Home / Opinion / PËR ÇKA FESTOJNË QYTETARËT E MAQEDONISË VERIORE?

PËR ÇKA FESTOJNË QYTETARËT E MAQEDONISË VERIORE?

/Nga arkivi Eibotim/
23 Tetor – Dita e Luftës Revolucionare të Maqedonasve
Rëndësia: konsiderohet si dita e themelimit të organizatës “Komiteti Revolucionar i Maqedonasve”, të njohur më vonë si VMRO apo VMORO (OBRM), Selanik, më 23 tetor 1893.
Festimi: Dita e luftës revolucionare të maqedonasve – festë shtetërore në Republikën e Maqedonisë Veriore shënohet nga viti 2007, me sjelljen e Ligjit të ri për festat shtetërore.
Mospajtimet: Meqë kjo datë njihet si dita e themelimit të OBRM (VMRO), opinioni në Maqedoni idenë që kjo ditë të shpallet si festë shtetërore e ka pranuar me rezervë, sepse ditëlindja e një partie politike, OBRM-PDUKM (ВМРО-ДПМНЕ) konsiderojnë se nuk duhet të shënohet si festë shtetërore.
ÇFARË DUHET TË DINË SHQIPTARËT PËR PARTINË OBRM-PDUKM NË MAQEDONINË VERIORE?
Shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm, sidomos ata që merren me politikë, duhet të kenë njohuri elementare për historikun, orientimin politik, ideologjinë dhe sidomos qasjen ndaj shqiptarëve të partive politike më të mëdha në Maqedoni; duhet të dinë sidomos për partitë politike më të mëdha maqedonase, të cilat një kohë të gjatë janë në skenën politike, meqë nga politikat dhe veprimet e tyre është varur dhe varet edhe më tej cilësia e pushtetit në këtë shtet. Për aq më tepër kur gjatë qeverisjes së tyre janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme të drejtat e shqiptarëve, siç ka ndodhur gjatë qeverisjes së partisë OBRM-PDUKM, në bashkëpunim edhe me partitë e shqiptarëve, PPD, PDSH, BDI dhe parti të tjera më të vogla. Nga kjo qeverisje Maqedonia përjetoi krizë të thellë politike, të përcjellë edhe me turbulenca brenda këtyre partive, sidomos pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016 dhe të zgjedhjeve komunale të 15 tetorit 2017.
Partia që më gjatë ka qeverisur në Maqedoni është OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE), për të cilën një pjesë e madhe e opinionit shqiptar ka pak, ose aspak njohuri. Kjo parti politike, e themeluar ndër të parat në Maqedoni (1990), në prag të shpalljes së pavarësisë së këtij shteti (1991), në fillimet e saj përkrahjen më të madhe e siguroi nga popullata joshqiptare në pjesën perëndimore të Maqedonisë, me përkrahjen e qarqeve politike proserbe dhe probullgare, nën ndikimin e ideologjive të shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, kur ëndrra për krijimin e shtetit autonom të Maqedonisë mbeti e parealizuar.
Për herë të parë pas 26 vjet veprimtarie të suksesshme në skenën politike, kjo parti aktualisht gjendet para kthesës së madhe, me humbjen e pushtetit pas 11 vjet qeverisje në vazhdimësi, të cilën e presin transformime të mëdha në kongresin e jashtëzakonshëm, të gjashtëmbëdhjetin me radhë, i cili u mbajt më 23 dhjetor të këtij viti, në Vallandovë, një qytet i vogël në jug të vendit, njëra nga disa komunat e vogla që i fitoi kjo parti në zgjedhjet vendore të 15 tetorit 2017.
Maqedonia në qeverisjen e OBRM-PDUKM
Kjo parti ka qeverisur në periudhë më të gjatë në Maqedoni, pas pavarësimit të këtij shteti e deri më sot, në koalicion edhe me partinë e shqiptarëve, PPD-në (qeveria e ashtuquajtur e ekspertëve), më 1991-1992; nga viti 1998 – 2002 me PDSH-në (e cila këtë parti maqedonase e ka cilësuar si “partner strategjik”), ndërsa nga viti 2006 deri më 2016 ka bashkëqeverisur me BDI-në, me përjashtim të një periudhe afër dyvjeçare, nga viti 2006-2008, sërish në koalicion me PDSH-në.
Koha sa ka qenë kjo parti në skenën politike mund të ndahet në tri etapa, edhe atë:
– Periudha nga themelimi i saj, 1990 deri më 2002, nën udhëheqjen e Lubçe Georgievskit;
– Periudha nga viti 2002 deri më 2017, nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit; dhe
– Periudha pas dorëheqjes (rënies) së Nikolla Gruevskit, me liderin e ri të zgjedhur në kongresin e XVI të saj, Hristijan Mickovski.
Me këtë rast, vlen të përmendet se, përderisa në fillimet e saj, organizata revolucionare maqedonase (1893), trashëgimtare e së cilës është partia politike aktuale OBRM-PDUKM, kongreset e saj i ka mbajtur kryesisht jashtë territorit të Maqedonisë së sotme, në Greqi dhe Bullgari, pas viti 1990, partia politike e formuar më 1990, ka qenë e orientuar kryesisht në qytetet me popullsi të përzier, ku elementi sllav vendës, nën influencën e politikës serbe në Maqedoni, për shtrirjen e ndikimit të saj në një terren krejtësisht të ri, siç është paraqitur në vazhdim të këtij shkrimi.
Periudha nën Perandorinë Osmane
Më 23 tetor 1893, në shtëpinë e pronarit të një librarie, Ivan Haxhi Nikollov, në Selanik, janë tubuar gjashtë djem të rinj që të hedhin themelet e organizatës e cila do të shndërrohet më vonë në simbol të luftës së maqedonasve për çlirim nga sundimi osman. Dr. Hristo Tatarçev – mjek, i lindur në Resnje; Dame Gruev – profesor, i lindur në Smilevë – Manastir; Petar Pop Arsov – profesor, nga katundi Bogomillë- Veles; Ivan Haxhi Nikollov, libërshitës, nga Kukushi; Anton Dimitrov – mësues, nga Ajvatova – Selanik; dhe Hristo Batanxhiev – profesor, nga katundi Gumenxhe – Enixhe e Vardarit; të cilët e themeluan Grupin ilegal me emrin “Komiteti Revolucionar i Maqedonasve”.
Kongreset e para të kësaj organizate, shumica e të cilëve kanë qenë në nivel të mbledhjeve të disa personave në nivel lokal, të ashtuquajtura “qarqe revolucionare”, ndërsa më vonë historiografia dhe politika maqedonase për t’u dhënë peshë historike i ka quajtur “kongrese”, të cilët janë mbajtur gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.
Kjo është periudha kur anëtarët dhe grupet e kësaj organizate kanë bërë plaçkitje të mëdha të popullsisë vendëse dhe kanë organizuar kidnapime dhe atentate, jo vetëm ndaj drejtuesve dhe pjesëtarëve të pushtetit, por edhe ndaj banorëve vendës të cilët nuk janë pajtuar me idetë e kësaj organizate. Por, edhe pushteti i kohës ka zhvilluar një luftë të ashpër dhe të vazhdueshme për shkatërrimin e kësaj organizate.
1. Kongresi i VMRO-së (i ashtuquajtur historik), thuhet se është mbajtur në Resnje, më 1894;
2 dhe 3. Dy kongrese radhazi janë mbajtur në Selanik-Greqi, më 1896 dhe 1903;
4. Kongresi (legjendar, sipas historiografisë maqedonase) i Smilevës, vendlindja e Dame Gruevit;
5. Kongresi i Prilepit, më 1904 (ky kongres ka qenë në nivel të qarkut);
6. Kongresi i Rilës (i mbajtur në Manastirin e Rilës-Bullgari), më 1905;
7. Kongresi VIII, në Pokrovnik (katund në Bullgari), më 1928; dhe
8. Kongresi VIII, në Troskovë (katund në Bullgari), më 1932.
Disa kongrese të tjera, si të ashtuquajturit, Kongresi i Shkupit, i Qustendilit, i Strumicës (kongresi i parë dhe i dytë), të gjithë kanë qenë kongrese lokale, të njohura si qarqe “revolucionare” të të njëjtës organizatë.
Periudha mes dy luftërave botërore dhe gjatë regjimit komunist 1944-1990
Gjatë tërë kësaj periudhe, përveç organizimit në nivel lokal kjo organizatë është marrë kryesisht me veprimtari kriminale dhe terroriste, agjitacion, propagandë dhe atentate, në shërbim të agjenturave dhe shteteve të huaja, kryesisht bullgare dhe pjesërisht serbe.
