Home / Histori / TË KALUARËN NUK MUND TA PËRMIRËSOJMË-TË ARDHMËN MUND TA BËJMË TË NDRITUR

TË KALUARËN NUK MUND TA PËRMIRËSOJMË-TË ARDHMËN MUND TA BËJMË TË NDRITUR

Se kildebilledet

Pr.Dr.Hakif Bajrami

(Përkujtojmë sakrificën e DY ADEMAVE dhe mizorinë e okupatorit në Reçak: 15. I.1999-15.I.2021)

Përmendore, meritojnë ata që kanë sakrifikuar për çlirimin e Kosovës. E ata si ushtarë të Skënderbeut, janë Dy ADEMAT, që duhet ta nderojnë kryeqytetin, po aq sa Kastrioti legjendar!

Nuk shkruaj për modalitete artistike, por shkruaj me fakte që ta ftoj trustin mendor shqiptar në rreshtimin e pesë faktorëve që të krijojë energji pozitive për ardhmëri të ndritur, për bashkim kombëtar. E kur e theksojmë ne shqiptarët fonemën BASHKIM, zakonisht mendojmë emocionalisht, se ishim dikur të bashkuar, ishim Arbanas, që do të thotë se ishin ata që bënim ara për të prodhuar bukë, ose e përpunonim arin, më mirë se çdo kush në tokat e zbuluara. Le të transplantohet kjo fonemë në qëndrim për t` u bashkuar, pa e rrezikuar lirinë e asnjë populli fqinj. Pra, shqiptarët duhet të rreshtohen për bashkim, jo për invadim e as për supremaci mbi dike jashtë gjakut tonë, por për një realitet që duhet të ndodhë gjatë shekullit, që e filluam dhe tani jemi në dekadën e tretë. Pra vizioni i bashkimit, projekti kombëtar është në trurin tonë, madje i shkruar dhe i botuar e ai duhet të peshohet në projektin e shteteve shqiptare, në projektin e të gjithë shqiptarëve, sepse kjo kërkesë është kauzë sigurie shpirtërore dhe emocionale, e materializuar, në obligimin njerëzor. Por, kështu si jemi, në parti e tarafe “inteligjente”, krahinore, trevat shqiptare i kemi mbushur me neobajraktarë fisesh e mëhallësh. Pra, vendin e bajraktarit e ka zënë kryetari i partisë, i degës, i nëndegës partiake, që ngadalë po krahinarizohen dhe është rrezik të na kthehen kohët e bajraktarit fisit, që ka fituar fron nga trashëgimia e jo nga dituria shkollore. Dhe, këta të fisit ri (partisë që ka një program ideologjik), gjithë ditën flasim për një transformim demokratik, e ndër “sofër” nuk lënë intrigë e zezonë pa thurë kundër njëri tjetrit, kundër “fisit” tjetër. Pra kemi përparuar shumë, fiset nuk po i harrojmë, por partitë po na robërojnë gati dyfish më tepër, sepse ato (partitë) po provojmë, t`i mjelim si lopën. E partinë e kemi bërë lopë, e tëmblin e saj e kemi kthyer në ushqim fisnor, pra jo ushqim fiziologjik. Madje, kjo thurje, e kuzhinës neobizantine neobajraktare, ka zënë shtat, në trojet tona, në diasporën tonë të shenjtë, edhe në bashkëpunim me dhunuesit tradicionalë të shqiptarëve, po përçahemi dhe jemi bërë pikë e pesë, sa që as diktatura më e egër nuk do të na bashkon. E unë nuk i besoi asnjë iluzioni se dikush po na pengon, të paktën sot.

Pse mbijetuam gjatë shekullit XIX dhe sidomos më 1918-1941 në Shqipërinë Kontinentale. Sepse Lidhja Shqiptare e Prizrenit i vuri kapak pleqërisë se Shqipëri do të ketë me çdo çmim; sepse nga Prespa e deri në Bihor e kishim (1918-194 vetëm një parti-BASHKIMIN (që zyrtarisht quhej XHEMJET). E kjo parti edhe nga Klubi “Bashkimi” (1908) për t` u transferuar në “SHQIPTARI” (1915), e për t` u rilindë më 17 XII 1919 në Shkupin shqiptar me emrin ilegal “BASHKIM” (Xhemjeti). Çka ka ndodhë në Shqipërinë Bregdetare dihet. Mbreti Ahmet Zogu, edhe pse sundoi me egërsi të pashoqe dhe në fund tradhtoi duke u larguar nga fati i popullit, prapëseprapë bota e dinte se “Mbreti i të gjithë shqiptarëve është Ahmet Zogolli i Parë).

