Home / Opinion / KOMENTI PER DEKLARATEN E ALI AHMETIT

KOMENTI PER DEKLARATEN E ALI AHMETIT

Se kildebilledet

Shkruan; Kolonel Dilaver Goxhaj

/Zavendës Komandant i Shtabit  të Përgjithshëm të UCK-së/

Deklarata e z.Ali Ahmeti, si ish-anëtar i Sektorit te Rëndësisë së Veçantë të LPK për organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë, por jo edhe anëtar i SHP të UÇK: “Mirëpo këtu duhet theksuar me plotë përgjegjësi që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri vullnetare dhe sistematizimin dhe krijimin e zinxhirit komandues e pengoi masakra mbi Familjen e Jasharëve dhe të gjithë njerëzit e angazhuar në lëvizjen ilegale u angazhuan e vepruan aty ku u ndodhën dhe nuk u arrit idealja për krijimin e zinxhirit komandues, edhe pse ne kemi propaganduar që ekziston shtabi i përgjithshëm, por kjo më tepër është bërë për t’i dhënë kahe dhe moral vetë popullatës, qytetarëve, që kjo luftë udhëhiqet nga një zinxhir mirë i organizuar.

E vërteta është se ne nuk arritëm të ndërtojmë zinxhirin komandues.” është një mohim me vetëdashje i së vërtetës absolute; me apo pa qëllim, këtë është mirë të na e sqarojë vetë.