Gjatë regjimit komunist në Maqedoni, për 45 vjet me radhë Partia komuniste sundoi pa organizuar asnjëherë zgjedhje të lira, ku të gjithë kryetarët, kryeministrat, deputetët, kryetarët komunave dhe këshilltarët e komunave në ish Republikën Socialiste (Jugosllave) të Maqedonisë) janë zgjedhur nga radhët e partisë së vetme në pushtet, asaj komuniste.
Periudha në Maqedoninë si shtet i pavarur, 1990-2017
Me hapjen e proceseve demokratike dhe të pluralizmit, pasuesit e idesë së organizatës VMRO, kryesisht me nxitjen dhe përkrahjen e disa veprimtarëve të kësaj organizate, të cilët gjatë regjimit komunist kanë vepruar në botën e jashtme, në Maqedoni e themeluan partinë politike me emrin VMRO-DPMNE (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase – Partia për Unitetit Kombëtar të Maqedonasve), më 17 qershor 1990, në Shkup.
Kongresi i parë i partisë OBRM-PDUKM, sipas vazhdimësisë që pretendon kjo parti, i njohur si Kongresi IX, u mbajt në Prilep, më 1991; Kongresi X, në Kërçovë, më 1995; Kongresi XI, në Strumicë, më 1999; Kongresi XII, në Ohër, më 2003; Kongresi XIII, në Shtip, më 2007; Kongresi XIV, në Manastir, më 2011; dhe Kongresi XV, në Kumanovë, më 2015; kurse Kongresi XVI i radhës, i jashtëzakonshëm, parashihet të mbahet më 22 dhe 23 dhjetor të këtij viti, në Vallandovë, një qytet i vogël në jug të Maqedonisë, si komunë më e madhe të cilën e fitoi kjo parti në zgjedhjet vendore të 15 tetorit 2017.
Përfundimi i një epoke të errët në skenën politike në Maqedoni
Me këtë rast vlen të theksohet se, regresi shoqëror, kriza politike, korrupsioni dhe kriminaliteti kanë qenë shenjë dalluese e qeverisjes së kësaj partie deri më sot, ndërsa pasojat e kësaj qeverisje do t’i vuaj ky shtet edhe gjatë kohë. Nga përmasat e krimit dhe korrupsionit të kësaj qeverisjeje, ky shtet nuk ka potencial të këndellet lehtë edhe gjatë kohë në të ardhmen.
Periudha pas rënies së Nikolla Gruevskit është një paralajmërim edhe për reforma të brendshme serioze në këtë parti, të cilat është dashur të fillojnë nga kongresi i XVI me radhë, i mbajtur më 23 dhjetor 2017, në Vallandovë. Në periudhën e ardhshme pritet të vinë forca të moderuara politike brenda kësaj partie dhe të fillojnë ndryshime edhe në kursin politik të saj.
(24.XII.2017)
* * *
ORGANIZATAT QË NUK MUND TË KONSIDEROHEN ALEATE STRATEGJIKE!
Njëra nga partitë më të mëdha politike të Maqedonisë, VMRO-DPMNE, u formuar në vitin 1990, si trashëgimtare e organizatës së fshehtë politike po me këtë emër (VMRO), e cila është themeluar në Selanik, në vitin e largët 1893, në kohën e përpjekjeve të popujve ballkanikë për çlirim kombëtar dhe krijimin e shteteve të tyre.
Por, në vend se kjo organizatë të fokusohej në realizimin e interesave të popullit ,,maqedonas” (populli maqedonas u njoh për herë të parë si etnitet i veçantë nga Kominterna, në vitin 1936), ajo u shndërrua në organizatë klandestine, me premisa terrorizmi, brenda së cilës dominuan tri rryma politike (organizata të ndara) dhe ushtarake (çeta komitësh të udhëhequr nga vojvodët), ajo probullgare, proserbe dhe krahu autonomist, i cila u angazhua për një Maqedoni autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, me kryeqytet Selanikun, jashtë ndikimit të Serbisë dhe Bullgarisë, duke i vlerësuar si shtete me pretendime hegjemoniste dhe pushtuese ndaj Maqedonisë.