Duke e lexuar librin: “SHQIPTARI DINAK”, erdha deri te “informata”, se shqiptarët paskan sunduar gjatë historisë, deri me tash në 12 shtete. Edhe më konkretisht, edhe armiqtë më të mëdhenj që i kemi, nën “rrogoz”, na e pranojnë se: “Jemi populli më i lashtë i Ballkanit”. E disa idealistë shkojnë edhe më larg dhe na quajnë: “më të vjetrit e Evropës”. E ne çka jemi sot, shtrohet pyetja. Së pari, nuk kemi më nevojë të harxhojmë energji dhe të arsyetohemi më duke thënë sa, na kanë lënë në prapambeturi dhe injorancë okupatorët. Ajo kohë ka ngjarë. Tash, kur në trojet tona etnike funksionojnë 15 universitete shtetërore, e po kaq apo më tepër private, çka jemi ne. Kujt i ankohemi, kush na ka faj se na ka mbuluar fantazia se vetvetiu do të bashkohemi, e në anën tjetër arratisemi nga trevat tona me shpresë se do të bëhemi të pasur, duke larë pjata nëpër botë!!!

Më nuk e kemi asnjë të drejtë ta lakojmë emrin prapambreturi në kuptimin akuzues për dikë, sot. Nesër edhe më tepër jo. E pra ku jeni profesorë universitar, që sot zëri fare nuk u ndihet; ku jeni JU studentë që jeni strukur dhe “luftoni” për nota, duke jetuar nëpër pallate studentore dhe banesa luksoze. Zëri JUEJ, zëri i ZOTIT, që ia ka pas dridhur themelet katrahurës Jugosllavi më: 1968; 1981-1997, disi është molegë, e nuk guxon të mekët, e të kthehet në një shkretëtirë dembelie dhe narcizmi ambivalent, duke u infektuar nga ‘bota’ teknologjike, sidomos nga interneti prosperonjës. Studentë të nderuar të kohës “moderne”, shumë pak po harxhoni energji për ndryshime, për ardhmëri, të cilën mund ta menaxhoni drejtë progresit, sepse energjia juaj është e pashtershme dhe plotë frymë patriotike. Rezervohuni e harxhoni kohë më pak për të kaluarën, të cilën nuk mund ta ndryshoni me asnjë akuzë apo urrejtje. Ajo kohë ka ndodhë. Ejani mos t` i vejmë pikë të kaluarës, pra pa e harruar kurrë. Pra si futuristë të startojmë në rrafshin: çka është e nevojshme sot, çka është e domosdoshme nesër, çka është e pashmagshme në vijim. Por jo, atë vijim ta lejojmë që të notojë sot për nesër, sepse shndërrohemi në gjeneratë pa vizion. Pra, të jemi edhe ne popull evropian nën kontroll autokton, pa i harruar adetet dhe zakonet tona, sidomos gjuhën tonë shumë të begatshme, dhe, t` i takojmë familjes progresit, e mos të tallën me neve secili që ngrihet më herët, siç thotë populli. Pra t` i themi prapambeturisë MJAFTË ke mrizuar në trojet tona, me e pa fajin tonë.

Për ta arritur te progresi i duhur, mendoi se duhet zbërthyer, se çka është DEMOKRACIA e PËRKRYER, të cilën nuk mund ta ndërtojmë për një vit, me një kuadër, me një prijës, që disi prapë po e fetishizojmë, që për dhjetë vjet, apo ca dekada atij (prijësit) i kemi bërë proskineza (përkulje sa është gjallë e pastaj në varr), e pastaj po aq kohë harxhojmë për ta zhbërë “proskinezën”. E edhe nëse nuk e bëjmë, atë po e bëjmë sepse me disa parti është më mirë, por të gjithë në një rreshtim tolerant, të na pret sëpata në një vend, e ta nxjerrim këtë komb nga liturgjia e lutjeve dhe ideologjive të mykura politikaneske, sepse mirëqenia nuk vjen nga qielli, por nga puna e dëlirë. Pra, demokracisë, ashtu si e kuptoi i duhet: Liria, Siguria, dhe Prosperiteti. Nga ky pozicion, DEMOKRACIA sjell investim në lumturi dhe optimizëm për gjeneratat, gjithnjë me kujdes, nga poshtë lartë, dhe anasjelltas, në nivel dialektik.

