Home / Lajme / Ditëlindja e Enver Hoxhës!

Ditëlindja e Enver Hoxhës!

Se kildebilledet
Shkruar nga Gani Elezi
Tetor, 16

Enver Hoxha, hallkë kryesore në gjerdanin e historisë së Shqipērisë e të kombit shqiptar.
Pavarësisht çfarë ndodhi me sistemin të cilit ai i’u përkushtua, me sistemin socialist, rënien e të cilit unë e konsideroj fenomen global, aspak shqiptar, vetëm një kthim prapa, në marshimin e pandalshëm të shoqërisë njerëzore drejt një sistemi më human, më të mirë, të cilin ne e kemi përcaktuar si komunizëm, Enver Hoxha është udhëheqësi, i cili në terma e tregues konkretë ka bërë më shumë se cilido tjetër për Shqipërinë, për shqiptarët.
Një ditë kur politologët, filozofët, sociologët, historianët, shkencëtarët, ekonomistët, statisticienët tanë nuk do t’u nështrohen e nuk do paguhen nga parti politike, grupe interesi e qarqe të korporatave financiare, por do të jenë zotër të “lapsit” tyre, nuk do të hezitojnë ta deklarojnë këtë konkluzion. Të shkruajnë se Enver Hoxha në vitet e udhëheqjes tij bëri më shumë se çfarë ka bëre cilido tjetër qeveritar në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Në mendimin historik, politik dhe në kujtesën e popullit shqiptar Enver Hoxha do të vlerësohet të paktën për dy momente.
Së pari, në konfliktin e madh ushtarak, në luftën e dytë botërore e rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur, me koalicionin e madh antifashist, me fitimtarët, BRSS, USA dhe Anglinë. Veç këtij fakti e çliroi vendin me forcat e UNÇL shqiptare të udhëhequra prej tij. Ndryshe Shqipëria do trajtohej si pjesë e bllokut fashist humbës dhe do të kishte pasoja të rënda në integritetin e saj territorial. Do të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913 në interes të fqinjëve tanë, Greqisë e Jugosllavisë.
Së dyti, për ndryshimet e mëdha që, nën udhëheqjen e PPSH, të tij personalisht, u bënë në Shqipëri nga viti 1945 e deri në fund të viteve 80-të të shekullit të kaluar. Në këtë aspekt ka më shumë hezitime e kundërshti për të thënë të vërtetën. Nisur nga disa mosrealizime, kufizime, gabime në fusha e argumente të veçanta, shumë kush, sidomos përfaqesues të klasave e grupeve koloboracioniste, të cilët në fund të luftës humbën pushtetin, por edhe pseudo historianë e “akademistë”, duan ta kriminalizojnë periudhën e qeverisjes së PPSH, socializmin, dhe më shumë rolin e Enver Hoxhës.
Por, edhe bilançi i kësaj periudhe është shumë lehtë të bëhet. Mjafton të shfletosh buletinet. Si ishte Shqipëria në fillim të viteve 40- të kur PKSH/PPSH dhe Enver Hoxha morën përsipër qeverisjen e saj dhe si ishte ajo në fund të kësaj qeverisje, në fund të viteve 80-të të shekullit të kaluar. Sukseset janë në çdo fushë. Në ekonomi. Në arsim. Në kulturë. Në shëndetësi. Në shkencë. Në mbrojtje. Në fushën e sigurisë të jetës, etj. Në disa fusha, sidomos në atë të emancipimit të shoqërisë shqiptare, ndryshimet kanë qenë epokale.
Por, druhem se të presim nga “lapsi” i shqiptarëve do jetë kohë e gjatë.
Kështu, na mbetet të qëmtojmë e ta gjejmë këtë konkluzion te “lapsi” i të tjerëve. Te politikanë, studiues, historianë jo shqiptarë. Aktualisht në leteraturën e huaj ka më shumë objektivitet në lidhje me kontributin e Hoxhës. Tani për tani më mirë të lexojmë këta.
E kam thënë edhe herë të tjera. Enver Hoxhës vërtetë ia rrëzuan bustet e shtatoret në sheshe e vende publike. Gjë e lehtë. Një eksploziv, një litar dhe pesë e gjashtë njerëz të hurit e litarit.
Por përmendorja më e lartë, ajo në mendjen dhe kujtimin e shqiptarëve nuk është rrëzuar.
Është këtu. Është mes nesh.
