin ma kanë bërë specialistët më të mirë të Shqipërisë, të cilët kishin futur në gracka radiolojash dhe aventurash shërbimet sekrete të shteteve më të fuqishme të kohës. Pra, fjalën e kam se u krijua edhe aty besimi që unë me të vërtetë isha njeri i arratisur, për faktin se kisha qenë tepër i pakënaqur nga qeverisja në vendin tim. Ky konkluzion u arrit sigurisht dhe nga shumë informata që ishin marrë në Shqipëri.

Je i bindur që vepronte aq fuqishëm kundërzbulimi?

Mos e diskuto fare. Po që ta dish ti, gruaja ime në Shqipëri me fëmijët dhe prindërit jetonin të persekutuar, si të gjithë ata që sistemi i quante armiq vetëm për këtë fakt. Madje, kur u shtrua vajza në spital, e cila qe shumë rëndë, nuk i shërbenin fare, se thoshin që është vajza e armikut. Çfarë do të bënin të sigurimit? Po të thoshin që kijeni kujdes, merrte fund gjithçka se dekonspirohej misioni. Kështu, pas dy vjetësh, në kamp m’u dha e drejta që të lëvizja se më ishte gjetur punë. Dhe kur të them për dy vjet, duhet të kuptosh se ishte kohë rekord kur shikoje të arratisur të vërtetë nga Shqipëria, të cilët ishin shpallur me të vërtetë armiq dhe që kishin edhe nga 10 vjetë, dhe nuk kishin bërë të mundur largimin.

Po pse?

Se ishin të lehtë nga mendja dhe nuk kuptonin se pse po i mbanin në kamp. Unë isha zbulues dhe jo një njeri që bija në grackën e zbuluesve të tjerë, aq më shumë të grekëve. Sigurimi ynë atëherë, pavarësisht se ishte komunist, nuk e kam fjalën te politizimi, ishte i standarteve të larta. Dhe shteti ka nevojë për zbulues që të dijë të veprojë diplomatikisht me njërin apo me tjetrin shtet dhe jo të shkojë si derr në thes, siç po ndodh tani, që na merr përpara një grek që ne s’e llogaritnim.

Ku shkuat pas kampit?

Unë shkova në kamp në fillim të tetorit të vitit 1955, dhe ika në prill të vitit 1957. Aty, siç ndodhte gjithmonë, ishte biseduar për disa vende pune nga këto që quheshin organizata bamirëse dhe ishin bërë të mundura në Belgjikë. Me grupin që u vendos të sistemohej atëherë, isha dhe unë. Kështu që shkova në Belgjikë.

Shkuat të organizuar?

Po. Vetëm kur të hynim në punë do të integroheshim në jetën e lirë dhe private?

Po ju kishit ndonjë udhëzim nga Tirana kur u nisët për në vendin ku duhej të shkonit?

Jo. Udhëzimi i vetëm ishte, të veproja aty ku do të më çonte rasti. Për shembull mua më çoi hera dhe rryma në Belgjikë. Aty do të veproja. Porositë i kisha që, kur ta shikoja të arsyeshme, pra të më krijoheshin kushtet e përshtatshme, të vendosja ndërlidhjen me Tiranën.

Dhe kur e vendosët fillimisht?

Në Belgjikë. Si shkuam aty, unë menjëherë vendosa lidhjen me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.

Deri në ato momente nuk dinin gjë se ku ndodheshe dhe çfarë bëhej me ty?

Nuk besoj të mos dinin, megjithëse unë nuk kisha bërë asnjë kontakt që më 6 gusht të vitit 1955. Pas dy vjet shkëputjeje, nga fundi i prillit të 1957-s, u rilidha sërish.

Nëse më lejoni t’ju pyes, si e vendosët lidhjen?

