Home / Opinion / MARIFET INTELEKTUALI, APO DIPLOMATI ?!

MARIFET INTELEKTUALI, APO DIPLOMATI ?!

Për të parën herë në këto vite të demokracisë hibride në vendin tonë, ish diplomati Fatos Tarifa, aktualisht pedagog në një nga Universitetet e vendit, në vjen në faqet e shtypit të ditës, me shkrimin më të shkurtër, por me një titull tepër të gjatë.
“Ka vërtet diçka që nuk shkon në tërë këtë hsitori . . . Një krahasim mes Berishës dhe Ramës, fatkeqësia kombëtare ende në veprim dhe një lider që po asgjeson partinë që drejton“, – është titulli i shkrimit në fjalë, botuar sot, datë 28 shtator 2020 në gazetën Dita.
Intelektuali, pedagogu e diplomati Fatos Tarifa, shkruan jo vetëm shkurt, por edhe shumnë qartë, duke na zbuluar aftësi intelektuale klasi, njëherësh edhe diplomaci konjukturale. Pasi na tregon në mënyrë të përmbledhur se kush është Berisha, (realisht asgjë të re, përveçse ato që i dimë të gjithë), shtron katër pyetje habitore për veten dhe shoqërinë ku ai bën pjesë:
“1.- Si është e mundur që e kemi “zgjedhur” këtë njeri të jetë kreu i shtetit tonë dhe kreu i qeverisë që e ka drejtuar vendin tonë për një kohë kaq të gjatë – plot 13 vite?
2.- Si është e mundur që e kemi lejuar këtë njeri të bëjë çfarë dhe si ka dashur me këtë vend?
3.- Si është e mundur që e lejuam këtë njeri të kthehej në politikë dhe të merrte frenat e qeverisë edhe pas tragjedisë që ai i shkaktoi këtij vendi dhe këtij populli 23 vite më parë, më 1997?
4.- Si është e mundur që ka ende njerëz që i besojnë këtij njeriu, i shkojnë pas dhe e duan sërish në politikë?”
Pasi na rreshton pyetjet shterruese të mësipërme, profesor Tarifa, del në konkluzionin:
“Ka vërtet diçka që nuk shkon në këtë histori, e cila flet për një psikozë gjerësisht të përhapur në një popullatë kaq shumë të fragmentizuar e të përçarë, deri tridhjetë vite më parë nga sistemi komunist, i cili instigoi “luftën e klasave” dhe deri vonë nga vetë politikat e ndjekura nga z.Berisha, sa e bëjnë të vështirë të kuptuarit e një dukurie të tillë”.
Kjo konkludë e profesor Tarifës, duhet të jetë e vërtetë. “Luftën e klasave” ai e vuajti ”tmerrësisht” nga klasa e parë fillore e deri sa mbaroi Universitetin, pa dalë asnjë dekik nga bulevardi i Kryeqytetit. Por edhe më vonë, edhe kur u ndërrua sistemi, rruga e tij pati të njëjtën trajektore: Diplomaci, studime pasuniversitare, pozicione pedagogu, studiuesi nëpër institute e universitete të perendimit, etj., për t’ u stacionuar më në fund po në kryeqytet, ku lindi, u rrit dhe hodhi shtat e dije, duke u ndeshur gjithnjë me “luftën e klasave” të Socializmit dhe “Luftën e klasave” të Demokracisë.
Në vijim të katër pyetjeve që shtron në pjesën e parë të shkrimit, profesor Tarifa, thotë shprehimisht:
“Sa kohë që politika shqiptare dhe vullneti i qytetarëve të këtij vendi janë treguar tërësisht të paaftë ta nxjerrin jashtë loje një individ si z. Berisha, të cilin unë me kohë e kam cilësuar si një “fatkeqësi kombëtare”, mbetet vetëm të presim që, atë çka deri më sot nuk e kanë bërë dot një politikë demokratike konsekuente dhe ligjet e një sistemi drejtësie të korruptuar, ta bëjë ligji biologjik, njëlloj i hekurt për të gjithë njerëzit”.
Sapo lexon këtë ligjëratë të profesorit, mendja te shkon vetiu tek ligjërata tepër e ngjashme e Ramës, lëshuar dy ditë më parë për gazetarët, fill mbas takimit me asambleistët e PS të qytetit të Vlorës. Ironisë së Berishës se “Rama u tërhoq nga kandidimi në Durrës se ka frikë nga Basha”, KM iu përgjigj:
“Kam kohë që nuk e di se çfarë thotë Berisha dhe ju sugjeroj miqësisht ta konsideroni moshën që ka si një njeri që thjesht duhet lënë në vetminë e tij. Pastë jetë të gjatë e shëndet, i gëzoftë nipat e mbesat. Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka ça i jep më. Insistimi i tij që populli të dëgjoj ato që thotë ai është një fatkeqësi e madhe”.
Ligjëratat e Kryeministrit dhe profesor Tarifës, janë pothuaj identike, si në formë dhe veçanërisht në përmbajtje. Kjo ndodh sepse të dy personazhet që kanë drejtuar vendin në kohështrirjen më të madhe, janë si vëllezërit siamezë, sigurisht më karakteristika formale të ndryshme, por me të njëjtën rrobë demokracie neofashiste.
Profesor Tarifa, e din shumë mirë, se po të bjerë Berisha, bie edhe Rama, ndaj Berisha duhet mbajtur në “këmbë” si dordolec kopshti, që të trembë zogjtë e laraskat mos dëmtojnë kopshtin e Ramës, i cili në thelb, është si ai i Berishës.
Kritikat e buta për Ramën, që profesori i lançon në pjesën e dytë të shkrimit të tij, dhe merakun se ai (Rama) “po asgjeson partinë e tij”, janë ose mungesë njohje të situatës, ose një furçe diplomatike, që autori përdor, me shpresën se Kryeministri Rama, nëse merr mandatin e tretë, do të kujtohet për diplomatin Tarifa, i cili është i gatshëm të luftojë kundër “luftës së klasave” të socializmit dhe për “mbrothësinë” e Demokracisë borgjeze në vendin tonë. Unë personalisht qëndroi tek kjo e fundit.

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...