Për të flitet, edhe pse në intimitet për arsye të terrorit propagandistik antikomunist, në çdo familje, në çdo tavolinë, në çdo mjedis, sidomos kur na duhet të përballemi me vështirësitë e mëdha që po përjeton, këto vite, populli shqiptar. Njerëzit që i kanë jetuar të dy kohët nuk mashtrohen me llogje e demagogji antikomuniste. Dinë të thonë vetë çfarë qe e mirë dhe çfarë qe e keqe në vitet e qeverisjes së Enver Hoxhës. E, bilançi anon shumë, po shumë, nga anët e mira. Gradualisht, me kalimin e kohës, me maturimin e shoqërisë sonë, kur irracionaliteti t’ia lejë vendin racionalitetit, bufoneria e kllounëve politikë, historikë e shkencorë t’ia lejë vendin seriozitetit, këto bilançe do t’i mësojnë edhe brezat e ardhëshëm, të cilët do e rikonstruktojnë Panteonin e Njerëzve të Shquar të Kombit Shqiptar.
Sigurisht, në këtë Panteon, pavarësisht nga opinionet e secilit prej nesh, do shënohen personalitete të çdo periudhe historike të kombit shqiptar. Rrugëtimi i kombit shqiptar është shumë i hershëm, i gjatë dhe me shumë mundime. Rrugëtim historik, që përngjan me një gjerdan të gjatë, i cili nuk mund të jetë më i tillë në se i heq, çmonton hallka të veçanta. Nuk mund as të shtosh e as të çmontosh hallka, segmente të gjerdanit historik të një kombi sipas interesave të atyre që kanë pushtetin. Fatkeqësisht me ne shqiptarët ndodh një gjë e tille. Vazhdimisht ka patur heqje, çmontim hallkash, mohime emrash, personalitetesh, retushime të historisë. Edhe pas luftës së dytë botërore, pra në periudhën e qeverisjes së PPSH dhe Enver Hoxhēs ka patur çmontim hallkash dhe retushime të historisë. Madje për disa emra ky retushim na është kthyer si bumerang.(Bumerangu më i madh është rikthimi i Ahmet Zogut me shtatore mes Tiranēs, duke sfiduar Enver Hoxhën, shtatorja e të cilit u rrëzua me fillimin e ndryshimeve politike dhe Ismail Qemalin, krijuesin e shtetit të pavarur shqiptar, minishtatoren e të cilit e kanë degdisur në një anë bulevardi). Për fat të keq ky fenomen haset shpesh edhe sot, në vitet kur presupozohet të mos ketë “arsye” për çmontim hallkash. Mirë që duan të çmontojnë hallkën Enver Hoxha, por po shkojnë edhe më larg. Ka që e fillojnë këtë çmontim që me Skënderbeun. Të tjerë shkojnë edhe më tej. Këto ditë kam lexuar se një historiane, madje e konsideruar si patriote e dorës së parë, paska folur për “pazaret” e Ismail Qemalit dhe Isë Boletinit në dëm të integritetit territorial të shtetit tè ri shqiptar, në vitet 1912-1913. E habitëshme. E “guximshme”.
Në se nga gjerdani historik i kombit shqiptar heqim, çmontojmë hallkat që përcaktojnë kohët e Skënderbeut, të Ali Pashē Tepelenës, të Bushatllinjëve, tē Rilindësave, të shumë kapedanëve që drejtuan kryengritje lokale e gjithë kombëtare kundër sundimit osman, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga forcat serbe, malazeze e greke, të Ismail Qemalit, Isë Boletinit, të Bajram Currit, Ahmet Zogut, të emrave të spikatur të letrave e kulturës shqiptare, tē Enver Hoxhës, etj ( mund të jetë një listë e gjatë), ahere ky nuk është më një gjerdan historie, por copëza të hedhura andej këtej, që më shumè e zhbëjnë, e varrosin se sa e promovojnè historinë e kombit tonë.
Pra, në Panteon do “shenjëtërohen” shumë emra. Midis tyre, si hallka kryesore e këtij gjerdanii do jetë emri, Enver Hoxha. Do jetë hallka kryesore sepse ka udhehequr në luftë e në paqe, ka udhëhequr për një kohe të gjatë, afro 40 vjet, ishte udhëheqës i Shqipērisë në kohët moderne.
Sado të mundohen pseudohistorianët, pseudopolitikanët, pseudopatriotët e sotëm nuk e heqin emrin e Enver Hoxhës nga ky Panteon.
Ai është/do jetë përjetësisht aty.
Gani Elezi.
Ps. Ky shkrim është botuar te gazeta DITA e ditës së djeshme. E falenderoj.

About admin

x

Check Also

 TVM2: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma! Këtë sezonë të ri të  emisionit “Open” e fillojmë me një protagonist shumë të veçantë, z. Xhemil Zeqiri i cili çështjen kombëtare e sheh si një strumbullar të vetëm që vetëm duke thënë të vërtetën edhe atëherë kur dhemb shumë dhe shton dhembjen e plagës, mund të zgjidhet çështja shqiptare.

Emisioni “Open” TVM2: Z. Xhemil, mirëmbrëma dhe  mirë se na erdhët në ...