Mjaftë kemi harxhuar kohë në shpjegimin e totalitarizmit që identifikohet me: represion, pasiguri dhe varfëri. Sikur këtë nivel të së kaluarës, e kemi identifikuar me fonemën: Shefi i shtetit dhe Shefi i elektoratit, e mbi të gjithë është Shefi i partisë. E, është e ditur, se totalitarizmin e kemi krijuar vetë, duke investuar fetishizëm në shefin e partisë pa konkurrencë dhe shefin e shtetit pa kurorë, dhe jo vetëm neve, por neve çdo shef shteti, pa kurorë, na janë bërë një palë njerëzish, që thonë se: na e ka nxënë frymën dhe na ka sunduar në emrin tonë, duke harruar se vetë e kemi instaluar në trurin tonë, gati në rang të shpëtimtarit, pra të gjithë duhet të jemi shpëtimtarë të vetvetes dhe individit. Ata të djeshmit, dhe këta të sotmit, që janë një soj faraonësh, që sundojnë në emër të popullit, janë kah na rrjepin në emër të “elektoratit”, gjithmonë si të pakënaqur, e ata dhe këta, po paraqitën kinse po duam për ta ndërruar historinë, por nuk po na lejojnë opozitarët. Kësaj dokrre i thonë hipokrizi. Duhet të thuhet e të kuptohet se përparimin sot po e ngulfat: korrupsioni, nepotizmi, hajnia, spiunimi tek ata që “diktojnë”, sepse infektimi me kravata dhe modalitete rrobash, për t`u dukur sa më fodull në kolltuk, janë thjesht një katrahurë që “shkëlqen” mjerim. Madje, kur i vranë ish-nxënësit dhe ish-studentët e deridjeshëm që vinin në ligjërata me nga një fletore të zdraluar, e tash lëvizin me përcjellje dhe me vetura të blinduara, sepse të tillë i ka bërë partia, faraon, për një përdorim, disi fajin e kemi edhe vet sepse më shumë kemi harxhuar kohë duke “shitur” dituri se sa duke dhuruar edukatë. Pra njeriut modern i duhen të dyja: Edhe dituria edhe edukata. E unë si arsimtar jam përpjekur t’i vejë në binarë homerik të dyja: diturinë dhe edukatën. E kur historia i hedhë në mbeturina palaçot, atëherë ngritën matrapazët dhe atë mbeturinë njerëzish ne do i shqelmojnë. Nëse shkelmimin e bëjmë me kohë jemi fitimtarë, nëse shkëmbimin e bëjmë pasi që kemi pritë a do të na gjuajnë ndonjë asht në gojë, atëherë haraçi dhe prapambetura paguhet me fajde, pra jo me kamatë, sepse nga fillimi çdo gjë është e egër. E dhjet se askush tjetër por vet e kanë ngritë deri në qiell individin fetish apo kult. Pra, edhe këtij degradimi civilizues i thonë “histori”.

