Home / Të ndryshme / Frëngjitë dikur për t’ u mbrojtur nga armiku e nga njëri-tjetri, sistemi komunist i ktheu ato në relike e muze, kurse “demokracia” i vuri non stop përsëri në përdorim…….????????/.

Frëngjitë dikur për t’ u mbrojtur nga armiku e nga njëri-tjetri, sistemi komunist i ktheu ato në relike e muze, kurse “demokracia” i vuri non stop përsëri në përdorim…….????????/.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, ulur dhe E brendshme

Shkruan: BUJAR CANI

Fati e desh që në familjen time kur isha i vogël, kam pas jetuar edhe me gjyshen nga ana e nënës, me gjyshen time të mirë dhe të dashur, ashtu siç janë të gjitha gjyshet. Kam jetuar me një gjyshe që më rriti dhe edukoi me vyrtytet më të mira të jetës, dhe falë asaj që unë jam sot, padyshim që një pjesë e madhe e meritës, i takon gjyshes time të dashur dhe të mirë.

-Me gjyshen time të mirë dhe të dashur, shkoja pothuajse çdo vit në pushimet verës të shkollës 8-vjeçare, në fshatin e saj të lindjes, por edhe të prindërve të mi, në Martaneshin tim të dashur e të paharruar. Martaneshi, ishte një fshat i madh malor ose me thënë një krahinë me plot tradita, me plot histori, një krahinë patriotike e atdhetare.

-Kjo krahinë,  ka pasur një të kaluar me histori patriotike e atdhetare, një krahinë që nuk ishte nënshtruar asnjë armiku apo pushtuesi, me plot histori e ngjarje të medha. Por, ashtu siç do krahinë apo fshat i veriut, kishte pasur plagën e madhe dhe të rëndë, atë të gjakmarrjes e hasmërisë.

-Dhe, për këto histori luftërash, historive e traditave të bukura të zonës, por edhe për zakonin e gjakmarrjes, të kësaj lufte ku shqiptarët vriteshin me njeri-tjetrin, më tregonte gjyshja ime e dashur.

-Më tregonte, sesi kishte lindur gjakmarrja, sesi ishin vrarë shumë burra të familjes së saj, ndër ‘ta edhe babai e xhaxhai i saj.

-Kush kishin qenë hasmit e fisit të saj?! Fqinjët, shtëpitë e tyre, që ne i kalonim pranë tyre, por nuk kishim frikë sepse tashti me to, nuk kishin probleme të tilla, bile ishin bërë miq dhe kishin lidhur krushqi me ‘to.

-Fëmijtë shkonin nëpër shkolla e aksione bashkë, njerëzit punonin në kooperativë dhe në miniera e punë të përbashkëta, pa pasur frikën e gjakmarrjes.

-Për këtë, një punë mjaft të madhe kishte bërë shteti komunist, duke i ndaluar me forcën e ligjit, të organeve shtetërore, punë bindëse dhe pajtuese.

-Dhe, njëherë gjyshja ime më çoi tek motra e saj, në një lagje të vogël të krahinës, e futur poshtë një gryke mali, tek një gjyshe tjetër fisnike e malësore e vertetë.

-Afër shtëpisë së motrës të gjyshes, ishte dhe një shtëpi dykatëshe karakteristike malësore, ku kishte pas banuar një i afërm i fisit të tyre, një njeri mjaft trim e kaçak, që të merrte gjak në vetull e hasmit ja kishin pasur frikën, sepse gryka e pushkës së tij nuk të falte kollaj, kur donte që të vriste.

-Por, ajo që më bëri përshtypje tek kjo shtëpi ishte një copëz vend në formë gjysëm rrethi, e dalur nga muret e shtëpisë, e lartë dhe e gjatë sa një bojë njeriu, e mbushur me plot frëngji ose dritare shumë të vogla, sa të futej gryka e hollë e pushkës.

-Kur e pyeta gjyshen time, për këtë vend të çuditshëm brenda kësaj shtëpie, ajo më tha :

        “Këtu rrinin burrat e ngujuar në pritje të hasmit që donte ti vriste, por edhe kur vinin armiqtë për t’i pushtuar”.

