Home / Opinion / Deklarata nervoze e historianit ndaj LPK-së 

Deklarata nervoze e historianit ndaj LPK-së 

Se kildebilledet

 

 

Beqir Elshani 

Me deklaratën e historianit dhe shkrimtarit, Jusuf Buxhovi, i cili me nervoz thotë se marksistë-leninistët e quajtën spiunë të udbës për ta anatemuar atë dhe rolin e tij në themelimin e LDK-së, kuptohet që e ka mizën nën kësule, prej nga shihet shqetësimi i tij. Shkrimtari shqiptar, por edhe gazetari titist, shkon edhe më larg kur thotë se autorët e këtyre insinuatave janë stalinistët shqiptarë, që nuk e kanë dashtë kurrë Kosovën demokratike dhe me shqetësim vazhdon: “Kqyrni çka kanë ba me Kosovën disa prej këtyre stalinistave”, kështu deklaroi Buxhovi, me lokalizmin e tij politik. Kjo është një akuzë e ashpër me anën e së cilës deklaron se enveristët kurrë nuk e kanë dashur Kosovën demokratike, kurse në anën tjetër, në rolin e kuadrit jugosllav, Buxhovi cilësohet si demokrat apo thënë konkretisht shpëtimtar për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e pushtuesit të sotëm serbosllav. Duket sikur Buxhovi, i cili pjesën më të madhe të veprimtarisë i ka shërbyer titizmit jugosllav, tani me anën e themelimit të LDK-së mundohet të shfajësohet. Prandaj në vend se Buxhovi të kërkojë falje për veprimtarinë e tij në shërbim të politikës jugosllave, që vazhdimisht ka qenë në dëm të popullit shqiptar, sidomos në dëm të LPK të Kosovës, në krye me udhëheqësin legjendar, Jusuf Gërvalla. Këtu kemi dy antiteza akademike: derisa Buxhovi me besnikëri i ka shërbyer fashizmit jugosllav, Gërvalla me besnikëri i ka shërbyer çlirimit dhe Bashkimit të Kosovës me shtetin amë – Shqipërinë – pa marrë parasysh sistemin shtetëror. Prandaj parashtrohet pyetja: prej kujt duhej të kërkonte ndihmë udhëheqësi i LPK, Jusuf Gërvalla: prej xhelatëve jugosllavë në Beograd apo prej vëllezërve shqiptarë në Tiranë? Duket qartë që revolucionari (Jusuf Gërvalla) ka zgjedhur Tiranën, atje ku gjendej kapitali i madh kombëtar, shkencor, ekonomik dhe ushtarak në krye me Enver Hoxhën. Këtë shembull kombëtar të LPK e tregoi edhe gjendja në Kosovën e pushtuar nga forcat e shumta serbosllave, prej nga populli shqiptar nuk kërkoi shpëtim në asnjë vend ballkanik, pos në Shqipëri. Pastaj historiani me mllef vazhdon: “Kosova sot është i vetmi vend në Europë ku festohet ditëlindja e diktatorit stalinist, Enver Hoxha. Vepra ime dhe jeta ime janë ballafaqimi im me këta stalinista. E kanë marrë pushtetin dhe kqyrni çka janë duke ba me Kosovën”, kështu shkruan Buxhovi, i cili gegërishten e ngatërron me gjuhën letrare.

Kujtojmë fjalët shkrimtarit malazias, Jevrem Bërkoviq, ai thoshte se Rusia kapitaliste do të jetë më e keqe se Rusia socialiste. Për fat të keq koha po tregon se me të vërtetë fashizmi erdhi në Rusi e në Serbi që janë më të këqij se socializmi. Jam për përparimin e madh demokratik, por jo me inate dhe me hakmarrje. Deklarata e Buxhovit se gjithmonë e ka mbrojtur djathtizmin në frymën perëndimore nuk është aspak e vërtetë, prandaj populli thotë se sot mund t’i sjellësh nga të duash reflektorët politikë, mund të kërkosh (pak është Kosova Republikë) edhe bashkimin e të gjitha krahinave shqiptare me Shqipërinë administrative, mund ta shash Tito shovinistin me këlyshët e tij Bakallin, Vllasin, Hasanin, Nimanin dhe Shukriun; ashtu siç e kanë sharë revoluconarët e Kosovës që tërë jetën e tyre kanë luftuar për çlirimin e Kosovës. Pastaj mund të këndosh për Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Riza Greiqevcin dhe për shumë e shumë trima të tjerë që u burgosën dhe u torturuan nëpër burgjet e thella jugosllave. Duhet pasur parasysh se Lëvizja Popullore e Kosovës, vërtet ka qenë lëvizje e krahut socialist, siç shkruan Buxhovi ”marksist-leniniste”, mirëpo në atë kohë në Kosovë kishte edhe kryengritës shqiptarë, siç janë ballistët, edhe pse kundërshtarë të marksizmit në krye me Enver Hoxhën, prandaj mos do të thotë që Buxhovi ka qenë më afër tyre. Kurrsesi, sepse gazetari jugosllav nuk ka qenë kundër rrymës politike në Kosovë, por ka qenë kundër LPK për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me shtetin amë, pa marrë parasysh bindjen politike dhe fetare dhe sistemin politik të shtetit. Tekembramja, enveristët e Kosovës, siç i quan Buxhovi anëtarët e LPK, edhe po të ishte Shqipëria kapitaliste, prapëseprapë do ta donin. Në Kosovë janë vrarë dhe burgosur me dhjetëra hoxhallarë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse hoxha përparimtar mbi fenë e vinte atdheun – Kosovën. Këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e nxënësve të Medresës në demonstratat e Kosovës për çlirimin e atdheut nga pushtuesi serbosllav.

