Home / Opinion / TA  KUJTOJMË  DALJEN  E  UÇK-së  ME  DALJE  NË  VOTIME

TA  KUJTOJMË  DALJEN  E  UÇK-së  ME  DALJE  NË  VOTIME

 

 

Se kildebilledet

Ali Mehmeti, Gjenevë, 19 janar 2021,

Këto zgjedhje që po vijnë, Lëvizja Vetëvendosje! po i quan referendum. Por, cila është pyetja në të cilën kërkohet nga ne të përgjigjemi? Mund të janë të shumta. Do i veçoja dy. A jeni për ndryshim, që do nënkuptonte para së gjithash ndryshimin e funksionimit të shtetit ligjor dhe shumicës së politikave që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, ekonominë, ambientin dhe politikave sociale dhe e dyta: a jeni për raporte reciproke me Serbinë?

Parimi i reciprocitetit është një nga ligjet më të vjetra të shkruara, që ka mbretëruar në marrëdhëniet ndër njerëzore. Me aq sa dihet deri më sot, është shkruar për herë të parë në Mbretërinë e Babilonisë rreth vitit 1750 para epokës së re – pra, para afër 4 mijë vjetëve, i njohur sikur Kodi i Hamurabit dhe i skalitur në gur ndodhet në muzeun e Luvrit në Paris. Ky ligj flet për reciprocitetin e krimit, respektivisht për proprcionalitetin që duhet të aplikohet ndërmjet krimit dhe dënimit. Në paragrafin 196 shkruan, fjalë për fjalë: “nëse dikush ia ka nxjerr syrin tjetrit, edhe atij do i nxirret syri”, kurse në paragrafin 200: “nëse dikush dikujt ia ka thyer dhëmbin, do t’i thyhet dhëmbi”. Ky parim është përcjell gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në Perandorinë Romake sikur ligji mbi hakmarrje (lex talionis), kurse në të gjitha librat e shenjtë të çdo feje monoteiste, hebreizmin, krishterimin dhe islamin  sikur “Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb”. Mos ta harrojmë as Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në kohërat moderne ky parim është trashëguar nëpërmjet parimit të drejtës për vetëmbrojtje e cila duhet të jetë proporcionale me sulmin dhe e ushtruar në momentin e sulmit, ku me vetëmbrojtje nënkuptohet mbrojtja e vetvetes, personave të tjerë dhe të mirave materiale. Pra, duke përjashtuar të drejtën që hakmarrja të bëhet posteriori, siç thoshte lex talionis. Megjithatë, nuk janë të panjohura rastet edhe në kohërat tona, kur hakmarrja është bërë edhe posteriori, madje duke mos e respektuar as parimin e proporcionalitetin.

Sipas këtij parimi, a është dashur që UÇK-ja të vras civilët serb, fëmijë, gra, pleq, t’i gjuaj nëpër bunarë dhe lumenj, t’i dhunoj gratë dhe vajzat, t’ju kallë shtëpitë, ashtu siç bënin forcat serbe? Mos të mashtrohet dikush dhe të mendoj se nuk e kishin këtë mundësi! Sigurisht jo në përmasa, në të cilat këtë gjë e bënë forcat serbe. Por, nuk e bënë në asnjë rast të vetëm. Për një arsye të vetme, sepse nuk jemi barbarë. Dhe kjo i pengoi serbet. Prandaj deshën t’i barazojnë shqiptarët me vetën e tyre dhe për këtë qëllim vranë 6 adoleshentë serb, në kafeterinë “Panda” në Pejë në vitin 1998, duke u përpjekur që këtë krim t’ia atribuojnë shqiptarëve.

Edhe pse nuk vlen më lex talionis, sipas të cilit tani do duhej t’i shkaktohen Serbisë të gjitha dëmet dhe vuajtjet që ia shkaktoi ajo Kosovës, ekzistojnë normat ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare që veprojnë edhe posteriori, që nënkuptojnë shumë lloje të dënimeve që me një fjalë quhen reparacione të luftës dhe mund të përfshijnë, nga kërkimi i faljes deri te dëmshpërblimi për dëmet materiale, dëmshpërblimi i viktimave për jetë të humbura, dhimbje fizike dhe shpirtërore të shkaktuara nga agresori. Me çfarë kundërvlere mund të dëmshpërblehet vuajtja e Vasfije Krasniqit apo Saranda Bogujevcit? Shkaktarët e të gjitha këtyre krimeve nuk pranojnë as të kërkojnë falje, kurse pushtetarët tanë të gjertanishëm nuk treguan asnjë vullnet dhe përpjekje për t’i adresuar këto krime në ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Madje Presidenti ynë i Republikës në një takim ndërkombëtar deklaron se “ne nuk jemi djem të këqinj”, me ç’rast në të njëjtin thes fut vetën, luftëtarin e lirisë dhe kriminelin Vuçiq, kryetarin e Serbisë, i cili në atë kohë ishte ministër i propagandës në qeverinë serbe dhe njëri nga përgjegjësit direkt nga planifikimi, realizimi dhe fshehja deri te mohimi i krimeve monstruoze serbe të bëra në Kosovë. Kjo harresë dhe moskokëçarje për krimet serbe, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe mendjelehtësia, thënë më së buti, me të cilën pranohet çdo kërkesë e ndërkombëtarëve, na ka sjell në pozicion nga i cili duhet ta mbrojmë luftën tonë çlirimtare. Nëse vazhdon ky trend, nuk është larg dita kur do detyrohemi ta mbrojmë edhe pavarësinë e Kosovës.

Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet e 90-ta, ishte një ngjarje historike që ndryshoi kahen e zhvillimeve dhe ktheu dinjitetin e nëpërkëmbur të popullit, të shkaktuar nga politika nënshtruese të cilën donin të na paraqesin sikur “gandizëm” dhe “rezistencë paqësore”, që vetëm rezistencë nuk ishte. Madje donin ta shuanin edhe çdo iniciativë që nënkuptonte rezistencë, nga kundërshtimi i demonstratave të studentëve të vitit 1997 deri te lufta çlirimtare kur organizonin “zgjedhje të lira dhe demokratike” në vitin 1998, vetëm pak ditë pas masakrave të tmerrshme në Prekaz, Likoshan dhe Qirez.

Për të ndryshuar trendin e zhvillimeve të sotshme degraduese nuk ka nevojë për daljen e një UÇK-je të re. Mjafton dalja në votime. Mjafton që në mënyrë plebishitare të votohet kundër qeverisjes së papërgjegjshme njëzetvjeçare që përfshinë UNMIK-un, EULEX-in dhe të gjitha qeveritë vendore, sado që mundohen të arsyetohen me presione nga jashtë, të tipit Grenell, apo duke ua hedhur fajin njëra tjetrës partitë politike. Ndryshimi i trendit nuk mund të arrihet me njerëz të njëjtë, siç thotë edhe fjala e urtë popullore “mos e prit shërimin e plagëve nga ai që i ka shkaktuar”. Prandaj duhet votuar për ndryshim, që sot për sot mund ta bëj vetëm Lëvizja Vetëvendosje! Madje as ata, nëse kjo fitore nuk do jetë sa e thellë, aq edhe e përhapur gjithandej, në Llap e Gollak, Podrimë e Dukagjin, Anamoravë e Karadak, Shalë e Drenicë.

Dikur, patrioti ynë i madh Adem Demaçi thoshte se, Serbia do heq dorë nga Kosova vetëm atëherë kur Kosova (bashkë me Shqipërinë) bëhet forcë ushtarake dhe ekonomike, e krahasueshme me atë të Serbisë. Ky konstatim mund të quhet aksiomë dhe si i tillë nuk do vërtetim. Deri atëherë, nëse nuk mundemi t’ia zhdukim oreksin Serbisë, mundemi t’ia zvogëlojmë dukshëm.

Dalja masive në votime dhe fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje!, bashkë me aplikimin e reciprocitetit në raporte me Serbinë, do të dërgonte një porosi të fuqishme të gjithë armiqve të Kosovës, duke treguar vendosmërinë e popullit që të ndërpres trendin degradues të zhvillimeve politike në Kosovë dhe refuzimin e trajtimit të pabarabartë ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Përveç kësaj, jo vetëm që do ia ulte në minimum oreksin Serbisë, por do ta ulte në minimum edhe presionin ndërkombëtar mbi ne, i cili megjithatë nuk do mungojë, kurse do ta rris presionin mbi Serbinë dhe po ashtu do ta ul rezistencën e kundërshtarëve të ndryshimeve brenda dhe jashtë Kosovës.

Fitorja e thellë e Lëvizjes Vetëvendosje! do ishte edhe obligim shtesë për ta, sepse nuk do mund të arsyetoheshin se dikush i pengoi në ndryshimin e kursit dhe njëkohësisht do i jepte fuqi shtesë në çfarëdo negociatash, me këdo dhe për çfarëdo. Po ashtu do i tregonim disa politikanëve tanë se, megjithatë qytetarët vendosin se kush do i qeverisë, dhe jo disa individë të mbledhur nëpër skutat e errëta ku do e ndanin plaçkën e rezervuar për 4 vitet në vazhdim!

Prandaj, fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje! në zgjedhjet e 14 shkurtit, për nga rëndësia mund të krahasohet me daljen e UÇK-së në skenë. Gjithsesi, pa dashur ta krahasoj sakrificën që kërkohej në atë kohë për ta kapur pushkën, me “sakrificën” që kërkohet sot, për të votuar.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...