E vërteta, qarqet politike shqiptare sot, në dekadën e tretë të shekullit XXI, pas shembjes së totalitarizmit, janë kah shesin dushk për gogla dhe po flasin e po shkruajnë se: jemi “për bashkim kombëtar”. Shikoni programet e partive sot. Ato janë aq të pa sistemuara, sa që as nuk kanë koncept, e as definicion, për bashkimin fare. Shkurt e shqip është e përfolur një frazeologji EZIPOANE. Pra popullin po e rrejnë, elektoratin po e gënjejnë dhe Diogjenin po e brengosim. E rrejë ose gënje, është njësoj. Pra disi nuk jemi as me Ezopin e as me Diogjenin. E bashkimi ose është bashkim, ose nuk është. Madje ka të atillë që në radhët e SHQIPTARISË i kanë krijuar dy koncepte për të njëjtin element. E atomi ose është atom ose nuk është. Pse po e shtroi këtë? Për shkakun se një pjesë (nja 10 % e popullit që është sot i ‘pasur’) po propagandon se: “bashkimi kombëtar, do të ndodhë në Bashkimin Evropian”. E bashkimi evropian, në esencë është kauzë me: “heq dorë nga kombi, nga bashkimi shtetëror-ekonimik”, dhe mu për këtë dështoi aprovimi i Kushtetutës BE-s. Nga kjo aksiomë, doli se bashkimi është realitet i sinqeritetit. Por, pas BREXIT të Britanisë, u kuptua se “njëra dorë e frymës bashkimit” në Evropë duhet të kthehet në invalid. Kështu disi truri anglez e ka kuptuar Beë-n. Pra përparësi i jep qenies vetë angleze. Se bashkimi evropian është asociacion i të pasurve, është një ‘demant’, që vetvetiu tregohet, se brenda tij nuk ka sinqeritet. E ne, mu pse nuk jemi të pasur, nuk do të thotë se nuk jemi të sinqertë, se nuk mund të jemi në shoqërinë e tyre, deri sa të bëhemi të pasur. Bie fjala, Britania është e pasur, por Turqia nga viti 1984 është e kyçur në bisedimet për BE-n. Nuk dihet fati i këtij shteti dhe kombit që i takon, a do të jetë ndonjëherë anëtar i BE-s apo nuk do të jetë kurrë. Madje, po ajo BE që ka një eksponent të pushtetit kryesor në Kosovë e që quhet EULEX, fare nuk kontribuon që Kosova t` i afrohet BE-s, sepse BE nuk e pranon Kosovën si shtet. Pra, BE drejtohet më tepër kah Serbia, sepse shteti i Borellit dhe Llajçakut, nuk e pranojnë Republikën e UÇK-ës. E ata na i caktojnë fatet tona për viza, për investime, për PISA, për Interpol, për…. E pse llomotitin politikanët, po shkojmë drejtë BE-s, është çështje që populli duhet thotë: mjaft na keni rrejt, ndaleni korrupsionin dhe hajninë në pikë të ditës u avulluan dy milion Euro shih nga TREZORI i shtetit dhe asgjë. Jo në këtë “diagram” ka lidhje edhe: AKI-a, policia, partia-Qeveria!!!

E premtimeve të partive prapë duhet t` u besojmë. E a duhet t` ua afatizojmë premtimet. Por, si duket, partitë për t` ia thyer kurrizin popullit, e kanë gjetur çelësin e mbylljes së rrenave dhe po organizojnë zgjedhje të shpeshta, në stilin: më shkarkove, të shkarkova, vetëm për të shpërndarë dokrra-premtime. Kosova nuk ka viza, sepse BE dhe EILEX, natë e ditë janë për destabilizim të shtetit Kosovës Shikoni, ku ka vend në botë që t` i sjellë dokumentet “konfidenciale” në pikë të ditës, e pastaj të burgosë pse t` i kam sjell, bile në zyre. Ky realitet është plagë diçka më tepër se koloni. Ku është AKI, Prokuroria, policia, shërbimet shtetërore. Ato janë për INTERES të AQYTETARËVE-të shtetit e jo anasjelltas, populli të jetë për interes të tyre, bile vetëm sa të zgjatë koha e fushatave zgjedhore. Në këtë destabilizim, nuk janë larg në kilometrazh as disa parti në trevat shqiptare, të cilat “nuk e dinë” se BE nuk e pranon Kosovën si shtet, dhe mu për këtë nuk ka VIZA. Pra ka viza të rrenave për çdo ditë, për ta mbajtur popullin në iluzione. E sot ‘INDUSTRIA; më profitabile në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, është të jesh partiak, i afër me Këshillin drejtues të partisë nanë. Baba po dihet-kryetari. Më së miri do të ishte që në këtë filozofi të jemi për një kohë “jetim”.

Cilët janë pesë faktorët e bashkimit kombëtar

Së pari, pa mëdyshje nëse duam bashkim kombëtar, duhet të jemi të ORGANIZUAR. Së dyti, duhet të PUNOJMË të organizuar. Së treti, punën në proces, duhet ta NDAJMË. Së katërti, në ndarje të punës, duhet t` i ndajmë FUNKSIONET. E në hapësirën e funksioneve duhet, nëse e kemi synim bashkimin kombëtar, të na drejtoi një ideal i përbashkët.

A mundemi këtë strukturim ta zbërthejmë në saktësi të shkencave ekzakte-natyrore. PO. Të jemi të organizuar si NATYRA. Të punojmë në shoqëri të interesave të tregut lirë të diturisë-kapitalit, që prej tij del çdo progres. Çdo ndarje e punës, nuk është asgjë tjetër, përpos se një revolucion shoqëror, që ka bazament social dhe nacional. E revolucionin mund ta bëjë vetëm dituria që është në shërbim të shoqërisë. Ndërsa idealin e bashkimit, mund ta bëjë fuqia humane e ndritur me trurin që nuk prodhonin urrejtje, segregacion, shtypje dhe shfrytëzim brenda llojit e jashtë tij, duke e shfrytëzuar po llojin që i takon.