Në betejë e përgjakshme për dominim mes këtyre tri rrymave, vetëm mes dy luftërave botërore janë likuiduar mbi 3500 veprimtarë, intelektualë dhe funksionarë politikë e ushtarakë nga Maqedonia. Dominimi i frymës mercenare mes këtyre fraksioneve, në shërbim të politikave të shteteve fqinje, si dhe implikimi i udhëheqësve kryesorë të kësaj organizate në disa atentate, kidnapime dhe plaçkitje masive të popullsisë, ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e popullsisë në Maqedoni, e cila me pak përjashtime edhe sot e konsideron si organizatë terroriste dhe kundër interesave të Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj.
Historia e organizatave politike konspirative me emrin VMRO
Emërtimi (akronimi) VMRO (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase-OBRM) ka të bëjë me organizatat politike nga e kaluara (historike), me këtë emër:
– VMRO / ORV – Organizata nacionalçlirimtare nga koha e Perandorisë Osmane.
– VMRO (Autonomiste) – Organizata nacionalçlirimtare mes dy luftërave botërore.
– VMRO (E bashkuar) – Organizata politike maqedonase mes dy luftërave botërore.
– VMRO-SDRMA – Organizata politike e fshehtë (konspirative) maqedonase pas Luftës së Dytë Botërore.
– VMRO – PRAVDA (DREJTËSI) – Organizata e fshehtë politike maqedonase pas Luftës së Dytë Botërore.
Partitë dhe organizatat politike aktuale me emrin VMRO
Në Maqedoni:
1. VMRO-DPMNE – Parti politike maqedonase aktuale, lider Nikolla Gruevski.
2. VMRO – Maqedonase – Parti politike maqedonase aktuale, lider Boris Stojmenov.
3. VMRO – VMRO (E vërtetë) – parti politike maqedonase aktuale, lider Boris Zmejkovski.
4. ВMRO – DP (partia demokratike) – parti politike maqedonase aktuale, lider Vlladimir Gollubovski.
5. VMRO – Partia popullore – parti politike maqedonase aktuale, kryetar Marjan Dodovski, lider Lubço Georgievski.
6. VMRO – DOM – parti politike maqedonase aktuale.
7. VMRO – MNM – organizatë nacionaliste maqedonase antishqiptare, aktualisht vepron në diasporë dhe brenda vendit, lider Lupço Mirçevski – Trepet.
8. VMRO – Tatkovisnska (atdhetare) – parti politike maqedonase aktuale (probullgare), lider Dimirat Crnomarov.
Në Bullgari:
1. VMRO – BND – parti politike bullgare me orientim nacionalist, trashëgimtare e shoqërive kulturore-arsimore në Bullgari, lider Krasimir Karakaçanov.
2. VMRO – BDD – organizatë politike bullgare, lider Atanas Popov.
3. VMRO – SMO – organizatë politike bullgare, lider Hristo Matov.
4. VMRO – NIE – parti politike bullgare, lider Petko Atanasov.
Partia politike maqedonase VMRO-DPMNE (OBRM-PDUKM), e cila e mban emrin e VMRO-së historike (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase), me shtojcën DPMNE, (Partia Demokratike për Unitet Kombëtar Maqedonas – PDUKM), gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë në pushtet në Republikën e Maqedonisë, deri në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, në koalicion me partinë shqiptare BDI.
Në zgjedhjet e para parlamentare në Maqedoni, të vitit 1990, kjo parti fitoi numër më të madh të deputetëve në Parlamentin e parë pluralist në Maqedoni, me gjithsej 38 mandate deputetësh, më tepër se partia e transformuar komuniste (socialdemokrate), e cila fito 31 deputetë, ndërsa partitë shqiptare fituan 23 deputetë, nga gjithsej 120 deputetë sa ka parlamenti i këtij vendi.
Kjo parti nacionaliste dhe antishqiptare e ka udhëhequr Qeverinë e Maqedonisë gjatë viteve 1998-2002, në koalicion me partinë shqiptare PDSH. Kjo periudhë është karakterizuar me përdorim të dhunës, terrorit dhe kriminalitetit të të gjitha formave dhe llojeve.
Nga viti 2006 deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo parti po ashtu ka qeverisur me vendin, në koalicion me partinë e shqiptare BDI, me përjashtim të viteve 2006-2008, kur kjo parti nacionaliste maqedonase ka qenë në koalicion (bashkëqeverisje) me partinë shqiptare PDSH.
