Home / Opinion / SULMI I “GJENERAL COVIDIT“ NUK PËRBALLOHET ME MASKA E SELEKSIONIME, POR ME KUNDËRSULM TË PËRGATITUR.

SULMI I “GJENERAL COVIDIT“ NUK PËRBALLOHET ME MASKA E SELEKSIONIME, POR ME KUNDËRSULM TË PËRGATITUR.

Nga Gjon BRUÇI
(Shkrimi u dergua disa gazetave, shpresojme te botohet)
Para dy ditësh, gazetari i mirënjohur Skënder Minxhozi, në një shkrim me titull “Rikthimi i “Gjeneral Covidit”, jo pa qëllim citonte thënien e Kryeministrit italian, Giuseppe Conti, i cili duke folur për situatën në vendin e tij, midis të tjerave tha: “Të veprojmë tani, ose epidemia do të na ikë nga duart”. Paralajmërimi i Contes, kapërcen Italinë dhe vjen edhe këtu tek ne, që jemi mbërthyer nga e njëjta situatë.
Me siguri, Ministrja jonë e Shëndetësisë, e ka dëgjuar paralajmërimin e Kryeministrit Conte, në mos drejtpërsëdrejti, të paktën nëpërmjet shkrimit të mësipërm të gazetarit Minxhozi, i cili në zbërthim të atij paralajmërimi, e konkretizon saktë se si duhet të veprohet nga institucionet tona shtetërore, veçanërisht nga shëndetësia, për përballimin e rikthimit të “Gjeneral Covidit”.
Po, a e ka kuptuar Ministrja jonë e shëndetit dhe shefi i saj këtë paralajmërim?! Dhe, ajo që është më kryesorja, cilat janë masat konkrete që do të ndërmerren, për përballimin e rikthimit të “Gjeneral Covidit” ?!
Në seancën parlamentare të datës 29 Tetor 2020, ku midis të tjerave diskutohej dhe miratohej “Akti më i fundit normativ” i qeverisë, për situatën Covidiane, ministrja e shëndetit, pasi publikoI për qytetarët “Fletën e Lavdërimit” të një “Reviste prestigjioze”, e cila i jepte Shqipërisë plot 70 pikë, duke e rreshtuar për kujdesin shëndetësor ndaj qytetarëve fill pas Rumanisë, dhe para gjithë vendeve të Ballkanit perëndimor, në dhjetë minutëshin tjetër që pasoi diskutimin, foli me terma të përgjithshme, pa cilësuar asnjë masë konkrete për përballimin e “Gjeneral Covidit”, të rikthyer në fushbetejë, përveç maskave, distancimit fizik dhe larjen e duarëve, që tashmë na janë bërë si “formula e pagëzimit” që na la Gjon Buzuku me shkrim, në shekullin e pesëmbëdhjetë.
Se si duhet të veprojë ministrja dhe gjithë qeveria për të përballuar sulmin e dytë të Covidit, është pasqyruar saktë dhe me kulturë në shkrimin e gazetarit Minxhozi. Unë, po mundohem të shtoj vetëm disa ide, që lidhen me profesionin tim si ish ushtarak, çka mendoj se janë të frytshme edhe për ministren dhe qeveritarët e tjerë, të cilët duket se nuk kanë bërë asnjë ditë stërvitje ushtarake, në kohën kur kishim ushtri.
Deri në fillim të marsit 2020, “Armiku Covid-19” ishte i panjohur nga shqiptarët. Kjo e “panjohur” qëndron edhe për qeveritarët, sepse punët e shumta me PiPiPi-të, dhe mungesa e institucioneve studimore e shkencore, i kanë penguar të shohin përmatanë murit të zyrave dhe kohështrirjeve të fejzbuqeve, aq shumë të “zyrtarizuara” nga pushtetarët aktualë. Në këto kushte, mangësitë që u shënuan në ditët e muajt e parë të pandemisë, mund të mos etikohen në adresë të ministres Manastirlliu, të cilës i mungon përvoja e duhur në punën drejtuese të ministrisë. Nga ana tjetër, ajo nuk mund të ngarkohet me përgjegjësinë e paraardhësve të saj, të cilët e kanë katandisur mjekësinë tonë në pikë të hallit.
