Home / Të ndryshme / Shkëputje nga romani: “Besa e mbajtur e kaçakut Sali Shabani” të autorit Avdi Ibrahimi, botim i vitit 2014.

Shkëputje nga romani: “Besa e mbajtur e kaçakut Sali Shabani” të autorit Avdi Ibrahimi, botim i vitit 2014.

Specifikë tjetër për fshatarët e Kabashit ishte edhe oda e burrave, ku mblidheshin në mbrëmje, sidomos dimrit meshkujt e rritur nga fqinjësia dhe fshati. Në këto ndeja zhvilloheshin diskutime e këmbeheshin mendime, rrëfeheshin tradita, ngjarje personalitetesh që lanë gjurmë të pashlyeshme nga historia kombëtare shqiptare. Kur fliste njëri me vëmendje dëgjonin të tjerët. Gjatë bisedimeve tregoheshin shpeshherë rrëfime alegorike, pastaj praktikoheshin lojëra se kush kujt ia hidhte për nga mençuria, këndoheshin në lahutë dhe tela çiftelie, këngë epike për ngjarje historike, në luftën kundër zyrtarëve turq, për luftën e kaçakëve kundër serbosllavisë. Oda e burrave mbushej përplot, kur i zoti i shtëpisë kishte ndonjë mysafir, kështu ata shprehnin respektin për mysafirin. Kështu brumosej kaçaku Sali Shabani. Ai mbante veshur tirq prej zhguni të kaftë, me dy shqeka anash si imitim i xhepave, të zbukuruar me gajtan të zi në të shumtën e rasteve me 12 fije gajtani. Nën tirq ai mbante veshur nëndërresat e përfundme. Në pjesën e epërme të trupit këmishën e bardhë me mëngë të gjata, mitanin me krahë të gjatë, jelekun dhe xhamadanin prej zhguni të kaftë. Për mesi i ngjeshej brezi i gjatë ngjyrash të ndryshme, ku mbante armën e padukshme. Në këmbë të mbathura çorapet e leshta, kurse sipër tyre shputat e zbukuruara dhe opingat e lëkurtë. Në kokë i rrinte mirë plisi i bardhë prej leshi në trajt cilindrike. Kjo veshje me tirq të puthitur për trupi me zbukurime prej gajtani të zi, në sfondin e kaftë, dukej shumë elegante dhe atraktive dhe i kishte hije vendi e kuvendi në odën e burrave. Këtë përshkrim ia kishte treguar gjyshi dhe gjyshja. Kështu ajo ra në kujtime të tjera duke menduar se çfarë ishte duke bërë Shpendi?
…Edhe Shpendi, ja tani mu në këto çaste ashtu sikurse Rozafa, s’deshi kurrë të mendonte për masakrën e Kabashit, sa herë që kujtonte atë masakër i hapej plaga edhe më shumë, i dukej sikur ishte së bashku me kushërirën e tij, Rozafën e po mendonte për masakrën e tmerrshme që kishin dëgjuar rrëfime të ndryshme nga gjyshi e gjyshja, nga babi e nëna, nga mësuesi e arsimtari, nga profesori e historiani, Kabashin që e kishte parë të braktisur nga banorët tash së voni, ata kabashasit kishin ikur nga fshati, por aty në fshat kishin lënë zemrat e tyre, kishin lënë varret e më të dashurve të tyre fisi im i respektuar mbahu i fortë mos harro të kaluarën! Unë për veten time kur e kam vizituar Kabashin jam mahnitur me bukurinë e atij vendi malor, që me të drejtë e quaj fole shqiponjash, e sa njerëz ranë në altarin e lirisë për ta mbrojtur këtë vend heroik, këtë truall të bekuar që e kishin trasheguar nga të parët e tyre, ata ranë për triumfin e jetës, do t’i ruaj e kujtoj me mirënjohjen më të thellë e kemi për t’i nanurisur me këngët më legjendare më heroike në veçanti për Bacën Sali. Oh, në këto çaste, kur zemra lufton me detyrën për atdheun e shqiponjave, ose kur zemra dhe detyra e zemrës bëhen një dhe njeriu assesi nuk mund të ndahet nga jeta, -se kështu Shpendit i dukeshin këto çaste, një zë i thellë gjëmonte në gjirin e të dyve, bashkë të luftojnë e bashkë të vuajnë, kështu së bashku të çajnë errësirën që sollën të huajt në vatrën tonë, të çajmë errësirën me fenerin e dashurisë sonë, me fenerin e idealit tonë kombëtar! Dashuria për atdheun lind në luftë, e lufta ende vazhdon…
– Bacë Sali Shabani! Dhe, ashtu i heshtur ra në mendime tek kujtoi:
Masakrën e kalimit të mes marsit (16 marës) të vitit 1913. Fshati malor Kabash përjetoi natën më të tmerrshme në historinë ekzistuese të tij. Pse ndodhi ky krim i rëndë njerëzor, një ngjarje e llahtarshme e përjetuar nga populli shqiptar në historinë e tij, pse serbët e bënë këtë kasaphane në Kabash? Çka i shtyri kasapët serbë që në kishë të fshatit Kabash ta bëjnë masakrën?!
Ushtria serbe e Divizionit të Shumadisë i kishte krijuar kushtet për këtë akt antinjerëzor e antishqiptar, kurse masakrën e kryen shkijet lokal si: Vuksan Jovanoviçi, vëllezërit Angjellko e Maksim Ristiqi, Spiro Kola, Jova i Lubizhdës, Matush Gapiqi, Mark Gavazi i Novakës, vojvoda i Vërbiqanit, por kryeekzekutor ishin Kapedan Spiro dhe Filo Delloci. Masakrimin e kabashëve e ndihmuan Gapiqët e Puhiqët e Prizrenit, kryemurgu Serafim e dhaskal Petri. Kjo ngjarje makabre, kish ndodhur diku pas gjysmës së muajit mars 1913, në luftën ballkanike. Pse kjo masakër ka ndodhur pikërisht në kishë nga gjakpirësit serbosllavë?! Vend ky ku njerëzit i drejtojnë lutje Zotit të Madhërishëm. Kjo të çon në logjikën se kisha ortodokse serbe, është frymëzuesja e të gjithë gjakpirësive, që i janë bërë iliro-shqiptarëve nëpër shekuj. Kjo masakër krijoi indinjatë të thellë në mbarë hapësirat shqiptare, por nga Kabashi ishin disa familje të shpërngulura që jetonin në fshatin Mushtisht të Therandës, këto familje kabashase ishin gjak i afërt me Sali Shabanin – Kabashin e të gjithë të masakruarit në Kabash ishin të një fisi e të një vëllazërie me familjen Abazi, Ibrahimi dhe Mustafa të Mushtishtit. Kështu, filloi organizimi nga fisi kabash, në Kabash e Mushtisht, dhe bashkëfashatrëve të këtij fshati, për hakmarrje ndaj Spirës dhe Filës së Dellocit, ku fshati Delloc është mbi fshatin Mushtisht si fqinj të afërt. (vijon)

About admin

x

Check Also

 TVM2: Të nderuar teleshikues mirëmbrëma! Këtë sezonë të ri të  emisionit “Open” e fillojmë me një protagonist shumë të veçantë, z. Xhemil Zeqiri i cili çështjen kombëtare e sheh si një strumbullar të vetëm që vetëm duke thënë të vërtetën edhe atëherë kur dhemb shumë dhe shton dhembjen e plagës, mund të zgjidhet çështja shqiptare.

Emisioni “Open” TVM2: Z. Xhemil, mirëmbrëma dhe  mirë se na erdhët në ...