Home / Opinion / NJË QASJE NDRYSHE MBI REALITETIN SIÇ E PARAQET PROPAGANDA E PUSHTETIT

NJË QASJE NDRYSHE MBI REALITETIN SIÇ E PARAQET PROPAGANDA E PUSHTETIT

Vështrim: ai që të kritikon e qorton dëshiron të të sheh më mirë seç je.
Si janë sot dhe sa kanë mbetur shqiptarë në Maqedoninë Veriore? Kjo është çështja. Të tjerat janë mashtrim dhe propagandë politike, në interes të pushtetit, një grushti oligarkësh shqiptarë, politikanë të korruptuar dhe laramanë që i ligaviten çdo regjimi.
Qëndrimi i pushtetit ndaj shqiptarëve në Maqedoni, nga pavarësimi i këtij shteti e deri më sot, te shumica e qytetarëve shqiptarë ka krijuar përshtypjen sikur regjimi komunist ende është gjallë dhe veprues ndër ne, me të gjitha format e tij, në politikë, ekonomi, kulturorë dhe sferat tjera të jetës.
Lëvizja politike shqiptare, me ambalazh të demokracisë, me qasjen dhe veprimet e saj gati nuk dallohet nga ajo e fillimeve të komunizmit në këto hapësira, që krijon përshtypjen se, jo vetëm që është e frymëzuar, pasuese e asaj mendësie tanimë të perënduar, por që vazhdon me metodat e asaj destruktive dhe kriminale edhe sot, duke përdorur metodat e mashtrimit dhe presionit mbi shqiptarët, si në vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore, madje edhe si në kohën e Rankoviqit, apo në periudhën e represionit dhe diferencimit mes shqiptarëve në vitet e 80-ta.
Gjatë asaj periudhe, shqiptarët janë përçarë sikurse edhe sot, duke i ndarë në komunistë dhe nacionalistë; të parët, të pranueshëm, të avancuar në pushtet dhe me të gjitha privilegjet nga shteti, ndërsa shumica tjetër, sidomos nacionalistët, të përndjekur, të përbuzur, të braktisur, të papunë dhe të privuar nga çdo e drejtë qytetare dhe njerëzore.
Përderisa gjatë asaj periudhe shqiptarët janë dëbuar me dhunë për në Turqi, me kërcënime, dhunë dhe masa represive nga pushteti, me ndihmën edhe të një pjese të klerit fetar vendës, kinse në emër të besimit islam; në periudhën e tranzicionit dhe demokracisë këto masa janë ndërmarrë në forma të sofistikuara, me metoda perfide, duke ua mbyllur shqiptarëve të gjitha rrugët dhe mundësitë për të siguruar ekzistencë, jetë të qetë e të dinjitetshme në vendlindjen e tyre.
Nëse krahasohen rezultatet e asaj politike represive ndaj shqiptarëve të dëbuar me dhunë për në Turqi gjatë periudhës së komunizmit, numri i të shpërngulurve nuk ka qenë as sa gjysma e numrit të shqiptarëve të detyruar të shpërngulen në botën e jashtme gjatë periudhës së tranzicionit dhe demokracisë. Për këtë të vërtetë të dhimbshme flasin shifrat, sado që ato nuk bëhen publike për opinionin.
Gjatë regjimit komunist, në raport me shqiptarët, kinse për sigurimin e të drejtave dhe barazisë së tyre përdorej i ashtuquajturi “çelës nacional për barazi mes kombeve dhe kombësive”; kurse gjatë periudhës së tranzicionit dhe demokracisë përdoret shprehja “përfaqësim i drejtë, proporcional dhe adekuat”, kinse për sigurimin e barazisë për qytetarët prej 20%, që nënkupton shqiptarët.
Në regjimin komunist, personat e papërshtatshëm, të pakënaqur e të pabindur ndaj atij regjimi janë privuar nga të drejtat e tyre, për punësim apo ndonjë të drejtë tjetër qytetare, duke i cilësuar me kualifikimin “i papërshtatshëm” ideo-politikisht; ndërsa në periudhën e tranzicionit dhe demokracisë përdoret cilësim i ngjashëm, i modifikuar dhe më perfid, person apo kuadër “joadekuat”, sigurisht duke aluduar në raport me interesat e regjimit aktual.
Gjatë regjimit komunist, shqiptarit për t’iu besuar një detyrë e lartë me përgjegjësi shoqërore, një post në pushtet ose një privilegj tjetër, është kërkuar detyrimisht pëlqim nga komiteti i partisë së atëhershme komuniste; ngjashëm edhe në periudhën tranzicionit dhe demokracisë është kërkuar ky pëlqim përmes organeve të ndonjë partie politike në pushtet. Nuk ka ndodhur askush të mos kalojë nëpër këto filtra për ta dëshmuar “përshtatshmërinë” e tij ndaj ish-regjimit komunist; kjo vazhdon të praktikohet edhe sot, në periudhën e tranzicionit dhe të demokracisë.
Gjatë regjimit komunist, shqiptarët e pabindur, ose janë dëbuar jashtë vendit, ose u janë montuar procese politike për burgosjen e tyre, janë persekutuar, izoluar, përbuzur, varfëruar dhe shkelur deri në shpërfytyrimin e tyre si qenie njerëzore; ngjashëm edhe nga regjimi i periudhës së tranzicionit dhe demokracisë fat i njëjtë i ka përcjellë shumicën e shqiptarëve, vetëm me një dallim të pahetueshëm, kësaj radhe shqiptarët u janë nënshtruar propagandës më të fuqishme nga pushteti, me ndihmën edhe strukturave udhëheqëse të partive politike të veta, me rrjetet dhe strukturat e tyre të shtrira në tërë hapësirën ku ka shqiptarë, si edhe përmes medieve nën kontrollin e pushtetit.
Nëse dikush nuk e ka vërejtur deri më sot këtë qasje të njëjtë të pushtetit, të djeshëm dhe të sotëm, ndaj shqiptarëve, i cili nuk ka ndryshuar gati me asgjë nga thelbi i strategjisë së tij, sikur shqiptarët të jenë dënuar me ngujim të përjetshëm në ferrin e regjimit komunist, i cili, nëse nuk ka qenë burg për qytetarët me përkatësi etnike jugosllave dhe për “shqiptarët e ndershëm” projugosllavë, për shumicën tjetër të shqiptarëve, sidomos për ata që e kanë kundërshtuar atë regjim, ka qenë më tepër se një varr kolektiv, burg i tmerrshëm dhe kasaphanë e vërtetë.
Krahasimet mund t’i bëjë secili, qoftë përmes literaturës propaganduese të atij regjimi, shtypit të kohës ose nga dëshmitë e njerëzve që e kanë përjetuar atë regjim barbar në lëkurën e tyre; duke e krahasuar atë regjim kriminal me këtë “demokratik” të derisotëm, i cili nëse nuk cilësohet regjim kriminal, gjithsesi është jodemokratik, i padrejtë dhe johuman ndaj shqiptarëve.

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...