Me letra me kod. Unë e dija dhe ata ma kishin thënë që letrat survejoheshin kur shkonin në Shqipëri. Pra të gjithë të arratisurit që dërgonin letra në shtëpi, dihej se ato shkonin në dorën e sigurimit të shtetit një herë. Aty ishin piketuar dhe njerëzit që ishin cilësuar si armiq të rrezikshëm, ku për survejimin e letrave të tyre ishte një grup më special. Kështu që kur merreshin letrat nga specialistët e zbulimit, në qoftë se ishin të personave që thamë më lart, që i kishin në disa lista tepër sekrete, i kalonin te grupi më i specifikuar. Në këto lista isha dhe unë, kështu që të gjitha letrat e mia kalonin në grupin e veçantë special. Ata e dinin se kush isha dhe dikush nga ata i dinte dhe kodet e bisedimit. Unë letrën e nisja në emër të familjes, por pasi vendosja kodin brenda, kuptohej që nuk ishte për familjen, por për Ministrinë e Brendshme. Oficeri që merrej me zbërthimin e kodit, e zbardhte atë dhe shkonte direkt te Kadri Hazbiu. Pastaj porositë e tij i kthente prapë me kod dhe ma dërgonte. Kështu që dukej si një letër që vinte nga familja dhe brenda saj nuk mund të kuptoje asgjë, por që në të vërtetë vinte nga sigurimi dhe direkt nga Kadri Hazbiu.

Po letrat që i dërgonit me të vërtetë familjes?

Ato merreshin njëherë nga grupi special, që nuk përjashtonte asnjë letër timen, dhe si nuk gjente kodin brenda, e mbyllte prapë zarfin dhe e çonte me rrugën normale të postës, ku i shkonte në dorë gruas. Në të mund të dërgoja dhe para, siç kisha bërë shumë herë. Por sigurimi u jepte rregullisht, sikur i kisha dërguar unë, që të mos e kuptonin dhe familjarët e mi për atë që ndodhte rreth tyre.

Mund të na thoni disa kode?

Posi. Ato ishin dhe shifra dhe fjali. Për shembull: “Vajzën e ke sëmurë, por do ta çojmë te doktori. Blemë 1786 lekë bufen e dhomës së madhe”, – këtu është shifra kod. Të gjitha këto ishin sikur i dërgonte gruaja.

Po me gojë nuk komunikonit?

Posi, dhe me gojë. Nga letra kuptoja që do të vinte posaçërisht një oficer i Ministrisë së Brendshme në ambasadë, sikur vinte me shërbim apo për ndonjë punë tjetër. Me kode ishte përcaktuar vendi dhe ora që do të takoheshim. Kështu, në orën e caktuar unë bëja sikur isha, për shembull, fotograf dhe vinte i dërguari i Kadri Hazbiut, me të cilin takoheshim rreth një apo dy orë në fshehtësi të plotë. Ai nuk e kishte problem, sepse i hipte avionit dhe lëvizte si zyrtar, kështu që brenda ditës e kishe në Tiranë apo në Paris, ku ishte ambasada. Shpesh lidhesha edhe me sekretarin e parë të ambasadës sonë në Paris, i cili ishte në dijeni. Vetëm ai e dinte, ndërsa të tjerët jo.

Kush ka qenë ambasador atëherë.

Unë ndenja në Belgjikë plot 8 vjet dhe u ndërruan 3 ambasadorë. I pari ishte Llambi Peçini, i cili ishte një burrë i mrekullueshëm dhe unë e kisha shumë mik.

Dihet tashmë se ju keni pasur funksione shumë të rëndësishme në Partinë e Legalitetit. Si i arrite ato?

Dëgjo. Që kur isha në kampin grek, unë u mora me Partinë e Legalitetit, se atje ishte vendi që mblidhej i bardhi dhe i ziu. Në fund të fundit kjo ishte detyra ime. Dhe aty kishte njerëz që ishin të njohur dhe kishin vendosur lidhje me familjen mbretërore, gjë të cilën unë e dija ashtu siç dija se kush ishin ata. Kështu që loja ime detyrimisht do të jepte efekt. Mes këtij aktivizimi kam marrë vesh që është vënë në dijeni dhe vetë Ahmet Zogu. Ai, detyrimisht, kur miqtë e tij i kanë folur mirë për mua, ka dhënë porosi që të mbahesha afër dhe të aktivizohesha në parti. Ai kishte porositur madje të bëhesha kryetar në organizatën ku isha. Kështu që në Belgjikë vajta me krahë të ngrohta, pasi mbreti kishte dijeni për mua. Aty po u aktivizova shumë, që nuk ia vlen të ndalemi tani, pasi i ka përfshirë pothuajse të gjitha Nasho Jorgaqi te “Mërgata e Qyqeve”. Mes këtij aktivizimi të madh, quhesha kryetar për degën e Belgjikës (se isha i caktuar nga mbreti kudo që të shkoja), ndërkohë që sekretarin e zgjidhte kolektivi (kongresi). Ishin skemat e mia që u zgjodha që në kongresin e parë të partisë si sekretar për degën e Belgjikës. Unë, pas kësaj, kisha në dorë të jepja dhe gradat e anëtarëve të partisë.