Por, pas tetë muaj “luftime” me të njëjtin armik, befasia dhe mosnjohja nuk mund të pranohen. Armiku që sulmon e risulmon pandërprerje, siç po bën Covidi, nuk mund të përballohet vetëm me mbrojtje. Aq më pak kjo, kur armët kryesore kemi vetëm maskat, distancën fizike dhe larjen e duarëve. Është njësoj sikur, furinë e përsëritur të armikut, ta presësh gjithnjë duke u strukur në fund të llogores, qoftë edhe të fortifikuar në maksimum. Sulmet e armikut përballohen me mbrojtje të organizuar, dhe me kundërsulme të fuqishme, gjer në asgjesimin e plotë të tij. Kështu edhe me Covidin. Tetë muaj luftë dhe rezistencë me humbje jo të shumta dhe qëndresë të lavdërueshme, janë jo vetëm një përvojë më shumë, por edhe një mundësi përgatitje për kundërsulm. Nëse gjërat do të vlerësoheshin si në një situatë luftarake, siç ka qenë dhe është në të vërtetë, atëhëre kundërsulmi ynë do duhej të përfshinte rritjen dhe madje dy e trefishimin e kapaciteve spitalore dhe të shërbimit mjekësor. Covidi i befasishëm, pas “sulmit” të parë të muajve mars-maj, e ndali hovin, duke na krijuar një pauzë të favorshme prej pesë muajsh, të cilën organet kompetente nuk e shfrytëzuan. Kujtojmë se në pesë muaj, sistemi i organizuar socialist, kur ndodhi tërmeti i vitit 1979, arriti të strehonte në shtëpi të reja mbi 100 mijë banorë. Ndërsa sistemi kapitalist që kemi sot, jo vetëm nuk arriti të strehonte për tetë apo dhjetë muaj qytetarët e mbetur pa strehë nga tërmeti i Nëntorit 2019, por nuk arriti të vinte në punë për luftën kundër Covidit, as nga një pavion të veçantë për luftën kundër Covidit, në 12 spitalet ekzistuese të prefekturave të vendit. Çka do të ishte një avantazh i padiskutuesëhm për një kundërsulm të suksesshëm kundër Covidit, që na u rikthye për së dyti tani në vjeshtë. Nuk e dinte ministrja dhe qeveria ku bën pjesë, se ky sulm do të ripërsëritej? Sigurisht që e dinte, sepse jo vetëm OBSH, por gjithë specialistët e fushës së mjekësisë, e paralajmëruan pothuaj çdo ditë këtë fenomen, i cili do të vijojë ndoshta edhe disa vite të tjera. Dhe po e përsëris, sulmet e përsëritura të armikut, nuk mund të përballohen shumë gjatë vetëm me strukje në “llogore”, por me përgatitje të kundërsulmeve, të cilat definojnë në kundërsulmin vendimtar gjer në asgjesimin e armikut.
Fatkeqësisht, qeveria aktuale e “Skënderbeut” të Spiropalit, dhe titullarja e Ministrisë së Shëndetësisë, Orgeta Manastirlliu, që duhet të jetë komandantja e drejtpërdrejtë në betejën shëndetësore, nuk kanë asnjë plan të përgatitjes së këtij kundërsulmi, por janë strukur në llogore, duke mbajtur në dorë flamurin e bardhë, të cilin siç duket së shpejti do ta ngrenë mbi syprinën e mburojës së transhesë!
Këtë të fundit, ngritjen e flamurit të bardhë, e paralajmëroi vetë ministrja, në fund të ligjëratës dhjetë minutëshe në seancën parlamentare të datës 29 tetor 2020, kur tha tekstualisht: “Nëse do të përballemi me mbingarkesë spitalore (me shtrime të shumta të sëmurësh me Covid), atëherë ne do të detyrohemi të praktikojmë metodën e përzgjedhjes në trajtim, siç kanë bërë e po bëjnë edhe disa vende të tjera”!!!
