Home / Lajme / SHAQIR SHAQIRI JETOI, VEPROI, LUFTOI DHE VDIQ SI HERO

SHAQIR SHAQIRI JETOI, VEPROI, LUFTOI DHE VDIQ SI HERO

Me pikëllim të thellë njoftoj miqtë dhe shokët se pas një sëmundje të gjatë dhe të rëndë vdiq prof. dr. Shaqir Shaqiri. Me veprën e tij të madhe pedagogjike, shkencore, publicistike dhe atdhetare Shaqir Shaqiri do të jetojë përjetësisht në altarin e atdheut.
Prof. Dr.Shaqir Shaqiri lindi më 16.10.1947 në Pejë ku mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin Filozofik të Prishtinës studioi Gjuhën angleze dhe Letërsinë angleze e amerikane, ndërsa pas diplomimit qëndroi një vit në Londër për studime gjuhësore. Si profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze, për pak vjet, punoi në Normalen e Gjakovës dhe në Gjimnazin e Prishtinës. Nga tetori i vitit 1972 pranohet asistent, e më pas ligjërues, në Degën e Gjuhës edhe Letërsisë Angleze dhe Amerikane të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Kosovës. Në vitin 1977 magjistron me temën “Shekspiri në përkthimet bashkëkohore shqipe”, ndërsa në vitin 1980 doktoron me temën “Edit Durhami dhe Shqiptarët”. Në fushën e letërsisë, mes tjerash, ka kontribuar me shqipërimin e rreth 200 poezive të zgjedhura nga gjuha angleze (botuar në “Rilindja”), të një numri të konsideruar të tregimeve të shkurtra të E. Hemingvejit dhe eseve të Graham Greenit (butuar në “Flaka e Vëllazërimit”, “Rilindja” dhe “Jeta e re”, vitet ’71 deri ’74). Ka sajuar dhe përkthyer në gjuhën shqipe pesë antologji të poetëve të mëdhenj të romantizmit anglez: J.G. Byron, P.B. Shell, John Keats, W. Wordsworth dhe S.T. Colleridge,(në botim të shtëpisë botuese “Rilindja”, në vitet ’80, ’81). Nga gjuha shqipe në gjuhën angleze ka përkthyer antologjinë e poezisë shqipe të poetëve të Kosovës, “Degë e Pikëlluar” (në gjuhën angleze “The Sad Branch”). Për nevoja të Radio Televizionit të Prishtinës, nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, ka përkthyer dhjetëra filma artistikë dhe dokumentarë. Së bashku me Jusuf Gërvallën ka bërë përkthimin dhe adaptimin e disa librave shkollorë të gjuhës angleze, të botuara nga Enti i teksteve shkollore. Përveç një numri të konsideruar të kritikave për çështje të ndryshme letrare, gjatë vitit 1980, në të përditshmen “Rilindja”, në 22 vazhdime, boton fejtonin me titull “Shtegtimet Ballkanike të Mis Durhamit”.Gjatë fushatës inkuizicionale serbe kundër inteligjencës shqiptare, në korrik të vitit 1981, arrestohet dhe mbahet në burg për tre muaj, për t’u arrestuar përsëri në nëntor të po atij viti. Si profesor i popullit, si intelektual atdhetar, si shok dhe bashkëpunëtor i Jusuf Gërvallës dhe si veprimtar i rezistencës antijugosllave, gjatë hetimeve, përjeton torturat më barbare të udbës dhe vuan dënimin prej dy vjetësh me burg të rëndë. Pas daljes nga burgu, më shumë se për mbijetesë, hap një dyqan tekstili, të cilin e kthen në qendër pikëtakimi shokësh dhe të burgosurish politikë. Gjatë lëvizjeve të mëdha politike të viteve të ’90-ta të shek. të kaluar vepron në cilësinë e anëtarit të kryesisë së parë të LDK-së dhe sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë, (në kohën kur LDK ishte Lëvizje gjithëpopullore), të anëtarit të kryesisë së parë të KLMDNJ-së, të anëtarit të kryesisë së parë të Sindikatave të Pavarura, të kryetarit të degës së zejtarisë dhe biznesit të vogël, të themeluesit dhe kryetarit të parë të Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Amerikane, të kryetarit të parë të komitetit Olimpik të Kosovës, të deputet të Kuvendit të Kosovës, të nismëtarit dhe të njërit ndër themeluesit e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, të udhëheqësit, për shtatë vjet rresht, të Zyrës së Kosovës për Skandinavi me seli në Stokholm dhe të njërit ndër diplomatët-zëdhënës më të fuqishëm të UÇK-së së lavdishme. Pas luftës së UÇK-së kthehet në Kosovë dhe bashkë me H. Hysenin dhe mikun amerikan, Jouzas Kaslas, krijon Zyrën për Çështje Jorezidenciale.
Pas fitores së madhe mbi armikun shekullor të shqiptarëve, mbi një dekadë me radhë, ai lufoi në një front tjetër kundër një sëmundje të rëndë…
Vdiq në Suedinë e largët, me mallin e më të dashurve, me mallin e miqve dhe të shokëve të shpërndarë nëpër botë dhe me mallin e Kosovës për të cilën dha krejt çka kishte.
Shaqir Shaqiri vdiq si hero.
Qenia dhe vepra e tij është e pavdekshme.
Lavdi emrit dhe veprës së prof. dr. Shaqir Shaqirit!

 

About admin

x

Check Also

Intervistë për TV Danez DR1, Televizioni shtetëror, në lajmet qendrore.

/Nga Arkivi, Diplomacia.dk/ 1-Tetor, 1997 (5) TVA 21:00 KOSOVO – YouTube Në ...