

18 dhjetor 2020
Shkruan: Gani Qarri
Sado që marrëveshja e nënshkruar aso kohe nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behxhet Pacolli pati rezultuar me finalizimin e ligjit për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit dhe amendamentin e Kushtetutës, të njëjtat marrëveshje, me preferencat e Hashim Thaçit e të Isa Mustafës, nuk u nxorën asnjëherë për miratim në Kuvend, ndaj për pasojë, kemi ende edhe sot, një situatë të tillë, të krizës së theksuar politike, për pozitën e të parit të vendit, e cila sidomos kohëve të fundit është kthyer në luftë të hapur, për kapjen e shtetit dhe avancimin e interesave mafi oligarkike të klaneve puro kriminale politike në vend, gjë e cila mund të tejkalohet vetëm me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit me votat e popullit të Kosovës.
-Kapësit më eklatantë të shtetit, tanimë të njohur publikisht për të gjithë opinionin, sunduan në mënyrë arbitrare vendin dhe shoqërinë kosovare, përmbi një dekadë e më tepër me radhë, pothuajse të pa sfiduar nga askush, duke e lënë nën hije popullin e Kosovës dhe shumicën e segmenteve ekzistuese politike. Madje qysh me ardhjen e Hashim Thaçit & CO në pushtet, u vendos në mënyrë tërësisht klandestine bazamenti i parë kundërligjor i mungesës së llogaridhënies para popullit dhe segmenteve ekzistuese politike të mëdha e të vogla në vend, duke e kthyer në “ligj” keqpërdorimin publik të sistemit zgjedhor, si instrumentin më specifik, për manipulime të hapura politike në vend.
Madje megjithëse ai tanimë gjendet i arrestuar nga Specialja në Hagë, kasta e degjeneruar politike e Kosovës, e cila këto veprime antiligjore i miratoi në heshtje gjatë gjithë kohës, dhe avazin e Thaçit e vazhdon edhe sot, tagrin për to, si dhe harraqin e bllokimit të marrëveshjes për reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, përfshi reformën që kishte të bënte edhe me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të shtetit, marrëveshje kjo e arritur në paketë me marrëveshjen për zgjedhjen e ish presidentes Atifete Jahjaga më 6 nëntor te vitit 2011, po e paguan shumë shtrenjtë, jo vetëm, por bashkë me votuesit e Kosovës.