Ai vend, që nuk kishte asnjë gjë të lëvizur, por, ashtu siç kishte qenë përpara çlirimit të atdheut.

-Por, në kohën e sistemit komunist ishte kthyer në muze ose në relike, për t’i treguar brezit të ri, se kush kishte qenë kjo plagë e rëndë shoqërore, plaga e gjakmarrjes, që nuk ekzistonte më, e që ishte kthyer në legjenda për t’u treguar, për ne, brezin e atëhershëm fëminor.

Po sot, mbas 26 viteve gjoja sistem demokratik, çfarë mund të themi për këtë plagë të rëndë shoqërore, për fenomenin e gjakmarrjes, e mund të themi me dhimbje, por me plot gojën, që është një nga plagët më të rënda, të kësaj shoqërie të kalbur që jetojmë.

-Kjo plagë ka marrë me mijëra jetë njerëzish të vrarë, bile duke e përdhosur e bastardhuar këtë fenomen të kanunit.

– Sepse, janë vrarë edhe fëmijë të mitur, vajza, gra, femra e burra moshuar.

Janë me mijëra familje të ngujuara, bile edhe zona të mëdha urbane e qytetesh të mëdha, si Shkodra etj.

-Me mijëra fëmijë, që nuk kapërcejnë pragun e shtëpisë, që nuk shohin dritën e diellit, që nuk luajnë si shokët e shoqet e tyre. Që nuk shkojnë në shkollë e ngelin analfabetë, injorantë tërë jetën e tyre, që nuk e dinë, sesi është bota atje përtej katër mureve të shtëpisë, sepse po të dalin, rri gati pushka e ngrehur e hasmit për t’ i vrarë.

-Dhe ky shtet i mbas viteve 1990, ky sistem shoqëror kapitalist që, qeveritë shkojnë e vijnë, mburren me të bëmat e “demokracisë”, me liritë e drejtat që na kanë sjellur, me bumin ekonomik, për internetin dhe Shqipërinë dixhitale?!!!

-Po këtyre fëmijve, që janë me mijëra çfarë do ju thotë vallë, a ju mburret këtyre për këtë Shqipëri që kanë bërë, a kanë karakter dhe moral njerëzor që t’u dalin përpara, apo të shkojnë nëpër familjet e ngujuara.

-Por mirë more të dashur shtetarë, pushtetarë e qeveritarë, deputetë e politikanë, përse nuk e ndaloni dot këtë plagë kaq të rëndë kombëtare që kemi, përse u vunë përsëri në punë frëngjitë e gjakmarrjes, që sistemi komunist i kishte kthyer në relike apo në muzeume?!

-Përse nuk e ndaloni, e nuk mbroni jetën e qytetarëve, sepse janë me mijëra të vrarë nga fenomeni i gjakmarrjes, përse lejoni që të vriten shqiptarët ndërmjet vedi,

e nuk keni forcën ligjore për ta ndaluar?!

Por, në fund të këtij shkrimi, jam i gëzuar ta them, se në krahinën e prindërve dhe të gjyshërve të mi, në Martaneshin tim të dashur, të burrave e grave të mençura dhe të besës, ky fenomen, kjo plagë e rëndë e kësaj shoqërie kapitaliste të kalbur, nuk ekziston më, nuk u zhvillua dhe nuk u bë asnjë vrasje për gjakmarrje.

Gjakmarrja ngeli si relike, si muze e si legjendë e dikurshme, si atëhëre kur i la sistemi komunist; dhe për këtë më bën të ndihem krenar për Martaneshin, vendin e prindërve dhe të afërmve të mi.

5 Janar, 2018

Zgjodhi: Fadil Shyti.

Marrë nga fzb, në shenjë respekti për autorin.

About admin

x

Check Also

Rexhep Qosja: Fitorja e Albin Kurtit do të sjellë shpresë për gjithë shqiptarët!

October 8, 2019 Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej ...