Home / Opinion / MOS U MUNDONI T’I VINI BUZËKUQ SISTEMIT TË ZI KAPITALIST

MOS U MUNDONI T’I VINI BUZËKUQ SISTEMIT TË ZI KAPITALIST

Asnjë qytetar shqiptar, deri dje, nuk besoj ta ketë shkuar në mendje, se në morgun e spitalit dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore, janë punësuar njerëz, që në sjelljen me të vdekurit, u ngjajnë më shumë kanibalëve se sa racës njerëzore. Fotot e marruna këto ditë nga morgu i spitalit dhe afishuar në masmedia, vertetojnë se në sistemin antipopullor e antinjerëzor, që po aplikojmë sot në vendin tonë, qytetari, i cili nuk ka ndonjë peshë në hierarkinë shoqërore e shtetërore, si kur është i gjallë, dhe aq më tepër i vdekur, numërohet “copë 1”!!!
Pamjet makabre të nxjerra nga morgu i spitalit, fillimisht u dukën të pabesueshme. Madje nga shumë kush u konsdieruan inskenime të autorit (gazetarit) dhe të medias që i ekspozoi. Por prononcimi i drejtorit të Morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, na vertetoi se nuk bëhej fjalë për inskenime, si ato të “babaleve” që praktikojnë pozita dhe opozita kundër njëra-tjetrës, por bëhej fjalë për një skandal të paimagjinuar në mjediset e spitaleve tona.
“Kur jemi në pamundësi, ato (kufomat e të vdekurve) sistemohen në tavolina, më pas në barela dhe kur ndodh që të jenë më shumë, vendosen me respektin më të madh në dysheme, bashkë me sendet vetjake të paketuara, pasi kryhen proceset përkatëse në pritje që t’u dorëzohen familjarëve.”- ishte prononcimi i Drejtorit të morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, për këtë skenë makabre me qytetarët e vdekur në spitalet e kryeqytetit.
Në këtë prononcim zyrtar të Drejtorit të morgut dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, duket qartë se autorët, ndërsa kërkojnë të vënë vetulla, pa e kuptuar kanë nxjerrë sytë. Pamjet e fotove përkatëse “flasin” shkoqur, se kufomat e të vdekurve në spital, pasi janë mbështjellë me një rrobë çfarëdo e të lidhur nyje tek këmbët dhe koka, janë hedhur në dysheme pa asnjë rregull, që kur i sheh, nuk të shkon mendja se brenda tyre gjendet një qytetar i vdekur. Madje njëri prej tyre, gjendej poshtë një tavoline me rrota, kur mund të vendosej sipër saj. E njëjta gjë edhe me sendet personale të të vdekurve, të cilat, jo të paketuara, siç thotë IML, por të hedhura pa kujdes mbi trupin e kofomave, së bashku me “kartën e fundit” të identitetit të tyre.
Si mund të thuhet e të shkruhet se: “kur ndodh të jenë shumë të vdekur, vendosen me respektin më të madh në dysheme”??!!! Si mund të jetë “respekt” hedhja e kufomës direkt në dysheme? As fshatari më i varfër shqiptar i mesjetës së errët, nuk e ka vënë trupin e të vdekurit në dysheme e në tokë, por qoftë edhe me mjete rrethanore, e ka ngritur dhe vendosur në një shtrat druri të përgatitur enkas, dhe e ka hijeshuar me rrobat më të mira që ka patur në shtëpi.
