Home / Lajme / Shkëlzen Gashi reagon për librat e “Projekti i Historisë së Përbashkët”: Frashër Demaj ka masakruar historinë tonë, Masakrën e Reçakut e prezanton si incident

Shkëlzen Gashi reagon për librat e “Projekti i Historisë së Përbashkët”: Frashër Demaj ka masakruar historinë tonë, Masakrën e Reçakut e prezanton si incident

28 SHTATOR, 2020 

email sharing button
sharethis sharing buttonSuada Qorraj

Vendi nuk do të ekzistonte dot pa historinë, të kaluarën, të bëmat, popujt e shumtë që kanë ikur e kanë ardhur, heronjtë, të rënët, themelet mbi të cilat sot ngritet e ardhmja jonë. Historia që shekuj më parë mësohej përmes këngëve e gojëdhënave, tashmë është shkruar në libra, e fillon të mësohet që në ditën e parë kur fëmijët ulen në bankat shkollore, shkruan KultPlus.

Ndonëse për popujt e Ballkanit ekzistonin libra të veçantë që tregonin historinë e secilit vend, themeluesit e  OJQ-së “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe”, me seli në Selanik, kishin angazhuar historianë nga të gjitha vendet e Ballkanit për hartimin e gjashtë librave mësimorë alternativë të historisë, të titulluar “Projekti i Historisë së Përbashkët”, të cilat tashmë janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të botës.

Por, në këta libra të botuar në vitin 2016 ekzistojnë mangësi të shumta, shtrembërime të mëdha dhe fshehje të fakteve lidhur me historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve që nga periudha e Perandorisë Osmane. Mbase një gjë e tillë do të kishte kaluar nën hije, do mbetej e panjohur për opinionin, sikur të mos fillonte botimi i analizave për këta libra nga Shkëlzen Gashi.

Në një intervistë për KultPlus, Gashi ka treguar se fillimisht ai kishte analizuar librin e gjashtë që flet për luftën e fundit në ish Jugosllavi. Sipas tij, ishte pikërisht prezantimi jo i denjë dhe mungesa e fakteve që e shtyu atë të lexonte edhe librat tjerë dhe të analizonte përfaqësimin e historisë së Kosovës në to.

“Vitin e kaluar lexova vetëm librin e gjashtë se më interesonte të shoh se si janë prezantuar luftërat e fundit në ish Jugosllavi, e sidomos lufta në Kosovë. Lufta e fundit në Kosovë ishte prezantuar shumë keq, prandaj dhe e bëra një shkrim për të. Pas publikimit mendova që është më mirë të analizohen se si prezantohen shqiptarët edhe në pesë librat e tjerë”, ka pohuar ai.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që të analizohen këta libra dhe të shihet se si prezantohet Kosova, sepse këta libra të shkruar në anglisht, tashmë janë përkthyer në gjuhët e të gjitha vendeve të Ballkanit, madje edhe në japonisht. Gashi ka thënë se rëndësia e analizimit të këtyre teksteve qëndron edhe në faktin që Kosova e ka pasur përfaqësuesin e saj në Selanik dhe ka dhënë pëlqimin për përdorimin e tyre.

Të gjashtë librat u promovuan në shumë nga kryeqytetet e vendeve rajonale, e edhe në Prishtinë në vitin 2018, ku pjesëmarrës në këtë promovim ishte edhe bashkautori i këtyre librave, akademiku Frashër Demaj.

Shkëlzen Gashi ka pohuar se nuk ka mundur ta besoj që autori i cili ka prezantuar Kosovën në këtë projekt, Frashër Demaj, nuk i ka prezantuar krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve, përderisa në librat shkollorë në Kosovë ai i ekzagjeron këto krime.

“Kam kritikuar tekstet mësimore të historisë në Kosovë, autor i të cilave është Frashër Demaj, i cili ka marrë pjesë në këtë projekt në Selanik. Kam kritikuar këto tekste për shumë arsye: këto tekste përmbajnë gjuhë të urrejtjes, pasaktësi e ekzagjerime. Në librat tonë të historisë krimet që janë kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës prej vitit 1878 e deri më 1999 dyfishohen. Kam problem me tekstet e hartuara në Kosovë sepse i ekzagjerojnë këto krime, por edhe me tekstet e hartuara në Selanik sepse nuk i prezantojnë fare këto krime, te cilat duhet të prezantohen saktë. Si të shpjegohet që i njëjti person – Frashër Demaj – në Prishtinë i dyfishon krimet e forcave serbe, në Selanik nuk i prezanton fare?”, ka thënë ai.

Sipas tij, Frashër Demaj duhet të bëjë një distancim publik, jo vetëm moral por të bëjë një distancim duke u dërguar letra botuesve të librit dhe të kërkoj ndryshimin e këtyre teksteve.

“Ky duhet jo një distancim publik veç moral, por duhet ta bëjë një distancim duke ju dërguar letër të gjithë përfaqësuesve në Selanik, duke kërkuar jo vetëm distancim por edhe ndryshim të këtyre teksteve”, ka thënë Gashi.

Shkëlzen Gashi për KultPlus ka dhënë disa nga pikat kryesore të analizës që i ka bërë deri më tani, prej aty që janë publikuar e deri tek ato që priten të publikohen gjatë javëve në vazhdim.

Në librin e parë mungojnë faktet për kryengritjet shqiptare kundër Perandorisë Osmane të udhëhequra nga Skënderbeu, nuk përmenden fare kryengritjet e shqiptarëve, nuk jepen fakte se si shqiptarët arritën të bëheshin pushtetarë në pozita të larta gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Madje, shqiptarët përgjatë këtij libri shfaqen si ushtarë që punonin me pagesë dhe u ndihmonin ushtrive të armikut si dhe prezantohen si njerëz që nuk dinin se ç’është dashuria, e madje edhe i përbuznin gratë. Kurse gratë shqiptare paraqiten të paarsimuara që nuk flisnin gjuhë tjetër përpos asaj amtare.

Kurse në librin e dytë të kësaj serie gjashtë pjesëshe nuk theksohet synimi i vërtetë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mungojnë të dhënat për dëbimin e shqiptarëve nga trevat e Sanxhakut të Nishit, mungojnë elementet kryesore të Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E mbi të gjitha, mungon edhe shpjegimi për domethënien e flamurit të Kosovës, vetë flamuri i Kosovës, të dhënat për himnin dhe stemën e saj.

About admin

x

Check Also

 TVM2: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma! Këtë sezonë të ri të  emisionit “Open” e fillojmë me një protagonist shumë të veçantë, z. Xhemil Zeqiri i cili çështjen kombëtare e sheh si një strumbullar të vetëm që vetëm duke thënë të vërtetën edhe atëherë kur dhemb shumë dhe shton dhembjen e plagës, mund të zgjidhet çështja shqiptare.

Emisioni “Open” TVM2: Z. Xhemil, mirëmbrëma dhe  mirë se na erdhët në ...