Home / Histori / Gjenerali i lavdishëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare “Hero i Popullit”, Shefqet Peçi

Gjenerali i lavdishëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare “Hero i Popullit”, Shefqet Peçi

(Me rastin e përvjetorit të lindjes)

Picari gjatë shekujve ka nxjerrë trima e trimëresha, luftëtarë e udhëheqës të shquar. Trimëritë e zgjuarsia e Çelo Picarit, e Veliko Jaçes janë bërë legjenda në popullin e krahinës së Kurveleshit, i cili, më shumë se çdo veti tjetër, çmon trimërinë. Më 30 qershor 1906 Picari i dha Kurveleshit dragoin e malit, bilbilin e Labërisë, atë që e njeh populli gjithë. I dha historisë së popullit shqiptar një nga komandantët e lavdishëm të LANÇ-it, një udhëheqës të shquar të ndërtimit të Shqipërisë së re.
Shefqet Peçi lindi në Picar në një familje luftëtarësh. Rustemi, gjyshi i tij, luftoi për vite të tëra përkrah kurveleshasve kundër hordhive turke. I ati i tij, Shaqja, së bashku me trimat e Picarit, luftoi kundër andartëve grekë. Në këto vite, Kurveleshi, sidomos Picari, si hyrje në këtë kala, bëhet shesh luftërash. Ai ishte ende i ri kur xhaxhai i tij, Feti Peçi, me 27 picariotë lufton kundër bandave tradhëtare të Esat Pashë Toptanit. Në vitin 1920, atdheu kërkonte luftëtarë. Midis 64 burrave picariotë që rrëmbyen armët ishte edhe i riu 14 vjeçar, Shefqet Peçi. Megjithëse ende i vogël në moshë, ai luftoi krah trimave si Harun Banushi, Zenel Demiri, Riza Veipi etj. në Tepelenë e në Vlorë, sa hodhën italianët në det. Në moshën 16 vjeçare i bien mbi shpatullat e tij të gjitha hallet e familjes. Endet sa andej këtej për të kërkuar punë. Në vitin 1922 shkon vullnetar në mbrojtje të kufijve në Kakavijë, kundër grekëve e më vonë, duke njohur zgjuarsinë e tij, e dërgojnë për oficer në shkollë. Shefqet Peçi, duke parë kalbësirën e sistemit të Ahmet Zogut, hidhet në opozitë. Ishte për shembjen e tij, e u bë një nga organizatorët e grupit të ushtrisë ku bënin pjesë Asim Vokshi, Memo Metoja, Qazim Kondi etj. Në maj të vitit 1937 autoritetet zogiste e arrestojnë së bashku me Memo Meton, duke i marrë në pyetje gjenerali zogist, Xhemal Aranitasi, por për mungesë faktesh, e lirojnë nga burgu, por e pushojnë nga puna dhe e dëbojnë në fshat. Takohet me fshatarët e bën me ta një punë të gjallë propagandistike kundër regjimit feudo-borgjez të Zogut, ku flet për të ardhmen e të varfërve.
Në vitin 1938, punësohet kujdestar në konviktin e Normales së Elbasanit, ku gjen një fushë të gjerë për të propaganduar idetë përparimtare të kohës. Ai bëhet organizator e udhëheqës i nxënësve të shkollës. Organizon shtabin e studentëve, ku bënin pjesë: Bilal Parruca, Dashnor Mamaqi, Sadik Bocaj, Hasan Selenica etj. Është një nga drejtuesit kryesorë të demonstratave në Elbasan. Shefqet Peçi, ish-anëtar i grupit të oficerëve në Gjirokastër e që punonte kujdestar në konvikt në normale të Elbasanit, mbante lidhjen me Organizatën e Partisë së Elbasanit nëpërmjet Hasan Bajraktarit e Ptoleme Xhuvanit, duke zbatuar me vendosmëri e me guxim porositë e saj.
Më 22 dhjetor 1941 merr pjesë në mbledhjen e organizatës komuniste të Elbasanit, ku njihet me Qemal Stafën e bashkëpunon ngushtë me të në këtë qytet. Ai, së bashku, me Memo Meton, Mustafa Matohitin në Kuç, formojnë celulën e parë të Partisë Komuniste për krahinën e Kurveleshit ku merrte pjesë edhe Hysni Kapoja. Gjithashtu, së bashku me Mustafa Matohitin, me Memo Meton, me Bexhet Memën, organizojnë e formojnë këshillat antifashiste nacional çlirimtare në krahinën e Kurveleshit, të Kardhiqit, të Lunxhërisë, të Rrëzomës e deri në Konispol. Si një revolucionar i rrallë ndiqet nga fashistët italianë e tradhtarët e vendit e në shtator të vitit 1942 shkon në Elbasan, i dërguar nga qarkori i Gjirokastrës me detyrë. Arrestohet në këtë qytet e dërgohet në burgun e Gjirokastrës. Edhe në burg ai s’e pushon aktivitetin e tij revolucionar. Krijon Organizatën e Partisë, ku bënin pjesë Lefter Taloja, Rasim Bazoja, Karafil Belloja etj. Me ndihmën e Qarkorit të Gjirokastrës, në shkurt të vitit 1943 lirohet nga burgu e në mars të 1943-shit, formon celulën e parë komuniste në krahinën e Kardhiqit dhe zgjidhet sekretar i saj. Së bashku me Berdri Spahiun, Memo Meton, Asim Zenelin merr pjesë në prill të 1943 në Rehovë të Kolonjës ku zhvillojnë debatin me kreun e ballit Ali bej Këlcyrën e duke e kritikuar pikëpamjet e tij për LANÇ. Duke parë vendosmërinë e tij, Partia e cakton kryetar të Këshillit Antifashist Nacional çlirimtar të zonës së Kardhiqit. Por, edhe duke u kujdesur për çetën “Çerçiz Topulli” e për çetat e tjera, si ajo “Avni Rustemi”, “Toto Bolena” e “Hajredin Tremishti”, duke organizuar krijimin e batalionit “Asim Zenel” më 7 gusht 1943 dhe emërohet komisar i tij. Si komandant, si komisar e udhëhoqi këtë batalion në luftimet e para në Cepo, në Urë të Kardhiqit, në Libohovë, në Kurvelesh, në lumin e Vlorës, në Zagori, në Përmet, në Këlcyrë, në Dëshnicë, në Kiçok e në Skrapar, deri sa shkon në brigadën V Sulmuese, komandant i kësaj njësie. Ai diti të gërshetonte luftën e batalionit si pararojë me atë të popullit, të fshatrave të Kardhiqit, të Prongjisë, të Fushëbardhës, të Plesatit, të Mashkullorës, të Zhulatit, të Golemit, të Humelicës, të Picarit që derdheshin si lumë drejt Cepos. Në dhjetor të vitit 1943, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së, ai caktohet komandant i Brigadës V Sulmuese, së bashku me komisarin Hysni Kapo, që shkroi faqe të lavdishme në historinë e LANÇ-it, duke thurur vargjet: “Komandanti Shefqet Peçi/ komisar shoku Hysni”. Populli pa te ky komandantin trim, djalin e tij, që luftonte për aspiratat e tij. Për merita të shquara ai emërohet zëvendëskomandant Divizioni I Sulmues e më vonë, komandant i grupit operativ i Brigadës III, V, XXV të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fush-Kosovës për çlirimin e tyre.
Figura e këtij komandanti të lavdishëm, të këtij biri picariot, hyri e do të hyjë në këngët popullore, se simbolizon trimërinë e heroin popullor. Në baladën “Komisari” e Dritëro Agollit, shkruhet: “Dhe naganti nuk na ngeci/ që në Kuç e Vishegrad/ kur thërriste Shefqet Peçi/ komandanti ynë lab…”. Gjatë LANÇ-it Shefqet Peçi ka shkruar shumë këngë epike për shokët e krahut Asim Zenelin, për Memo Meton, për Mustafa Matohitin e për shumë e shumë të tjerë, por edhe këngë lirike. Adil Çarçani, midis të tjerave, ka thënë: “Shefqet Peçi, jo vetëm ka qenë një luftëtar e udhëheqës i LANÇ-it, por ai ka thurur edhe vetë këngët e luftës, të cilat kanë buçitur e janë kënduar me mijëra herë nga goja e partizanëve, duke i moblilizuar e duke i nxitur në luftë e në përpjekje kundër armikut.
Në ditët e para të çlirimit, Shefqet Peçi, emërohet komandant i Koparmatës III e më vonë Inspektor i Përgjithshëm i Ushtrisë. Me riorganizimin e ushtrisë ai caktohet komandant i Divizionit V e pastaj në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Si ushtarak i shquar, për merita udhëheqjeje në luftë e në paqe, gradohet në vitin 1949 gjeneralmajor. Ai ka kontribuar për çështjen e ndërtimit të vendit, si drejtues i ekonomisë popullore. Në vitin 1949 emërohet ministër i Komunikacionit, më vonë ministër i Minierave e, në vitin 1953, emërohet President i Komisionit të Kontrollit të Shtetit e më vonë nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944 u zgjodh delegat e Kongresi e zgjodhi anëtar të Këshillit Nacionalçlirimtar. Qysh nga Kongresi I i Partisë së Punës së Shqipërisë ka qenë zgjedhur anëtar i Komitetit Qëndror të PPSh-së. Nga 2 dhjetori 1945 e në vazhdim deputet në Kuvendin Popullor. Duke vlerësuar kontributin e tij në luftë për çlirimin dhe ndërtimin e Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me shumë urdhra e medalje dhe më 29 qershor 1966 i jep titullin më të lartë të Republikës “Hero i Popullit” me nr.dekreti 4147.
Mehmet Shehu e ka vlerësuar si një nga anëtarët më energjikë të Qeverisë e të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që e ka karakterizuar gjithmonë dashuria për partinë, për popullin e për atdheun, me një ndër-gjegje të lartë në punë, një qëndrim parimor e konsekuent në vijën e partisë, për ndërtimin socialist të vendit. Në kujtesën e picariotëve ka mbetur e paharruar data e 27 majit 1969, kur udhëheqësi i partisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre, Shefqet Peçi, por edhe Nexhmie Hoxha dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Rrapo Dervishi e Subi Bakiri. Enver Hoxha e prezantoi para pjesëmarrësve të atij mitingu të madh krahinor: “Kam ardhur këtu me komandantin e gjeneralin e Ushtrisë së lavdishme Nacionalçlirimtare, udhëheqës i shquar i shtetit, bir besnik i kësaj krahine”.
Vitet e fundit, Shefqet Peçi u zgjodh kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, detyrë të cilën e kreu me përkushtim. Ky hero, gjatë jetës së tij, jo vetëm njohu burgjet e fashizmit, por gjatë ndërrimit të sistemit, njohu edhe burgjet e Berishës, prandaj populli i ka thurur vargjet: “O trimi që s’u përkule/ nga burgjet dhe nga qelitë/Shefqet Peçi/ e njohën populli gjithë…”. Në 22 tetor 1995 “Heroi i Popullit” u nda jeta.
Zabit Ahmetaj

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...