Në historinë e këtij shteti, kjo parti do të njihet edhe si nxitëse dhe përkrahëse e idesë për ndarjen e një pjese të Maqedonisë, të banuar kryesisht me popullsi shqiptare (rajoni i Pollogut), dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, në shkëmbim të disa territoreve kinse të banuara me popullsi sllave brenda kufijve të shtetit shqiptar. Kjo ide e mbështetur edhe nga një grup akademikësh maqedonas, fatkeqësisht u përkrah edhe nga disa politikanë shqiptarë të asaj kohe (2001), pa mbajtur llogari se kjo ide ka qenë pjesë e elaborateve serbe, por si e tillë mbeti vetëm në sirtarët e qeverisë serbe, në kokat e disa shovinistëve të sotëm sllavë dhe si projekte fitimprurëse të disa mercenarëve shqiptarë.
VMRO, lëvizje politike thellësisht antishqiptare
Në filozofinë politike të kësaj partie historikisht ka dominuar dhuna, terrori, vrasjet, likuidimet me motive politike të kundërshtarëve politikë, kidnapimet, plaçkitja dhe të gjitha format e krimit të organizuar. Kjo lëvizje politike njihet kryesisht si antishqiptare, ndërsa nga shumë institucione të botës është cilësuar si organizatë terroriste.
Si lëvizje politike e ndarë në shumë parti, gjatë viteve të pluralizmit në Maqedoni përherë ka nxitur urrejtje ndaj shqiptarëve, përçarje, ndasi, segregacion, përmes sloganeve të njohura nëpër mitingjet e kësaj partie dhe grafiteve të shkruara në vende publike kudo nëpër vendbanimet e Maqedonisë, sidomos në ato ku jetojnë shqiptarët, me përmbajtje shoviniste dhe raciste, si: “Vdekje shqiptarëve!”, “Dhoma gazi për shqiptarët!”, “Shqiptar i mirë vetëm shqiptari i vdekur!”, ,,Shqiptarët të dëbohen përtej kufirit!” etj.
Kjo parti i ka nxitur të gjitha protestat e qytetarëve joshqiptarë në Maqedoni, kundër arsimit shqip, sidomos kundër Universitetit të Tetovës; kundër zgjidhje së statusit të personave dhe familjeve të përfshira në konfliktin e vitit 2001; kundër përdorimit të flamurit shqiptar, të gjuhës shqipe dhe të gjitha të drejtave qytetare e kombëtare të shqiptarëve, pa përjashtim, gjatë gjithë periudhës nga pavarësimi i Maqedonisë deri në ditët e sotme.
Pa ndërhyrë në të drejtën e zgjedhjes së opsionit politik të popullatës joshqiptare në Maqedoni, është dëshpërues dhe për t’u analizuar fakti se, pse subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni nuk e kanë kundërshtuar asnjëherë hapur këtë frymë politike antishqiptare, por kanë e qeverisur vendin së bashku, disa subjekte edhe kanë shpallur për ,,partner strategjik”, duke u sjellë shqiptarëve dëme të paparashikueshme.
Politikëbërja gjithsesi nënkupton llogaridhënie dhe përgjegjësi historike
Mbetet që në të ardhmen të studiohen të gjitha detajet e këtij bashkëpunimi, me argumente, fakte e dëshmi se, çfarë dobie e çfarë dëmi i ka sjellë ky bashkëpunim lëvizjes politike të shqiptarëve. A ka qenë në dobi të popullit shqiptar, apo vetëm në interes të klaneve të caktuara brenda subjekteve politike të shqiptarëve?
Sidoqoftë, e ardhmja duhet ta dëshmojë se, futja në dara, mes kudhrës e çekanit, e lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni, ndërmjet forcave “të reformuara” ish-komuniste dhe të forcave politike të udhëhequra nga bandat çetnike antishqiptare, a ka qenë domosdoshmëri, lajthitje e udhëheqësve të politikës shqiptare, mungesë e përvojës së tyre, papjekuri politike, apo strategji e përgatitur mirë nga shërbimet e huaja, nga vendi dhe jashtë, me ndihmën edhe të disa grupimeve politike të shqiptarëve në dëm të çështjes shqiptare në Maqedoni?!
(1.III.2017)

About admin

x

Check Also

Intervistë për TV Danez DR1, Televizioni shtetëror, në lajmet qendrore.

/Nga Arkivi, Diplomacia.dk/ 1-Tetor, 1997 (5) TVA 21:00 KOSOVO – YouTube Në ...