Home / Opinion / Gjurmë dhe kohë…

Gjurmë dhe kohë…

Stërnipat e Prekë Kuqit, pranë varrit të Prekës dhe Licës në Prekaz
…Dikur moti, këtu erdhi e u ngulit Preka me një nipi të vetin, me Kolën, djalin e Bibës, i cili kishte ngelur në betejën e Kuçit në Mal të Zi. Një vëlla ishte ndalur në Bërjakë të Kolashinit e shumë anëtarë të tjerë ia kishte ngrënë lufta kundër anadollakëve. Me të kishin ardhur edhe dy vëllezër: Obri e Luta. I pari, Obri, zuri vend pak më tutje dhe e formoi Obrinë, ndërkaq tjetri, Luta, që ishte punëtor i madh, u vendos në Lug të Baranit, në Lutogllavë.
-Do të të martojë edhe njëherë, o baca Prekë, – i tha një ditë Kola si për mahi të ungjit, Prekë Kuçit.
-Jo, biro jo, tashti po u afrohem të gjashtëdhjetave!- qeshi ai, pa e marrë seriozisht fjalën e nipit, i cili ishte edhe shakaxhi i madh.
Por, jo, ai kësaj radhe e kishte pasur me gjithë mend. Dhe, doli në kodrat përballë vendit ku sot shtrihet fshati Klinë e Eperme. Në një arë, po lëvronte me qe Marku. Ashtu, shpat me shpat, malësorçe, ndërruan ca llafe: “O Mark, a ma jep motrën Licë për bacin Prekë?”. “Po e pyes babëlokun!”. Dhe, pas pak, del nga kulla e ia lëshon një zë: “O nipi i Prekës, na qoftë për hair miqësia. Eja në kullë dhe na e sjell një dash të pjekur e një bucelë raki”.
Kështu, koha rridhte lumë e shtëpia e Prekës rritej e zgjerohej me djem e vajza e me nipa e mbesa…
Një ditë edhe Kola u largua nga këtu. Kaloi disa kodra më tutje, atje në lindje, në shkrepat bri Qyqavicës dhe e krijoi vendbanimin e ri me emrin Galica…Aty pranë, në perëndim, u ndal edhe një nip, ku zuri embrion Tërnafci…Por, mos harroni, të gjitha këto vendbanime: Prekazi, Galica, Obria, Tërnafci dhe Lutogllava, edhe pse u shpërndanë, gjithmonë e ruajtën këtë lidhje e afërsi gjaku dhe kurrë nuk martohen mes veti…Kështu na erdhi rrëfimi i parë, përcjellë nga tregimtari e pleqnari i shquar Hazir Lutfiu (1895-1980).
…Preka me të shoqen, Licën, ishin të fundit që dhanë shpirt si të krishterë, andaj e lanë porosi që të varroseshin këtu të vetmuar. Bile, Preka kishte vdekur shumë më herët. Fëmijët e shumtë i rriti Lica. Ata, me radhë u konvertuan në fenë e re, në islam, e ajo jo. Vdiq e krishtere dhe u varros pranë të shoqit,- na vegohet edhe zëri tjetër i rrëfimtarit të dytë, Bajram Haziri, djali i Hazirit…
Bedri Tahiri, Galicë
(foto: prof. Blerim Latifi, Bedri dhe Nasuf Tahiri)

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...