Themeluesja e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasa Kandiq, pasi që kryetari serb Aleksandar Vuçiç u bëri nderim viktimave shqiptare gjatë konfliktit 1998-1999 në Kosovë tha se “është turp t’u bësh nderim  viktimave në një takim të mbyllur”, si dhe që “propozuesi i një minute heshtjeje kishte qëllime të mira, por ka më shumë dëm sesa dobi në atë veprim”.

Në një takim të fundit me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian në Pallatin e Serbisë, Vuçiç bëri një minutë heshtjeje për 744 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën në një varr maasiv në Batajnicë.

Kandiq deklaroi: “Aleksandar Vuçiq është presidenti i Serbisë. Prej kësaj rrejdh detyrimi i tij për të ndaluar injorimin e faktit se Batajnica, në Beograd, është varri i shqiptarëve të Kosovës, në të cilin u hodhën trupat e mbi 750 njerëzve që u ekzekutuan pas arrestimit, pa armë në duar”.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, Milan Antonijeviq, tha se minuta e heshtjes për viktimat shqiptare është “veprimi i parë i shtetit që flet për qëndrimin ndaj asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe viktimave, të cilat janë lënë pas dore me vite”.

“Përveç hetimit dhe gërmimeve që u kryen në Batajnicë, ne nuk kemi pasur një distancim të qartë nga ajo që ka ndodhur në të vërtetë. Pothuajse 750 trupa që u gjetën atje, përfshirë trupat e fëmijëve, flasin për faktin se shteti duhet të ketë një qëndrim të pjekur ndaj këtij kriimi dhe ky është hapi i parë që u bë me ftesë të shoqërisë civile,” tha Antonijeviq.

Ai shtoi se mendon se “është mirë të kërkojmë nga shteti ynë një përcaktim publik ndaj kriimeve të luftës, por duhet ta kërkojmë atë pjekuri edhe në Prishtinë, Sarajevë dhe Zagreb”.