Home / Të ndryshme / Elshani: Barsoleta të shtatorit!

Elshani: Barsoleta të shtatorit!

Se kildebilledet
Beqir Elshani
1. BARBARIZMI
– Qeverinë e korruptuar nuk duhet sharë me barbarizëm, por shqip, në mënyrë që edhe fëmijët t’i kuptojnë, – u ankua një qytetar.
– Qeveria shahet me barbarizëm meqë veprimi i tyre është barbar, – ia ktheu me zemërim i dyti.
2. DEPUTETI
– Si quhet përfaqësuesi në Kuvendin e Republikës që merr rrogë të majme dhe që kohën e kalon në kafene? – i pyeti avokati gazetarin.
– Deputet quhet, – tha gazetari.
– Nuk quhet deputet, parazit quhet, – e korrigjoi me ironi avokati.
3. KORRUPSIONI
– Nëse në Kroaci janë dënuar 200 gjykatës, prokurorë dhe avokatë për korrupsion, atëherë në Kosovë sipas numrit të banorëve duhet dënuar gjysmën e tyre, – tha një analist.
– Po qe se ndodh kjo, atëherë Kosova mbetet pa asnjërin prej tyre, – ndërhyri analisti tjetër.
4. SHYQYR
– Shyqyr që nuk jam ministër kroat, – tha një ministër i Kosovës.
– Pse, ç’ të keqe ka që të jesh ministër kroat, – ia ktheu miku i tij.
– Ehe, po të isha ministër kroat, do të më burgosnin për korrupsion dhe nepotizëm, – u shfajësua ministri i Kosovës.
5. KOLONA NË KARAÇEVË
– I dashur, a dëgjove që Policia e Kosovës në Karaçevë ka arrestuar 30 kontrabandistë ilegalë, gjysma prej tyre janë policë me rrogë? – e hapi bisedën bashkëshortja.
– E pabesueshme, mos është fjala për dele dhe jo për zyrtarët e vendit me rrogë?! – tha bashkëshorti.
– Ehe, po qe se e fusin lopatën më thellë, mund të dalin edhe ministrat e majmë, – shtoi bashkëshortja.
6. KOMENTUESIT
– Jam zemëruar në komentuesit e telegrafit, – u ankua një qytetar.
– Pse je zemëruar në komentuesit, ata shprehin mendimet e tyre? – ndërhyri miku i tij.
– Jam zemëruar, sepse nuk po e shajnë qeverinë e korruptuar, që një kohë të gjatë e shtyp popullin, – tregoi i pari.
7. MEDALJONI I THAÇIT
– Ah, po të ishte daja Vesel gjallë (është fjala për Vesel Krasniqin), do të dekorohej me Medaljen Presidenciale prej zotni Thaçit, – klithi nipi i udbashit famëkeq.
– Mirëpo xhaxhai yt ka qenë armik i popullit shqiptar, – ndërhyri me habi tjetri.
– Mos vallë Baton Haxhiu është më pak armik se Vesel Krasniqi, ë? – ia ktheu me habi nipi.
8. KUFOMË POLITIKE
– Çka domethënë shprehja “kufomë politike”? – e pyeti gazetari analistin politik.
– Kufomë politike domethënë një qeveri që mbahet me anën e infuzionit dhe ditët i ka të numëruara, – u përgjigj analisti politik.
9. PUSHKA DHE PARMENDA
– Ku është dallimi në mes pushkës dhe parmendës? – e pyeti njëri bujkun e vjetër.
– Me pushkë e mbron atdheun, me parmendë e ushqen popullin, – u përgjigj në çast bujku i vjetër.
10. MË I FRYTSHMI
– A më i frytshëm është bujku që e siguron bukën, apo deputeti që e siguron votën për pushtet? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Po të mos ishte bujku neve as qentë nuk do të na hanin, – ia ktheu me ironi miku i tij.
11. DËSHTIMI I MBARSIMIT
– Mik, lopa ime dështoi, shpresoja të mbetet mbars dhe vitin tjetër të bëhem me viç, – u ankua fshatari.
– Shëndoshë, mik! Qeveria në sa konferenca dështon dhe nuk po mërzitet, prandaj as ti mos u mërzit. Bëji një pusullë te hoxha, dhe lopa ta sjell viçin, – kështu e ngushëlloi miku hallemadhin.
12. KRIPA NUK VRET
– Cila lëndë është e kundërta e mjaltit që e vret njeriun? – e pyeti pesimisti optimistin.
– Mendoj që është kripa, – u përgjigj optimisti.
– Kripa nuk vret, është helmi që vret, – plotësoi i pari.
13. “ARMATA
– Cila është prej tyre më e madhe, armata e të papunëve apo armata e korrupsionistëve? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Dihet, armata e të papunëve është më e madhe, mirëpo armata e korrupsionistëve është më e fuqishme, prandaj është zor të hiqet, – shtoi i dyti.
14. RYSHFETI
– Sa rroga të punëtorëve dalin prej 12.000 eurove që i ka marrë ryshfet inspektori i kompanisë ndërtimore? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Në ndërtimtari dalin hiq më pak se 50 rroga mujore të punëtorëve, – tregoi ministri i financave.
