Home / Opinion / Betim Musliu: Sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika, posaçërisht nga LDK-ja dhe PDK-ja

Betim Musliu: Sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika, posaçërisht nga LDK-ja dhe PDK-ja

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është kryekëput i kapur nga politika.

Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se LDK-ja dhe PDK-ja e mbajnë përgjegjësinë më të madhe për një gjë të tillë.

“Është fatkeqësi e madhe që në Republikën e Kosovës sistemi i drejtësisë është i kapur dhe kapja e sistemit të drejtësisë nuk është bërë nga ne, por është bërë nga partitë politike. Këto parti politike, sidomos PDK-ja dhe LDK-ja, është mëse e dëshmuar që janë përgjegjëset kryesore për kapjen e sistemit të drejtësisë”.

“Unë nuk e kam shkruar Raportin e Progresit, sikur as atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, por kam shkruar mbi 100 raporte, hulumtime dhe analiza që janë si rezultat i hulumtimit dhe monitorimit sistematik në kuadër të IKD-së dhe instituteve të tjera ku kam punuar. Nëse Raporti i Progresit në gjetjet e tyre e definon këtë sistem të drejtësisë si të politizuar me ndikime në pothuajse secilin cep nuk është diçka që mund të kontestohet nga askush”.

Musliu ka deklaruar se “sistemi i drejtësisë është në tërësi i kapur që nga krerët e deri te zyrtarët më të thjeshtë”.

“E kam fjalën për krerët e sistemit prokurorial dhe sistemit gjyqësor. Të gjithë këta shikojeni se ku kanë qenë të pozicionuar dhe ku kanë arritur. Po e marrim sistemin prokurorial ku në krye të tij është Bahri Hyseni që është një nga ish-deputetët e PDK-së që devotshëm ka kryer punë brenda partisë së tij. Kapja e sistemit të drejtësisë është bërë në mënyrë sistematike prej kohës kur ndërkombëtarët kanë nisur krijimin e hapësirës për institucionet vendore”.

Ai ka insistuar se LDK-ja dhe PDK-ja janë bashkëfajtore dhe bashkëkapëse të sistemit të drejtësisë.

“Shihni sot se kush është në krye të sistemit gjyqësor, kush janë kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorë të prokurorive. Të gjithë janë njerëz që kanë ndërtuar karrierë duke u mbështetur nga partitë politike. Ka në raste të caktuara bukur shumë ndikim edhe AAK-ja, por pjesën kryesore të përgjegjësisë për kapje të sistemit e kanë PDK-ja dhe LDK-ja”.

“Qysh kanë punuar strategjikisht për ta ndërtuar këtë sistem është prej mënyrës se qysh i kanë rekrutuar këta gjyqtarë dhe prokurorë. Integritetit i një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve është pothuajse i kontestuar në tërësi, sepse prej mënyrës qysh janë bërë pjesë e testeve dhe qysh janë emëruar kur e sheh CV-në e tyre e sheh se këta kanë kaluar duke eliminuar një pjesë të kandidatëve që kanëe qenë briliantë në konkurse për gjyqtarë dhe prokurorë. Janë disa që mezi kanë arritur të kryejnë fakultetin ose që kanë qenë militantë të partive politike apo të afërm të njerëzve të caktuar të politikës”.

Musliu nga IKD-ja, pavarësisht kritikave shumë të ashpra për sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, ka deklaruar se ka edhe gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, por që nuk po arrijnë të dalin në pah.

“Brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor ka gjyqtarë dhe prokurore që kanë integritet dhe janë aty me meritë, por që nuk vijnë në shprehje dhe lufta e tyre brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor është titanike, por nuk po sjell rezultat sepse aq shumë është i kapur sistemi sa është e pamundur që ata të dalin në sipërfaqe”.

Por, si e shpjegon Betim Musliu, që insiston se sistemi i drejtësisë është krejt i kapur nga PDK-ja dhe LDK-ja, se kishte kryetarë komunash dhe zyrtarë të lartë nga këto parti që kanë kaluar nëpër procese gjyqësore?

“Në Kosovë ka burgje të jashtëzakonshme ku është bërë investim i madh, si dhe e kemi një Burg të Sigurisë së Lartë. Në asnjë hapësirë të burgut nuk e kemi një zyrtar që i takon profilit të lartë që është dënuar me një ditë burgim efektiv për vepër penale të korrupsionit. Nuk e di a mundemi me pasë dëshmi më të fuqishme sesa këtë argument”.

“Kjo politikë i ka krijuar amnisti vetes përmes këtyre prokurorëve dhe një pjesë të madhe të hetuesve që janë në polici dhe janë drejtpërdrejtë argatë të politikës dhe të cilët sot nuk kanë asnjë guxim që të bëjnë ndjekje e cila bazohet në prova dhe dëshmi që në fund mund të provohen në gjykatë. E kemi pasë rastin “Pronto” ku është ngritur një aktakuzë, por aktakuzë më të lodhtë nuk mundesh me gjet në histori të aktakuzave. Nuk mund të ngritesh aktakuzë për një profil të lartë për të cilin nuk mundesh si prokurori me propozu një dëshmitar të vetëm. Ky është favori që i është bërë politikës”.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...