Home / Lajme / Duke falenderuar profesorin dhe aktivistin Elvis Hoxha

Duke falenderuar profesorin dhe aktivistin Elvis Hoxha

për prezantimin e tij, si dhe duke i uruar fitore në qarkun e Lezhës kandidatit nga zgjedhësit

Iliaz Shehu

, në vijim fjala ime e plotë në konferencën e djeshme për media, ku u shpall kandidatura ime në qarkun e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit:

Aktivistë e shumë qytetarë që po na përkrahin në këto zgjedhje janë të bindur se ky është momenti i duhur. Ne i besojmë atyre, dhe i falenderoj të gjithë kolegët, aktivistët dhe qytetarët që po çojnë përpara kandidaturat tona në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Qarku i Tiranës është zona zgjedhore që më kanë besuar kolegët dhe shumë qytetarë që kanë nisur grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për këtë kandidaturë. Kjo detyrë e re më ngarkon me përgjegjësinë për të qenë shumë më modest, por edhe veçanërisht punëtor për të dhënë kontributin në këtë projekt të përbashkët që është më i madh e i rëndësishëm se secili prej nesh.
Shqipëria sot është në një krizë të thelluar shëndetësore, ekonomike, institucionale, arsimore, sociale dhe morale. Pabarazia mes atyre që kanë kapur gjithçka dhe shumicës të shtypur e të varfëruar ka arritur në ekstrem. Paraja kalon tranzit në Shqipëri, sepse prodhimi vendas është shumë herë më i vogël se importet. Por edhe kur financat mbeten këtu, ky kapital përqëndrohet në pak duar, si ato të Kastratit e të Manes, që kanë kapur edhe ekonominë edhe institucionet, edhe portet, edhe rrugët edhe partitë e vjetra, por që ushtrojnë ndikim të thellë edhe në media.
Sistemi në Shqipëri është kalbur nga brenda, por regjimi antidemokratik sundon dhunshëm me elemente të shtetit policor. Mjedisi po shkatërrohet. Burimet natyrore dhe pasuritë kombëtare po shfrytëzohen brutalisht. Sakaq, regjimi prodhon etiketa raciste ndaj të gjithë atyre që protestojnë për të mbrojtur të drejtat themelore. Të gjitha këto elemente të sjellin në mendje një regjim që i ngjan kolonizimit të Shqipërisë. Nuk është hera e parë që shohim këtë lloj sundimi mbi shqiptarët në këto 30 vite. Por kemi nevojë të shkëputemi edhe nga modeli i vjetër i diktaturës edhe nga 30 vjet xhungël-kapitalizëm që e ka prodhur sistemin neoliberal. Shqipëria ka sot nevojë të çlirohet nga ata që sillen si pushtuesit e brendshëm të vendit.
10 vjet mbushen sot prej 21 Janarit me katër viktima në protestë. Këto 10 vite regjimi ka njohur ose shtypjen me dhunë të protestuesve, nga burgosja deri në vrasje, ose braktisjen e qytetarëve nga drejtues opozitarë. Ata që ishin në opozitë, kur erdhën në pushtet, braktisën edhe premtimet edhe drejtësinë. Ne përsëri e pamë dhunën policore gjatë këtyre muajve, sa herë që kërkohet drejtësi dhe mbrojtja e pasurisë publike. Me Lëvizjen, kjo braktisje merr fund.
Ndërsa represoni ndalet kur organizohemi së bashku. Synimi ynë janë politikat publike në shërbim të Republikës dhe jo policia private e pushtetit.
I ftojmë qytetarët të ecim të bashkuar në rrugën që ndërthur nacionalizmin emancipues me modelin e shtetit zhvillimor për prodhim, punësim e zhvillim. Kandidimi ynë në zgjedhjet e 25 prillit është vetëm njëri prej hapave në këtë rrugëtim.

Ju faleminderit!

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...