Morgu i spitalit, për këtë punë ka tavolina dhe frigoriferë të posaçëm. Mirëpo, sipas drejtorit dhe IML, në rastin konkret kishin vetëm dy tavolina dhe katër apo pesë frigoriferë. Nëse të vdekurit do të ishin vrarë në fushën e betejës, dhe shokët e tyre nuk kishin mundësi gjetje të tavolinave dhe frigoriferëve, do të pranohej edhe rreshtimi në tokë e në një vend të sheshtë. Por në një morg të spitalit të Kryeqytetit, të paralajmëruar prej 8 deri 10 muajsh për kufoma mbi normat e zakonshme, mungesa e frigoriferëve, dhe veçanërisht e tavolinave, është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme në mënyrë shembullore. Mund të justifikohet mungesa e tamponëve, e respiratorëve, e shtretërve, ilaçeve dhe mjeteve të tjera të luftës kundër Covidit, por kurrsesi nuk mund të pranohet mungesa e tavolinave të thjeshta, që kërkojnë vetëm dërrasa dhe gozhdë për t’u mbërthyer. Sigurisht kjo, kur ata që shërbejnë nëpër spitale, në morg dhe në Institutin përkatës, nuk kanë vete dërrasa mangut . . .
Po e lëmë mënjanë kontrollin shtetëror dhe dënimin e personave që nuk zbatojnë detyrat për të cilat paguhen, pasi si Ministresha e Shëndetësisë dhe shefi i saj, Kryeministri Rama, janë të zënë me fejzbukun, konferencat e shtypit, replikat me kundërshtarët politike dhe propagandën bajate parazgjedhore, dhe po hidhemi tek përgjegjësit e drejtpërdrejtë të skandalit të mësipërm: Tek Drejtori i Morgut dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore që ka lidhje me të:
Nuk e di se në ç’shkallë i njohin nëpunësit dhe përgjegjësit e IML dhe te morgut të spitalit në fjalë, ritet dhe traditat e shqiptarit në realacion më të vdekurin. Po jap vetëm një detaj që lidhet më një situatë ekstreme, e cila kalon çdo emergjencë, përfshi edhe atë të COVID-19. Shqiptari në të kaluarën e hershme dhe të vonë, për arsye të ndryshme subjektive, e ka vrarë kundërshtarin, por nuk është larguar nga viktima e tij, pa ia rregulluar kufomën: E ka shtrirë në një vend të rrafshët, i ka vënë një gurë apo cënuk nën kokë, dy duart kryq mbi gjoks, i ka mbyllur sytë dhe gojën, që të mos i ngelen hapur pas ftohjes së kufomës, dhe nga ana tjetër bri trupit i ka vendosur pushkën që mund të ketë patur viktima para vrasjes. Në ndonjë rast, kur shqiptari vrasës mund të rrezikohej nga njerëzit e afërt të të vrarit, ikte, por sapo takonte njeriun e parë (udhëtar, çoban etj), i lutej të shkonte “filan vend” dhe të rregullonte kufomën e njeriut që kishte vrarë.
Si është e mundur që kjo traditë e lashtë dhe e vonshme e shqiptarit është harruar apo nuk njihet nga brezi i sotëm? Aq më tëper të ndodhë kjo tek intelektualët, që nuk pushojnë duke recituar parullën folklorike “O sa mirë me qenë shqiptar”! Mos kemi degjeneruar, apo po degjenerojmë nga geni ynë kombëtar, i dalluar ndër gjithë kombet e dheut?!
Duke e lënë mënjanë elitën e lartë të politikës e të shtetit, do të desha t’ju drejtohem punonjësve të morgut të spitalit dhe nëpunësve të IML: Si mund të pranoni të vendosni kufomën e një qytetari të vdekur në dyshemenë e dhomës, si të ishte një thes me patate? Nuk kishit tavolina? Pse nuk bërtitët që zyrtarët t’ju sillnin tavolina, qoftë edhe prej dërrase të thjeshtë. Në mungesë të tyre, pse nuk vrapuat e të përlanit tryezat e zyrave të shefave tuaj në spital e kudo ndodhen, tavolina që ata nuk i kanë personale, por të “dhuruara” edhe nga ata që ishin hedhur pa kujdes e pa asnjë fije humanizëm në dyshemenë e ftohtë të morgut?! Ose më e pakta, pse nuk dilni e të na tregoni, se ky fenomen nuk është i ri, por një “metodë” pune e spitaleve dhe morgut të tyre në kushedi se sa vite? Çka do të na bënte t’ju vijmë në ndihmë edhe ne qytetarët e zakonshëm, që nuk e dimë se çfarë bëhet prapa dyerve të spitaleve.