Çka na imponon momenti aktual për shqiptarë kudo që janë

Edhe në Kosovë edhe në Shqipëri në gjysmë e parë të këtij viti kemi zgjedhje pushtetare. Si duket, zgjedhje lokale do të kemi prapë në Republikën e Kosovës në vjeshtë. Pra tërë viti do të harxhohet nga politikanët duke premtuar. E kur t` i shtohet brenga e COVITIT19, atëherë çështja komplikohet, jo në numra përfaqësuesish, por në prapangecje ekonomike, sepse premtimet duhet të janë të dyfishta. E besa koha po është më e shpejtë se sa premtimet, të cilat jemi të detyruar t` i pranojmë. E si t`i bashkosh ato pjesë, madje me padituri. E pa pas diçka, nuk ke çka të bashkosh fare. E kur t`i shtohet fakti se partitë po ia mohojmë “sukseset” njëra tjetrës, atëherë bashkimi është shumë më larg.

Tani në Republikën e Kosovës janë dy personalitet që qëndrojnë fuqishëm në maje të PIRAMIDËS politike. I pari do të zgjidhet Kryetar Qeverie me shumë lehtësi, mendoi unë. I dytë (e dyta) në pozitën e Presidentit, mendoj se do të ketë problem pa një kooperim me ata që janë në zgjedhje, sepse këta dy të parët, po thonë se jemi në REFERENDUM. Dhe është krenari se ky REFERENDUM, do të jetë pozitiv. Me Kushtetutë, kryetari i Qeverisë dhe Qeveria mund të zgjidhet me 61 votë, plus. Nuk ka rëndësi a janë në sallë me rastin evitimit, humbësit. Por, kur është fjala për Presidentin që deri me tash është shpjeguar se e “përfaqëson popullin-tërë elektoratin”, patjetër me rastin e votimit duhet të janë në sallë 81 deputetë plus, pra shumica absolute, nga 120 deputet sa janë të lejuar me Kushtetutë. Këtë kvotë (81) VV në koalicion të ngushtë, zor se do ta arrijë. Pra imediativisht duhet që sot të fillojë xhirimi i simpatizantëve ose mbështetësve të kvotës 81. E ky realitet tani në aspektin psikologjik është shumë larg, madje shumë larg nëse qysh tash nuk i zbusim “gjakrat”, sa që vendi mund t` i ketë dy zgjidhje: të vendosë prapë Arbëria, ose të shkojë vendin në zgjedhje, të reja. Në këtë pikë kritike jemi, na pëlqeu ose jo. Pra Kosova vetvetiu, nëse na dështojnë zgjedhjet, po dëshmohet pastaj se është një trust politik i pasigurt. E këtë e pret Serbia dhe Putini me Llajçakun dhe Borrelin, ku Brukseli nuk do të mungojë së brohorituri. Pra fatin e popullit, fatin e Republikës e ka populli i Kosovës dhe Gjo BAJDENI, në dorën e djathtë. Pra, për të satën herë e themi se pa miq, pa Amerikën, zor se do të arrijmë, për faktin se po e luftojmë vet qenien tonë, për interesa partiake, do të thotë klanore.Drejtues të partive, mendoni më shumë për popull se sa për veti. Nëse e doni Kosovën më shumë se vetveten, ju do të jeni në anën pozitive të historisë.

Këto ditë lindi një problem se kur dhe ku duhet vendosur shtatoret e personaliteteve kombëtare. Pa asnjë dilemë e them se familja e Prof Anton Çetës, plasoi një shembull shqiptarie. E me prof.. Antonin dy vite i kam kaluar në pajtimin kombëtar, kudo nëpër viset shqiptar dhe nëpër Evropë. Ai ishte një personalitet shumë i respektuar dhe i dashur, që me ekipin e tij ka shëruar aq plagë sa që ua ka kaluar të gjitha gjeneratave para tij.