Me një fjalë, partia e Zogut u vu në kontroll të sigurimit komunist?

Ajo ka qenë gjithmonë në dorë të sigurimit, që kur isha unë dhe pas meje, deri në fund (qesh).

Si e konsideronit veten mes tyre për detyrën që kryenit?

Ore, por mos kujtoni se objekti i punës sime ishin të gjithë njerëzit e atjeshëm. Jo. Aty kishte njerëz që ishin miqtë e mi më të mirë dhe kanë ngelur të tillë gjithë kohën. Madje kam shkuar atje dhe në vitin 1999 për t’i takuar. Objekti im ishin njerëzit që donin të arrinin qëllimet e tyre mes vrasjeve të njerëzve të thjeshtë apo të inkurajoja njerëzit e trembur, të cilët nuk kishin bërë krime. Dhe me partinë e mbretit nuk kisha gjë. Elementet e veçantë të saj ishin njerëz që duheshin mbajtur nën kontroll.

Si të ftoi Zogu në shtëpi?

Kjo ndodhi pas një viti qëndrimi në Belgjikë. Mbaj mend që më njoftoi kryeadjutanti i tij, Hysen Selmani, se më priste plot 30 minuta vetë mbreti Ahmet Zogu.
Ai atëherë jetonte në Kanë të Francës. Ai ishte në dijeni për detyrat që më ishin besuar dhe donte të më njihte vetë. Ky ishte një sukses i madh për mua. Në një kohë që dija se para disa ditësh Hasan Dostin e kishte pritur vetëm 20 minuta, mua po më priste 30 minuta, që nuk ishin pak. Por kjo ishte një mbështetje e madhe për mua.
Tashmë ishte çelur para meje një rrugë krejt e re, që më duhej ta administroja me kujdes dhe zgjuarsi. Gjithsesi emocionet që do të takohesha me mbretin i kisha të mëdha. Sipas kryeadjutantit do të nisesha që të nesërmen!

Ju lutem ma shpjegoni hollësisht takimin e parë me Zogun.

Ishte gushti i vitit 1957. Unë po bëja plot një vit që kisha arritur në Belgjikë. Ndërkohë unë kisha lidhje të plota me sigurimin e shtetit në Tiranë. Në një prej këtyre ditëve më vjen vetë kryeadjutanti i Ahmet zogut, Hysen Selmani. Ai më thotë se më priste në një takim 30 minutësh vetë Lartmadhëria e Tij. Për këtë duhej të nisesha menjëherë për në Paris, që ishte rreth 400 km nga Brukseli, ku jetoja unë.

Pse, ku jetonte Zogu atëherë?

Ai jetonte në Kanë të Francës.

Megjithëse e prekëm pak në numrin e kaluar, a kishit emocione?

Si s’kisha? Pavarësisht se isha njeri i sigurimit të shtetit, qëllimi im nuk ishte Ahmet Zogu. Emocione kisha, se ai nuk ishte njeri dosido, por dhe hasëm ta kishe, duhet të pranoje që kishte qenë mbret.

Ju e kishit parë herë tjetër Zogun, pasi atëherë nuk kishte as televizor?

Unë e kisha parë vetëm një herë më 5 prill të vitit 1939. Pikërisht kur do të ikte nga Shqipëria. Atë ditë, me rastin e lindjes së birit të tij Leka, u zhvillua një paradë e madhe me nxënës shkollash dhe punonjës të tjerë. Unë isha në shkollën mbretërore për ushtarak. Madje në atë shkollë ishin vetëm 50 nxënës, ndërkohë që nga jugu kanë qenë vetëm 5 prej tyre.

Pse vetëm 5 nga jugu?

E vërteta është që Ahmet Zogu, në kohën e qeverisjes së tij, ka bërë një diferencim të madh të jugut me veriun. Madje dhe një polic që vishej për fshatrat e Gjirokastrës, nga isha unë, duhej të ishte nga Mati. Që të mos zgjatemi, se dalim nga subjekti që flasim, atë ditë, ne nxënësit e shkollës mbretërore, të veshur mirë, parakaluam para mbretit, i cili, i vendosur në mes të motrave të tij (te Akademia e Arteve), po nderonte ushtarakisht. Kështu që tani, pas kaq kohësh, do ta shikoja për herë të dytë.

Me çfarë cilësie shkonit te mbreti?

Me cilësinë sekretarit dhe këshilltarit të degës së Legalitetit në Belgjikë.

