Home / Opinion / STRATEGJIA E MUNGUAR E SHQIPTARËVE DHE SHITJA E INTERESAVE KOMBËTARE

STRATEGJIA E MUNGUAR E SHQIPTARËVE DHE SHITJA E INTERESAVE KOMBËTARE

Shitja, njohja dhe pranimi i pushtimit dhe okupimit të territoreve etnike shqiptare, si akt i kryer, janë tradhti kombëtare të dënueshme
“Edhe territori i mbetur i Kosovës pas vitit 1945 u zvogëlua më tej në vitin 1947, u zvogëlua edhe pas lirimit të Kosovës në vitin 1999 edhe pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës më 2008, ndërsa pazaret për zvogëlimin e mëtejshëm të këtij territori, tanimë shtetëror, vazhdojnë edhe sot.”
“Pse duhet të krenohen shqiptarët me të kaluarën e tyre, kur edhe pas pavarësisë së Shqipërisë jashtë saj mbetën territore etnike dy herë më tepër se i shtetit të krijuar, ngjashëm edhe me pavarësinë e Kosovës mbetën jashtë saj dhe jashtë shtetit shqiptar territore etnike të pushtuara nga shtetet fqinje, sa dy Shqipëri dhe dy Kosova bashkë?! Kush tha se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është bashkim kombëtar, jo bashkim (normal) i dy shteteve xhuxhë të shqiptarëve të krijuar dhunshëm në rrethana specifike?!”
MARRËVESHJA PËR NJOHJE RECIPROKE MES SHTETIT TË KOSOVËS DHE TË SERBISË NUK MUND TË JETË MARRËVESHJE MES DY POPUJVE PËR NORMALIZIMIN E MARRËDHËNIEVE MES TYRE, PA PASTRUAR ME TË KALUARËN
Me termin “normalizim i marrëdhënieve” mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë nënkuptohet shprehja “falje”; falje e krimeve dhe gjenocidit mbi shqiptarët vendës, falje e falsifikimit të historisë nga serbët dhe pushtuesit tjerë të trojeve etnike shqiptare, falje e territoreve etnike më herët dhe i pjesëve të territorit të shtetit aktual të Kosovës!
Për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve duhet të jenë zbardhur shumë të vërteta të fshehura dhe histori të falsifikuara në të kaluarën, duhet të sqarohen dhe pastrohen shumë çështje nga e kaluara e largët dhe e afërt, në aspektin historik, politik e juridik, të cilat i kanë rënduar këto marrëdhënie në të kaluarën.
Si ka mundësi të përfundojë ky proces i “normalizimit” dhe “pajtimit” përmes disa vendimeve politike, të disa marrëveshjeve, qoftë edhe me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, pa sqaruar asgjë nga e kaluara e largët dhe e afërt mes dy shteteve dhe dy popujve?
Si ka mundësi, qoftë edhe nën trusninë e faktorit ndërkombëtar, pala shqiptare gjithmonë të detyrohet ta pranojë realitetin e ri të krijuar me dhunë, ta harrojë të kaluarën, t’i falë krimet dhe gjenocidin, dhe më tepër se kaq, ta legjitimojë gjithmonë pushtimin e territoreve të veta nga shteti fqinj, Serbia, si pas vitit 1878, 1913, 1945, pa edhe shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Kosova, më 1947?
Ndërkohë që, për palën serbe, shteti i ri i Kosovës përveç njohjes së të drejtave të serbëve në Kosovë, me plotësimin e standardeve më të larta ndërkombëtare për pakicat, të heqë dorë nga kërkesa legjitime për reparacion për shkatërrimet dhe krimet ndaj banorëve civilë të kryera nga pushteti okupator, forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe, madje të jetë i detyruar të bisedojë edhe për krijimin e ndonjë “zajednice” (minishteti serb) përbrenda shtetit të pavarur të Kosovës?!
Si ka mundësi të përfundojë procesi i pajtimit mes dy shteteve dhe dy popujve përderisa ende nuk janë zbardhur të gjitha rastet e krimeve të gjenocidit, varrezat masive të banorëve shqiptarë të masakruar, nuk dihet asgjë për fatin e personave të pagjetur, nuk janë dënuar kriminelët e mbi 20 mijë dhunimeve mbi gratë e vajzat shqiptare të Kosovës, mes tyre edhe fëmijë të mitur?!
Faktori ndërkombëtar dhe sidomos faktori politik vendës, nuk kanë të drejtë morale, politike e juridike të ndërmarrin asnjë hap më tepër se njohja reciproke mes dy shteteve fqinje, sovrane e të pavarura, që çështjet tjera të zgjidhen në frymën e konventave ndërkombëtare në të ardhmen.
Në të kundërtën, edhe kësaj radhe si në të kaluarën, edhe faktori ndërkombëtar vihet në shërbim të fshehjes dhe mbrojtjes së krimeve të gjenocidit të organizuar nga ish-regjimet kriminale serbe mbi shqiptarët në Kosovë.
Të këtillë kanë qenë, edhe diplomacia ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha evropiane, ish-regjimet serbe, që kanë ngritur në pushtet gjithmonë politikanë shqiptarë që falin gjakun e derdhur, historinë e falsifikuar, shitjen e territoreve etnike dhe përgjithësisht të interesave kombëtare të shqiptarëve, në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare, nga viti 1878, 1913, 1945 dhe më vonë.
Çdo shqiptar me pak ndërgjegje kombëtare dhe njerëzore, para se të flet dhe vendos diçka në lidhje këto çështje, së pari duhet ta hedhë shikimin mbi hartat e vjetra, ku ka qenë dje Kosova dhe ku është sot, bashkë me trojet tjera etnike shqiptare, të tkurrura tmerrësisht nga shtetet fqinje, sidomos nga Serbia, e cila jo më larg se viti 1817 ka qenë vetëm një vilajet i varfër përreth Shumadisë, ndërsa shqiptarët kanë falur krahina të tëra, siç vazhdojnë të falin edhe sot, në të katër anët e territorit të Kosovës, si ndaj Maqedonisë, Malit të Zi dhe sidomos ndaj Serbisë, apetitet pushtuese të së cilës nuk pushojnë as sot, fatkeqësisht me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe të bandave politike kriminale të shqiptarëve në pushtet.
Edhe territori i mbetur i Kosovës, pas vitit 1945 u zvogëlua më tej në vitin 1947, u zvogëlua edhe pas lirimit të Kosovës në vitin 1999 edhe pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës më 2008, ndërsa pazaret për zvogëlimin e mëtejshëm të këtij territori, tanimë shtetëror, vazhdojnë edhe sot.
Pa demaskimin e bandave politike shqiptare (kryesisht mbeturina të ish-regjimit komunist), si dhe të mercenarëve të tjerë në pushtet dhe pa demaskimin e politikës hegjemoniste serbe në të kaluarën dhe sot, faktori ndërkombëtare gjithmonë do të jetë në anën e “të fortit”, nga mund të nxjerrë përfitime për interesat e veta.
(17.X.2020)

About admin

x

Check Also

 TVM2: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma! Këtë sezonë të ri të  emisionit “Open” e fillojmë me një protagonist shumë të veçantë, z. Xhemil Zeqiri i cili çështjen kombëtare e sheh si një strumbullar të vetëm që vetëm duke thënë të vërtetën edhe atëherë kur dhemb shumë dhe shton dhembjen e plagës, mund të zgjidhet çështja shqiptare.

Emisioni “Open” TVM2: Z. Xhemil, mirëmbrëma dhe  mirë se na erdhët në ...