Home / Opinion / Sulejman Gashin e kam respektuar.

Sulejman Gashin e kam respektuar.

Ai nuk kishte të bënte asgjë me gazetarët komunistë të Kosovës, as me juniorët e dalë nga shkollat e pa asnjë cilësi të periudhave të okupimit e të pas çlirimit.
Pas luftës ishte i pari që më ftoi në studion e RTK-së. I kishte hije gazetaribërja. Impononte me dukjen e sjelljen e tij prej zotnie.
Ishte në funksion të pajtimit të shqiptarëve politikisht të ndarë e tmerrësisht të përçarë. Ashtu sikurse në vitet e tij amerikane ishte në shërbim të mbajtjes gjallë të shpresës shqiptare se, përkundër të gjithave, nuk janë krejtësisht të vetmuar në këtë botë.
Pas luftës ai ishte në dy shërbime paralele: ndërkombëtare e kombëtare. Të dyja misione të tij të sukseshme.
Me të uleshim kur takoheshim në rrugë për në punë apo kthim prej saj. Bisedat me të kurrë nuk ishin kot, pa përmbajtje e pa kuptim.
Në Prishtinë vetëm njëherë kemi një ndejë më të gjatë bashkë, por edhe me disa nga kooperativistët e RTK-së, gazetarë të pamësuar, të pa talent, të instaluar nga politika kadrovike komuniste dhe nga ajo edhe më e zezë -postkomuniste! Me të tillë që jo që s’kishin inteligjencën e humorbërjes, por as atë të thënies së diçkaje të thellë e të mençur. Atë mbrëmje u ndava me të me konstatimin e përbashkët se si ta prishin mbrëmjen qafëtrashët e të majmurit nga hiçbërjet e keqbërjet serike…
Sulejman Gashi më shumë se çdokush në Kosovë ka merituar të ketë funksionin më të lartë kosovar në OKB. Para se kushdo tjetër ai do të duhej të emërohej ambasador i Kosovës në Vashington.
Nuk u bë. Nuk e lanë. Sepse Syla nuk ishte drenicak sa duhet… Apo nuk ishte servil siç kërkonin politikisht të plotëfuqishmit!
Syla për mua ishte vlerë, prandaj nuk mund ta ndërprenim komunikimin.
Para krizës së tij shëndetsore, në prill 2015, më tha se edhe ai si unë, tri herë në vit, do të shkonte në Kosovë. Për në gusht e lamë të takoheshim te unë dhe te shtëpia e tij e re në katund, me mundësinë e dëshiruar që aty të ishte edhe daja i tij, miku e bashkëveprimtari im Naim Maloku.
Nuk kishte qenë e thënë…
Pas rënies së tij në coma, kam menduar shumë për të. E kam pasë të madhe dhimbjen e të vogël shpresën.
Nuk e merrja dot guximin t’i shkruaja. Frikësohesha se ai nuk do të mund të më përgjigjej. Prandaj vendosa ta pyes të vëllanë e tij, Selajdinin, përgjigja e të cilit nuk jipte shpresë: Gjendja shëndetsore e Sulejmanit nuk është e mirë, ai ende ndodhet në coma, ndërsa përmirësimet janë të vogla…
Po përcillja me trishtim gjendjen e rëndë të një njeriu me vlerë. Gjashtë herë u rrotulluan gushtët e shpresës për takimin tim me Sulejman Gashin në trojet e Rexhë Asllanit nga familje e famshme pleqnare e atdhetare e të famshmit filozof popullor Ramadan Shabani të Kijevës!
Nga dhimbja e pa fund dhe e ligjshme e familjes për ty, Sulejman i dashur, dua të marr një pjesë të saj të madhe.
E kujtofshim përjetë! Zoti ju lashtë shëndosh!

About admin

x

Check Also

Aktiv

INTERVISTË/ Sadri Ramabaja: Kjo është e vërteta ime ndaj “Syrit të Popullit”!

12/09/2020 Almakos ka realizuar një intervistë me profesorin Sadri Ramabaja, i cili ...