E kujton imtësisht momentin e takimit?

Nuk ka rëndësi ora, por di që e prisja me padurim takimin. Unë një ditë para isha vendosur në një hotel në Paris. Emocione kisha në radhë të parë, se çfarë përshtypjeje do t’i lija, ndërsa në radhë të dytë se më kishte vlerësuar shumë. Më kishte rezervuar 30 minuta takim, kur, siç ua theksova dhe ditën e parë, Hasan Dostit, që e kishte pasur dhe ministër në qeverisjen e vet, në pritjen që i kishte bërë 3 ditë më parë, i kishte rezervuar vetëm 20 minuta. Kështu që mes këtyre emocioneve shkova në dhomën e pritjes. Ajo ishte dhomë mbretërore, ku ceremonitë dhe portokolli mbretëror ishin standart. Kështu, në pritjen që më bënë, ishte mbreti në vendin e caktuar, mbretëresha, princeshat (motrat e tij) dhe princi Leka.
Takimi u bë i përzemërt. Duhet të pranoj se ai ishte një zbulues dhe psikolog i fortë. Këtë e konstatova se fillimisht, sa filluam bisedën, ai bëri disa pyetje që m’i kishin bërë sapo hyra në Greqi. Pyeti se si kisha mundur të kaloja kufirin. Si ruhej ai. Çfarë problemesh kisha pasur në Shqipëri. etj., etj.

Po ju për çfarë i folët?

Unë i thosha që nuk e kuptoja se pse nuk po ndihmoheshim nga perëndimi. Ai më pyeste se pse e thosha një gjë të tillë. Unë ia ktheja, se fakti që njohën qeverinë komuniste, ishte një goditje për ne. Në atë moment, mbaj mend, që më tha se kjo ishte mirë që ishte njohur, pasi Shqipëria duhej të ekzistonte si shtet. Kjo ishte e rëndësishme që t’i shpëtonte copëtimit etj., etj. Kur kaluan 30 minuta, unë pashë me bisht të syrit orën, duke kthyer kokën nga kryeadjutanti për të lënë të kuptohej sipas porosisë së marrë, se isha gati që të largohesha. Mbreti e kapi menjëherë shikimin tim dhe ma bëri me shenjë që të mos shqetësohesha, por të vazhdonim muhabetin. Kjo për mua ishte një sukses i madh. I kisha hyrë në zemër mbretit. Vazhduam akoma bisedën e nisur dhe u largova pasi kishin kaluar plot 46 minuta.

U kthyet sërish në Bruksel?

Jo, Selmani (kryeadjutanti) më tha që të mos largohesha, por të zija hotel dhe të haja e të pija sa të doja, se të gjitha shpenzimet do të paguheshin nga pallati. Unë i thashë që nuk kisha nevojë për para, se unë punoja. Nuk doja të tregohesha se isha futur në parti si lëmoshqar. Dhe ashtu ishte vërtet, unë kisha qëllime të tjera, pasi për para nuk kisha nevojë.

Ku i gjenit lekët?

Më vinin nga Tirana. Dhe unë vetë bëja ndërkohë. Por me lekët që më vinin, i përdorja qoftë për vete, qoftë dhe për të rekrutuar njerëz të tjerë.

Pse, rekrutoje njerëz nga partia e Zogut?

Sa të duash. Unë kisha mundësi të tregohesha edhe i shoqërisë, se kisha porosi nga Tirana që të qerasja dhe të prishja lekë me shokët për t’u fituar zemrën. Pastaj gjeja nga ata që kishin nevojë për ndonjë qerasje apo ndonjë ndihmë financiare dhe unë nuk i kursehesha.

E lamë fjalën kur ike nga mbreti.

Ku ika!? Më pas ndodhi më e çuditshmja. Unë i kisha hyrë shumë në zemër mbretit dhe ai më ftoi për drekë. Kur më njoftoi Selmani se isha i ftuari i posaçëm i familjes mbretërore për drekë, pasi do të më akordohej në këtë mënyrë titulli “Mik familjar”, më tregoi gjithashtu dhe për përshtypjet e Zogut për mua. Tha se ishte shumë i kënaqur dhe se duhej të mbahesha afër. Ndërkohë ai më tha nëse kisha nevojë që të nesërmen të më dërgonin një makinë për të më marrë. Unë ia ktheva se nuk kishte rëndësi, mjaftonte nderi që më kishte bërë mbreti. Të nesërmen, në orën e caktuar, më mori një limuzinë akull të re, që nuk e kishin as në pallat, dhe shkova. Atë drekë nuk e kam provuar asnjëherë në jetën time. Unë kam pasur rast të ha dhe me njerëz të lartë të shtetit komunist, deri me anëtarë të Byrosë Politike. Por një drekë të tillë dhe një nder të tillë nuk e kam provuar. Familja mbretërore më ka nderuar shumë.

