Home / Lajme / NE PRAG TE 29 NENTORIT, FESTES SE ÇLIRIMIT

NE PRAG TE 29 NENTORIT, FESTES SE ÇLIRIMIT

Letër, drejtuar zotit Erion Braçe,

Zv. KRYEMINISTËR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

I nderuar zoti zv/Kryeministër, Erion Braçe!
Po ju shqetësoj me këtë letër, unë Gjon Bruçi, ish oficer i Ushtrisë, aktualisht në pension dhe me banim në qytetin e Shkodrës. Politikisht, jam anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, njëheresh Sekretar i kësaj partie për Qarkun e Shkodrës.
Siç mund të keni ndjekur në emisionet televizive, me datën 29 Nëntor të vitit 2018, unë replikova me Prefektin e Shkodrës, zotin Çesk Millja, në një mbledhje solemne kushtuar 74 Vjetorit të Çilirimit të Atdheut, mbajtur në Kinemanë e qytetit të Shkodrës me veteranët, e pasardhësit e tyre, me familjet e Dëshmorëve dhe qytetarë nga Shkodra e rrethinat. Replika ime lidhej me veprimin sa absurd, aq edhe antikombëtar, të Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, zonjës Voltana Ademi, në relacion me Datën Historike të 29 Nëntorit të vitit 1944, sanksionuar dhe ligjëruar si Ditë Historike e Kombëtare në të gjitha dokumentet e Pushtetit dhe të Shtetit Shqiptar.
Besoj se jeni në dijeni që, data Historike e 29 nëntorit në qytetin e Shkodrës, gjithnjë është abandonuar nga pushteti vendor, i cili për gjithë periudhën e tranzicionit demokratik, ka qenë dhe është nën hyqmin e forcës politike me emërtimin fallso “Partia Demokratike” (PD). Në vitin për të cilin po flasim (2018), në datat 28 dhe 29 Nëntor, që përfaqësojnë Ditën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit, dekorimi i qytetit të Shkodrës, ashtu si dhe në vitet e tjerë, përfshinte vetëm banderola e parulla për 28 nëntorin e vitit 1912, dhe asnjë shenjë apo simbol për 29 Nëntorin e vitit 1944. Madje, si të mos mjaftonte kjo, në mitingun e organizuar në datën 28 nëntor 2018 në sheshin e qytetit, Kryetarja e Bashkisë deklaroi se “29 Nëntori i vitit 1944 ishte një ditë e zezë për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë”. Deklarata e mësipërme u bë në prezencë të Prefektit të Shkodrës, Çesk Millja, i cili nuk reagoi me asnjë fjalë kundër kësaj deklarate sa absurde, aq dhe antikombëtare të Kryetares së Bashkisë.
Revoltës dhe replikës sime, për heshtjen dhe mosveprimin e Prefektit, si përfaqësues i Pushtetit Qendror, ndaj këtij qëndrimi të hapur antikombëtar, prefekti në fjalë iu përgjigj afërsisht me batutën e mëposhtme: “Le të kalojmë festën njëherë, dhe më vonë do ta diskutojmë . . . “!
Mirëpo festa e vitit 2018 kaloi së bashku me vitin pasardhës 2019 të “tërmetit”, dhe ja ku jemi në prag të 29 nëntorit të viit 2020, me të njëjtën “skemë” në dekorimin e qytetit dhe në të gjitha masat dhe veprimet që duhen marrë e realizuar për Ditët e shënuara Kombëtare. Edhe pse jemi në prag të festave të Nëntorit, në qytet janë vendosur vetëm banderolat, pllakatat dhe parullat kushtuar 28 Nëntorit 1912 – Ditës së Pavarësisë; ndërsa për 29 Nëntorin e vitit 1944 nuk ka asnjë simbol, apo shenjë të afishuar në qytet. Kryetarja e Bashkisë, ndonëse me mandat të stërmbaruar, vijon të bëjë ligjin personal, si sfidë dhe në kundërshtim me Ligjet themelore të Shtetit shqiptar. Për më keq, Prefektja aktuale, zonja Majlinda Jubani Angoni, gjer tani po vepron (në fakt po hesht), siç veproi (më saktë siç heshti) ish prefekti Millja i vitit 2018.
Qëndrimi në heshtje përkundrejt shkelësve të Ligjeve, i Prefektëve, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të Pushtetit Qendror, është i pafalshëm. Ashtu siç ishte i pafalshëm edhe heshtja e Pushtetit Qendror në rastin e këtij veprimi në vitin 2018.
Nisur nga ajo që ka ndodhur para dy vitesh, e që po përsëritet edhe këtë vit, unë po marr guximin, jo vetëm t’iu njoftoj për situatën, por edhe t’iu lutem të ndërhyni në kohë për këtë çështje sensitive, për të gjithë ata që e njohin dhe kanë lidhje organike dhe shpirtërore me Datën Historike të 29 Nëntorit, e që jam i sigurtë se përbëjnë shumicën dërmuese të shqiptarëve, brenda e jashtë kufijvë shtetërorë të Shqipërisë aktuale.
29 nëntori i vitit 1944, është ligjëruar dhe sanksionuar në të gjithë dokumentet historike dhe shtetërorë të Republikës sonë, çka detyron çdo pushtetar vendor apo qendror qoftë, të zbatojë pikë për pikë protokollin e caktuar për këtë Festë Kombëtare. Çdo neglixhencë, apo devijim nga ky protokoll, është shkelje e rëndë e Kushtetutës sonë, dhe si e tillë ajo dënohet jo vetëm moralisht dhe administrativisht, por edhe ligjërisht.
Ju, jeni në postin e lartë të zv/Kryeministrit dhe e keni për obligim kushtetues, jo vetëm të mbroni këtë Datë Historike të të gjithë shqiptarëve, por edhe të detyroni të tjerët të respektojnë simbolet dhe historinë e popullit e të shtetit që drejtoni.
Mund t’i shkruaja edhe Kryeministrit, por kam frikë se letra ime mund të përfundojë në zyrat e Ballit Kombëtar, me të cilat ai, fatkeqësisht ka debulesë të theksuar. Ndaj ju zgjodha ju si zv/Kryeministër, me shpresën se ende nuk keni rrëshqitur në prehërin e ballisto-zogisto-kolaboracionistëve, të para, gjatë dhe pas LANÇ.
Në pritje të një përgjigje pozitive, e më shumë të një veprimi konkret e të pavonuar,
Me respekt, Gjon Bruçi
Shkodër, më 25 Nëntor 2020
Shkodër, më 25 Nëntor 2020.

About admin

x

Check Also

Rexhep Qosja: Fitorja e Albin Kurtit do të sjellë shpresë për gjithë shqiptarët!

October 8, 2019 Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej ...