Home / Opinion / Humori, argëtim apo dopingim

Humori, argëtim apo dopingim

24,10 2020

Vërejtje!

Përdorimi i humorit vend e pa vend, shpesh, po e rrafshon kufirin mes krimit dhe nderimit. Përmes hajgares, kufiri mes “të keqes” dhe “të mirës” gati po fshihet!
Mund të them, se përmes mjetit “Hajgare/humor” po thjeshtëzohet “rreziku”, “kërcënimi”, “veprimi i keq”, “kriminaliteti”, “vjedhja”, dhe, gjithsesi, po bagatelizohet kritika ndaj së keqes.
Shof se ka shpërthyer humori kolektiv në rastin e vjedhjes së 2 milion eurove nga paraja publike e një populli të varfër. E pikërisht është ky humor që po u përshtatet hajnave dhe sunduesve të popullit
.
Pse e them këtë?
Kështu ishte që në kohën e Romakëve, feudalizmit mesjetar, kështu ishte në kohën e nazizmit gjerman e deri në diktarurat e sotme. Për të argëtuar e disponuar popullin, organizoheshin nga sunduesit e nga mbretërit e kohës aktivitete të shumta publike me plot humor, me cirke, me teatro te rrugës, me palaqo e me gladiatorë. Më vonë u përdor me shumë sukses fotografia, afishet, pankartat dhe gjithsesi televizioni.
Kujtoni efektin e madh të afisheve (plot humor) dhe të televizionit në kohen e Gjermanisë së Hitlerit. Edhe sot, në televizion, në portale e në media sociale, kemi plot humoristë, seriale latine e turke, futboll e ngjarje të parëndësishme e të sponzorizuara si të rëndësishme nga sunduesit e popullit. Humorin po e përdorin si mjet dopingimi edhe sunduest politik. Shiko publikimet e tyre në facebook, në televizion e në portalet e tyre.
Humori, argëtim apo dopingim?
Kjo bëhej (dhe bëhet) me qellim që përmes argëtimit/humorit populli, sadopak, të mashtrohet e të harroj vuajtjet, skamjen, varfërinë, padrejtësinë dhe robërinë.
Në të vërtetë kritika ndaj vjedhjes së 2 milionëve (mos të flasim për vjedhjet qe u bënë gjatë “privatizimit”), duhet të jetë e ashpër, serioze, syhapëse dhe reagimnxitës.
Përmes kritikës argumentuese, me fjalë e me fotografi, e jo hajgares, arrihet më shumë. Kjo kritkë serioze vetëdijëson popullin e nuk e argëton atë. Populli ka nevojë për mirëqenje, shëndetësi, punë, siguri e dinjitet, e jo humor e argëtim në mjerim, në sëmundje, në varfëri e në pasiguri.
Po, hajgarja/humori përdoret me shumë sukses në reklamat e prodhuesve që duan ta shesin prodhimet e tyre sa më shumë e sa më shpejtë, duke ia kujtuar konsumuesit artikullin, pikërisht, përmes humorit dhe argëtimit.
Packa, në rastin e 2 milionshit të vjedhur, hajgarja ka kundërndikim: Vjedhja/krimi po zbehet, “po paketohet e po zbukurohet” e po na del si zotësi e si profesion, e hajni po na shitet si një aktor i mirë i një teatri që po na argëton. Dhe kështu, përmes lajmit argëtues e me humor, (info-tainment) po narkotizohet veprimi dhe sjellja e një populli të tërë; ku nuk ka reagime kolektive, nuk ka protesta e as revoltë demokratike qytetare.
Të nderuar lexues,
S’ka hajgare në ditën e vdekjes!
Shakaja në fatkeqësi e në tragjedi nuk shkon!
S’ka humor në varrime!

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...