Home / Lajme / Çmenduria na bashkon.

Çmenduria na bashkon.

1. Meliza Haradinaj e ka Kryeministër Ramush Haradinajn;
Kryeministri Hoti e ka Kryeministër Isa Mustafën;
SBASHK-u e ka Kryeministër Edi Ramën,
Edi Rama (sikurse Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj), s’ka hiç Kryeministër.
2. Ne luftuam (pardon, Ju luftuat) për bashkimin me Shqipërinë, por s’di çka ka qenë puna diçka, nuk u bashkuam.
Tash që mund të bashkohemi, nuk na duket interesant, se neve për të na u dukur interesant ‘bashkimi kombëtar’ duhet me na ndalu’ dikush.
Duhet me na tutë armiku.
Pra, ne e donim Shqipërinë veç pse ishte ‘molla e ndaluar’, nejse ‘dardha e ndaluar’, për arsye se dardha ka bisht.
E dini, me siguri, se shqiptarët e Kosovës e kanë përjetuar rëndë ndarjen me Shqipërinë, kurse ata të Shqipërisë më të kfjelltë, shpejt janë pajtuar me fatin ‘e zi’ dhe e kanë gjetur një fat tjetër.
Ne kemi mbetur ‘stuck on the feeling’, ama veç në çifteli, se jashtë ‘saj’ edhe ne kemi përparuar.
Ndarja i ka disa benefite.
Me pas qenë bashkë, s’do të ishim të gjithë ‘dikushi’, por kështu të ndarë siç jemi, secili katund dhe qytet është shah n’vete dhe sillet i pavarur dhe i padëgjueshëm, si shtet i bashkuar i Kosovës (me përjashtim të 10 komunave serbe që janë të bashkuara me Serbinë, duke iu falenderuar krijuesit të komunave serbe- Lutfi Hazirit.
Kështu, Shpend Ahmeti e ka ‘shtetin’ e vet, Prishtinën.
Qytetarët e ‘tij’ janë qytetarë të ‘dorës së parë’, të dalluar nga ‘shtetet’ e tjera të Kosovës.
Shpendi e ka shok të twiterit Barak Obamën, prandaj nuk e bën hesap për kryeministër Avdullah Hotin.
3. Pritet që edhe ‘Marigona Rezidence’ ta shpall autonominë dhe të pavarësohet nga Kosova.
E ka rampën, (doganën), emblemën, ka zymbyla, bylbyla, e ka sheratonin dhe e ka të drejtën autoriale të flamurit kuq e zi.
Kryetar i Marigonës është Erosi, kurse Marigona e ka edhe ambasadoren në Indi, për meritat e saj si pronare e një çante 80 mijë euro.
‘Shteti’ i Marigonës dallohet për pasanikët e saj, që pasurohen në territorin e varfër të Kosovës, dhe pasi të bie terri i natës ata kthehen në shtetin e tyre.
Aty nuk ke shans të shkosh me papuçe nën sqetull ‘valla kam ardh me pa një gru’ t’mixhës se moti se ke pa.
Mos bre Allaile?
Rikverc.
4. LDK-ja duhet ta humb Podujevën.
Se, pa e humbur vendlindjen nuk e din çka është vuajtja.
E pa e ditur çka është vuajta, nuk e di se ‘Jeta është vuajtje’.
Podujeva duhet të pavarësohet nga LDK-ja dhe të bëhet e të gjithëve.
Dje më ka interesuar shumë pse Nexhmi Rudari e ka mbiemrin ‘Rudari’ e jo Minatori.
Kush ka lexuar për prejardhjen e mbiemrave shqiptar, e di se si janë krijuar ata.
Këtu bëjnë pjesë edhe mbiemrat e muhaxhirëve nga Sanxhaku i Nishit, të dëbuar nga trojet e veta më 1878.
Mbiemrat e tyre janë krijuar sipas vendit.
Fshati Rudar gjendet në Kurshumli, që do të thotë se mund të bëhet fjalë për një muhaxhir.
Prandaj, Nexhmiu është njeri i mirë.
Por, tek atëherë kur të mësohet me vendos vet e jo me marrë leje nga Agim Veliu çka me mendu, le të lajmërohet.
Agim Veliu e ka gjetur ‘kishën’, se në Shqipëri gazetarët kur e rrokën përpara Bujar Nishanin’ e detyruan që me duart t’vetat m’i rru mustaqet.