Vrasja e Komandantit të Shtabit Qendror të UCK, Adem Jasharit, në betejën e Prekazit dhe jo ashtu siç thotë z. Ali “në masakrën e Prekazit”, si dhe vrasja më herët e Shefit Operativ te atij Shtabi Qendror si dhe arrestimi i Nait Hasanit, nuk e eliminoi Shtabin Qendror, pasi ishin gjalle dhe vepronin 4 anetaret e tjere te atij shtabi Qendror: Lahe Ibrahimi, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi dhe Sokol Bashota, të cilët organizuan daljen hapur si UCK në ditën e përcjelljes madhështore te mësuesit, Halil Gerci, më 27 nëntor 1997, që është edhe data e shpërthimit haptas të asaj lufte. Mbi bazën e këtij Shtabi Qendror, më 11 Qershor 1998 rikrijohet, plotësohet dhe riemërohet Shtabi i Përgjithshëm i UCK, duke e kryer detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm koloneli, Bislim Zyrapi, pavarësisht se u emërua Shef Operativ dhe Shef Shtabi Jakup Krasniqi ai dhe zëdhënës i atij Shtabi. SHP i UCK u kompletua me të gjitha strukturat e veta, madje duke e ekzagjeruar dhe dashur t’i jepnin edhe atributet e një qeverie të luftës. Dhe ky SHP, de fakto, i udhëhequr nga koloneli Bislim Zyrapi, i cili vinte me një përvojë lufte nga Bosnja, ku kishte arritur të komandonte në atë luftë deri komandant Divizioni, duke e filluar strukturimin e UCK nga poshtë-lart, duke u krijuar kompanit dhe batalionet, një muaj më pas u krijuan brigadat dhe, duke kaluar nga nënzonat operative në zona operative, duke emëruar komandantët e Zonave Operative dhe këto komanduan komandantet e njësive dhe reparteve vartëse. Nëse do të pranojmë të vërtetë qetë që thoni Ju, z.Ali Ahmeti, atëherë na del se UCK-ja paska qenë si ushtria e Haxhi Qamilit. Këto zona, z.Ali, nuk u krijuan me dëshirën e “atyre ku ndodheshin”, sikundër u shprehët në atë intervistë, por me vendim dhe urdhër të SHP. Është ky SHP i udhëhequr nga Bislim Zyrapi, i cili riorganizoi gjithë UCK, pas shpartallimit të saj në ofensivën e ushtrisë serbe të verës 1998, duke shfrytëzuar mrekullisht armëpushimin e 1 tetorit 1998, sipas marrëveshjes Holbruk-Millosheviç. Dhe kjo është meritë kryesore e Bislim Zyrapit, bashkë më Rexhep Selimin, dhe Kadri Veselin. Është ky SHP, i cili e detyroi Serbinë të bënte shkëmbimin e robërve më 13 janar 1999, duke e ekuilibruar UCK me ushtrinë e ish-Jugosllavisë së mbetur (Serbi, Mal i Zi, Kosovë) dhe qe ky detyrim bëri që Serbia bashkë me shërbimet sekrete italiane e franceze të organizonin masakrën e Reçakut për ta sfumuar atë arritje të UCK, pasi dihet që nga suksesi ushtarak lind suksesi politik, qe do të thoshte se prej asaj date UCK-ja ishte mbizotëruese e gjithë aktivitetit politik e ushtarak në Kosovë. Dhe kjo ishte meritë e ekzistencës së SHP të UCK-së. Më 20 mars 1999 kur Serbia kaloi në Mësymje të Përgjithshme me të gjitha llojet e forcave të veta të Armatosura (ushtrinë, aviacionin dhe policinë) për të vënë në zbatim Operacionin “Patkoi”, me qëllim shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët, SHP qysh në orët e para të asaj mësymjeje të përgjithshme serbe u mblodh dhe mori vendim të ndryshonte strategjinë e saj të luftës, duke kaluar në strategjinë e luftës partizane (guerile) të kombinuar edhe me luftime të përkohshme mbrojtëse në mbrojtje të popullatës që do tërhiqej në zonat e sigurta malore sipas orientimit që do të jepte SHP dhe komandat e zonave e të brigadave. Dhe atë vendim të gjithë komandat e zonave filluan ta vënë ne zbatim qysh atë pasdite të datës 20 mars 1999. Dhe për ta ndjekur nga afër atë vendim e atë strategji, SHP bëri dërgimin e anëtarëve të vet nëpër zonat operative. Në zonën e Drenicës shkoi Komandanti SHP, Sulejman Selimi, me shefin operativ të SHP majori Sali Veseli dhe shefin e xhenjos kolonel, Bardhyla Tahiri; në zonën e Dukagjinit Rexhep Selimi, Lahe Ibrahimi; në zonën e Pashtriku shkuan Shefi i Shtabit kolonel Bislim Zyrapi me zëvendësin e tij koloneli Shpëtim Golemi. Të tjerët qëndruan në malet e Berishës. Fillimisht u nisën urgjent këto tre zona pasi në këto zona filloi mësymja e përgjithshme e ushtrisë serbe. Nëse nuk do të funksiononte SHP dhe gjithë zinxhiri komandues deri në toga e skuadra, ku qe organizuar edhe sistemi i komunikimit (ndërlidhja) me radio e telefon satelitor, nuk do të kishte mundësi që të realizohej bashkëpunimi me Aviacionin e NATO-s, Shtabi i të cilit u Vendos në Kumanovë. Shtabit të Përgjithshëm të UCK të dhënat për veprimet dhe vendndodhjen e forcave serbe i jepeshin nëpërmjet zinxhirit komandues batalion-brigadë-zonë operative-SHP, të cilat SHP ia komunikonte urgjentisht Shtabit të NATO-s në Kumanovë dhe mbi bazën e atyre të dhënave ngrihej aviacioni i NATO-s dhe realizonte goditjet; ku, me këto të dhëna NATO kreu me sukses gati 10 mijë operacione në Kosovë kundër forcave serbe. Dhe kjo ishte rezultat i funksionimit të zinxhirit komandues të UCK. Unë nuk mbaj mend asnjë rast që të mos më jetë bindur një komandant zonë operative për urdhrat që merrte nga SHP dhe raportimin e zbatimit të tyre. Nga e dinë z.Hashim Thaçi dhe z.Ali Ahmeti se nuk na paska ekzistuar zinxhiri komandues dhe nuk na paskan pyetur fare vartësit poshtë?! Kjo deklarate e z. Ali Ahmeti, se UCK nuk ka pas zinxhir komandues, i vjen në takim aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Gjykatës Speciale në Hagë për Kosovën, e cila e akuzon UCK “Ndërmarrje e përbashkët terroriste”. E themi këtë për faktin se duke mos pasur zinxhir komandues, natyrisht që çdo prokuror do të thotë se këta njerëz poshtë ishin secili kokë me vete dhe bënte si donte vetë. Nga ana tjetër, të thuash se ne mashtruam popullin se gjoja kishim SHP që ai të vinte në luftë, jo vetëm që është me të vërtetë një përrallë, por lind dhe pyetja: Zoti Ali, kush do ta organizonte këtë popull të mashtruar kur të vinte në luftë, përderisa nuk ka pas zinxhir komandues? Po kur thoni, z.Ali, se “ne nuk dhamë asnjë udhëzim për vrasje civilësh serbë e shqiptarë”, si mundet t’i jepnit ato udhëzime kur nuk ekzistonte zinxhiri komandues, apo ia dhatë vetvetes suaj? Pastaj, ju z.Ali nuk keni qenë në SHP, të UCK, flas për periudhën mars-qershor 1999, ku unë kam qenë anëtar i atij shtabi, atëherë nga e dini se nuk kishim autoritet komandues mbi ushtrinë tone?! Madje, këtë që thoni ju z.Ali Ahmeti e ka thënë edhe z.Hashim Thaçi në atë prokurori, mos vallë edhe ju e keni thënë po atje, tek ajo Prokurori kur u morën ne pyetje, përderisa jeni të koordinuar me Hashim Thaçin? Mos valle jeni marrë vesh më herët për të bërë të njëjtën gënjeshtër, me qëllim që të shpëtojë X e Y dhe të dënohet gjithë UCK-ja si ushtri terroriste? Lutem, z.Ali, është mirë që këtyre pyetjeve t’u ktheni përgjigje. Madje, po ua bëj me dije se gjatë periudhës që unë kam qenë në SHP të UCK, në asnjë mbledhje të tij të plotë apo të pjesshme as ju dhe as z.Hashim Thaçi nuk keni qenë të pranishëm. Nga e dini atëherë, Ju dhe Hashimi se ne si SHP nuk paskëshim autoritet komandues në të gjitha hallkat organizative të UCK 05.01.2021

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...