Po pas takimit me Zogun, u ktheve sërish në Bruksel?

Detyrimisht. Pastaj të gjithë më bindeshin në mënyrë të padiskutueshme. Ftesa e Zogut ishte një mesazh i qartë për këdo. Unë kisha në dorë të jepja dhe gradat për këdo që mendoja. Grada deri në Major firmosej nga unë.

Sa vjet ndenjët në Bruksel?

Ndenja plot 8 vjet, shto dhe dy në kampin e Greqisë bëhen plot 10 vjet.

Kishte njerëz që ju i respektonit shumë?

Patjetër. Aty kishte njerëz shumë të mirë. Kishte njerëz shumë fisnikë që kishin ikur dhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje apo nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm politik, që mund t’u bënin në Shqipëri, ashtu siç kishte njerëz që kishin bërë nga një gabim të vogël dhe ishin detyruar të braktisnin familjet nga Shqipëria përgjithnjë. Unë në këto raste veprova fuqishëm dhe këta persona, ose u kthyen, ose u bënë bashkëpunëtorë të sigurimit. Unë mund të të them se kam shkuar prapë në Bruksel në vitin 1999 dhe i takova të gjithë miqtë e mi, që gjithsesi ishin dhe mbeteshin legalistë, por që ishin njerëz të mirë.

Kishte shumë elementë të sigurimit të shtetit në Partinë e Legalitetit?

Unë kisha rekrutuar jo pak. Por unë flas për ata që gjeta. Dija që kishin ardhur edhe nga Tirana shumë të tjerë si puna ime, por që nuk i njihja se kush ishin, dhe as ata nuk e dinin për mua. Këto janë të tjera gjëra për mënyrat si funksiononte Shërbimi i Fshehtë.

Po me elementët e këqinj, si veproje?

Në radhë të parë, unë njoftoja për ata që vinin në Shqipëri për të vrarë apo për të marrë hak. Kishte dhe shumë njerëz që të kallnin datën për etjen që kishin për të vrarë. Flisnin në emër të nacionalizmave që të luftonin komunizmin me çdo mjet, por harronin se ata njerëz që quheshin komunistë në Shqipëri, ishin njerëz të thjeshtë dhe të vuajtur, por që fatkeqësisht bëheshin pre e këtyre intrigantëve dhe spekullatorëve.

Pse i konsideron kështu, mos ke ndonjë mllef personal?

S’kam absolutisht asgjë personale, por s’kishe si t’i quaje ndryshe ata tipa që flisnin dhe propagandonin me të madhe për Shqipërinë etnike dhe të madhërueshme, duke u fshehur mes njerëzve vërtet të mirë, ndërkohë që ishin gati që për një dorë para të shisnin gjithë Shqipërinë, po të kishin mundësi. Kështu që detyra ime ishte të njoftoja për çdo lëvizje të tyre, ashtu siç duhej që, nëpërmjet fraksionesh brenda grupeve të tyre, t’u prishja shumë plane.

Keni pasur suksese në punën tuaj 10-vjeçare?

Shumë. Unë arrita të kontrolloja absolutisht gjithçka që ndodhte në Partinë e Legalitetit në mërgim. Por për këtë nuk është vetëm merita ime, sa edhe ajo e shumë miqve dhe shokëve të drejtë, që pavarësisht se na ndanin bindjet politike bashkë, gjithsesi ishin shpirtërisht larg dhunës dhe krimit. Akoma më shumë që gjeta mjaft miq dhe njerëz që ishin dhe politikisht të njëjtë me mua…

Keni pasur urdhra për të vrarë njerëz, që ju i keni konsideruar kriminelë?

Jo. Ne vepronim në ilegalitet, por dhe në mënyrë tepër të organizuar. Na ishte e ndaluar të vrisnim për disa arsye. Se në radhë të parë mund të dekonspiroheshe dhe në radhë të dytë nuk dihej kë vrisje. Ai që ty të dukej më krimineli apo më armiku i Shqipërisë, mund të ishte njeri i sigurimit.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...