5. Me ju tregu drejt, as zemra vërr s’më ka bërë sot për ditën e flamurit.
As kur e dëgjova në radio këngëtarin që i këndonte mitralozit, si Barbarës, Zhak Preverti.
Çdo këngë dashurie për atdheun, e larë me gjak. Ende e qajmë Shqipërinë, atë ‘bukuroshe’ prej guri, si të ishte viktimë e përhershme, viktima që na duhet.
Dhe kur e duam Shqipërinë, e duam me fytyrën e Ismai Qemailit e të Isa Boletinit, e jo me fytyrën e Ilir Metës e të gruas së tij, jo me fytyrën e Edi Ramës dhe të atyre që sot e sjellin Shqipërinë në gisht.
Lëre ti Heroin.
Hajt, në mundsh, duaje Shqipërinë me fytyrën e Edi Ramës!
Do ta kishe sakrifikuar jetën (si atëherë) për Shqipërinë e tij?
Kur i këndojmë atdheut gjithmonë i këndojmë në kohën e shkuar.
S’ka asgjë për t’u gëzuar sot.
Shqipëria është e varfër, sepse është e vjedhur nga shqiptarët.
Kosova edhe më zi, është më e varfëra e Evropës, sepse i vjedh edhe ndihmat e Evropës.
Aq shumë e duan atdheun, sa e kanē bërë më të varfërin dhe më të mjerin në Evropë.
Dashuri e sëmurë është kjo. Për t’u shëruar dashuria, duhet të shërohesh ti i pari.
Kësaj i thonë ‘pasion i çmendur’, kur e do atdheun vetëm për vete, dashuri që ia heq copë sa herë të kap sevdaja për të.
E shkatërrojnë, sepse e duan, si ata dashnorët që pickojnë e ti nxjerrin floktë prej kreje.
Dashuri e dhunshme. Që vdes, që shuhet.
E çliruan, për ta pushtuar vet.
Si në ata filmat e lirë, ku roli kryesor (për ta pushtuar një femër) e porosit një shok të tij për ta sulmuar femrën, pastaj ky kinse rastësisht ndërhyn si shpëtimtar i femrës dhe e përvetëson viktimën.
Nëse s’je i imi, mos qofsh i askujt, atdhe.
E kemi dashninë shumë të zjarrtë. Kë e kemi dashur, ia kemi djeg’ zemrën.
6. E Ramushi e do Kosovën si me qenë ‘dashnorja’ e tij. Shumë e do. E do veç për vete.
Pasurinë e saj nuk do ta ndaj me askënd.
E do në mënyrë posesive, si pronë.
Prandaj e ka çliruar, që ta privatizojë për vete.
AAK-ja i tregoi sot PDK-së se Ramushi e meriton të bëhet President i Kosovës, se e ka ndaluar ndarjen e Kosovës.
Ramushi ka arritur ta ndaloj ndarjen e Kosovës, por s’ka arritur ta ndaloj ndarjen e katundit të tij. Ndodhin këto gjëra.
7. Edi Rama (në njërën anë i ngjet emra Lirisë së Kosovës), në tjetrën anë e ka krijuar komisionin për t’i hetuar ‘krimet’ e UÇK-së.
Nganjëherë shkruan letra dashurie.
Ata që u shkruan Edi Rama, duhet të duken bukur.
Duke e analizuar mesazhin e Edi Ramës dërguar Sinisha Mihajlovicit dhe duke e dëshifruar butësinë e Edi Ramës, që nuk i shkonte me karakter, se si e lëmonte, o Zot, Sinishën si me qenë Sinisha Xhuljeta e tij, konstatuam se ‘shoku i shokut të Sinishës është shoku i Edi Ramës’.
8. E një shok i imi prej sabahit po më ‘fryhet’ se e ka ditëlindjen sot.
Duke e ditur se pa dal diçka (pa u gjetë diçka) që ta prish qejfin, dhe e flaktë qysh jam për të luajtur ‘mujtas’, i thash ‘po edhe armiku më i madh i shqiptarëve, Aleksandër Rankovic, u lind më 28 nëntor’.
9. Kërkah s’jemi. Nuk janë këto shtete. Janë disa familje mafioze dhe do banda politike që s’na lënë të qetë.
P. S. Lajmi i fundit: Kamenica e fitoi pavarësinë- nuk i bindet shtetit të Hotit (të hënën ditë pushimi në Kamenicë).

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...