Home / Lajme / Joe Biden fiton në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Joe Biden fiton në zgjedhjet presidenciale në SHBA

 

Biden fitoi shtetin vendimtar Pennsylvania dhe kështu tejkaloi shifrën prej 270 delegatëve të nevojshëm të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet

Hakan Çopur
|07.11.2020

Joe Biden fiton në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Washington

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden mundi presidentin në detyrë Donald Trump, duke i dhënë fund ditëve të pritjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Associated Press (AP) dhe organizatave të tjera mediatike, Biden fitoi shtetin vendimtar Pennsylvania dhe kështu tejkaloi shifrën prej 270 delegatëve të nevojshëm të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet.

Sipas AP-së, Biden tani ka gjithsej 290 delegatë, edhe pse në shtetet Georgia, Carolina e Veriut dhe Alaska rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur pas zgjedhjeve presidenciale të së martës.

“Amerikë, unë jam i nderuar që më ke zgjedhur mua për të udhëhequr vendin tonë të madh”, tha presidenti i zgjedhur në Twitter.

“Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, por unë ju premtoj këtë: Unë do të jem president për të gjithë amerikanët, pavarësisht nëse keni votuar për mua ose jo. Unë do të mbaj besimin që më keni dhënë”, shtoi ai.

Fitorja e Biden-it e bën Trump-in presidentin e parë me vetëm një mandat në gati tre dekada. Megjithatë, Trump është zotuar të ndjekë rrugë ligjore për totalin e votave në disa shtete.

Menjëherë pasi çdo media e madhe në SHBA shpalli Biden-in për fitues, Trump reagoi ashpër, duke pretenduar se zgjedhjet “nuk kanë mbaruar”.

“Joe Biden nuk është çertifikuar si fituesi i asnjë shteti, e lëre më në ndonjë prej shteteve shumë të kontestuara që shkojnë drejt rinumërime të detyrueshme, ose shtetet ku fushata jonë ka sfida ligjore të vlefshme dhe të ligjshme”, tha ai.

“Votat ligjore vendosin se kush është president, jo lajmet e mediave”, shtoi ai.

Me këtë fitore gjithashtu shkruhet historia edhe për kandidaten për zv/presidente që garoi bashkë me Biden-in, senatoren Kamala Harris, e cila tani do të bëhet gruaja e parë që do të shërbejë si zv/presidente në SHBA, duke u bërë njëkohësisht personi i parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë aziatike që ka mbajtur këtë post.

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...