Kjo deklaratë e thënë në mes të Parlamentit, në sy të qytetarëve që ndiqnin me vëmendje seancën ku miratohej “Akti normativ” i qeverisë për “Luftën kundër Covidit”, është jo vetëm një justifikim, që tenton të mbulojë paaftësinë e ministres dhe kabinetit qeveritar në kryerjen e detyrës, por është dhe një deklaratë me përmbajtje të pastër raciste. Nga shumë portale, gazeta apo televizione, kemi dëgjuar të thonë se “Covid – 19”-ta, është një virus që, sistemi kapitalist e ka hedhur mbi popujt, me qëllim që të pakësojë numrin e banorëve të globit të rënë në krizë sociale. Dhe personat më të përshtatshëm për këtë masakër, janë të moshuarit dhe të sëmuarit kronik, që nuk i japn më shoqërisë, përveçse e harxhojnë me pensione dhe mjekime e ilaçe. Kjo “skemë”, na është dukur si një thashethem i trashë ndërplanetar, por deklarata përmbyllëse e Ministres Manastirlliu në seancën e Parlamentit, na bën të mendojmë se thashethemnaja e mësipërme mund të jetë e vërtetë. Madje kjo e vërtetë ka mbërritur në dy spitalet tona infektive të kryeqytetit, në mos është praktikuar që në fillim të aktivitetit të tyre.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e mësipërme të Ministres Manastirlliu, mjeku Pipero u mundua të na mbushë mendjen se ajo “frazë e ministres” është keqkuptuar e nxjerrë jashtë konteksit. Por unë që e ndoqa drejtpërsëdrejti në telëvizion, i them mjekut Pipero, se teksti i “frazës” në fjalë, as nuk është keqkuptuar, e as është njerrë jashtë kontekstit, por ka dalë e shqiptuar shqip nga goja e Ministres. Ajo frazë nuk ishte as “lapsus”, siç mundohemi t’i justifikojmë shpesh herë gafat e politikanëve dhe pushtetarëve të sotëm.
Populli ynë thotë një fjalë të urtë dhe domethënëse: “Çka barku, nxjerr bardhaku”!
Ministres sonë, nuk ia nxori bardhaku (gota e pijes), sepse ajo nuk besoj se pin alkol. Është “bardhaku i kokës”, transformuar nga lukunia e korrupsionit qeveritar, ai që e bën atë dhe kolegët e saj qeverisës, të mendojnë e të veprojnë kundër moralit njerëzor, edhe për çeshtjen themelore të njeriut, siç është e drejta e barabartë për jetën.
Që nuk është “bardhaku” i pijes dhe i stomakut, por “bardhaku” i kokës dhe i degradimit, të politikanëve dhe pushtetarëve aktualë, na e verteton edhe fakti që, ndërsa naftëtarët e Ballshit, kanë disa muaj e madje edhe vite, që protestojnë e madje edhe ngujohen në grevë urie, për rrogat e papaguara disa mujore, Kryeqeveritari ynë, alias “Skënderbeu”, as që e prish terezinë, por vrapon pa u ndalur në autostradën e PiPiPi-ve, të koncesionit e të korrupsionit galopant qeveritar.
Nisur nga ky sfond, tashmë i dukshëm i qeverisjes aktuale, që është si dy pika uji me gjithë qeverisjen tridhjete vjeçare të klasës sonë të vjetër e të re borgjeze, deklaratën raciste të Ministres së Shëndetësisë, që nuk është gjë tjetër vetëm derivat i deklaratave dhe qëndrimeve të shefit të saj në qeveri, është jo vetëm e besueshme, por mendojmë se ka hane që ka nisur të zbatohet.
Një kërkesë do të kisha për ministren dhe eprorët e saj: Ju lutemi, preçizojeni mënyrën e “klasifikimit”, me qëllim që ata, të cilët do të jenë në listat e zeza të vdekjes, të mund të marrin masa qysh në “kohë paqeje”, për arkivolin dhe varrin ku do të strehohen, pas luftës me “Gjeneral Covidin”!
Mjer populli, në ç’dorë politikanësh dhe pushtetarësh ka rënë!

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...