Kam ndjekur me vëmendje prononcimet e Doktor Tritan Kalos, një nga mjekët Hero të luftë kundër pandemisë që po kalojmë. Madje edhe sot, që unë po shkruaj këto radhë, Doktor Kalo pati një shkrim pamflet drejtuar “politiqenërve” të partive politike, PS, PD, e LSI, të cilëve ai u thotë se:
“Politiqenër, ditën bëni parimorin, dhe në darkë uleni me ngjala e verë franceze, ku ndani me njëri-tjetrin taksat tona dhe gjithçka ndërtuam në 45 vjet me gjak e sakrifica”!
Një qendrim i tillë, burrëror dhe kurajoz i doktor Tritan Kalos, është një shembull i gjallë për çdo intelektual, i cili e vë veten në shërbim të popullit dhe vendit të tij. Unë, do t’i lutesha doktorit në fjalë, ta precizojë e ta personalizojë akoma më shumë pamfletin e tij politik dhe shoqëror, duke na dhënë detaje të gjalla nga kjo periudhë e rëndë e pandemisë, me të cilën politikanët dhe shtetarët tanë, të të dy krahëve të politikës, kanë mbuluar e po mbulojnë paaftësinë, neglixhencën dhe korrupsionin e tyre galopant në dëm të interesave të qytetarëve e të vendit.
Skandali i kufomave të të vdekurve në dyshemenë e morgut të spitalit, ka vënë në lëvizje e në siklet, jo vetëm strukturat përkatëse të Shendëtësisë e të vetë Qeverisë, por ka vënë në siklet e në lëvizje edhe mjaft gazetarë të shtypit e të televizioneve, analistë të mediumeve dhe studiove televizive, që përmledhur në një emërtim të përbashkët, janë “apologjetë” të sistemit aktual në vendin tonë. Sapo ndonjëri nga gazetarët, del nga “radhët“ dhe mundohet të paraqesë ndonjë fakt nga skutat e errta të sistemit, një mori gazetarësh e analistëtsh të tjerë, i lëshohen me fjalë të spërdredhura, duke e anatemuar si përhapës i gënjeshtrave, si gazetar me anshmëri politike dhe inskenimesh në favor të këtij apo atij politikani, si njeri që nuk ka etikë gazetareske dhe na boton foto të rënda, etj, etj. Këta apologjetë të sistemit, të vetmen shigjetë me të cilën mund të qëllojnë kundërshtarin në mbrojtje të sistemit që u siguron “koromanen”, kanë togfjalëshin: “Kështu ndodh edhe në vendet e tjera të perendimit”!
Këtu ata thonë një të vërtetë të madhe. Të gjitha vendet e perendimit, që zotërohen nga sistemi kapitalist në fazën e tij më të lartë, që është imperializmi, kanë në Ci-Vi-në e tyre jo vetëm fenomenet tona të “fituara” në tri dekadat e fundit, por edhe qindra e mijëra fenomene të tjera antinjerëzore, që ka prodhuar e prodhon shoqëria e tyre e konsumit. Në këtë rrugë të “lavdishme”, ne sapo kemi hyrë, dhe falë drejtuesve politikë e shtetërore të shitur kokë e këmbë tek këta imperialistë të fenomeneve antinjerëzore, marshimi ynë në këtë “lëmë” ka shënuar suksese të papara. Në këtë luftë për shkatërrimin e vendit dhe degjenerimin e identitetit të shqiptarit, apologjetët mundohen të grasatojnë rrotat e ndryshkura të sistemit në fjalë, i cili në të ardhmen e afërt ka dy rrugë të mundshme: vidhisjen e tij përfundimtare, ose kalimin në pozicionin dhe plaftformën e kolerës nazifashiste të viteve tridhjetë.
Nisur nga kjo e vertëtë absolute, unë do t’ju drejtoja një thirrje të thjeshtë apologjetëve të sistemit: Mos u mundoni t’ vini buzëkuq sistemit të zi kapitalist, sepse ai është stërplakur dhe e ka shumë afër ditën e varrimit.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...