Që propaganda e Tiranës nuk ka qenë sipas programit partiak, tregon deklarata e Ambasadës Shqiptare në Vjenë, kur veteranin e luftës për çlirimin e Kosovës, Hysen Gegën, e këshilloi që të merren me letërsinë dhe historinë kombëtare, siç janë Azem Bejta, Mic Sokoli, Isë Boletini e Hasan Prishtinë, me arsyetimin se çështja kombëtare është mbi çështjes klasore. Prandaj ta çlirojmë vendin dhe t’i bashkojmë tokat tona në Shqipërinë Etnike, pastaj vjen koha e gjeneratës së re shqiptare që nuk do të kenë lidhje me inate arkaike, më në fund, ata janë plotësisht të pafajshëm, sepse duhet zhvilluar vendin dhe duhet ushqyer popullin.

Sa i përket themelimit të LDK-së në Kosovë, dihet që nismëtarët miratimin e themelimit e kanë marrë prej Beogradit, për shkak se diplomatët e sprovuar jugosllavë e kanë parandie shkatërrimin, se pas rënies së socializmit në Europën Lindore, radhën e kishte Jugosllavia e shkërmoqur. Prandaj qysh para shpërbërjes së RSFJ, në Kosovë lejon themelimin e LDK-së në krye me Ibrahim Rugovën, në mënyrë që Rugova të udhëheq popullin shqiptar para se prej burgut të lirohet strategu revolucionar, Adem Demaçi. Qeveria jugosllave nuk dëshironte që pas lirimit të Adem Demaçit prej burgut tridhjetëvjeçar të pritet si tribunë dhe të vinte në krye të popullit shqiptar, dhe para pushtetit të egër jugosllav të dilte me kërkesën e qartë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sipas vendeve me të drejtë të OKB-së për vetëvendosje për bashkim me shtetin amë. 

Lidhur me deklarimin e disa qytetarëve në Kosovës, të cilët tregojnë se në ish-Jugosllavi kanë qenë të shtypur dhe të ndjekur nga komunistët shqiptarë, po jap një shpjegim. Për zemërimin ndaj komunistëve shqiptarë mund të ankohen ose të revoltohen qytetarët në Shqipëri, kurse në Kosovë mund të ankohen në komunistët jugosllavë, pasi që kuadrot politike në ish-Jugosllavi kanë qenë me bindje jugosllave. Prandaj në ish-Jugosllavi nuk ka pasur komunistë shqiptarë, por vetëm komunistë të kalibrit jugosllav, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare. Derisa në librezën partiake në Shqipëri kishte emblemën PKSh, në Jugosllavi kishte emblemë KPJ (shqip PKJ). Prandaj në dallim me komunistët shqiptarë në Shqipëri, shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë qenë komunistë të Jugosllavisë. Në anën tjetër, programi i PKSh-së ndryshonte me programin e LKJ-së, i dyti ishte sulmues i popullit shqiptar, i pari ishte mbrojtës. Konkretisht, në Ambasadën e RS të Shqipërisë në Beograd punonin komunistët shqiptarë, megjithatë dashamiri fshehurazi mund të merrte ndonjë revistë apo libër shqiptar. Po të kishte pasur ish-Jugosllavia komunistë shqiptarë, siç kanë qenë kroatët dhe sllovenët, fati i popullit shqiptarëve do të ishte më i mirë.

Billedforhåndsvisning

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...