15. BUROKRACIA
– Cili mjet i qeverisjes është më i fuqishëm për të mbajtur pushtetin dhe për ta shfrytëzuar popullin? – i pyeti arsimtari nxënësit?
– Burokracia, arsimtar, – u përgjigjën nxënësit.
16. KUSHTI I DYFISHTË
– Unë me Fatosin jemi lidhur me kusht me nga 100 euro, – kështu iu drejtua Arditi “profesorit”. – Unë them që ti je profesor i fizikës, kurse Fatosi thotë që je profesor i kimisë, prandaj duhet ta vërtetojmë se cili prej nesh kemi të drejtë.
– Asnjëri nuk ia keni qëlluar, jam gjimnazist, prandaj të dytë duhet të mi jepni 200 euro, – ia ktheu “profesori” finok.
17. SHTËPIA ME MERIMANGA
Një ditë vere, Fadil Shyti e ftoi shokun e tij për vizitë në vendlindje. Kur shoku e pyeti si mund ta gjente shtëpinë e tij në vendlindje, atëherë Fadili Shyti i tha:
– Shtëpia ime për shkak të mërgimit jashtë atdheut ka merimanga, prandaj gjendet lehtë. Atëherë shoku i tij ia priti: – Po cila shtëpi në Kosovë nuk ka merimanga?!
18. KRYEVEPRA
– Si quhet kryevepra e jetës së ëmbël? – pyeti njëri shokun e tij.
– Quhet mjaltë, – u përgjigj i dyti.
– Kurse e vdekjes?
– Nëse guxoj të them, quhet helm, – tha i dyti.
– Pse jo, kur edhe qeveria jetën na e ka bërë ferr, – plotësoi i pari.
19. EKSKURSIONI NË AMERIKE
– A e di, sa ka kushtuar ekskursioni i përfaqësuesit tonë në Amerikë? – e pyeti një plak mikun e tij.
– Në matematikë jam i dobët, por e di që kanakari ynë ka shpenzuar dhjetë lopë, dyzet pula dhe dy thasë krunde… krejt bëjnë rreth dhjetëmijë euro, – tregoi miku i tij.
20. MUSHKA
– Mixhë, pse Kosovës diplomacia nuk i ecën mbarë, kurse Serbisë punët i shkojnë mirë? – e pyeti njëri plakun.
– Ehe, Serbisë edhe mushka i pjellë mëz, kurse Kosovës as pula nuk i pjellë vezë, – tha mixha me shqetësim.
21. PATERICAT
– Bacë, qysh është ekonomia shqiptare? – e pyeti vëllai i vogël të madhin.
– Mirë është… patericat i ka të forta, prandaj ec mirë, – tregoi baca.
– Do t’i thyhen ndonjëherë të shkretat…? – ndërhyri vëllai i dytë.
– Më parë thyhemi unë dhe ti se burokracia e Thaçit dhe e Hotit në pushtet, – ia ktheu baca i revoltuar.
22. METAFORA DIPLOMATIKE
– Largohet prej detyrës arsimtari i gjuhës shqipe, – lajmëroi drejtori i shkollës.
– Pse të largohet, ai është arsimtar i sjellshëm?! – ndërhynë arsimtarët tjerë.
– I sjellshëm po, por jo i aftë, për shkak se kryeministrit të Kosovës nuk ia ka mësuar metaforën, – tregoi drejtori me zemërim.
23. THYERJA E BANKËS
– Nëse dikush e thyen bankën kombëtare, ku duhet kërkuar hajdutin, në qeveri apo në popull? – e pyeti analisti kolegun e tij.
– Nëse dëshiron të jesh i drejtë, në qeveri, nëse dëshiron të mbetesh në pozitë, kërkoje në popull, – tregoi analisti i dytë.
24. LIRIA DHE POLITIKA
– Në qeveri kemi dy zyrtare të bukura, njëra quhet Liria, tjetra Politika, – tregoi një deputet.
– Mirëpo në dallim me Lirinë që është modeste, të gjithë e adhurojnë Politikën e pispillosur, – shtoi deputeti tjetër.
25. VAJZAT BINJAKE
– Kam dy vajza binjake, vajza të zemrës, njëra quhet Lumturie, tjetra Shpresa, – tregoi e ëma e varfër.
– Si janë vajzat, janë rritur…? – e pyeti kushërira.
– Mirë janë. Vetëm se Lumturia është e dobët, ndërsa Shpresa po rritet dhe është bërë vajzë e bukur.
– Cilën prej tyre e do më shumë? – vazhdoi të pyes kushërira.
– Të dyja i dua njësoj, mirëpo Shpresën e dua më shumë, pasi që presim prej saj, me që na mungon lumturia, – tregoi e ëma.
26. AKREPI ME DY KËMBË
– Ku është dallimi në mes akrepit me tetë këmbë dhe akrepit me dy këmbë? – e pyeti njëri biologun.
– Dallimi është se akrepi me tetë këmbë helmin e ka në bisht, kurse ai me dy këmbë, në gojë, – tregoi biologu.
