Home / Opinion / ERDHI APO NUK ERDHI ARMIKU?!

ERDHI APO NUK ERDHI ARMIKU?!

(Meditim rreth një emisioni televiziv për fortifikimet ushtarake me rëndësi të veçantë në rajonin e Skraparit)
Kam ndjekur dhe ndjek me vëmendje emisionin televiziv “Gjurmë shqiptare”, të gazetarit Marin Mema, por fraza përmbyllëse e emisionit të datës 10 Tetor 2020, transmetuar nga Top Channelli, e kompromenton punën e lavdërueshme që ai ka realizuar me dokumentarët e shumndjekur nga të gjithë shqiptarët.
Në emision bëhej fjalë për “Kryeqytetin e luftës” dhe veçanërisht për “Strehimin e qeverisë komuniste”(siç i emërton gazetari), të ngritura para nëntëdhjetës në malet e Skraparit. Nëpërmjet emisionit, marrim vesh së në këtë vendstrehim të rëndësisë së veçantë të Shtetit Socialist, ishin ngritur disa objekte: Selia për punë e qeverisë komuniste në rast lufte; Vendkomanda e drejtimit të Luftës nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore; Arkivi i shtetit; Depot e furnizimit materialo-teknik të njësive të ushtrisë; Tuneli i Thesarit, etj. të nevojshme për situatat luftarake që mund t’i imponoheshin vendit.
Por në mbyllje të emisionit, gazetari Marin Mema, del nga vetja, duke thënë se të gjitha këto fortifikime të kushtueshme u bënë: “NË PRITJE TË NJË ARMIKU QË KURRË NUK ERDHI”!!!
Si qytetar i këtij vendi, që kam përjetuar dy periudhat, para dhe pas nëntëdhjetës, pasi dëgjova këtë “thagmë” të përsëritur edhe nga të tjerë në këto tri dekada, kam të drejtë të shtroj pyetjen: “ERDHI APO NUK ERDHI ARMIKU QË PRISNIM?!”
Sipa meje, por bazuar edhe në faktet që ndodhën, sapo u prishën vendstrehimet e rëndësisë së veçantë në Skrapar, rezerva e arit që ndodhej në këto strehime, u grabit. Kush e grabiti. Miku apo armiku?
Përkujdesja e shtetit socilaist për ruajtjen në çdo rrethanë të vlerave morale, dokumentare e financiare të popullit e të vendit, e kishte bazën tek përvoja e së kaluarës. A nuk u grabit rezerva e Arit të shqiptarëve nga Mbreti Zog, që e mbante në bodrumet e pallatit të tij? A nuk u grabitën rezervat e tjera të arit dhe vlerave monetare të popullit shqiptar, nga nazistët gjermanë, kur u larguan nga vendi ynë të thyer në kryqe prej armëve të lavdishme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare ?!
Pikërisht që të mos përsëritej kjo histori, shteti socialist përgatiti vendin e sigurtë, ku mund të mbaheshin e ruheshin vlerat morale, dokumentare e finaciare të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lumpen-halabakët e fundvitit 1990, që erdhën me dhunë e grabitje në pushtet, e shkatërruan këtë vend të sigurtë, dhe përveç të tjerave, grabitën edhe rezervën e Arit të vendit, siguruar me djersën gjysëm shekullore të popullit shqiptar.
Nuk besoj se ndonjë shqiptar me sytë në ballë dhe mendjen në vend, të thotë se vjedhësit e floririt të strehuar në Skrapar, e të “ristrehuar” në Kërrabë, ishin miq. Ata ishin dhe mbeten armiq të vendit e të popullit, ndonëse nuk patën as pupla të zeza si këndezi të fashistëve italianë, e as kryqe të thyer të nazistëve gjermanë.
Fraza e mësipërme e gazetarit Marin Mema, ishte një frazë inercie dhe jo bindje. Ai nuk e ka jetuar kohën e Socializmit, por fatkeqësisht nuk i ka shpëtuar propagandës së sistemit aktual borgjez, i cili, në pamundësi të të arritur parametrat e Sistemit Atdhetar Socialist, hedh baltë të zezë mbi këtë të fundit. Por balta e zezë borgjeze nuk mund të ngjisë mbi Mermerin e Kuq të Socializmit!

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...