Po, statuomania e ka përfshirë Kosovën. Dilni në qytetin e Prishtinës, në ballë të institucioneve të shtetit e ke HEROIN KOMBËTAR GJRETGJ KASTRIOTIN-SKENDERBEUN, njërin ndër pesë gjeneralët më të njohur të njerëzimit. E ky personalitet ka luftuar për 25 vjet për liri dhe ushtarët e tij kanë derdhur lumenj gjaku. E përballë TIJ, qëndron një shtatore e një njeriu që e ka SABOTUAR luftën, (këtë e ka thënë edhe Krist Hilli, që i ndërronte draftet për fatin e Kosovës, si vetë e Krishtlindjeve), e Ai sot është kthyer në fetish. I pari kurrë nuk është takuar me Sulltanin, i dyti tri herë është takuar me kasapin dhe prapë detyrohemi ta durojmë, madje ta kthejmë në kult që sjellë vota “lumturie”. Mu për këtë disa partiakë të LDK e duan Ibrahimin, sepse ai u sjellë pozita në parti, e që kurrë me të nuk i kanë ndërruar as dy fjali. A nuk i ngjanë ky realitet atij faktit kur shkonim në Tiranë 1972-1980, në pjesën e djathtë të Hotel “DAJTIT”, qëndronin dy personalitete joshqiptare. Ishin aty Lenini dhe Stalini. I pari ia hiqte kapelën të dytit. Këta në Prishtinë (Skënderbeu dhe Ibraimi), në vend se ta mbajmë Heroin Kombëtar pa konkurrencë, ia kemi vu përballë një sabotues të luftës ÇLIRIMTARE. Më kuptoni si të doni, por si ushtarë i Adem Demaçit dhe Adem JASHARIT- UÇK-ës, kurrë me asnjë veprim Ibrahim Rugovën, nuk e kam urryer. Madje luftën propagandistike, LDK e ka bërë me librin tim të botuar më 1995 me titull “Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës (1844-1995), Prishtinë 1995, botim: QIK. Ky publikim është shpërndarë nëpër shumë ambasada mike dhe armike. Dhe kurrë nuk kanë mund të japin asnjë vërejtje. Pra, Kosova, Adem Demaçi, Adem Jashari e heronjtë e kohës duhen e respektohen me vepra e jo me hipokrizi, për të fituar pozita profitabile financiare.

Madje sot, (15 janar 2021) shumë politikanë u përkulën para plagës kombëtare të Raçakut heroik. Por asnjëri nuk e tha të vërtetën, që ua ka thënë më 16 janar 1999 Adem Demaçi, emisarëve të Hollbrukut me këto fjalë: “Ne Zotëri i liruam 8 ushtarë e Serbisë më 11 janar. Ata i kishte zënë rob Zona operative e Shalës Bajgorës, duke u përgatitë që të masakrojnë popullin duarthatë. Ju po i toleroni të na masakrojnë më 15 janar 1999. Mos harroni se nga 8 janari 1999 Millosheviqi i ka sjellë edhe 62000 trupa vrasësish në Kosovë”. Ata: Ibrahim Rugova nuk po mendon si Ju Zotëri Adem. Tani para 40 minutave na tha se “Do të dialogojmë”. Baci: Ai ka folur në emër të vet. Unë flas në emër të popullit dhe të UÇK-ës që i ka rrokë armët për liri. Në këtë rrugë ne jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin më të lartë, por nuk do të ndalemi. Luftën e kemi nisë për njëmend. Ju falënderojmë shumë…!”

Ku ishit ju intelektualët me pedigre që ta luftoni okupatorin. Jo, jo, askush nuk e thekson se Adem Demaçi duhej të ishte përballë Kastriotit, sepse ky 28 vjet vuajti burgjeve, plus nuk u kursye dhe doli si luftëtar politik në qendër të Prishtinës, për t`u njohur UÇK, si organizatë ÇLIRIMTARE. Në anën tjetër, si e ka quajtur UÇK-ën tërë stafi drejtues i LDK, kur në qershor 1998 dezertoi Brigada e Dukagjinit; si të quhet ndryshe kërkesa e Delegacionit të LDK-ës që shkoi në Drenicë (shtator 1998) dhe i tha Shtabit të UÇK-ës: “Dorëzoni armët. Shkoni nëpër shtëpia”. E jo vetëm ky rast nuk ka ndodhur pa urdhër nga lartë. E këto tradhti, historia nuk do t`i heshtë kurrë, sepse janë njolla të zeza, që edhe sot e minojnë bashkimin kombëtar.

Unë kombit, vizionit të luftës – Adem Demaçit dhe Adem JASHARIT, që sakrifikuan çdo gjë për çlirim të Kosovës, për famën e UÇK-ës në Botë, për LUFTËN E DREJTË, për bashkimin kombëtar, i besoj.

Prishtinë, më 15 janar 2021

 

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...