27. PLESHTI
– A më mirë është të pickojë pleshti femër, apo pleshti mashkull, – e pyeti daja nipin, duke menduar për pleshtin mashkull që nuk pickon.
– Ku di unë cili është femër, cili mashkull, më mirë asnjëri, – ia ktheu nipi.
28. SI HEKTORI
– Dëshiron të vdesësh si Hektori trojan, apo si Akili mirmidonas, – e pyeti orakulli i Delfit trashëgimtarin trojan.
– Si Hektori, sepse në dallim me Akilin, Hektori ka vdekur për mbrojtjen e atdheut, – tha pasardhësi trojan.
– Ngjashëm do të thoshte edhe Akili për Hektorin, – e përforcoi orakulli.
29. VRASJA E GOMARIT
– Pse e vrave gomarin e gjorë? – e pyeti fshatari fqinjin, kur pa gomarin me këmbë nga dielli.
– E vrava, sepse dëshironte të kalonte natën në hotelin e kurvave, – ia ktheu fqinji.
30. MASKA E UDBASHIT
– A mund t’ia vjedhësh maskën udbashit? – e pyeti njëri fqinjin.
– Udbashit më lehtë mund t’ia vjedhësh gruan se maskën, për shkak se maskën vazhdimisht e ruan si qorri syrin e vetëm, – ia ktheu fqinji.
31. LAVDËRIMI
– Çka duhet bërë kur të lavdëron Isa Mustafa? – e pyeti gazetari qytetarin në rrugë.
– Duhet shkuar te neuropsikiatri për kontroll, – ia ktheu me zemërim qytetari.
32. LIGJI
– A e di ti kush janë shkaktarët e krijimit të ligjit? – e pyeti njëri kolegun në studime.
– Si nuk e di, janë njerëzit, – u përgjigj kolegu i tij
– Jo, janë korrupsioni dhe kriminaliteti në vend, – tregoi i pari.
33. INVERSIONI NË GRAMATIKË
– Si bëhet inversioni i fjalisë ”The lion bit the cat”? – i pyeti arsimtari i anglishtes nxënësit.
– Nuk ka inversion, arsimtar, pasi që luani është mbret i kafshëve dhe nuk këmbehet me asnjë kafshë tjetër në botën shtazore, – tha një nxënës.
– Mirëpo ne jemi duke mësuar gramatikën, jo biologjinë, – ia ktheu arsimtari.
34. FIZIONOMIA
– Agim, ç’janë ëndrra me opiumin? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
– Në gramatikë janë emra të përveçëm, kurse në fizionomi janë vëlla e motër, – u përgjigj nxënësi.
35. ËNDRRA
– Ti je duke fjetur dhe në gjumë ëndërron që hyrja në ndërtesë është mbyllur, ç’do të bësh, do ta thyesh derën, apo do ta lajmërosh policinë? – e pyeti psikologu qytetarin.
– Do të zgjohem prej gjumit, – u përgjigj qytetari.
36. DON ZHUANI
– I zoti i shtëpisë e vrau Don Zhuanin me presh në dorë, – tregoi njëri në mesin e qytetarëve.
– Me siguri duke vjedh pulat…?! – ndërhyri njëri prej tyre.
– Ç’po flet, Doni Zhuani nuk vjedh pula, ai pallon gratë e huaj, – ndërhyri një tjetër.
37. VAJZA NË DUAR TË KASAPIT
– Është bija jote që kërkon abortim?! – e pyeti burrin mjeku i ordinancës private.
– Jo, jo, është dashnorja ime, – tha burri i martuar, përndryshe baba i pesë fëmijëve.
– Babush, për 500 euro unë dashnoren ta bëj paq, – ia priti mjeku i ordinancës vetjake dhe menjëherë i hyri aksionit kirurgjik për abortimin e 14-vjeçares. Tani të dy do të ballafaqohen me ligjin.
38. STRIPTIZI
– Çka domethënë fjala ”striptiz”? – e pyeti arsimtari i sociologjisë Agimin në klasë.
– Striptiz domethënë zhveshja e lëvores prej bananes, – u përgjigj thjesht Agimi.
– Kujdes Agim, gjendemi në orën e sociologjisë; prandaj striptiz domethënë zhveshje sensuale e femrës para burrave të martuar, – shpjegoi arsimtari.
39. GJYKATA SIPAS VENDIT
– Zotëri avokat, sa kushton vrasja e gruas me gjithë bijën? – e pyeti gazetari avokatin e popullit.
– Nëse vrasësi dënohet në Suedi, kushton me burg të përjetshëm, nëse dënohet në Kosovë, nuk kushton më shumë se një dekadë burg, pastaj dënimi mund të falet nga bujaria e Kryetarit të Kosovës, – tregoi avokati i popullit.
40. EPOKA E GURIT
– Cila epokë është më e vjetër, e gurit apo e bronzit? – e pyeti arsimtari studentin.
– Ua, ç’pyetje më bën, epoka e Isa Mustafës është më e vjetër! – u përgjigj studenti me ironi.

Suedi, 30.09.2020

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...